Atentat të dënuarit me 25 vjet
burg. Me të vritet dhe kunati

Atentat të dënuarit me 25 vjet<br />burg. Me të vritet dhe kunati
RROGOZHINE - Dy persona njëri prej tyre Astrit Gjepali, i cili po kryente dënimin me 25 vjet burg për vrasje, janë ekzektuar në një atentat pranë Rrogozhinës. Viktima e dytë është kunati i Gjepalit, Halit Fici, i njohur në Durrës, për të cilin në vitin 2009 policia italiane ngriti akuza për trafik droge.

Astrit Gjepali dhe Halit Fici janë ekzektuar në një atentat pranë Rrogozhinës. Vrasja ka ndodhur rreth orës 13:00 të mesditës së sotme.

Ndërsa në pistat e hetimit është hakmarrja për vrasjen e Ylli Majacit, i cili është ekzekutuar rreth në datën 23 mars 1993 në Zyrih të Zvicrës.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bën të ditur se i burgosuri Astrit Gjepali ka qenë duke u kthyer në burgun e Peqinit pasi ishte larguar me leje të posaçme më 9 janar dhe do të kthehej sot në mesditë.

Viktima e dytë është Halit Fici, i cili është kunati i Gjepalit dhe po shoqëronte me makinë drejt qelive të burgut.

Në atentat kanë mbetur të plagosur dhe 2 persona të tjerë, Ilir Sulki dhe Mariglen Balliu.

Astrit Gjepali ishte kapo i bandës së njohur "banda e Gjepalit" që ka vepruar në 1997 dhe është ekstraduar nga Italia në 2006. Ishte dënuar me 25 vjet burg.
 
Vrasja ka ndodhur në vendin e njohur si Bishti i Zhurit, në hyrje të Rrogozhinës, rreth 40 km larg qytetit të Durrësit.

NGJARJA ORE PAS ORE

astrit gjepali me ilir sulkjen

(Foto: Astrit Gjepali i vdekur dhe Ilir Sulkja i plagosur)
 
ORA 22:00 ZBARDHEN LEJET SHPERBLYESE PER GJEPALIN
A1 Report ka zbardhur detaje në lidhje me lejet shpërblyese që i ishin dhënë Astrit Gjepalit gjatë kohës që ishte në burg. Sipas burimeve, të dënuarit i janë dhënë 3 leje shpërblyese në vitin 2012 dhe 3 leje shpërblyese në vitin 2013.
 
Gjepali mësohet se ka marrë 7 dite leje në muajin prill 2012, 6 ditë në korrik 2012, 6 ditë nëntor, dmth 19 ditë nga 20 të lejuarat të vitit 2012. Gjepali mori leje shpërblyese dhe në mars, maj dhe tetor të vitit 2013. Mësohet se në të gjitha rastet Astrit Gjepali i kishte respektuar lejet e marra.

ORA 21:30 VRASJA E GJEPALIT, DYSHOHET HAKMARRJE PER VRASJEN E 1993
Hetimet për vrasjen e 45-vjeçarit Astrit Gjepali dhe kunatit të tij biznesmenit, Halil Fici, kanë rihapur dosjen e një vrasjeje të ndodhur në datën 23 mars 1993 në Zyrih të Zvicrës.
 
Bëhet fjalë për vrasjen e shtetasit, Ylli Majaci, nga Fieri, një krim i komentuar në atë kohë në mediat zvicerane si larje hesapesh mes bandave shqiptare të prostitucionit dhe drogave.
 
Hakmarrja për këtë vrasje në Zvicër mësohet të jete një ndër pistat kryesore ku janë përqendruar hetimet pak orë pas krimit te ndodhur në vendin e quajtur Bishti i Zhurit në Rrogozhinë. Sipas policisë autorët e kanë studiuar mire planin e vrasjes, duke pritur momentin kur Astrit Gjepali kthehej në burg.
 
Edhe pse ai akuzohet se, së bashku me bandën e tij kanë bërë 5 vrasje brenda një dite, Gjepali nuk ishte vënë ndonjëhere në akuzë për vrasjen Majacit ne Zvicër.
 
ORA 17:58 BURGJET: LEJA PËR GJEPALIN KUNDREJT GJITHA RREGULLAVE
Leja për Astrit Gjepalin është dhënë kundrejt të gjitha rregullave, ka bërë të ditur sot, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Sipas këtij institucioni, “i dënuari Astrit Skënder Gjepali, i datëlindjes 8 dhjetor 1969, i martuar, vendlindja dhe banimi Durrës, vuante dënimin prej 25 vitesh heqje lirie”.
 
Me një njoftim për median, burgjet kanë bërë të ditur se, “Gjepali ishte sistemuar në burgun e Peqin, siguri e zakonshme, me vendim gjykate të dhënë në vitin 2001, dënuar në bazë të nenit 78, 278 dhe 230 të Kodit Penal. Atij i kishin mbetur rreth edhe 6 vjet e 2 muaj dënim për të kryer”.
 
“Duke filluar që nga viti 2012, këtij të dënuari i janë dhënë leje shpërblyese konform të gjitha rregullave, bazuar në Udhëzimin e Ministrit të Drejtësisë në lidhje me procedurën e dhënies së lejeve ndaj personave të burgosur”, ka bërë të ditur drejtoria e Burgjeve.
 
“Leja shpërblyese aktuale e të dënuarit Gjepali ka nisur më datë 09.01.2014, ora 13:30 dhe përfundonte sot, datë 16.01.2014, ora 13:30, pra gjithsej 7 ditë leje”, përfundon njoftimi i Drejtorisë së Burgjeve për viktimën e sotme.

astrit gjepali
(Në foto: Astrit Gjepali, një nga viktimat e atentatit të sotëm në Rrogozhinë)

ORA 15:40 POLICIA E TIRANES JEP DETAJE: VRASJA PER HAKMARRJE
Policia e Tiranës në orën 15:40 minuta, ka dhënë detaje në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Kavajë, ku kanë humbur jetën dy persona.
 
“Më datë 16 Janar 2014, rreth orës 13:15 minuta në Bishtin e Zhurit Kavajë, si pasojë e të shtënave me armë zjarri, kanë gjetur vdekjen shtetasit Halit Fici, 54 vjeç, Astrit Gjepali, 45 vjeç, si dhe janë plagosur me armë zjarri Ilir. S dhe Mariglen.B, respektivisht 23 vjeç, të cilët kanë marrë plagë të lehta dhe po marrin mjekim në Spitalin e qytetit të Durrësit.
 
Menjëherë në vendin e ngjarjes mbërritën shërbimet e policisë Kavajë, u formua grupi hetimor i përbërë nga ekspert të krimeve të rënda, ekspert kriminalist, përfaqësues nga Prokuroria dhe drejtues të Policisë së Tiranës.
 
Paraprakisht, dyshohet se ngjarja ka ndodhur përgjatë momenteve të udhëtimit me automjet  nga ku viktimat janë qëlluar me armë zjarri.
 
Gjatë ecurisë së hetimit dyshohet se paraprakisht kjo ngjarje ka ndodhur për motive hakmarrje.
 
Aktualisht nga strukturat e policisë po hetojnë intesivisht mbi identifikimin e autorëve dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes”, ka bërë të ditur Policia e Tiranës.

ORA 15:20 IDENTIFIKOHEN DY TË PLAGOSURIT E ATENTATIT
Janë identifikuar dy personat e plagosur në atentatin e ndodhur në Rrogozhinë. Burime nga policia kanë bërë të ditur, se dy personat që kanë marrë plagë janë, Ilir Sulkja, kunati i të vrarit, Astrit Gjipalit dhe dhe Mariglen Balliu, i cili ishte kalimtar i rastit.

Ilir Sulkja, ishte martuar me motrën e Gjipalit. Siaps policisë, Sulkja është në gjendje të rëndë, ndërsa i plagosuri tjetër është në gjendje të qëndrueshme.
ilir sulkja
(Në foto: Ilir Sulkja kunati i Arben Gjepalit, i plagosur rëndë)

ORA 14: 57 GJENDET NE LUSHNJE MAKINA E DJEGUR E AUTOREVE
Policia thotë se ka gjetur të djegur makinën e autorëve. Makina e autorëve është gjetur në rrugën e stacionit të pompimit të ujit të komunës Dushk në Lushnje.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forca të shumta policie. Targat e makinës sipas policisë janë false.

makina e djegur

(Në foto: Makina e djegur e autorëve, Shikoni  FOTO të tjera)

ORA 14: 55 POLICIA BIE NE GJURME TE ATENTATIT
 Policia thotë se ka rënë në gjurmë të autorit të atentatit, por për arsye hetimi nuk bën të ditur emrin. Janë angazhuar forcat e policisë së Kavajës dhe forcat special nga Tirana, FNSH janë të angazhuara në zbardhjen e ngjarjes.
 
ORA 14: 40 DESHMITARI: DEGJUAM TE SHTENAT, NE MAKINE ISHIN 3 PERSONA
Një dëshmitar, tregtar ambulant ka treguar se të shtënat kanë zgjatur vetëm 2 minuta dhe më pas kishin parë makinën që kishte përfunduar në kanal. Sipas tyre në makinë ndodheshin 3 persona. Ndërsa i plagosuri i katërt mendohet se është kalimtar.

Dëgjova të shtëna që zgjatën 2 minuta. Pamë makinën që kishte përfunduar në kanal, dhe shkuam për të ndihmuar të lënduarit. Në makinë kanë qenë 3 persona, mes tyre dy të vdekur”.

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Korçë/ Po transportonin 10 kg kanabis me makinë, arrestohen 2 persona

Korçë/ Po transportonin 10 kg kanabis me makinë, arrestohen 2 persona