Artroza e kockave të legenit
çfarë është dhe si trajtohet

Artroza e kockave të legenit <br /> çfarë është dhe si trajtohet
Artroza është një sëmundje e cila prek artikulacionet dhe shkaktohet nga dëmtimi i indit kërcor artikular që gjendet ndërmjet dy kockave. Humbja e këtij indi kërcor bën që kockat të fërkohen me njëra-tjetrën dhe të shtypen duke çuar në dhimbje, inflamacion dhe deformime të përhershme të artikulacionit.

Artroza zakonisht paraqitet në artikulacionet që kryejnë më shumë lëvizje, si për shembull artikulacioni i shpatullës, në pjesën cervikale të kolonës vertebrale (pengon në lëvizjen e kokës dhe mund të jetë e pranishme dhe marramendja) dhe në artikulacionin e legenit, gjunjëve dhe ato të duarve.

Është e rëndësishme të vihet theksi mbi faktin se të gjithë individët mund të zhvillojnë shkallë të ndryshme artroze ndërkohë që plaken. Kjo sëmundje nuk është ekskluzive për njeriun, por paraqitet te të gjithë vertebrorët me përjashtim të lakuriqëve të natës.

Artroza e kockave të legenit (artikulacioni koksofemoral)
Artroza e artikulacionit që lidh femurin me kockat e legenit çon në ngurtësimin dhe inflamacionin e kësaj nyjeje, çka çon në dhimbje e cila ndonjëherë nuk qetësohet as nga pushimi. Dhimbja provokohet nga dëmtimi i kërcit artikular duke shkaktuar fërkimin e kockave midis tyre. Në një pjesë të rasteve, në buzët e artikulacionit dalin osteofite (zgjatime kockore). Ju mund të humbisni aftësinë për të rrotulluar, mbledhur apo shtrirë artikulacionin koksofemoral. Shpesh, për të lehtësuar dhimbjen, individët nuk ruajnë një ritëm aktiv dhe muskujt të cilët kontrollojnë artikulacionin dobësohen. Kjo mund të çojë në çalim.
Simptoma e parë e artrozës mund të jetë një farë parehatie apo ngurtësim në rrëzë të kofshës, në vithe apo në kofshë kur zgjoheni në mëngjes. Dhimbja rritet gjatë aktivitetit fizik dhe lehtësohet në qetësi. Në rast se nuk e kuroni këtë gjëndje patologjike, atëherë ajo do të shkojë drejt përkeqësimit deri sa të arrijë në pikën ku do të jetë shumë e vështirë të ketë momente pa dhimbje, qoftë edhe në qetësi.
Pavarësisht se efektet e artrozës nuk janë të rikthyeshme, trajtimi i hershëm i saj mund të të ndihmojë në shmangien e dhimbjes dhe në ngadalësim të përparimit të sëmundjes. Në rast se jeni në etapat e para të zhvillimit të artrozës së artikulacionit koksofemoral, atëherë alternativat tuaja për trajtim mund të përfshijnë:
1. Shmangia e përdorimit të tepërt të artikulacionit koksofemoral.
2. Një program fizioterapie me ushtrime të lehta, të rregullta, si për shembull ushtrime aerobike në ujë, not, biçikletë në mënyrë që të ruhet funksioni i artikulacioni dhe të rritet forca dhe amplituda e lëvizjes.
3. Përdorimi i medikamenteve antiinflamatore për dhimbjen të tilla si ibuprofeni.
4. Fjetje e mjaftueshme gjatë natës.
Në rast se gjendja juaj tashmë është e rëndë, atëherë mund t’iu vijë në ndihmë kirurgjia. Artikulacioni koksofemoral është një mekanizëm i përbërë nga një sferë dhe një kavitet. Sfera ndodhet në pjesën e sipërme të kockës së kofshës (femur). Kirurgjia me zëvendësim të plotë të artikulacionit koksofemoral zëvendëson pjesën sferike të dëmtuar të kockës me një sferë metalike. Kaviteti i artikulacionit zëvendësohet me një kornizë metalike me veshje plastike.

Trajtimi kirurgjikal
Artroskopia. Artroskopia e artikulacionit koksofemoral përfaqëson një procedurë minimalisht invazive dhe përdoret rrallë.
Osteotomia. Kandidatët për osteotomi janë pacientë të rinj me artrit të hershëm, veçanërisht ata me displazi koksofemorale.
Zëvendësimi i plotë i artikulacionit përfaqëson një procedurë ortopedike rutinë. Procedura tradicionale kryhet me anë të një incizioni 25 deri 30 cm në njërën anë të legenit.

Fizioterapi, Ja ushtrimet që kontrollojnë gjendjen
Kërci i shëndetshëm përthith impaktin e tronditjeve të ndryshme mbi artikulacionin koksofemoral. Realizimi i ushtrimeve të rregullta mund të ndihmojë në kontrollin e simptomave të artritit koksofemoral. Një nga ushtrimet më të mira për legenin tuaj është një shëtitje e përditshme. Të ecurit ruan artikulacionin dhe e mban atë të lubrifikuar mirë. Për më tepër, ecja fortëson muskujt përreth artikulacionit, çka do të reduktojë fërkimin kockë me kockë që vjen si pasojë e artrozës. Shëtitja duhet të zgjasë 20 deri 30 minuta. Në rast se artroza juaj është e përparuar, atëherë përdorni pajisje ndihmëse dhe mos dilni për të ecur vetëm. Gjithashtu, mund të ecni në një tapet rrotullues dhe të ndaloni sapo të ndiheni të lodhur. Një alternativë tjetër për ushtrimet është imitimi i lëvizjes së shkelmit duke qëndruar në vend. Ky ushtrim punon një grup muskujsh të legenit që quhen abduktorë, të cilët gjenden në pjesën e jashtme të artikulacionit. Për ta realizuar këtë ushtrim, qëndroni me këmbë të bashkuara. Më pas, këmbën e djathtë lëvizeni anash sa më në të djathtë që të mundni. Nëse është e nevojshme, mund të mbështeteni në shpinën e një karrigeje ose në tavolinë. Ruajeni pozicionin për 3 sekonda. Pastaj përsëriteni ushtrimin me këmbën tjetër. Bëni dy ose tre seri me 10-20 përsëritje. Bëjeni këtë ushtrim tre deri pesë herë në javë. Së fundmi, kemi ushtrimin me ngritje të këmbës gjatë qëndrimit ulur. Ky ushtrim forcon muskujt që bëjnë fleksionin e artikulacionit. Për të realizuar ushtrimin uluni në tokë dhe mbëteshni pëllëmbët e duarve prapa. Mbani këmbën e djathtë drejtë dhe ngriheni 30 cm nga toka duke embajtur për 3 sekonda. Më pas përsëriteni me këmbën tjetër. realizoni dy ose tre seri me 10-15 përsëritje. Në rast se keni dhimbje pas ushtrimeve mund të përdorni akull ose ndonjë antiinflamator.

(Shkrimi u publikua në Suplementin ALMEDICUS)
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë