Analiza/ Dëshmorët e gjallë dhe dëshmorët e vdekur

Analiza/ Dëshmorët e gjallë dhe dëshmorët e vdekur

Po të mos ishte për shiun e dendur sot, moti ishte pothuajse i njëjtë. Të dyja ditë të zymta, pa diell, ku nevojitet një xhup i lehtë për t’u mbrojtur nga i ftohti. Dhe vendi është po i njëjtë. Përsëri Kryeministria. Ajo që ndryshon… këtë herë, dëshmorët u larguan me këmbët e tyre.

Jo me makina të rastit që zvarriteshin ngadalë në rrugët e bllokuara nga 100 mijë persona syzgurdulluar nga terrori, për t’u lëshuar më pas uturime drejt spitaleve teksa jeta e dëshmorëve rridhte jashtë trupit të tyre së bashku me grimcat e fundit të gjakut.

Për një ironi therrëse, edhe Bulevardi është i njëjti. Ai i “Dëshmorëve të Kombit”. Në 21 janar, rrugët e tij u shpëlanë nga gjaku i katër personave, faji i vetëm i të cilëve ishte guximi për të protestuar kundër Kryeministrit.

Ndërsa sot, nga i njëjti Bulevard, në zyrën e Kryeministrisë hynë mjekët, rrogëtarë të shtetit, për të kërkuar që kolegët e tyre të rënë në luftën e COVID të shpallen dëshmorë, e për të kërkuar gjithashtu përmirësim pagash e kushtesh.

Nuk është i njëjti skenar. Nuk është e njëjta revoltë. Por paranteza qëndron. Në kohën kur vriteshe në protestë, kush vallë mund të imagjinonte, qoftë edhe ashtu si përgjumur, të dilte në protestë kundër Kryeministrit.

Në një kohë kur edhe pastruesi futej në punë vetëm me teser partie dhe kur administrata shihej si plaçkë lufte për t’u nxjerrë në paradë në tubimet e Partisë, të shprehje minimumin e pakënaqësisë, një çalltisje e padëgjuar, të sillte në vend (nëse ishe me fat) pushimin nga puna.

Jo rastësisht, në tetë vitet midis 2005-13, përpos ndonjë proteste sporadike të minatorëve me thikën në palcë (që për hir të së vërtetës u futën 1 muaj në tunele për mos ta çarë kokën askush), numri i protestave ishte gati zero.

Pas 2013, sa protesta mbani mend? Një film i nisur me armët kimike, kur kolektivisht nëna me fëmijë në duar kërkuan t’u dëgjohej zëri përpara Kryeministrit. E zëri u dëgjua. E njëjta me turmat e studentëve, që mbase me pankartat më inovative të para në ndonjë protestë në këto anë bënë që zëri i tyre të dëgjohej.

Pas tyre, protesta e naftëtarëve jo më larg se një javë më parë, protesta për të drejtat e njeriut, marshimi i grave, OJQ, një listë e gjatë, në të cilën përfshihen edhe protestat me molotov e kaish të organizuara nga ai që nesër pretendon të jetë Kryeministër.

Ka vetëm një arsye përse ky ndryshim. Sot, askush nuk të vret më në protestë. As atëherë kur lëshohen gurë, bomba molotovë apo kapsolla nga ato që gjymtuan dy vjet më parë policen 24-vjeçare, duke e lënë pa gjysmat e gishtave në njërën dorë.

Askush nuk të ndalon të shprehësh pakënaqësinë në çdo formë të parë të arsyeshme, por ajo që ndodhi sot ka një domethënie kolosale.

Kjo sepse në zyrat e Kryeministrit, sot trokitën rrogëtarë të shtetit. Mjekë të punësuar në shtet që dalin hapur kundër ministres dhe qeverisë së tyre, e që trokasin në Kryeministri për të diskutuar dhe negociuar kërkesat.

A mendohej diçka e tillë vetëm 7-8 vjet më parë? Ja pra, ky është barometri më i mirë që tregon me të vërtetë se sa është bërë demokratik ky vend. E nëse ka persona që e mendojnë ndryshe, nuk ka problem. Askush nuk do t’i përçmojë, askush nuk t’i përbuzë, askush nuk do t’i syrgjynosë nga vendi i punës, e më e rëndësishmja, askush nuk do t’i prekë më të shenjtë të drejtë në botë… të drejtën e jetës.

Ndaj sot, mbase është rasti për të thënë edhe një herë më shumë. Lavdi Heronjve! Lavdi dëshmorëve gjaku i të cilëve të paktën shërbeu për të ndryshuar përgjithmonë këtë vend. E pa dyshim, lavdi dëshmorëve që përballen me COVID, që sot hyjnë në zyrën e Kryeministrit jo duke çarë rrethimin e Gardës, por ashtu siç ndodh në çdo vend demokratik të botës… me këmbët e tyre.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

GOLAT/ 120 minuta dhe 10 penallti, Real Madrid kalon Man. Cityn dhe gjen Bayern Munich në gjysmëfinalet e Champions! Bavarezët i falen Kimmich duke larguar Arsenalin

GOLAT/ 120 minuta dhe 10 penallti, Real Madrid kalon Man. Cityn dhe gjen Bayern Munich në gjysmëfinalet e Champions! Bavarezët i falen Kimmich duke larguar Arsenalin