Artur Shehu, referenca e Albino
Prudentinos dhe Visit në SHBA

Artur Shehu, referenca e Albino<br />Prudentinos dhe Visit në SHBA
TIRANE - Artur Shehu, sipas gjyqtares së hetimit paraprak pranë Gjykatës së Leçes dr. Ines Casciaro, është një pikë shumë e rëndësishme referimi për aktivitetin e paligjshëm të Albino Prudentinos në fushën e pastrimit të parave me origjinë të dyshimtë.

Në dokumentin e sigluar prej saj thuhet se “në aktet e administruara, krijohet bindja e qartë se Prudentino dhe Artur Shehu janë ortakë dhe se shuma me të vërtetë të mëdha parash (më se 1 milion euro) kanë kaluar nga Prudentino në llogarinë bankare të Shehut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Veç parave, ata kishin edhe marrëdhënie pagesash në mënyra të tjera. Në bisedën e përgjuar të datës 29 mars 2011, Albino Prudentino këshillon gruan që t’ia kalojë kuotën e vet aksionare në pastiçeri, për të mbyllur borxhin, “një personi që ndodhet në Amerikë”, i cili, sipas dokumentit, “u kuptua gjatë hetimeve se ishte Artur Shehu”.

Emri i Artur Shehut është përmendur edhe nga bashkëpunëtori i drejtësisë (i penduari) Erkole Penna. Sipas tij, “Albino Prudentino kishte krijuar aktivitet tregtar në Shqipëri sëbashku me disa shqiptarë, midis të cilëve ishte Artur Shehu, aktualisht banues në Majemi”.

I LARGUAR

Artur Shehu, një ndër biznesmenët më të suksesshëm të qytetit bregdetar në vitet 90, është larguar ngë vendi, pas një përplasjeje me bandat. Në vitin 1998 Zani Çaushi shpëtoi nga akuzat e rënda dhe mundi t’ia hidhte vetëm me kohën e paraburgimit, pasi nuk u vërtetuan akuzat ndaj tij.

Po kështu, gjykata vendosi atëherë lirimin nga qelia edhe të gjithë anëtarëve të bandës së tij, të cilët u rikthyen në qytetin e Vlorës. Apeli e la në fuqi këtë vendim, ndërsa Gjykata e Lartë e riktheu për rigjykim, në kohën që Çaushi ndodhej i burgosur, pasi u dënua përjetë për një vrasje të trefishtë të kryer në periferi të Vlorës.

Pikërisht tre muaj pas lirimit nga Gjykata e Tiranës, më 7 korrik 1999, Zani u bë protagonist në një ngjarje, ku mbetën të vrarë tre persona. Ai mendoi t’i vinte gjobë pikërisht Artur Shehut, por mes viktimave mbeti dhe krahu i djathtë i tij, Afrim Rami, i njohur me nofkën “Luçiano”.

Vetë Zani u plagos dhe arriti t’i shpëtonte një operacioni të policisë së Vlorës. Ai u arrestua dy muaj më vonë, në shtator 1999, pas një incidenti me armë në fshatin Mifol. Për ngjarjen e 7 korrikut 1999, Gjykata e Vlorës e dënoi Zanin me burgim të përjetshëm, për vrasjen e Robert Shehut dhe dajës së tij.

BIZNESET

Largimi nga Shqipëria nuk duket se ka prekur aspektin financiar të Artur Shehut. Ai banon në 1330 West Ave, Apt 1609, në Miami Beach, të shtetit Florida, madje e ka nxjerrë në shitje këtë apartament me një vlerë oferte prej afro 222 mijë dollarësh. Por, ai zotëron edhe një pronë tjetër, me vlerë zyrtare prej 2.15 milionë dollarësh, në vendin më të shtrenjtë të Floridas, Miami Beach.

Vetëm taksa vjetore e pronësisë është 13.378 dollarë, paguar në vitin 2008, sipas regjistrave të bashkisë së qytetit amerikan. Artur Shehu ka kontribuar për kandidatin e partisë republikane për në Kongres Scott Garrett, më një shumë të hlllash të regjistruar zyrtarisht.

Megjithatë, lidhur me aktivitetin e tij në Amerikë, pas interesimit të hetuesve italianë, është mësuar se ai zyrtarisht nuk ushtron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës asnjë lloj aktiviteti pune. Rrjedhimisht, Shehu ka të ardhura që rrjedhin kryesisht nga pronat e tij në qytetin e Vlorës.

AKUZAT

Artur Shehu, sipas dokumentit italian, ka dhënë me qira pjesë të pronave të tij të patundshme në Vlorë për aktivitetet tregtare të Albino Prodentinos, nëpërmjet qytetarit shqiptar Leonard Bishaj, që duket qartë se nuk i ka të vetat këto asete.

Në të shkruhet se “Anxhelo Prudentino duhet të merret si një person që vepron në emër të të jatit dhe Leonard Bishaj në emër të Artur Shehut, që i vinte në dispozicion shoqërisë godinën në pronësi të tij, kështu që mund të arrihet në konkluzionin se ishin pikërisht Albino dhe Arturi ortakë, me qëllim riinvestimin e të ardhurave nga aktivitetet e tyre përkatëse kriminale”.

Të dy ata janë pronarët e vërtetë të kazinosë së Vlorës, vlerëson dokumenti më poshtë. Për më tepër “as që mund të mendohet se Artur Shehu të mos kishte dijeni të pjesëmarrjes së Prudentinos në krimin e organizuar dhe lidhjeve të tij me Sacra Corona Unita-n”.


Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon votimin e detyrueshëm, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Sulmi izraelit, Irani: Fluturimet kanë rifilluar në të gjithë aeroportet

Sulmi izraelit, Irani: Fluturimet kanë rifilluar në të gjithë aeroportet