Ankimimet, opozita: Moratorium 4 vjeçar nga vetingu për gjyqtarët e zgjedhjeve! PS-ja kundër: Bllokon drejtësinë e re

TIRANE-Grupi politik i reformës zgjedhore, i përbërë nga Damian Gjiknuri, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili, pa Rudina Hajdarin (nuk mori pjesë sot në mbledhje sipas saj për shkak të axhendës), janë takuar sot për të diskutuar një nga çështjet kryesore të procesit zgjedhor, ankimimet në gjykatë. Opozita paraqiti një draft ligjor, që synon, sipas selisë blu zbatimin e rekomandimit prioritar të ODIHR-it për këtë çështje, duke nxjerrë jashtë presionit të vetingut gjykatën që do të vendosë për ankesat e procesit. Opozita propozon moratorium 4 vjeçar nga vetingu për gjyqtarët që bëhen pjesë e trupës, e cila do të shqyrtojë ankimimet në procesin zgjedhor, por PS-ja e ka kundërshtuar duke deklaruar se bllokon reformën në drejtësi.

"ODIHR thotë se Kolegji Zgjedhor ishte nën presionin e vetingut dhe për këtë shkak nga 8 anëtarë, ai mori vendime me 6 anëtarë. Prishja e këtij mekanizmi ndikon negativisht për një proces të lirë dhe demokratik. Gjithashtu, ODIHR vë në dukje se, për shkak të vetingut, edhe Gjykata Kushtetuese nuk ishte funksionale dhe nuk mundi të shqyrtojë çështje të karakterit kushtetues në raport me zgjedhjet. Për këto arsye, ODIHR bëri rekomandimin prioritar, i cili kërkon që reforma zgjedhore të garantojë një gjykatë funksionale dhe të pavarur në procesin zgjedhor" thotë PD-ja.

"Aktualisht është e pamundur që trupa gjyqësore për zgjedhjet të jetë e pandikuar dhe jashtë presionit të vetingut, siç kërkon ODIHR, pasi procesi nuk ka një radhë të fiksuar se kush gjyqtar kalon më veting, duke bërë që të gjithë të jenë të ekspozuar ndaj vendimit të papritur të Komisionit të Vetingut, ndërkohë që gjyqtari mund të jetë duke marrë një vendim të rëndësishëm për zgjedhjet" vijon më tej PD-ja.

PD dhe opozita propozojnë që vetingu për këta gjyqtarë të nisë me mbarimin e mandatit 4 vjeçar në gjykatën e zgjedhjeve. Sipas llogarive të opozitës, moratoriumi prek një numër të papërfillshëm të gjyqtarëve 2-4% të tyre, në varësi të numrit të anëtarëve të kësaj trupe 8 ose 15. Aktualisht, Kolegji Zgjedhor krijohet nga gjyqtarë të Apelit, por duke qenë se ata janë në veting prioritar, pra, sipas PD-së në presion të vazhdueshëm, Partia Demokratike propozon zgjerimin e bazës së gjyqtarëve edhe në shkallën e parë. "Përveç përmbushjes së disa kritereve të integritetit profesional, ata duhet të kenë të paktën 7 vjet eksperiencë pune, që është kriter barazues me gjyqtarët e apelit". Për këtë pikë, PS-ja është shprehur dakord.

Mbetet për t'u parë nëse palët do të arrijnë konsensusin deri në 15 mars, por rruga drejt marrëveshjes duket e largët nisur nga kërkesat e opozitës në takimin e datës 12 shkurt, ku PD-ja kërkoi qeveri tranzitore dhe drejtor të ri policie 100 ditë para zgjedhjeve dhe krimet zgjedhore të hetohen nga SPAK-u.

Në 9 dhjetor 2016 u zgjodhën me short tetë gjyqtarë për Kolegjin Zgjedhor me mandat 4 vjeçar
Artur Malaj
Tomor Shkreli-Hoqi dorë nga vettingu
Ridvan Hado
Shkëlqim Mustafa
Gjin Gjoni-Mori leje pas lindjes së vajzës
Astrit Kalaja
Sotiraq Lubonja
Lindita Sinanaj

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:41
Moratoriumi për gjyqtarët e Kolegjit/ Bylykbashi: Pati reagim të fortë! Të gjithë do t'i nënshtrohen kontrolleve, askush imun (VIDEO)

Përfaqësuesi ligjor i PD në tryezën për Reformën Zgjedhore Oerd Bylykbashi ka deklaruar se propozimi i opozitës për një trupë gjykuese të pavarur në procesin zgjedhor, është i domosdoshëm. Bylykbashi tha se gjytarët duhet t'i nënshtohen vettingut dhe kontrolleve.

"Sot opozita bëri propozimin e paketës tjetër për reformën zgjedhore, në përputhje me kalendarin e miratuar. Tashmë, opozita ka propozuar gjashtë paketa, bashkë me këtë, dhe pritet që, në ditët në vijim, të jetë edhe një e shtatë në lidhje me financimin e partive politike. Propozimi i sotëm është shumë i rëndësishëm. Është një element themelor i procesit zgjedhor - e drejta për t’iu drejtuar një gjykate të paanshme dhe të pavarur. Shqiptarëve, për fatin e keq të tyre, jo vetëm nuk u garantohen zgjedhje, por u mohohet edhe e drejta për t’u ankuar në një gjykatë të pavarur, të paanshme dhe funksionale. 

Raporti i OSBE/ODIHR-it konstaton, me një kritikë të paprecedentë, sesi nën presionin politik nga vetingu, Kolegji Zgjedhor, gjykata e posaçme e krijuar mbi bazën e Kushtetutës dhe të ligjit për të mbrojtur të drejtat zgjedhore, ishte gjysmake në periudhën zgjedhore dhe ishte nën presionin e vetingut dhe për rrjedhojë nuk ishte as e paanshme dhe as e pavarur. Jo vetëm kaq, por përsëri OSBE/ODIHR-i konstaton me një shqetësim thelbësor sesi edhe Gjykata Kushtetuese, që duhet të garantojë të drejtat kushtetuese në procesit zgjedhor; sekretin e votës –i cënuar, lirinë e votës- e cënuar, barazinë e palëve në proces –e cënuar - të gjitha këto të drejta është e pamundur, thotë ODIHR-i, që të mbrohen përpara Gjykatës Kushtetuese, sepse ajo thjesht nuk ekziston. 

Duke qenë se është një rekomandim prioritar dhe duke qenë se pa një garanci gjyqësore, procesi zgjedhor nuk mund të jetë kurrë një proces në përputhje me standardet demokratike për zgjedhjet e OSBE-së dhe të Këshillit të Europës, kjo paketë sot nuk është vetëm për të vënë një kryq tek lista e çështjeve, por është thelbësore për të arritur kompromisin në reformën zgjedhore. Pati një reagim shumë të fortë nga maxhoranca, e cila do që të vazhdojë të kontrollojë mekanizmat me të cilët ata sot kapin gjyqësorin dhe ushtrojnë presion, përfshi edhe mbi Kolegjin Zgjedhor. Ne këtë nuk do t’ia lejojmë. Gjykatat që mbrojnë të drejtat zgjedhore duhet të jenë të pavarura në Republikën e Shqipërisë.

Pyetje: Pse nuk është propozuar që anëtarë të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor të jenë gjyqtarë që e kanë kaluar vettingun? Maxhoranca u shpreh e gatshme të pranonte këtë formulë.

Oerd Bylykbashi: Numri i gjyqtarëve që kanë kaluar vettingun është shumë i vogël. Është një process, i cili është thelbsisht problematik. Ju keni rastin e gjyqtarit Dvorani, i cili nuk justifikon 100 milion lek dhe, megjithatë, në procesin e vettingut askush nuk u kujtua ta ankimonte atë vendim të turpshëm, i cili, më pas, bëri të mundur që të kemi këto zhvillime që po ndodhin sot. Ky është mekanizmi i kapur politikisht i vettingut dhe ne nuk kemi ndërmend këtë të ndodhë. Por ajo që ne propozojmë është: të gjithë ata gjyqtarë që nuk i janë nënshtruar ende procesit të vettingut dhe të gjithë ata gjyqtarë që e kanë mbaruar procesin e vettingut, pra ata që nuk janë të zënë në kurth, të jenë gjyqtarët që duhet të përzgjidhen me short dhe më pas, për një periudhë të caktuar, ata të mbrohen nga presioni politik. Dhe në fund të procesit, kur të kenë mbaruar mandatin e tyre, ata t’i nënshtrohen të gjitha rregullave të kontrollit të vettingut dhe çdo kontrolli tjetër, në mënyrë që të jenë të pastër para shqiptarëve. Nga ana tjetër, askush, as sot e as mot, nuk do të jetë imun nga ndjekja penale për korrupsion apo për çdo lloj krim tjetër. Pra, edhe propozimi ynë, në asnjë rast, nuk i heq mundësinë prokurorisë që të çojë para drejtësisë këdo që është i korruptuar. , u shpreh Bylykbashi.

Ora 12:38
Moratoriumi për gjyqtarët e Kolegjit, PS-ja kundër: Vendosin në pikëpyetje drejtësinë e re, ja cfarë pranojmë nga PD-ja (VIDEO)

Shumica është kundër propozimit të opozitës që gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor të mos futen në vetting për 4 vite që do të jenë pjesë e institucionit që do të shyqrtojnë ankimimet për zgjedhjet. Damian Gjiknuri doli kundër dhe ngriti pyetjen se përse të mos zgjidhen ata që e kanë kaluar vettingun? Ai u shpreh i hapur për pjesën tjetër të propozimit, që disa nga anëtarët të zgjidhen nga gjykatat e shkallës së parë dhe jo vetëm të Apelit.

"Me keqardhje konstatuam disa propozime që duan rishikim, se nuk mund të vendosin në pikëpyetje të gjithë reformën në drejtësi. Ne jemi gati të gjejmë kompromis por duke respektuar parimet kushtetuese dhe jo hallet që kemi me reformën në drejtësi ti kthejmë në tryezë. Nuk duket normale që procesi i vettingut të bllokohet për shkak të formimit të kolegjit zgjedhor. Mund të ishte më e arsyeshme që gjyqtarët që kanë kaluar vettingun të jenë pjesë e procesit për Kolegjin Zgjedhor. Pse mos të jenë ata shporta nga e cila të përzgjidhet? Nuk dua që propozimet e PD-së të vendosin në pikëpyetje atë që është arritur me reformën në drejtësi. Kushtetuta ka përcaktuar detyrimin që cdo gjyqtar të kalojë në vetting dhe kjo nuk mund të pezullohet. Ata që janë përtej apelit për të plotësuar trupën pse jo mos të jenë. Me rekomandimet e ODHIR për afatet jemi dakord dhe nuk kemi ndonjë ndarje në këtë drejtim. Shpresoj që opozita këtë 2-3 javë që kanë mbetur ta shfrytëzojmë për kompromis dhe të lëmë mënjanë ata që nuk janë në përputhje me rekomandimet e ODHIR".

Në fjalën e tij për mediat pas përfundimit të takimit, Gjiknuri tregoi edhe pikat që shumica ka pranuar nga propozimet e PD-së. "Propozimet në lidhje me sinjalizuesit dhe mbrojtjes që duhet të kenë, edhe këtë do ta gjejmë kompromisin, por gjërat principale për rendin kushtetueses nuk mund ti vendosim në pikëpyetje. Për psh, për sinjalizuesit po e gjejmë kompromisin, për rolin e policisë, po ashtu edhe disa propozime si ruajtja e rendit rreth qendrës edhe ato do i pranojmë. Ka disa propozime që janë garantues teknik dhe jemi gati ti pranojmë". Gjiknuri doli edhe njëherë kundër propozimit për qeveri teknike. "Nuk ka diskutim për qeveri tranzitore, ato gjëra që nuk u arritën në luftë nuk mund ti marrin në tryezë. Kjo është e mbyllur për mua". I pyetur nëse axhenda e presidentit mund të ndryshojë atë të opozitës për reformën zgjedhore ai tha se "PD-ja besoj që është aty për të miratuar Kodin zgjedhor në parlament nëse vërtetë duan. Nuk besoj se PD-ja do të përfshihet në lojën e Presidentit" tha ai.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Per oerd bylykbashin: 20/02/2020 23:39

    O oerd o hajdut pronash. Ishalla te zejn mallkimet aty ku te djeg me shume

    Përgjigju
  • F-35: 20/02/2020 15:43

    Hilet dhe ligesite e kesaj opozite nuk njohin limite, se skrupuj jo e jo. Duan qe per ankimimet ne zgjedhje te vendosin gjyqtatet e tyre, pra fitore ne tavoline. A do zbythet mazhoranca per hire te kompromisit! Nuk duhet, por edhe nuk besohet.

    Përgjigju
  • Pjeter: 20/02/2020 13:16

    Qelbesira,asnje lloj propozimi qe ka te beje me vetingun nuk duhet te dale nga goja juaj.Asnj lloj amnistie e moratoriumi per asnje.Gjyqtaret te aplikojne ligjet,ne te kundert te mbajne pergjegjesi.Doni ju,te beni pislleqe si i keni bere gjithmone.Ska me,biles,kush meret me organizimin e shit blerjeve te votave,te kete te garantuara nje 10 vjecar,minimumi,pa asnje lehtesi ligjore,por ti beje kokerr me kokerr,atehere vini mend ju.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Nju Jork, një person i vë zjarrin vetes para gjykatës ku mbahet gjyqi ndaj zotit Trump

Nju Jork, një person i vë zjarrin vetes para gjykatës ku mbahet gjyqi ndaj zotit Trump