Ardi Veliu te 'Siguria': Kemi goditur 34 grupe kriminale! Del raporti i GDF-së për kanabisin (VIDEO)

TIRANE-Në Komisionin e Sigurisë u zhvillua seanca dëgjimore me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu lidhur me situatën aktuale të sigurisë në vend si dhe konstatimet e kryera nga vizitat e Komisionit për Sigurinë Kombëtare në drejtoritë vendore të Policisë. Veliu deklaroi nga janari deri në tetor të këtij viti janë goditur 34 grupe kriminale, nga 35 raste që janë referuar.  "Janë goditur 34 grupe kriminale, 22 me aktivitet në fushën e narkotikëve, 6 krimet ekonomike dhe 6 në trafiqet e paligjshme. Gjithsej janë referuar 35 raste të referuara për grup kriminal. Kemi firmosur marrëveshje me FBI-në për informacione kundër terrorizmit" tha ai duke shtuar se Shqipëria nuk është e rrezikuar.

Në krahasim me vitin e kaluar, Veliu tha se deri në tetor të këtij viti kemi 4 vrasje më shumë, ndërsa problem është edhe rritja e rasteve të krimeve seksuale dhe dhunës në familje. "Janë regjistruar 29 mijë vepra penale të evidentuara janë zbuluar 24 mijë. Kemi konstatuar se disa vrasje janë bërë nga persona me pagese. Jemi duke punuar për to por për shkak të hetimit nuk mund te them asgjë më shumë. Kemi zbardhur 3 vrasje të vjetra. Janë kryer 91 hetime pasurore. Janë evidentuar 49 vrasje nga 45 në vitin e shkuar. Është rritur numri i krimeve seksuale, 131 raste këtë vit nga 88 vitin e shkuar. Vijon shqetësim dhuna në familje, mbi 1 mijë vepra për këtë periudhë të këtij viti. Mbi 900 te mitur te demtuar nga veprat penale" tha ai. Përsa i përket hetimeve pasurore, ai tha se janë sekuestruar 41 mln euro më shumë se vitin e kaluar.

Më pas drejtori i policisë së shtetit u ndal te raporti i Guardia di Finanza bazuar nga fluturimet që ka kryer për kontrollin e territorit për kanabis për këtë vit. "Janë kryer 80 misione, 25% e sipërfaqes së territorit. Kemi 108 raporte monitorimi. Në 893 vende u gjet kanabis dhe janë sekuestruar 25 mije 931 bimë. Misioni përfundoi në 31 tetor. Zbulimi është në masën 85.8%. Ka një ulje të evidentimit të drogës me 17 raste më pak. Krahasuar me vitin e kaluar ka një ulje të kokainës me 458 kg më pak, rritje e heroinës me 5 kg më shumë, ulje e ndjeshme e marijuanës me -11.275 kg, ulje e vajit të hashashit -50 litra, 779 kg hashash është kapur më shumë".

Raporti i GDF-së sipas Ardi Veliut/ Rezultatet për 2019
80 misione fluturimi
223 orë fluturime
25% e sipërfaqes së kontrolluar
108 raporte monitorimi
1103 vende të dyshuara
893 vende të konfirmuara ku është gjetur kanabis
25931 bimë të asgjësuara
Misioni përfundoi në 31 tetor
453 vepra penale
409 raste kultivimi
235 raste kultivimi janë zbuluar
1006 vende kultivimi me gjithsej 90175 bimë të asgjësuara

Rezultatet e arritura përgjatë vitit 2018 (lexo ketu te plote)
U evidentuam 263 vepra penale për kultivim të bimëve narkotike
 Janë implikuar 220 shtetas
Janë arrestuar e ndaluar 106 shtetas.
Janë konstatuar janë asgjësuar 35.985 bimë narkotike.

Drejtori i Policisë Ardi Veliu shprehu edhe njëherë zhgënjimin me vendimet e gjykatave lidhur me rastet e djeshme në Elbasan, Çapja dhe Çela që u liruan dhe u shpallën të pafajshëm. "Ne kemi databazë ku kemi të evidentuar aktivitetin e grupeve kriminale. Por vendimet e gjykatës si keni njohur, se cfarë kanë bërë. Rasti i djeshëm është më i freskët. Ne nuk mund të jemi të vetëm, nëse nuk do të kemi mbështetjen e gjykatave, sepse prokuroria na ka mbështetur. Por me gjykatat po zhgënjehemi nga dita në ditë. Kam ardhur të mbroj punën e palodhur për 11 mijë oficerët e policisë. Nuk është retorikë. Ne kemi dokumentuar veprimtaritë. I jemi drejtuar edhe KLP-së edhe KLGJ-së për shkeljet e gjetura" tha ai.

Duke u ndalur te aksidentet dhe konkretisht te rrethrrotullimi i TEG-ut, ai tha se duhet ridizenjuar. "Numri i aksidenteve është në ulje, por në rritje numri i aksidenteve me pasoje fatale. Autostrada e TEG-ut po përdoret nga disa persona si pistë garash për të testuar mjetet e tyre. Ai rrethrrotullim duhet të ketë një ridizenjim tjetër. U desh të bëheshin 4 aksidente të renda me 6 ose 7 viktima qe ti drejtoheshim sërish ARRSH-së për të rregulluar sinjalistikën rrugore".  "Kemi deputetë apo anëtarë të tyre që u është hequr edhe leja e drejtimit" tha më tej ai. Veliu theksoi se  Shqipëria është vend origjine për kontrabandimin e shqiptarëve drejt Anglisë, SHBA dhe Kanadasë me dokumente false.

Fjala e plote e Ardi Veliut
Është vlerësim dhe përgjegjësi për institucionin e Policisë së Shtetit që Komisioni i Sigurisë Kombëtare shpreh interesimin për punën dhe performancën në drejtim të parandalimit dhe luftës kundër krimit. Në përgjigje të interesimit të anëtarëve të nderuar të këtij Komisionit dhe në funksion të ushtrimit të përgjegjësive për kontrollin e ligjshmërisë dhe të veprimtarisë së Policisë së Shtetit, me lejoni t’Ju informoj për punën tonë në drejtim të parandalimit dhe goditjes së veprimtarisë kriminale në vend për periudhën janar – tetor 2019.

Në qendër të vëmendjes së të gjithë strukturave të Policisë së Shtetit ka qenë puna për realizimin e prioriteteve dhe objektivave strategjike të përcaktuara në Politikat Prioritare në Fushën e Rendit e të Sigurisë, Programin Vjetor të Punës të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, si dhe në dokumente të tjera të rëndësishme, ku mund të veçojmë Strategjinë Kombëtare për Integrim dhe Zhvillim, Planin Kombëtar të Integrimit Evropian 2018 – 2020, Strategjinë për Rendin Publik 2015 – 2020, Strategjitë Ndër Sektoriale për Luftën Kundër Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit, për Menaxhimin e Integruar të Kufijve etj.

Synimi ynë ka qenë dhe mbetet edhe përafrimi i standardeve të sigurisë në vend me ato të vendeve të Bashkimit Evropian dhe sundimi i ligjit në të gjithë territorin e vendit, duke punuar në të njëjtën kohë si për realizimin e të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga procesi i integrimit, ashtu dhe për përafrimin e legjislacionit të vendit me atë të vendeve BE-së.

Paraprakisht më lejoni t’Ju bëj me dije se gjatë muajit tetor kemi zhvilluar analizat e strukturave, ku ndërmjet të tjerave është bërë bilanci i punës së deritanishme dhe kemi përcaktuar ku duhet të përqendrohemi në të ardhmen për të mundësuar realizimin e prioriteteve dhe objektivave në fushën e ruajtjes së rendit dhe të parandalimit e të goditjes së kriminalitetit. Në këto analiza rezultoi se, si rezultat i masave dhe aktiviteteve të kryera, si dhe gjykuar nga trendi i deritanishëm i treguesve të punës, është plotësisht i mundshëm realizimi i prioriteteve dhe objektivave të vendosura në dokumentet tanë strategjik dhe në Programin Vjetor të Punës.

Në funksion të realizimit të përgjegjësive, gjatë kësaj periudhe janë kryer një sërë veprimtarish të karakterit legjislativ, organizativ, operacional etj. Kështu, është miratuar Ligji Nr. 6/2019 “Për ratifikimin e marrëveshjes statusore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian mbi veprimet e ndërmarra nga Agjencia e Rojës Bregdetare dhe Kufirit Evropian në Republikën e Shqipërisë”, si dhe janë finalizuar disa marrëveshje si në fushën e mbrojtjes së dëshmitarëve me një vend partner të BE-së, me OSBE-në, me Policinë e Kosovës dhe të Malit të Zi etj.

Aktualisht janë në ndjekje procedurat për finalizimin e një sërë marrëveshjeve të tjera, që kanë për qëllim, forcimin e bashkëpunimit me partnerët tanë ndërkombëtarë, ndër të cilat, më të rëndësishme mund të përmendim atë me FBI-në "Për shkëmbimin dhe shfrytëzimin e informatorëve në hetimet kundër terrorizmit"; me FRONTEX-in për bashkëpunimin operacional dhe me Kosovën për përdorimin e përbashkët të Oficerëve Ndërlidhës.

Rëndësi e veçantë i është kushtuar përmirësimit të kapaciteteve dhe rritjes së aftësisë së strukturave në luftën kundër krimit. Veçoj në këtë drejtim synimet tona për rritjen e kapaciteteve të Policisë Shkencore, nëpërmjet zhvillimit të shumë kurseve trajnimi, konferencave apo dhe takimeve, si pjesë të projekteve të ndryshme me BE, PAMECA V dhe me shërbimet homologe, ndërkohë vijon puna për akreditimin i Institutit të Policisë Shkencore në fushën e shkencave kriminalistike në përputhje me standardin ndërkombëtar ISO/IEC 17205.

Bazuar në marrëveshjen e nënshkruar me EUROPOL-in, ka filluar nga puna Oficeri Ndërlidhës i tyre në vendin tonë si dhe jemi anëtarësuar në Platformën Evropiane Multidisiplinare Kundër Kërcënimeve Kriminale, për Krimin e Organizuar Kundër Pronës (EMPACT OPC).

Duke vlerësuar domosdoshmërinë e bashkëpunimit në rritjen e efikasitetit, sidomos në luftën kundër krimit të organizuar, i kemi kushtuar rëndësi shkëmbimit të informacionit me partnerët tanë. Kështu, ZQK INTERPOL Tirana ka shkëmbyer 15 478 informacione me zyrat homologe dhe Sekretariatin e Përgjithshëm të INTERPOL-it, janë shkëmbyer 6 634 informacione nëpërmjet kanalit të komunikimit SIENA të EUROPOL-it dhe nga oficerët tanë të kontaktit 4 680 informacione, duke realizuar 6.6% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Rritja e numrit të informacioneve të shkëmbyera kanë dhënë rezultatet e tyre, duke bërë të mundur ndërmjet të tjerave që në bashkëpunim me Sekretariatin e Përgjithshëm të INTERPOL-it, EUROPOL-in dhe zyrat homologe, të zhvillojmë 55 operacione të përbashkëta, duke shënuar një rritje me 21 operacione ose 61.7% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Po kështu, rritje kanë pësuar edhe treguesit për personat në kërkim ndërkombëtar, ku për këtë periudhë janë shpallur në kërkim 208 persona nga 174 vitin e kaluar; janë arrestuar me qëllim ekstradimi ndaj vendit tonë dhe drejt vendeve të tjera 203 persona, ose 41 persona më shumë.

Një vend të rëndësishëm kanë zënë edhe koordinimi dhe bashkëpunimi me partnerët në terren. Kështu, në kuadrin e zbatimit të protokolleve për patrullimin e përbashkët me vendet fqinje janë zhvilluar 575 patrullime të përbashkëta, nga të cilat 351 në kufirin tokësor dhe 224 në kufij detarë ose 38 patrullime më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Vetëm në bashkëpunim me Guardia di Finanza janë kryer 8 operacione detare, nëpërmjet të cilave është bërë i mundur arrestimi i 6 personave si dhe janë sekuestruar 8 mjete lundruese (gomone), 4 mjete lundruese të tipit katamaran, 3 390 kg lëndë narkotike cannabis sattiva, 1 litër vaj hashashi, 56 kg çokollatë hashashi në Shqipëri dhe 10 litra vaj hashashi, 3 automjete të tipave të ndryshëm, 2 karrela dhe 1 traktor.

Rëndësi të veçantë i kemi kushtuar edhe përmirësimit të kapaciteteve tona për menaxhimin e integruar të kufirit, duke i vlerësuar kufijtë jo vetëm si vende për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave, por edhe si mundësi për kryerjen e aktiviteteve kriminale nëpërmjet tyre. Për këtë qëllim kemi synuar në rritjen e forcës zbuluese kundër krimit ndërkufitar, për goditjen e fenomenit të përdorimit të dokumenteve të falsifikuara për kalimin e kufirit, rritjes së kapaciteteve për zbulimin dhe goditjen e rasteve dhe rrjeteve të kontrabandimit dhe trafikimit, duke u fokusuar te kontrabandimi i personave dhe veçanërisht i minorenëve.

Si rezultat i punës së bërë, nga ana e strukturave përgjegjësve për parandalimin dhe goditjen e krimit ndërkufitar është rritur numri i evidentimit të këtij krimi në masën 18%; është rritur numrit i konstatimit të dokumenteve false në masën 33%; është rritur numrit i konstatimit të rasteve të kalimit të paligjshëm të kufirit në masën 34%; është ulur numri i rasteve të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit në masën 12% dhe është ulur numri i rasteve të trafikimit të lëndëve narkotike në masën 32%. Vetëm nga këto struktura janë kapur 428 shtetas në kërkim (nga të cilët 339 në kërkim kombëtar dhe 48 në kërkim ndërkombëtar), janë sekuestruar në 48 raste lëndë narkotike me një sasi në total prej 3.545 kg. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kemi një ulje me gjithsej 31 raste ose 39 % me më pak, si dhe me 1.919 kg ose 35% më pak se vitin e kaluar.

Forcimi i bashkëpunimit me komunitetin është vlerësuar gjithmonë si një drejtim i rëndësishëm pune, jo thjesht në funksion të luftës kundër krimit, por në radhë të parë për t’i shërbyer qytetarit në kohën dhe me cilësinë e duhur. Është bërë e mundur rritja e besimit të ndërsjellë midis Policisë dhe komunitetit si pasojë e vlerësimit në kohë dhe seriozitetit të ndjekjes së problematikave apo shqetësimeve. Kështu, mund të veçojmë se për këtë periudhë janë marrë 454 602 telefonata nga publiku, (mesatarisht 1 515 telefonata në ditë) ose 150.249 telefonata më shumë se vitin e kaluar. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për numrin e njoftimeve të ardhura në portalin “Komisariati dixhital”, ku kanë ardhur gjithsej 38 628 njoftime ose 1 333 telefonata më shumë se vitin e kaluar.

Për të gjitha çfarë nënvizuam më sipër, kanë ndikuar edhe në përmirësimin e parametrave të punës tonë, në mënyrë të veçantë të treguesve të punës për parandalimin dhe goditjen e kriminalitetit. Kështu, gjatë periudhës janar - shtator 2019 nga Policia e Shtetit janë evidentuar 29 676 vepra penale dhe janë zbuluar 25 648 ose 86.4% prej tyre. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar rezulton se janë evidentuar 446 vepra penale më shumë (ose 1.5% më shumë), ndërsa zbulueshmëria është pothuaj në të njëjtën nivel.

Për këtë periudhë janë verifikuar, hetuar dhe sekuestruar shumë prona dhe llogari bankare që janë vënë nga veprimtaria kriminale e personave dhe e grupeve kriminale. Konkretisht janë kryer 91 hetime pasurore, nga 83 hetime për të njëjtën periudhë të vitit 2018, si dhe janë kryer 5 647 verifikime pasurore për asetet kriminale, nga 2 625 të kryera vitin e kaluar. Këto aktivitete kanë bërë të mundur:
- Sekuestrimin e aseteve kriminale për pastrim parash (sipas nenit 287 i Kodit Penal) në vlerën 34.587.611 Euro.
- Sekuestrimin e aseteve për veprimtari kriminale (hetime penale dhe pasurore sipas Ligjit Antimafia) në vlerën 52 600 000 Euro.

Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2018, janë sekuestruar më shumë se 41 milionë euro (pasuri, llogari bankare, cash), prej të cilave më shumë se 9 milion euro për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, si dhe 32 milionë euro më shumë në zbatim të Ligjit Antimafia.

Goditje të rëndësishme u janë dhënë grupeve kriminale të krimit të organizuar. Kështu, janë goditur 34 grupe kriminale, prej të cilëve 22 grupe kriminale me aktivitet në fushën e narkotikëve, 6 grupe kriminale me aktivitet në fushën e krimit ekonomiko-financiar dhe 6 grupe kriminale me aktivitet në fushën e trafiqeve të paligjshme. Ndërkohë, në rritje janë edhe referimet për veprën penale grup i strukturuar kriminal në 35 raste gjatë këtij viti, nga 20 të tilla vitin e kaluar.

Janë zhvilluar 287 operacione policore, prej të cilave 62 operacione në bashkëpunim me partneret ndërkombëtarë. Të ndara sipas tendencave kryesore operacionet janë si më poshtë:

- 155 operacione policore në fushën e narkotikëve, prej të cilëve 44 operacione në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe 111 operacione kombëtare;
- 47 operacione policore në fushën e trafiqeve të paligjshme,prej të cilave19 operacione në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe 28 operacione kombëtare;
- 85 operacione policore në fushën e krimit ekonomiko financiar, prej të cilëve 4 operacione në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe 81 operacione kombëtare.

Bazuar në të dhënat dhe informacionet që disponojnë strukturat e Policisë së Shtetit dhe agjencitë e tjera të inteligjencës, niveli i kërcënimit në vendit tonë nga kryerja e akteve terroriste vazhdon të jetë “i ulët”.Vendi ynë, si anëtar i koalicionit ndërkombëtar kundër terrorizmit, ka mbështetur e vazhdon të mbështesë partnerët në këtë luftë, duke e konsideruar bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit si ndër prioritetet tona kryesore.

Në vijimësi ne kemi përmirësuar kuadrin ligjor dhe organizimin strukturor, me qëllim për të parandaluar dhe luftuar çdo kërcënimin ndaj sigurisë. Kjo ka sjellë përmirësimin në vijim të treguesve të punës, kështu ndër të tjera ka rritje në tërësi të hetimeve proaktive, si dhe rritje të hetimeve për veprën penale “Financim i terrorizmit. Në këtë kuadër, nga ana jonë po punohet edhe për realizimin e detyrimeve tona në zbatim të Planit të Veprimit të Strategjisë Kombëtare për Luftën Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm.

Në qendër të vëmendjes ka qenë edhe parandalimi dhe goditja e veprave penale kundër personit. Për këtë periudhë janë evidentuar në total 2 465 vepra penale kundër personit dhe janë zbuluar 2 315 ose 93.9% prej tyre, në krahasim me të njëjtën periudhë kemi 249 vepra penale më pak, ndërsa fuqia zbuluese është në shifra të përafërta. Vendin kryesor në këtë grup tendencash e zënë plagosjet e lehta dhe kanosjet.

Në grupin e veprave penale kundër jetës janë evidentuar 49 vrasje (nga 45 të ndodhura vitin e kaluar) ose mesatarisht 1,5 vrasje për 100 000 banorë, ndërkohë që në disa vende të rajonit si në Maqedoninë e Veriut kanë ndodhur 0,8 vrasje, në Malin e Zi 2,07 dhe në Kosovë 3,59 vrasje për 100.000 banorë. Nënvizojmë se treguesit krahasues janë nxjerrë për periudhën nëntëmujore janar – shtator 2019. Nga vrasjet e ndodhura janë zbuluar 40 prej tyre ose 81.6%, me 66 autorë të dyshuar, nga këta janë arrestuar/ndaluar 43 dhe shpallur në kërkim 19 autorë.

Nënvizojmë se nga vrasjet e ndodhura, 14 prej tyre kanë ndodhur në familje dhe kanë shkaktuar 17 viktima, nga 10 vrasje në familje të ndodhura gjatë të njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Vrasje nga pakujdesia kanë ndodhur në dy 2 raste, ndërsa vrasje të mbetur në tentativë kanë ndodhur 80, nga 100 të ndodhura një vit më parë, dhe janë zbuluar 67 prej tyre ose 83.8%.

Siç shihet edhe nga treguesit e mësipërm, krimet kundër jetës janë ulur, kemi rënie gjithashtu edhe të kanosjeve serioze për hakmarrje ose gjakmarrje, si dhe rënie të veprës penale të armëmbajtjes pa leje, ku për këtë periudhë janë evidencuar 806 raste (78 më pak se një vit më parë), zbuluar 694 prej tyre ose 86.1%.

Por për këtë periudhë është rritur evidentimi i krimeve seksuale. Nga 88 krime të tilla që kanë ndodhur në vitin 2018, për këtë periudhe kanë ndodhur 131, ndërsa forca zbuluese ndaj tyre vazhdon të jetë e lartë në mbi 90%.

Ndërkohë, ashtu siç u theksua edhe më lart, vazhdon të mbetet shqetësues fenomeni i dhunës në familje. Gjatë kësaj periudhe janë evidentuar 1 146 vepra penale në familje (sipas nenit 130/a të Kodit Penal), ndërkohë që gjatë kësaj periudhe janë evidentuar dhe trajtuar nga strukturat e policisë 4 032 raste të dhunës në familje.

Trendi i rasteve të dhunës në familje ka patur një rritje nga viti në vit dhe ne vlerësojmë se kjo ka ndodhur për disa faktorë:

- Së pari, është rritur ndërgjegjësimi i viktimave për denoncimin e rasteve.
- Së dyti, rritja e besimit të publikut, në veçanti të viktimave të dhunës, ndaj strukturave të Policisë së Shtetit.
- Së fundmi, me ndryshimet ligjore të vitit 2018, janë shtuar subjektet që mund të kërkojnë mbrojte në zbatim të Ligjit “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, i ndryshuar.

Shqetësues vazhdon të mbetet edhe përfshirja e të miturve në veprimtari kriminale apo të dëmtuar nga veprat penale. Janë evidentuar gjithsej mbi 1 400 të mitur, të dyshuar si autorë të veprave penale. Numri më i lartë i të miturve të dyshuar si autorë paraqitet në tendencat kriminale me rrezikshmëri të ulët shoqërore si “Vjedhje”, “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Dëmtime të tjera me dashje”, “Plagosje e lehtë me dashje”, “Shkatërrimi i pronës”, “Kanosje”, ndërsa në tendencat kriminale me rrezikshmëri të lartë shoqërore, numri i të miturve të dyshuar autorë është relativisht i ulët.

Janë evidentuar gjithsej mbi 900 të mitur të dëmtuar nga veprat penale, numri më i lartë i të miturve të dëmtuar nga veprat penale paraqitet në tendencat kriminale me rrezikshmëri të ulët shoqërore, si: “Dëmtime të tjera me dashje”, “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Vjedhje të tjera” dhe “Plagosje e lehtë me dashje”.

Duke e vlerësuar kriminalitetin në radhët e të miturve dhe ndaj tyre në radhë të parë si një problem të rëndësishëm social, strukturat përgjegjëse të Policisë së Shtetit janë angazhuar në projekte të ndryshme për mbështetjen e tyre për edukim dhe integrim, duke bashkëpunuar për këtë qëllim me Ministrinë e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, me shkollat, shoqërinë civile dhe donatorë të ndryshëm.

Rënie të ndjeshme janë vërejtur edhe në lidhje me grupin e veprave penale kundër pasurisë. Kështu, nga 6 147 vepra të tilla të ndodhura vitin e kaluar, këtë vit janë evidentuar nga Policia 5 585 me një forcë zbuluese në rënie në 54.7% nga 61,5% vitin e kaluar. Në këtë grup veprash penale kanë rritje veprat penale “Shtrëngim me anë të kanosjes” (43 nga 19), “Vjedhjet e bankave” (12 nga 7), “Vjedhjet e automjeteve” (247 nga 210) dhe “Shkatërrim prone me zjarr” (317 nga 225), ndërsa të gjitha tendencat e tjera kriminale si “Vjedhje me armë” (11 nga 18), “Vjedhje me pasojë vdekje” (0 nga 3), “Vjedhje me dhunë” (66 nga 92), “Shkatërrim prone”, “Vjedhje banese”, “Vjedhje lokale tregtie”, “Vjedhje kompanie”, “Vjedhje të energjisë elektrike” apo vepra penale të tjera kundër pasurisë kanë pësuar ulje të ndjeshme, ndërsa forca zbuluese ndaj tyre në përgjithësi është në të njëjtat nivele.

Krimet mjedisore si “Ndërtimi i paligjshëm” dhe vepra penale të tjera kundër mjedisit janë evidentuar 2.134 të tilla, nga të cilat janë zbuluar 2 109. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar rezulton se kanë ndodhur 1 445 vepra penale ose një rritje me 689 vepra penale më shumë.

Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit ka qenë dhe mbetet një ndër prioritetet kryesore të Policisë së Shtetit, duke u fokusuar kryesisht në luftën kundër drogës, trafiqeve të paligjshme dhe grupeve të strukturuara kriminale me këto tendenca. Gjatë periudhës janar – tetor 2019, janë evidentuar në total 1 737 vepra penale në fushën e narkotikëve dhe janë zbuluar 1 490 ose 85,8%. Duke krahasuar të dhënat me të njëjtën periudhë të vitit 2018, konstatohet se kemi ulje në evidentimin e veprave penale me 17 vepra më pak.

Për sekuestrimet e lëndëve narkotike, gjatë kësaj periudhe krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018, konstatohet:

- Ulje e sasisë së kokainës me –484 kilogram;
- Rritje e sasisë së heroinës me +5 kilogram;
- Ulje e ndjeshme e sasisë së marijuanës me –11.275 kilogram;
- Ulje e ndjeshme e sasisë së vajit të hashishit me –50 Litra;
- Rritje e sasisë së hashashit me +779 kilogram.

Për sasinë e kokainës së sekuestruar, theksojmë se vetëm në një rast është sekuestruar 137 kg, e dyshuar kokainë, në operacionin “LIMIT”, gjatë zhvillimit të të cilit janë përdorur metodat speciale të hetimit (dorëzim i kontrolluar). Ky operacion është realizuar në bashkëpunim me autoritetet policore greke dhe DEA-n amerikane.

Vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe luftës kundër kultivimit. Në zbatim të detyrimeve që rrjedhin nga “Plani Kombëtar Kundër Kanabisit” 2018-2020, strukturat e Policisë së Shtetit, kanë marrë dhe po zbatojnë të gjitha masat e nevojshme planifikuese, organizuese dhe operacionale, në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike.

Për këtë qëllim janë ndjekur me përparësi veprimtaritë e strukturave vendore për realizimin e detyrave që kanë të bëjnë me goditjen e aktivitetit të trafikimit dhe shpërndarjes së farave të kanabisit.

Gjithashtu, është bërë ndarja e zonave të përgjegjësisë dhe krijimi i grupeve të monitorimit sipas drejtorive vendore të policisë dhe përgjegjës të këtyre grupeve janë caktuar drejtorët qendror. Këto grupe monitorimi kanë zhvilluar takime në strukturat vendore për prezantimin, njohjen me situatën në qark dhe ndarjen e zonave të përgjegjësisë mbi bazë drejtorie, komisariati e stacioni policie, si dhe kanë ndjekur çdo ditë në vijimësi dinamika e zbatimit të detyrave dhe raportimet periodike të strukturave vendore të policisë.

Për sensibilizimin e komunitetit në parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike janë zhvilluar 609 takime me pjesëmarrjen e 14 725 personave, në të cilat kanë marrë pjesë edhe drejtues të institucioneve shtetërore ne nivel qendror dhe vendor, drejtues të organeve të pushtetit lokal, përfaqësues të dhe nxënës të shkollave etj.

Ndërkohë që për kontrollin e territorit në rang vendi, si sera, minisera, magazina, objekte, ish-objekte ushtarake, shtëpi të braktisura, stane, stalla, ambiente të hapura, etj., janë angazhuar 56 032 punonjës policie dhe 12 554 mjete, duke realizuar 131 186 kontrolle dhe rikontrolle me 377 298 orë shërbimi.

Vetëm nga monitorimet ajrore të kryera nga Guardia di Finanza gjatë këtij nëntëmujori, janë evidentuar treguesit si më poshtë:

- 80 misione fluturimi.
- 225 orë kohë fluturimi.
- 7350 km2 sipërfaqe e kontrolluar ose 25 % e sipërfaqes totale.
- 108 raporte monitorimi, nga të cilat 56 raporte monitorimi (kamër + sensor) dhe 52 raporte extra (vetëm kamër).
- 1103 vende të dyshuara në total (koordinata), nga të cilat 893 koordinata (vende) të konfirmuara ku është gjetur bimë narkotike, 210 koordinata (vende) ku nuk është gjetur e kultivuar bimë narkotike,
- 25.931 bimë të asgjësuara.

Aktualisht jemi njoftuar nga partnerët tanë se më datë 31 tetor kanë përfunduar misionet e fluturimit për vitin 2019.

Si rezultat i punës parandaluese, kemi tregues të mirë në drejtim të goditjes së kësaj veprimtarie. Janë evidentuar 453 vepra penale dhe nga 409 raste kultivimi, janë zbuluar 235 ose 57.6 %. Janë konstatuar 1 607 vende kultivimi me gjithsej 90 175 bimë narkotike të asgjësuara/sekuestruara, nga të cilat 14 886 bimë janë kapur në kubikë, 6 të mbira vetë dhe 246 në proces tharjeje.

Gjithashtu, janë proceduar penalisht edhe 193 autorë (administratorë të Njësive Administrative, kryepleq fshatrash, inspektorë të shërbimit pyjor, si dhe punonjës policie), për veprat penale “Shpërdorim detyre” e “Moskallëzim krimi”, nga të cilët arrestuar 14, ndaluar 1, ndjekur në gjendje të lirë 171 dhe janë shpallur në kërkim 7. Nga 193 personat e proceduar, 5 prej tyre janë punonjës policie, 6 kryetarë të njësive administrative, 111 kryepleq fshatrash dhe 71 punonjës të shërbimit të policisë pyjore.

Gjatë periudhës janar – shtator të vitit 2019, janë evidentuar 1 437 vepra penale në fushën e trafiqeve të paligjshme, nga të cilat janë zbuluar 1 399 ose 97.4% e tyre. Nga krahasimi i të dhënave statistikore për 10-mujorin e vitit 2019 me ato të së njëjtës periudhë të vitit 2018, rezulton se kemi një rritje të konsiderueshme të veprave penale me 193 raste dhe rritje e zbulueshmërisë me 0.6 %.

Rritja e numrit të veprave penale vjen si rrjedhojë e shtimit të evidencimit të veprave penale “Kalim i paligjshëm i kufirit” dhe “Trafikimit të mjeteve motorike”, ndërkohë që kanë ulje të ndjeshme tendencat e “Trafikimit të armëve dhe municioneve”.

Nga analiza e bërë situatës në fushën e trafiqeve të paligjshme vlerësohet se Shqipëria mbetet një vend origjine për kontrabandimin e shtetasve shqiptarë drejt vendeve të BE-së, Britanisë së Madhe, vendeve nordike, SHBA-së dhe Kanadasë për qëllime emigracioni ekonomik. Format e identifikuara të kontrabandimit janë përmes përdorimit të dokumenteve të falsifikuara, rezervimin me qëllime turistike në vendet e Amerikës Latine, etj.

Gjithashtu, Shqipëria mbetet një vend transit për kontrabandimin e emigrantëve, të cilët vijnë nga Lindja e Mesme dhe hyjnë në vendin tonë në mënyrë të paligjshme nga kufiri i gjelbër me Greqinë, për të ndjekur itinerarin drejt Malit të Zi dhe Kosovës me destinacion vendet e BE-së.

Vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe luftës kundër korrupsionit. Për periudhën janar - tetor 2019, janë evidentuar 1 035 vepra penale, zbuluar 946 ose 89.6 % e tyre. Krahasuar më të njëjtën periudhë të një viti më parë, kemi 203 vepra penale të evidentuara më shumë.

Në fushën e pastrimit të parave janë evidentuar në total 354 vepra penale, zbuluar 315 ose 89%, krahasuar më të njëjtën periudhë të një viti më parë, konstatohet i njëjti trend si në evidencim të tyre, ashtu dhe në drejtim të zbulimit.

Janë evidentuar 2 836 vepra penale në fushën ekonomiko-financiare, nga të cilat u zbuluan 2 635 ose 92.9 %, krahasuar më të njëjtën periudhë të një viti më parë, kemi 122 vepra penale të evidentuara më shumë ose 5.19 %.

Janë evidentuar 148 vepra penale kompjuterike, zbuluar 53 ose 35.8%, krahasuar të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, në periudhën janar - tetor 2019, janë evidentuar 12 vepra penale më pak, ndërsa fuqia zbuluese është rritur me 5 %.

Për këtë periudhë kanë ndodhur 4 716 vepra penale në fushën e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, ku vendin kryesor prej 2 507 e përbëjnë drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt. Të krahasuara me të njëjtën periudhë të një viti më parë, numri këtyre veprave penale rezulton me ulje, respektivisht në 119 dhe 207 vepra penale më pak. Për këtë grup veprash janë penalizuar 4 023 autorë, prej të cilëve 1 993 janë arrestuar/ndaluar.

Ulje vërehet edhe në drejtim të aksidenteve rrugore. Kështu, për periudhën janar shtator 2019 kanë ndodhur 1 136 aksidente (nga 1 303 të ndodhur në të njëjtën periudhë të vitit 2018), të cilat kanë shkaktuar 152 të vrarë, 235 të plagosur rendë dhe 1 378 të plagosur lehtë.

Vlen të nënvizojmë se gjatë këtij viti strukturat policore janë angazhuar edhe në ballafaqimin e veprave penale të tubimeve të paligjshme, ku janë evidentuar 120 vepra penale (ose 79 vepra penale më shumë se viti i kaluar), të veprës penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve” në 93 raste, si dhe të veprave penale që cenojnë zgjedhjet e lira në 37 raste.

Ndërkohë, janë evidentuar 628 vepra penale kundër punonjësve të Policisë, me një trend në rënie në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, në të cilën kanë ndodhur 645 vepra penale ose 17 më pak. Janë evidentuar 428 vepra penale kundër punonjësve në detyrë shtetërore, 404 vepra penale kundër drejtësisë dhe 1 108 vepra penale kundër rendit dhe sigurisë publike.

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Ky është një prezantim përmbledhës mbi situatën e kriminalitetit dhe të rendit e të sigurisë në vendin tonë për këtë periudhë. Në këtë prezantim shpresoj të kem trajtuar të gjithë problematikën që ju jeni të interesuar. Ndërkohë, që ne jemi të gatshëm të japim sqarime për çdo pyetje apo koment që mund të kërkohet nga ana juaj.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sapi: 21/11/2019 11:01

    Ore po kjo marrveshja terrorizmit sikur u be ne kohen e Sajes... pastaj, se clidhje ka nje marreveshje me gjendjen e sigurise nje zot e di. Edhe ky si te tjeret, kemi kap kaq patate, domate, pras. Bo bo bo

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Dështimi me Cagliarin, Allegri: Në pjesën e parë do i ndërroja të gjithë, ulem të diskutoj të ardhmen me drejtuesit

Dështimi me Cagliarin, Allegri: Në pjesën e parë do i ndërroja të gjithë, ulem të diskutoj të ardhmen me drejtuesit