Andis Gjoni, artisti që ndan jetën mes Shqipërisë dhe SHBA sjell librin 'Pasioni për skenën'

Promovohet në anglisht libri “Pasioni për skenën” i artistit dhe skenografit Andis Gjoni në Klubin e Aktorëve në Nju Jork. Ky klub i famshëm është ish-shtëpia e njërit prej aktorëve më të njohur të teatrit amerikan Edvin Buth. Ai ja fali shtëpinë e tij pas vdekjes aktorëve dhe ajo godinë u kthye në klubin e tyre. Edvin Buth realizoi role të pafund në skenat e Amerikës dhe mendohet të jetë aktori që ka luajtur më bukur Hamletin në shek e 19-të. Për fat të keq një hije e errët ka mbetur mbi aktorin e famshëm që njihet edhe si vëllai i vrasësit të presidentit Linkoln. Muret e Klubit të Aktorëve janë të mbushura me portretet e aktorëve dhe dramaturgëve të mëdhej amerikanë.

Promovimi i librit të artistit shqiptar në një vend kaq prestigjioz u organizua në bashkëpunim me kompaninë “White Horse Theater”. Merrnin pjesë regjisore, aktorë, producentë dhe profesionistë të artit dhe të kulturës amerikane. Fjalën e mirëseardhjes e mbajti regjisorja Sindi Merion e cila tha se ishte kënaqësi për të të ndodhej ne promovimin e librit te Andis Gjonit.

“Ishte kënaqësi të ndodhej në këtë mbrëmje për promovimin e librit të Andis Gjonit të cilin ajo e kishte njohur që në vitin 2007 kur kishin bashkëpunuar në realizimin e komedisë “Gjysma” për të cilën megjithëse ishte një produksion me një buxhet fare të vogël artisti shqiptar krijoi diçka të veçantë. Kur ajo kishte hyrë në teatër kishte mbetur e habitur kur kishte parë që skenografi kishte krijuar një skenë shumë të përpunuar, me detaje e nuanca të veçanta, dhe megjithëse e kishte tejkaluar buxhetin e caktuar ai nuk e vriste mendjen për anën financiare pasi ai ishte aq i dedikuar dhe aq i apasionuar pas artit të skenografisë saqë ai nuk mund të pranonte asnjë gjë më pak se perfeksioni. Për mua ai ishte momenti kur mendova se ky është lloji i artistit me të cilin dua të punoj në kompaninë teatrore “White Horse Theater” sepse ne besojmë në ekselencën artistike dhe më të mirën e të mirave. Që atëhere Andis ka qenë pjesëtar i ekipit tonë dhe kemi realizuar shumë produksione bashkë”, tha Sindi Merion.

Më pas programi vazhdoi me një video prezantim të punës së Andis Gjonit në vite.

Pastaj e mori fjalën regjisorja Nenci Rhodes e cila tha që kjo mbrëmje është për të festuar vizionin, muzikën, artin. Ajo e quajti punen me Andis Gjonin nje eksperience të jashtëzakonshme.

“Sonte jemi mbledhur të festojmë vizionin, muzikën, artin. Ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme për mua si regjisore që të punoj me Andis Gjonin jo vetëm si skenograf por ai është një piktor shumë i mirë dhe një kostumograf gjithashtu. Nuk e gjen kollaj këtë kombinim në Amerikë ku profesionet janë të ndara qartësisht, pra kjo gjë ishte shumë pozitive dhe ndihmoi që të sillnim në jetë atë botë skenike për të cilën po punonim. Ne realizuam për herë të parë një muzikal në historinë e Shqipërisë, “Histori e Anës Perëndimore” (West Side Story) dhe kjo ishte sigurisht një nga arritjet më të mëdha të jetës time. Ne patëm artistë të mrekullueshëm, dhe patëm fatin të kishim edhe një producent shumë të mirë zotin Zhani Ciko në atë kohë drejtorin e përgjithshëm të TKOB që është sonte këtu. Ne na ndihmoi shumë eksperienca dhe vizioni i zotit Ciko. Disa vjet më pas ne u bashkuam përsëri për të realizuar një tjetër muzikal “Kiss me Kate” dhe mora vesh që të gjitha biletat ishin shitur për shfaqjet tona.

Jam shumë e lumtur për këtë promovim dhe për rrugëtimin e Andis Gjonit si artist pasi puna e tij është e kalibrit më të lartë në kërkim të së vërtetës mbështetur në historitë për të cilat ai krijon vizionet skenike. Dhe në botën e sotme ku po ndodhin shumë gjëra është e rëndësishme që artistë nga kultura të ndryshme të punojnë bashkë e të krijojnë bashkë duke shkëmbyer historitë e vendeve të ndryshme dhe atëhere e ndjen se ke miq edhe në anën tjetër të botës. Dhe kjo është një gjë që më gëzon. Prandaj urime Andis për librin dhe falemnderit që më bëtë pjesë të kësaj mbrëmjeje“, tha Nenci Rhodes.

Më pas e mori fjalën Z. Zhani Ciko, personalitet i muzikës dhe kulturës shqiptare, Mjeshtër i Madh, dhe ish-drejtor i përgjithshëm i TKOB.

Ai tha se ishte një kënaqësi të merrte pjesë në këtë eveniment, që ishte i rëndësishëm edhe për operën shqiptare, pasi ka qenë ëndrra e artistëve shqiptare qe te realizonin ne skenë edhe muzikën amerikane, që është pjesë shumë e rëndësishme e kulturës botërore.

Prandaj – tha ai - desha të përmend që në fillim përpjekjet që kemi bërë për të vënë në skenë një vepër amerikane, e para ishte transmetimi i “Rapsodisë Blu” të Gershuinit në Radio Tirana në vitin 1971, pra bëmë të mundur “Rapsodinë Blu” në Shqipërinë “e kuqe” – tha ai me shaka - dhe më pas në vitet kur isha drejtor i TKOB pata kënaqësinë të ftoj regjisoren Nenci Rhodes për bashkëpunimet që ajo përmendi. E kjo solli edhe bashkëpunimin me Andis Gjonin, një djalë të ri të talentuar, të edukuar, i cili u bë pjesë e stafit realizues, jo vetëm si skenograf por edhe si koordinator i të gjithë projekteve amerikane.

Për fat të keq opera sot po kalon një moment të ndrydhur dhe nuk shohim të vihen më në skenë vepra amerikane, por në të ardhmen me siguri do dalë përsëri dikush dhe shumë projekte që kemi menduar do t’i realizojë me shumë sukses. Eshtë kjo shpresa dhe urimi im për Andisin dhe të gjithë ju që jetoni këtu. Një falenderim edhe për organizatën Albanian Excellence që luan një rol të rëndësishëm për promovimin e kulturës dhe muzikës shqiptare në skenat e rëndësishme amerikane", perfundoi Zani Ciko

Më pas përsëri foli regjisorja Sindi Merion e cila e quajti këtë ditë mjaft të veçantë për të

“Kjo ishte një ditë shumë e veçantë edhe për kompaninë “White Horse Theater” pasi megjithëse ne jemi një kompani e vogel e dedikuar për veprat amerikane, sot ne kemi vendosur që ta bëjmë pjesë të familjes tonë Andisin i cili që sot do jetë skenograf i përhershëm i kompanisë tonë”, u shpreh Sindi Merion.

Më pas fjalën e mori artisti Andis Gjoni i cili falenderoi të pranishmit që kishin ardhur në promovimin e librit të tij. Ai tha se ndihej shumë i nderuar nga prania e tyre. Falenderoi së pari regjisoren Sindi Merion për organizimin e këtij eventi në bashkepunim me organizatën Albanian Excellence.

 “Ishte një kënaqësi bashkëpunimi gjatë viteve dhe veçanërisht për nderin që më bëtë duke më emëruar skenograf të kompanisë, dhe po pres me padurim për bashkëpunime të tjera në të ardhmen, pasi që tashti e kemi një projekt që do e shohë skenën në Nëntor.

Falenderoj regjisoren Nenci Rhodes për fjalët e mira që thatë për bashkëpunimet tona. Ka qenë një kënaqësi puna me ju në Shqiperi, dy muzikale që kanë qenë pika kulmore për mua dhe ju e mbështesni këtë mendim, dhe jam shumë i lumtur që bashkëpunuam. Falenderoj z. Zhani Ciko i cili erdhi nga Tirana duke më nderuar me pjesëmarrjen e tij dhe jo vetëm por ishte pikërisht vizioni i tij që u bënë të mundura realizimet e veprave amerikane në skenën shqiptare, së bashku me Nencin dhe bashkëpunëtorë të tjerë. Ne jemi artistë dhe kjo është pikërisht ajo çfarë ne duam të bëjmë, të punojmë e të krijojmë art dhe gjëra të bukura dhe pikërisht për këtë arsye e titullova librin tim “Pasioni për skenën”, sepse është pasioni për artin, pasioni për të bukurën, larg realitetit të botës, pasi ne jemi si ata magjistarët që krijojnë një botë tjetër imagjinare edhe më të bukur, prandaj jam shumë i lumtur që ja dedikova jetën time këtij profesioni, shumë i lumtur që krijova kaq shumë shfaqje me kaq shumë bashkëpunëtorë të cilët i falenderoj nga zemra për të gjithë mbështetjen dhe për ç’kanë bërë gjatë viteve dhe për ndihmën që më kanë dhënë duke më bërë të rritem artistikisht në nivele që nuk i kisha imagjinuar. Ju falenderoj shumë dhe ju ftoj që të na ndiqni në shfaqje të tjera që do realizojmë në të ardhmen”, tha Andis Gjoni.

Skenografi Astrit Tota u shpreh se Andis Gjoni është pasioni i vetvehtes për të realizuar një art të vërtetë.

“Andis Gjoni është pasioni i vetvehtes për të realizuar një art të vërtetë, një art të bukur, dhe ky art në Nju Jork ka peshë shumë të madhe. Andis Gjoni vjen nga një familje mjaft e respektuar, nëna një pianiste e njohur, dhe babai një kompozitor i madh. Andisi me përpjekjet e tij që në fëmijëri e konsolidoi artin e tij dhe me mbarimin e Univeristeti të Arteve ai mori një barrë të rëndë për ta çuar stafetën e kulturës artistike edhe më tej. Ardhja e tij zgjoi një cilkim të vërtetë për tërë artin operistik dhe teatror shqiptar. Aktiviteti vashdoi me kurajon dhe me pasionin e tij për të shpënë në skenën e operas në Tiranë edhe gjininë e muzikalit në një bashkëpunim me artistë të mëdhej të Nju Jorkut, duke i dhënë mundësi edhe solistëve shqiptarë të jenë pjesë e shfaqjeve mjaft të rëndësishme. Ky bashkëpunimi i tij me regjisorë të mirënjohur në Nju Jork e ngre edhe teatrin në Shqipëri.

Sonte jemi mbledhur për të festuar këtë album të bukur që është vetë jeta e tij, pasioni për artin, dhe sigurisht që aty ai ka mbledhur gjithçka ka realizuar”, u shpreh Astrit Tota.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

'Tempulli' deri tani u sekuestruan mbi 1600 kg drogë, Balla: Do vijojmë

'Tempulli' deri tani u sekuestruan mbi 1600 kg drogë, Balla: Do vijojmë