Arrestohet në Shqipëri kunati i indianëve të kërkuar për pastrim parash që Meta u dha nënshtetësinë

Prej 11 Mars 2019 ishte në kërkim nga Interpol India, kapet në Tiranë kunati i dy biznesmenëve indianë të dyshuar si të përfshirë në mashtrime në vlera të mëdha nëpërmjet bankave dhe pastrimit të parave në Indi.

Është arrestuar në Shqipëri, kunati i dy vëllezërve indianë të cilët janë në kërkim ndërkombëtar për pastrim të parave në vlerën 725 mln dollarë. Hitesh Patel, 59 vjeç, lindur në Indi dhe banues në Nigeri, u arrestua dy ditë më parë nga shërbimet e policisë në Rinas në tentativë për tu larguar nga Shqipëria, me qëllim ekstradimin drejt Indisë.

Patel rezulton të jetë i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol New Delhi në Indi. Gjykata Patiala  House, ka lëshuar ndaj tij urdhër arresti për veprën penale “Pastrimi i parave”, parashikuar nga nenet 3 dhe 4 të “Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave”. Policia thotë në një njoftim se veprimet e mëtejshme për ekstradimin e këtij shtetasi do të kryhen nga ZQK Interpol Tirana.

Hiteshkumar Patel është vëllai i bashkëshortes së Cetan Sandesaras. Patel ka qenë një nga drejtuesit më të lartë të kompanisë “Sterling Biotech” dhe, sipas medieve indiane, arkitekti që krijoi skemën gjigante të mashtrimit financiar.

Hitesh patel është kunati i dy vëllezërve indianë, Nitin Sandesara dhe Chetankumar Sandesara, të cilët gjithashtu janë në kërkim ndërkombëtar për pastrim parash. Dy vëllezërit ushtrojnë një aktivitet në fushën e ndërtimit në Shqipëri dhe dyshohet se kanë gjetur terren në vendin tonë për të pastruar paratë.  Jo vetëm që u bënë ndërtues, por ata kanë mundur edhe të marrin nënshtetësinë shqiptare nga Presidenti Ilir Meta

Përmes kompanisë “Sterling”, Nitin dhe Chetan Sandesara kanë marrë 725 milionë deri në 1 miliard dollarë amerikanë kredi nga bankat shtetërore të Indisë, para të cilat i zhdukën përmes një rrjeti prej 300 kompanish “offshore”. Vëllezërit Sandesara  rezultojnë se prej shkurt 2018 me dekret presidencial janë bërë shtetas shqiptarë dhe janë duke investuar në ndërtimin e pallateve në Tiranë dhe resorteve turistike në bregdetin e jugut të Shqipërisë në bashkëpunim me biznesmenë shqiptar.

Pas arrestimit, Prokuroria e Tiranës ka kërkuar në gjykatë caktimin e masës së sigurisë arrest me burg për qëllim ekstradimi ndaj Patel, ndërsa masa do të jepet të shtunën në mesditë.

G.M.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Shpërthen bombola e gazit, digjet apartamenti në Patos

Shpërthen bombola e gazit, digjet apartamenti në Patos