Anulimi i fiskalizimit, ekspertët: Premtim elektoral i PD-së! Kjo reformë duhet përmirësuar, është i nevojshëm për të ulur informalitetin

Anulimi i fiskalizimit është një nga premtimet që PD thotë se do të realizojë sapo të vijë në pushtet në rast se fiton zgjedhjet e 25 prillit. Kjo deklaratë konsiderohet si premtim elektoral dhe pa ndikim tek situata e biznesit, nga ish-drejtori i Përgjithshëm i tatimeve Artur Papajani, i cili thotë se do të ishte pro një shtyrje në kohë për implementimin e plotë të tij për shkak të situatës së krijuar tek bizneset nga pandemia.

“Fiskalizimi është bërë kalë beteje mes qeverisë dhe opozitës, përkon me procesin elektoral, por anulimi i këtij procesi, gjykoj që është qëndrim politik që nuk ka të bëjë absolutisht me marrëdhëniet që ka biznesi për përmbushjen e detyrimeve të tij ndaj administratës, por shtyrja do të ishte efektive. Gjykoj që koha 1 vit e gjysmë është pak, dhe nuk ishte aq akute situata për tu fokusuar tek fatura elektronike”, shprehet eksperti Papajani.

Ndërsa eksperti i ekonomisë Klodian Muço sugjeron përmirësimin e fiskalizimit.

“Nuk mund të them se është për tu anuluar apo është për tu vazhduar ajo që duhet bërë është të gjendet një zgjidhje për tu bërë funksional apo efikas, duhet gjetur një zgjidhje për të zhdukur kostot e biznesit të vogël, si ti subvencionojmë internetin, si ti ndihmojmë në lëshimin e faturave që marrin kohë. Pra si do zgjidhim problemin”, shprehet eksperti Muço.

Nga ana tjetër të dy ekspertët bashkohen se fiskalizimi do të luftojë  informalitetin

“Është një proces që vazhdon me trend rritës pa ndalim për sa i takon reformimit dhe modernizimit të sistemit fiskal. Ndërhyrja në këtë pjesë për përsosjen e sistemit të faturave, dhe lidhjen e të dhënave në mënyrë elektronike për bizneset me njëri tjetrin kur ato japin e marrin furnizime, qoftë mallra apo shërbime, do ketë pasur si synim ngushtimin e informaliteti. Është pozitive se si është kuptuar që informaliteti është një problem dhe kërkohen masa, dhe kur eliminon letrat dhe të fusim element të modernizimit është shumë pozitive. Është një masë e mirë por jo se është shkopi magjik që do të zgjidhë gjithçka”, shprehet Papajani.

“Në Shqipëri ne kemi evazion, dhe si mund ta ulim atë, një ndër metodat që u mendua është edhe pjesa e fiskalizimit. Çdo politikë që shkon për reduktimin e evazionit fiskal është diçka pozitive por sesa i aftë është ky sistem për të zgjidhur këtë fenomen mbetet për tu parë”, sqaron Muço.

Fiskalizimi ka nisur zbatimin në janar të këtij viti për bizneset që lëshojnë fatura ndaj shtetit, dhe faza e dytë për faturat elektronike biznes-biznes nis në 1 korrik dhe biznes-konsumator në shtator 2021. Fiskalizimi ka si synim të ulë informalitetin pasi veprimet e bizneseve do të monitorohen në kohë reale nga administrata tatimore, si dhe të rrisë të ardhurat në buxhetin e shtetit.

M.Q./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet