Në Komisionet Parlamentare ka nisur të diskutohet amnistia penale, dhe bashkë me të edhe pikëpyetje për projektligjin.
Deputeti Erald Kapri në komisionin e Brendshëm hodhi dyshime se mund të lirohen subjekte të SPAK, nisur nga precedenti i vitit 2024.
“Janë liruar njerëz që ishin dënuar për korrupsion. Janë kthyer njerëz nga gjykata. Para 2 vitesh keni liruar njerëzit nga burgu të dënuar për korrupsion”, tha Erald Kapri.
Përgjigjen e mori nga Ministria e Drejtësisë e cila pranoi se amnistia e 2024 nuk ishte më e mira e mundshme.
“Kemi 0 tolerancë për ata që janë subjekt i SPAK dhe GJKKO, kemi mësuar nga 2024”, tha Elona Hoxha.
Ndërsa numri i lartë i të paraburgosurve nëpër burgje është kthyer në një shqetësim vitin e fundit në Shqipëri, Ministria e Drejtësisë tha se qëllimi i amnistisë nuk është ulja e numrit të personave që ndodhen në burgjet vendase.
“Qëllimi i amnistisë nuk është ulja e të burgosurve nëpër burgje, por patjetër ky është një efekt. Ne duam që të kemi sa më shumë dënime alternative, por kjo është një vendim që i jep gjykata dhe ne nuk ndërhyjmë në të”, tha Alban Mësonjësi.
Deputeti i PD-së Isuf Çelaj ngriti shqetësimin e të burgosurve që janë dënuar për ndërtime pa leje.
“Pse nuk e keni përfshirë në parashikimet tuaja që të lirohet ai fshatari në Tropojë, Has apo Kukës, që ka ndërtuar një çati pa leje?”, tha Isuf Çelaj.
“Sa i përket dënimeve që lidhen me ndërtime pa leje, nuk përfitojnë për shuarjen e dënimit, por përfitojnë nga ulja e dënimit”, tha Alban Mësonjësi.
Por çfarë ndodh me një person i cili është dënuar nga një gjykatë e zakonshme për të njëjtën vepër penale që një person është gjykuar nga GJKKO? Ministria e drejtësisë jep këtë përgjigje:
“Do ta verifikojmë këtë moment specifik, por pabarazi nuk ka. Amnistia është e qartë për ata që përfitojnë, por ka përjashtime të qarta”, tha Alban Mësonjësi.
Amnistia e miratuar në vitin 2024 me votat e PS dhe të PD-së solli një sërë problematikash në zbatimin e saj në praktikë, ndërsa institucionet tanimë thonë se kanë nxjerrë mësimet e duhura dhe do të bëhen korrigjimet përkatëse që të mos ketë vend për keqkuptime. Projektligji i amnistisë së këtij viti pritet të kalojë në Kuvend më 18 qershor, dhe kërkon 84 vota.
Komente










