As Berisha dhe as Basha

As Berisha dhe as Basha

Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Po të analizosh me kujdes figurën dhe “kontributin” e Sali Berishës, dhe ta krahasosh atë, me emrin, figurën dhe kontributin e Lulzim Bashës në Partinë Demokratike, rezuton se asnjëri prej tyre nuk duhet të jetë pas 11 apo dhe 18 Dhjetorit kryetar i asaj force politike. Shansi që i ka ardhur në “derë” asaj partie, nuk duhet humbur.Sali Berisha dhe Lulzim Basha,nuk duhet të kthehen në “mumje të gjalla” që nëpërkëmbin emrin dhe vlerat e një force politike, siç ishte dikur Partia Demokratike. Berisha e mori peng atë parti, e futi në “xhepin e tij”, e trajtoi siç deshi, e zhvati sa deshi, e diskreditoi sa mundi, dhe pastaj ja dorëzoi një tjetri “berishe”, që e zhbëri deri në shkatërrim total. Sot ajo parti, gjendet në një udhëkryq të rrezikshëm, dhe ka shanse të pamerituara, të ndahet, të rinjolloset, dhe të mos e marrë më vehten kurrë.

Sali Berisha, jo duhej të kishte ikur me kohë nga ajo parti moralisht dhe fizikisht, por atij duhej ti ishin faturuar gjithçka ka ndodhur në 30 vite me atë forcë politike. Largimet, dënimet, persekutimet, dhunimet, dhe denigrimet e ish-themeluesve të asaj partie në 30 vjet, mbajnë firmën dhe vulën e Berishës dhe së fundi dhe beniaminit të tij, Lulzim Basha. Paracaktimi i rolit të Berishës si “prijës largpamës, lider historik”, apo dhe epitete të tjera tipike bolshevike, e kanë kthyer Partinë Demokratike, në strukturë krahinore dhe klanore.Nuk mundet kurrë të risjellë Partinë Demokratike në “derexhenë” që ishte apo dhe në pushtet, njeriu që e shpërfytyroi, njeriu që i dha “frymën dhe fytyrën” e tij asaj partie, për ta patur mburojë për ditën e kiametit. Beteja e nisur së fundi mes tij dhe Bashës, mbetet tragjikomedia më banale mes dy personave, që mbajnë mbi shpinën e tyre, barrën e madhe të dëmeve dhe shkeljeve të pariparueshme, që kanë bërë në emër të “lirisë dhe demokracisë” me atë parti.

E kanë rreckosur statutin, e kanë dhunuar mendimin dhe fjalën e lirë, e kanë zbuar me shkelma kundërshtarin, dhe kjo padyshim përbën krim, dhe që kërkon ndëshkim dhe jo rikthim. As Berisha dhe As Basha, nuk duhet të jenë më pjesë e Partisë Demokratike. Mungesa e ndërgjegjësimit nga shumica e atyre që pasojnë akoma dhe sot Berishën (një skandal i padëgjuar ndonjëherë) apo dhe mungesa e reagimit nga ata që sot e quajnë vehten “prurjet e reja në atë parti” (por që janë me ZERO kontribute) duke këmbëngulur me urdhër se “Basha është njeriu i duhur dhe jo Berisha për ta sjellë PD në pushtet”, po e shkatërron strukturalisht atë forcë politike. As Kuvendi i 11 Dhjetorit, dhe as Kuvendi i 18 Dhjetorit, nuk duhen konsideruar, si “data dhe dita të shpëtimit të Partisë Demokratike”.

Ajo forcë politike është në agoni, dhe po përjeton fazën e fundit të mbijetesës saj. Lufta personale mes dy personave, që duhet të paguajnë faturën e humbjeve dhe rrënimit intelektual të Partisë Demokratike,nuk duhet të përfshijë në asnjë moment anëtarësinë e përgjegjshme dhe mbështetësit vizionarë. E kam fjalën për atë pjesë elitare të asaj partie, që edhe pse u flakën dhe dhunuan në vite nga dyshja famëkeqe Berisha-Basha,sërish ndjekin me vëmëndje dhe keqardhje situatën më të fundit në atë forcë politike. Zgjidhja e vetme që duhet imponuar nga anëtarësia e logjikshme, ( me votë ) do të ishte largimi i të dyve, dhe jo rikthimi Berishës apo qëndrimi i Bashës. Çdo opsion tjetër, do ti kushtojë edhe më shumë asaj force politike, që u krijua si vlerë e idealeve demokratike nga studentët dhjetoristë,por që pabesisht u rrëmbye nga ish-komunisti më i devotshëm i PPSH.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Basha akuzon se ka aleancë PS-Rithemelimi kundër SPAK, e besoni?



×

Lajmi i fundit

Shefi i ushtrisë izraelite thotë se Izraeli do t’i përgjigjet sulmit të Iranit

Shefi i ushtrisë izraelite thotë se Izraeli do t’i përgjigjet sulmit të Iranit