Arbërishtja gjuha përbashkuese e arbëreshëve të Italisë

Arbërishtja gjuha përbashkuese e arbëreshëve të Italisë

Është folur shumë kohët e fundit për çështjen arbëreshe përmbledhur në sintezën e saj; “Urgjenca arbëreshe”, që do të thotë: shpëtimi i saj nga asimilimi.

Nuk po ndalem në faktorin “Asimilim arbërsh”, argument ky,që është rrahur për rreth tre dekada, ku kemi qarë, por dhe abuzuar si tepër mbi këtë çështje. Në këto rreshta do të kërkoj të shtroj shikimin në një linjë të tjetër, drejt një horizont të ngrohtë, atë të ringjalljes së gjuhës arbëreshe nga vet arbëreshët.

Flitet për një inisiativë të ndërmarrë nga Eparkia e Ungrës\ Cosenza\ Itali drejtuar nga Imzot Donato Oliveri, ku popullsisë arbëreshe i ofrohen falas dy volumet e abetares\ Alfabetizzazione, por edhe kurse falas për të mësuar gjuhën arbëreshe.

Në një mesazh nga siti i tyre thuhet: ”Të dielën, më 16 prill 2023, në Kozencë, në selinë e Seminarit Dioqezan, do të fillojmë kursin hyrës të leximit të gjuhës që flasim - të xëmi të djovasëmi gjuhen çë fjasëmi, me përdorimin e dy vëllimeve "Shkrimi arbëreshe" dhuruar falas. I ngarkuar nga Peshkopi i Ungrës me këtë mision është Papas Pietro Lanza. Gjuha jonë e çmuar amtare, trashëgimia e së cilës është shprehje janë e mbrojtur”

Eparkia e Ungrës është krijuar më 13 shkurt 1919 përbledh 4 rajonet e shpërndarë në katër provincat Cozenza, Potenza,Lecce,Pescara, ku përmblidhen 25 komunitete dhe 29 parrochie te ritit bizantin. Eparkia ka mbështetur kudo dhe kurdoherë çdo aktivitet të botës arbëreshe.

Prifti arbëresh ka patur gjithmonë rolin jo vetëm për të mbajtur gjallë besimin por edhe gjuhën.

Nëse do ti kthehemi historisë bizantine arbëreshe do të përmendnim kolegjin “Corsini\Korsini”,dhe më vonë atë të “San Adriano” në San Dimetrio Corona\Shën Mitri, që lindën si identite ku të formohej kleri bizantin arbëresh me gjuhën arbërore.

Nga bota bizantine dolën shumë figura të ndritura,një prej tyre është ImZot Domenico Bellusci (1754-1806)mbrojtës i kombit dhe të ritit bizantin tek arbëreshët. Studioi pranë kolegjit Shen Benedikt Ullano. Shkroi dhe dokumentoi motivacionet që arbërshet të mos asimilohen me italianet dhe duhet te praktikonin ritin bizantin.

Edhe për vëllain e tij erudit Michele Bellusci në “Risposta alla relazione di Monsignor Cardamone Arcivescovo di Rossano al delegato della Real Giurisdizione contro l’Arciprete Albanese di San Giorgio” shkruhet:

At Michele Bellusci, ishte i pari i cili bëri diferencën midis Ritit bizantin arbëresh dhe popullsisë greke. Më 1796, Peshkopit i Rossanos,(Cosenza)po bënte te pamundurën me të gjitha mjetet dhe mënyra për t‘iu imponuar komuniteteve arbëreshe te ishin nën mbikëqyrjen e kishës latine. Michele Bellusci, i drejtohet Peshkopit të Rossanos me këto fjalë: “Zotëria juaj bën një gabim trashanik kur, perzien grekët me shqiptarët,duke i quajtur këta të fundit grekë kryelartë dhe gënjështarë. Shqiptarët, që përbëjnë popullsinë e Mbuzatit dhe të bashkësive të tjera të Kalabrisë, të cilët ruajnë ritin grek, nuk janë njësoj si grekët; kanë origjinën ndryshme, sepse dallohen prej gjenëze, prej natyrë,prej gjuhës e prej zakoni.”

Arbëreshët e ritit bizantin, gjatë liturgjisë përveç gjuhës greke dhe italiane ata kanë në përdorim gjuhën amtare arbëreshe. Rasti unik i Arbërisë bizantine. Në muajin korrik 2022 doli në shtyp libri “Etnia-riti- lingua”, vepër e një avokati arbëresh Tommaso Bellusci. Në brëndësinë e këtij libri zgjon kritika, ballafaqime, njohje dhe vetëdije. Në libër shihet Arbëria e arbëreshëve në një këndvështrim të aspekteve juridike, në kontekst historike dhe kulturor dhe nënvizohet “gjuha – koine e kishës bizantine”.

Në Këshillin e Dytë të Vatikanit (1962-1965) u hoq dorë nga njëgjuhësia liturgjike (përdorej vetëm greqishtja e vjetër si gjuhë e shenjtë). Ngulimet arbëreshe të Kalabrisë, u mblodhën një vendim që në bazë të dialekteve të tyre, të krijojnë një gjuhë të madhe që përdoret për liturgjinë në gjuhën shqipe. Ky akt u arrit në vitin 1968, disa vite para se të krijohet gjuha standarde shqipe.

Nga ky libër veçojmë mendimin e Ernesto Koliqit për përkthimin e liturgjisë bizantine, në gjuhën arbërishte:

“Është një sipërmarrje shumë e vështirë për të përgatitur një tekst liturgjik si përdorim popullor në lokalitetet italo-shqiptare, që shtrihen nga rajoni i Abruzzo-s deri në Siçili. Mund të konfirmojmë se përkthyesit e kanë realizuar me sukses. Duke pranuar dialektet e ndryshme të karakteristikave të përbashkëta, ata e përkthyen tekstin liturgjik grek në një gjuhë të folur dinjitoze.(Ernest Koliqi, Liturgjia Hyjnore, në Shejzat, 1-3, XII, 1968, fq 129.)

Të gjithë e dimë se arbëreshët, nuk janë shqiptarë të sotëm. Ata kanë një kulturë 600 vjecare në territorin italian, është edhe ky motivi që nuk pranojnë si gjuhë të zyrtarizuar shqipen standarte të sotme, e cila nuk është shqipja e dikurshme, dhe për këtë në kulturën arbëreshe dallojmë:

1- Rrënjët etnike, eshtë një rrënjë historike, statike( është rrënja e origjinës).

Në rrënjët etnike mund të ruash kostumin, zakonet, por ke humbur gjuhën dhe ritin.

2- “ Radice matrice identitaria/ Rrënjët thurrëse të identitetit”do të thotë që ti vazhdon e flet gjuhën dhe praktikon ritin. Parametra e këtij termi përmblidhen në ruajtje e Ritit arbëresh, dhe në ruajtjen e gjuhes arbëreshe.

Të cilat mund të katologohen në:

A\ kommunite italo-shqiptare që janë nënshtruar ritit latin dhe asimiluar

B\komuniteti shqiptaro-italian i ritit shqiptar që nuk flasin më gjuhën arbëreshe

C \Komunitete italo-shqiptare të ritit bizantin që kanë kaluar në ritin latin, por flasin gjuhën arbëreshe.

D\Komunitete italo-shqiptare që praktikojnë ritin bizantin dhe gjuhën arbëreshe.

Papas Pietro Lanzai cili dhuroi libra të shkrim-leximit fëmijëve dhe prindërve që e përqafuan projektin me entuziazëm.

Emocionohesh kur shikon në ato banka fëmijët e zonave Colombra, Cavallerizzo, Cerzeto, San Giacomo, Torano që mësojnë arbërishtë. Gjithëcka e atyre tingujve në arbërisht kthehet në një sinfoni i orkestruar nga ato dy sy të urtë, plot vullnet dhe shpirt plot krenari të prof.Stamile për gjuhën arbërishte.

Qana\ Cerzeto, është një nga ngulime pothuajse e asimiluar në gjuhë. Emozionohesh kur lexon nëpër rrejte kërkesën se ku mund ta gjejnë këtë abetare, dhe nëse do të ketë kurse on-line.Duket sikur për një çast jemi larg atyre pretendimeve ku çdo katund\ ngulim arbëresh donte gjuhën lokale të tij. Kjo gjë është disi e vështirë. Kjo gjuhë përbashkuese e liturgjisë në gjuhën shqipe jep prova që mund të arrihet një gjuhë e unifikuar në të gjitha fshatrat arbëresh, qofshin ato bizantine apo jo.

Kjo abetare është pjesë e asaj ndjesie përbashkuese, ku arbëreshi i kishës bizantine lidhet me arbëreshin e kishës katolike, ku fëmijë dhe i rritur, burra e gra, e të gjithë së bashku kërkojnë të mbajnë gjallë pa dallim feje gjuhën 600 vjetçare të një atdheu që brezat kurrë nuk e panë më, por dhe kurrë nuk e harruan.

Kjo abetare, shpresojmë që të jetë ai fllad arbëror që mbush me frymë atë diafragmë gjigande, zhytur në ato male pjellë e Apollit, ku ende këndohen rapsoditë e Skënderbeut, e rrëfehet besa e Kostandinit në të ëmbëlën gjuhën arbërore.

Jemi një kulturë çë nga ka të des!\ Jemi një kulturë që nuk mund të vdes- thërret arbëreshi

Arbëreshi sot, ka prushin në trup si Feniksi, i cili edhe pse i djegur mbart natyrën e tij për tu ringjallur!

Në fakt, Arbëria nuk vdes kurrë, por në të njëjtën kohë të bluan retorika:

- Çfarë bën një abetare?

- Rrit ndërgjegjen!

Po një shkollë çfarë mund të bënte?

- Do rriste dhe ruante etninë!

Po disa shkolla çfarë do të bënin?!!!

Do të bënin që një popull mos të vdiste !!

Duke njohur rezultatet e sotme mendoj, se nuk ka më kohë më për arbëreshin që të presi të ashtuquajtura projektet konkrete midis organeve kompetente të shteteve Shqipëri dhe Itali, apo Kosovë dhe Italisë, për ringjalljen e botës arbëreshe që më tepër janë utopi sesa vihen në zbatim.

Nuk kanë më kohë arbëreshët as që të presin nga akademikët përpilimin e tejngadalshëm të një Fjalori arbërisht, një Sintakse arbërisht, një Morfologji arbërisht, një Fonetikë arbërisht apo një Leksikologji. Nuk mund të presi më arbëreshi debatet shkekullore me shume devianca dhe dritë hije se kush duhet te jetë gjuha e tyre zyrtare, arbërishtja apo gjuha standart e shqipes së Shqipërisë?!

Nuk pret më koha! Ajo që ka rëndësi sot për sot, eshtë urgjenca e çështjes arbëreshe për ti shpëtuar nga hemorragjia e asimilimit të gjuhës arbëreshe, e cila gjatë këtyre 30 vjetve ka marrë të tatëpjetën.

Mendoj se, gjithshka nis për të ndryshuar, dhe kjo bëhet nëpërmjet vështirimit vizionar. Nuk ka gjuhë elitare. Gjuha duhet të dalë nga trajtimi i saj si “oborrtar”, gjuha nuk është gjuhë që ngelet në letra, gjuhë e sirtarve, gjuhë është e popullit dhe i përket atij. Ajo duhet të vihet në përdorim. Arbërishtja është gjuhë e folur dhe jo teknike, nuk duhet të përjashtohet komuniteti me të folurën e tij, sepse vetëm kështu ngelet gjuhë e gjallë. Shumë dialekte të Arbërisë janë një pasuri.

Për këtë le të kthehemi tek kjo inisiativë e mësimit të gjuhës arbërishte, pikërisht tek abetarja, si dhe tek kurset e mësimit të gjuhës arbëreshe.

Kjo abetare nuk doli dje. Abetarja është përpiluar në vitin 2000. Personalisht e kujtoj shumë mirë këto dy volume të abetares, sepse kur na erdhën në Bibliotekë, At Antonio Bellusci\ Frascineto\ Cosenca në vitin 2000, Ai hodhi idenë që ta përdornim, për një pjesë të fëmijëve emigrantë shqiptar, si edhe për atë arbërsh që donin të frekuentonin këtë kurs,dhe kështu bëmë. Unë isha mësuese për atë pjesë nxënësish shqiptar të cilët flisnin shqip, por që përdornim abetare arbëreshe në mungesë të abetares shqiptare. Dua të kujtoj epokën se gjatë atyre viteve Ministria e Arsimit të Shqipërisë nuk dërgonte abetare në territorin e Italisë. Me këtë dua të them se abetarja arbërishte, është shumë komplete, dhe përpiluar nga njerëz kompetentë si Prof Italo Fortino shef i Katedrës së Universitetit të Napoli, i cili është edhe koordinator i kësaj abetareje.

Ajo që na bënë optimist është pikërisht kjo inisiativë, sot për sot është e përqafuar në shumë ngulime arbërershe si; Civita, Frascineto,Firmo,Lungro,Falconara albanese, San Dimetrio, San Cosmo, Santa Sofia d-Epiri.

Midis tyre janë edhe nxënësit e shkollës së Cerzeto\ Qana.

Është Prof. Carmine Stamile, që mëson këta nxënës, i cili edhe pse vitet 90 vjeçare i ka mbi shpatulla, nuk i mungon ai pasioni i gjuhës arbëreshe, karakteristikë e njerëzve me shpirt fisnik, të cilët kërkojnë të mbajnë gjallë identitetin. Drejoresha e shkollës, Marino i kushtoi vëmendje kësaj nisme të kulturës arbëreshe të Eparkisë së Ungrës me përfaqësuesin e saj

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • epo kjo bela: 31/03/2023 18:29

    bukur, shteti ame nuk ben ate qe duhet, kryeministri te dale per nje sullaco edhe nga Çameria se po e fali I zoti ka marre fund puna, shpresojme se arbereshet mbase zgjojne shpirtin arberor edhe tek arvanitasit se ne shqipot aha, tani kemi mik vucicin...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

GJKKO firmos masë të dytë sigurie për Taulant Tushen

GJKKO firmos masë të dytë sigurie për Taulant Tushen