AMF nis zbatimin e udhërrëfyesit për regjimin europian të mbikëqyrjes në sigurime, çfarë parashikohet të ndodhë

AMF nis zbatimin e udhërrëfyesit për regjimin europian të mbikëqyrjes në sigurime, çfarë parashikohet të ndodhë

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në bashkëpunimin me Bankën Botërore dhe mbështetur nga Sekretariati Zviceran për Çështje Ekonomike (SECO) ka nisur implementimin e udhërrëfyesit për regjimin europian të mbikëqyrjes në sigurime, Solvency II.

Përmes një serie workshopesh dhe sesionesh trajnimi, ekspertët e Bankës Botërore, në bashkëpunim me AMF do të informojnë përfaqësuesit e tregut të sigurimeve mbi hapat që duhen ndjekur drejt regjimit të ri të mbikëqyrjes, si edhe detyrimet përkatëse.

Në fjalën e mbajtur në nisje të këtyre takimeve, Drejtorja e Përgjithshme Ekzekutive e AMF, Mimoza Kaçi, vlerësoi se nisja e zbatimit të udhërrëfyesit shënon një hap të rëndësishëm në drejtim të rritjes së efektivitetit të mbikëqyrjes në tregun e sigurimeve. Ajo theksoi se "përafrimi i legjislacionit tonë me standardet europiane dhe integrimi në BE janë shtyllat kyçe të strategjisë së Autoritetit për zhvillimin afatmesëm të sektorit të sigurimeve. Zbatimi i regjimit Solvency II kërkon angazhim të përbashkët dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me kompanitë e sigurimit ".

Gjithashtu, Kaçi vlerësoi bashkëpunimin e suksesshëm, tashmë gati 10 vjeçar, të Autoritetit me Bankën Botërore dhe SECO-n, për forcimin e kapaciteteve dhe për zhvillimin e një kuadri ligjor dhe mbikëqyrës modern, në përputhje me direktivat e BE, për sektorët e tregjeve të kapitalit, sigurimeve dhe pensioneve.

Në strategjinë 5-vjeçare të AMF 2023-2027, parashikohet kalimi në një regjim të ri mbikëqyrjeje në tregun e sigurimeve. Në dokument, zbatimi i regjimit Solvency II, i cili aplikohet tashmë në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, cilësohet si një nga prioritetet kryesore të punës së AMF për vitet në vazhdim, si edhe një detyrim në negociatat për kapitullin 9 “Shërbimet Financiare”, të udhëhequr nga ky institucion. 

Kalimi në një regjim të ri mbikëqyrës parashikohet të bëhet në mënyrë graduale, me disa faza, duke përfshirë periudhën përgatitore, ndërmarrjen e ndryshimeve të nevojshme ligjore e rregullatore, deri në implementimin e plotë, që parashikohet të jetë pas 7 vitesh. Ashtu si edhe në shumicën e vendeve evropiane, ky regjim pritet të sjellë kërkesa të shtuara si për rregullatorin, ashtu edhe për shoqëritë që operojnë në tregun e sigurimeve. 

Solvency II, i cili nisi zbatimin në BE në janar të vitit 2016, krijon një sistem të avancuar mbikëqyrjeje por edhe funksionimi të shoqërive, të bazuar mbi riskun, duke sjellë avantazhe përmes rritjes së mëtejshme të standardeve të rregullimit, por edhe të vetë operimit të tregut.

Regjimi i avancuar evropian i mbikëqyrjes parashikon kërkesa të reja dhe komplekse, në nivel teknik dhe organizativ, për shoqëritë e sigurimit dhe AMF-në. Tre shtyllat kryesore përbërëse të Solvency II janë kërkesat sasiore që kanë të bëjnë me kapitalin dhe aftësinë paguese, kërkesat për qeverisjen korporative dhe administrimin e rrezikut të shoqërive, si edhe kërkesat për publikimin e informacionit dhe transparencën.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Tërmet në Napoli, njerëzit e frikësuar dalin në rrugë

Tërmet në Napoli, njerëzit e frikësuar dalin në rrugë