Arsyeja e frikës është mungesa e dashurisë

Arsyeja e frikës është mungesa e dashurisë
Shqiptarja.com vjen në ndihmë të lexuesve duke publikuar çdo të shtunë historinë e një gruaje e cila ndihet e frikësuar apo e kërcënuar dhe këshillën e psikologes, Mirela Sula e cila vjen në ndihmë. Letrat mund të dërgohen direkt në adresën e psikologes Mirela Sula: [email protected]. Ruhet anonimati.

LETRA: JAM E BURGOSUR NE MARTESEN TIME
E dashur Mirela,
Unë ju njoh personalisht, por nuk dua që në këtë letër të tregoj emrin tim, nuk besoj se ka shumë rëndësi kjo. Jemi në të njëjtën moshë, dhe dikur, shumë vite më parë kemi pasur të njëjtat ëndrra. Por siç i thonë njeriu e merr hakun me martesë. Të tillë e mora edhe unë. Martesa ua mbylli derën ëndrrave të mia një herë e përgjithmonë. Në fillim unë vetë e lejova këtë gjë, por kur u kujtova ishte shumë vonë. E kam dashur tim shoq, por në 18 vjet martesë vetëm tre vitet e para mund të mbaj mend si kohë të bukur me të. Kur një ditë po bisedoja me një mikeshë (kisha nevojë të hapesha me dikë për brengat e mia) më tha: “Ti je me fat që i ke kaluar tre vjet të bukura, po unë që s’kam asnjë”, qeshëm me lot. Dhe në fakt, kur bisedoj me shumë gra kuptoj se jeta e tyre nuk ka qenë e lumtur në martesë.

Shumë prej shoqeve që unë njoh janë qetësisht të dhunuara nga burrat. Edhe unë kështu e shoh veten. Kur them qetësisht e ka një kuptim – unë vetë e kam lejuar këtë me heshtjen time, dhe paqen e rrejshme në dukje. Për një kohë të gjatë kam pranuar që burri im të më “dhunojë” duke më ndaluar të realizoj ëndrrën për shkollë, karrierë, të jem e lirë në vendimet e mia. Asnjëherë nuk e kam pasur këtë liri. Ai më ka plotësuar çdo kërkesë financiare dhe një jetë të mirë për fëmijët e mi, por unë asnjëherë nuk jam ndjerë e plotësuar. Më mungon shumë shkolla dhe peng e kam që nuk munda të vazhdoj universitetin pavarësisht se në atë kohë kam dalë me mesatare 9.8 dhe kam pasur shumë talent në letërsi.

Ndihem në faj sa herë shoh femrat që shkojë në universitet dhe të bëjnë karrierë, ndiej një boshllëk në shpirt. Im shoq ka qene gjithmonë posesiv, kontrollues, dhe nuk më ka lënë asnjëherë të lirë, as të udhëtoj, dhe as të bëj gjërat që dua. Për çdo gjë duhet të pyes atë, sipas tij unë nuk jam e aftë të bëj asgjë sepse jam grua. Burri duhet t’i plotësojë kushtet gruas dhe gruaja duhet të mbyllë gojën. Por kushtet sipas tij janë “të më sjellë ushqim në shtëpi, të mos na mungojë gjë nga ana financiare, të sigurojë të ardhmen e fëmijëve dhe kaq”. Dhe në fakt paratë nuk më kanë munguar asnjëherë.

Prandaj unë kam mbyllur gojën, edhe kur më ka ofenduar, edhe kur më ka lënduar, edhe kur ndonjëherë më ka gjuajtur me ndonjë shpullë. A është kjo dhunë? Nuk mund të them me siguri se jam një grua e dhunuar sepse ai më siguron jetesën. Mua më shumë më duket vetja e burgosur në këtë martesë se sa e dhunuar. Por e vuaj shumë këtë burg. Dhe e bukura është se deri vonë nuk e kam ditur se jam në burg, kam pranuar qetësisht jetën që më ka ofruar im shoq. Dhe tani ja ku jam, pa shkollë dhe pa asnjë ditë punë në jetën time jam totalisht e varur prej tij. Fëmijët po rriten dhe shumë shpejt do të kenë jetën e tyre. Po unë si ndihem? Ku jam unë? Askund. Ndonjëherë më duket se nuk jam unë, kam humbur identitetin tim. Është si të thuash “Pa burrin unë nuk ekzistoj. Pa të unë nuk kam vlerë. Unë nuk jam”. Është e dhimbshme.

Nuk e di çfarë mund ta quaj këtë, por shpesh dua të flas e të flas e të mos pushoj që të nxjerr jashtë këtë presion negativ që kam thellë vetes. Para disa ditësh lexova në profilin e facebukut tënd një shprehje që thoshte “Kur gratë e fjetura zgjohen lëvizin edhe malet”. Kështu ndihem edhe unë, si një grua që për vite me radhë ka qenë në gjumë, por unë ende nuk guxoj të zgjohem, se nuk e di se ç’mund të ndodhë me mua nëse zgjohem. Nuk e di pse kam frikë. Të kam ndjekur shpesh në shprehjet e tua ku thekson nevojën e dashurisë për veten, por ndonjëherë kjo më duket si një leksion i vështirë për t’u mësuar në këtë moshë. E di që jam kujtuar me vonesë, e ndoshta nuk ka zgjidhje për mua, por doja ta ndaja me ty këtë ndjesi që sa vjen e bëhet më frikshme tek unë. K.
 
PËRGJGJIGJA E PSIKOLOGES MIRELA SULA
 
ARSYEJA E FRIKËS ËSHTË MUNGESA E DASHURISË
 
 Faleminderit që vendose të ndaje këto ndjesi me mua. Kjo tregon se gruaja brenda teje ka filluar të zgjohet. Ka raste që edhe pasi zgjohemi kemi dëshirë të rrimë edhe për pak me sy mbyllur, deri sa të ndihemi gati. Ka raste që edhe kur ndihemi gati sërish kemi  frikë, dhe nuk e dimë pse.

Arsyeja se përse kemi frikë, sidomos kur jemi në një marrëdhënie të palumtur, është mungesa e dashurisë në jetën tonë. Shumë vetë nuk e kuptojnë se përse ndihen zbrazët, pse ndihen keq, të frikësuar apo të pasigurtë edhe kur u ofrohet siguri financiare. Ti thua që nuk të ka munguar asnjëherë kjo siguri e megjithatë ndihesh e trembur dhe jo e plotësuar në jetë. Ndoshta është kjo një thirrje për dashuri? Kur them dashuri nuk i referohem vetëm asaj partnerore por në të gjitha sferat e jetës, duke filluar nga ajo për veten.

Përmes rreshtave unë lexoj se dashuria me partnerin duket e shuar dhe aspak aktive, por nuk e di se sa aktive është kjo dashuri në marrëdhëniet e tjera në jetën tënde. E kam të qartë se lidhja me bashkëshortin është fokusi i shqetësimit që ngre. Në vitet e jetës bashkëshortore ti nuk ia ke dalë të flasësh për gjërat që të kanë trazuar në këtë martesë. Ndoshta sepse, si të gjitha çiftet, nuk e ke pasur të lehtë të ndalesh te pakënaqësitë, prej frikës se mund të krijohen keqkuptime. Por duke shprehur veten përmes bisedave në çift, ne kemi mundësi të identifikojnë pjesën e përgjegjësisë, dhe të mos e lëmë që e keqja të zërë rrënjë dhe të bëhet problematike.

Është normale që jo çdo gjë që pëlqehej në fillim tek partneri vazhdon të pëlqehet akoma. Me kalimin e kohës ndodh vetëvetishëm një evolucion brenda çiftit. Dhe ky fillim për ty ka zgjatur vetëm tre vite. Ti i mban mend këto vite si një kohë të bukur. Por më pas pakënaqësia ka filluar të lëshojë rrënjë dhe nuk je kujdesur që t’i shkulësh barërat e këqija menjëherë. Në këtë mënyrë mungesa e dashurisë ka krijuar zbrazëti, dhe këtë vend e kanë mbushur emocionet negative. Arsyet kanë qenë mjaftueshëm për t’u ndjerë kështu: pengesë për të realizuar ëndrrat, ofendime, posesivitet, kontroll e ndonjëherë edhe “ndonjë shpullë”. A është kjo dhunë? Ti preferon t’i vësh emrin burg, ndërsa për mua nuk ka shumë rëndësi se si e titullojmë. Ndjenjat dhe emocionet e tua kundrejt kësaj gjendjeje janë më të rëndësishme se cdo gjë tjetër. Nga e kanë burimin?

Humbja e mundësisë për t’u shkolluar duket një zhgënjim i madh për ty. Më ka qëlluar shpesh të dëgjoj histori të ngjashme. Shumë gra ndihen të dëshpërura kur pengohen për të vazhduar studimet apo karrierën e tyre. Lajmi i mirë është se tashmë shanset për të ndjekur ëndrrën e shkollimit nuk kanë afat, dhe njerëzit janë të lirë t’i rikthehen kësaj ëndrrë në cdo kohë. Nëse kjo është një thirrje e jotja e brendshme e ka gjithnjë një mënyrë për ta gjetur shtegun që të con atje. Nëse është një peng që të ka mbetur nga e shkuara, ndoshta në vend që të bllokohesh në të, mund të zbulosh qëllime të reja në jetë. Nëse është për të pasur më shumë liri, atë mund ta gjesh pa e fajësuar veten që nuk ke një universitet. Nëse është një nevojë për të fituar para, ti thua se nuk të kanë munguar ndonjëherë.

E dashur K, duke eksploruar burimin e kësaj gjendjeje, për të kuptuar se përse ke lejuar ta ndërtosh këtë burg apo të qëndrosh në të, mund të fillosh njohësh më mirë veten dhe nevojat e tua. Ndoshta këto nevoja kanë ndryshuar me kalimin e kohës? Nëse dikur ishe e kënaqur vetëm me anën financiare, ndoshta tani ndjen tjetër nevojë. Ke realizuar ëndrrën e mëmësisë, u ke plotësuar fëmijëve një jetë të mirë, bashkëshorti të ka ofruar siguri financiare por tani ti je në një tjetër stad. Duke qenë në këtë stad i sheh gjërat ndryshe. E kur thua je si “gruaja e sapo zgjuar”, ndoshta pikërisht nga ky zgjim ke filluar të reflektosh dhe të kthehesh tek e shkuara. Nëse do mendimin tim, e shkuara është një vend i mirë për t’u vizituar por jo për të qëndruar gjatë aty.

Për ta mbyllur, po i kthehem pyetjes tënde për dashurinë ndaj vetes. Një akt që cdo kush duhet ta praktikojë rregullisht, si buka e përditshme. Duke kultivuar shprehjen e dashurisë ndaj vetes ne fillojmë të bëhemi më atraktivë për botën e jashtme. Kur arrijmë ta bëjmë këtë fillojmë të shohim se sa magji dhe energji tërheqëse shpërndajmë tek të tjerët. Kur them të tjerët ky ndryshim mund të nisë me bashkëshortin tënd, me fëmijët e tu, me të afërmit, shoqërinë dhe cdo kënd që të rrethon. Duke tërhequr dashurinë e tyre, ata na afrohen më shumë, rrinë me ne dhe dëshirojnë të na njohin nga afër. E duke na njohur në thellësi, ata do të na duan për atë që jemi.

Arti i dashurisë për veten nuk është i rëndësishëm vetëm për procesin e shërimit por për gjetjen e dashurisë së vërtetë gjithashtu. Ne nuk i lejojmë të tjerët të na duan deri sa të fillojmë të duam veten më parë. Nëse kjo ka kuptim për ty, do të mund të besosh se afrimiteti me bashkëshortin mund të sjellë ndryshime rrënjësore në jetën dhe të ardhmen tënde. Dhe kjo mund të të cclirojë nga burgu ku ndihesh dhe të të sjellë realizimin e shumë ëndrrave të paplotësuara.

SHËNIM: Duke qenë e pamundur të botojmë çdo letër që vjen në adresë të kësaj rubrike do të përpiqemi të zgjedhim letrën që jep mundësinë e përgjigjes edhe për raste të tjera të ngjashme. Përgjigjet tuaja mund t’i gjeni vetëm te Shqiptarja. com, dhe jo përmes e-mailit.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 07.09.2013

Redaksia online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Basha akuzon se ka aleancë PS-Rithemelimi kundër SPAK, e besoni?



×

Lajmi i fundit

Ndihmuan shqiptarët të kryenin grabitje në Portugali dhe Spanjë, arrestohen dy bashkëpunëtoret

Ndihmuan shqiptarët të kryenin grabitje në Portugali dhe Spanjë, arrestohen dy bashkëpunëtoret