Atentati i pretenduar ndaj Tom Doshit/Avokati i Durim Bamit: Do kërkojmë dëmshpërblim për ditët e burgut

Atentati i pretenduar ndaj Tom Doshit/Avokati i Durim Bamit: Do kërkojmë dëmshpërblim për ditët e burgut

Durim Bami i shoqëruar nga forcat e policisë

Gjykata e Tiranës i ka dhënë fund gjykimit të çështjes me të pandehur deputetin Tom Doshi, ish-deputetin Mark Frroku dhe Durim Bamin, të cilët akuzoheshin nga Prokuroria e Tiranës për “kallëzim të remë”. Në seancën e djeshme, gjykata e Tiranës, me relator Bledar Abdullai, ka vendosur të shpallë të pafajshëm deputetin e PSD në Shkodër Tom Doshi, të dënojë me 8 muaj burg ish-deputetin Frroku, një vit burg Durim Bamin. Tom Doshi, Mark Frroku dhe Durim Bami akuzoheshin për kallëzim të rremë për çështjen e atentatit të pretenduar ndaj Tom Doshit dhe deputetit të PD, Mhill Fufi.

Doshi akuzoi në 2015-ën ish-kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, se kishte porositur një atentat për ta ekzekutuar përmes Durim Bamit, kundrejt pagesës 500 mijë euro. Hetimi, që u udhëhoq nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, nuk mundi të provojë asnjëherë akuzat e Tom Doshit dhe, për pasojë, prokuroria ngriti akuzë “Kallëzim të remë” për tre personat e sipërcituar.

Shuarja e dënimit për Durim Bamin
Ekzekutimi i vendimit për Bamin është shuar nga gjykata, pasi ky i fundit këtë dënim e ka kryer me kohën e qëndrimit në paraburgim. Të tre të pandehurit kishin pranuar gjykimin e shkurtuar në fazën e kërkesave paraprake të gjykimit të dosjes. Avokati i ish-deputetit Frroku, Tonin Prendi, pohoi se ende nuk janë njohur me vendimin e argumentuar të gjykatës, por e cilësoi atë si të padrejtë dhe të sforcuar. “Nuk jam njohur me vendimin e zbardhur. E shikoj dënimin si të padrejtë dhe të sforcuar, pasi klienti im është dënuar për një akuzë që s’e ka kryer kurrë. Po pres zbardhjen e vendimit dhe shumë shpejt do të ankimojmë në Apel, për të kërkuar pafajësi” - thotë Prendi. Ndërsa avokati i të dënuarit Durim Bami, Ilir Murati, tha se klienti i tij e kishte pranuar akuzën gjatë fazës së hetimit dhe gjykimit, duke pohuar se gjithçka ka qënë një sajesë.

“Për Bamin do të kërkojmë dëmshpërblim”
Ilir Murati shtoi se Durim Bumi ka qëndruar i izoluar në fazë paraburgimi për një periudhë gati 3-vjeçare, duke bërë burg më shumë se është dënuar nga gjykata. “Ne nuk do të apelojmë vendimin, se s’kemi çfarë të kërkojmë në Apel. Shumë shpejt do të kërkojmë dëmshpërblim dhe kompensim financiar për ditët e qëndrimit në burg tej dënimit të dhënë nga gjykata, që, nga përllogaritjet tona, na rezulton se bëhet fjalë për një periudhë prej 2 vjetësh”- tha avokati Murati.

Dosja e famshme qëndroi gjashtë muaj e bllokuar në Gjykatën e Lartë dhe më pas ka lëvizur sa atje, në Gjykatën e Krimeve të Rënda dhe më pas sërish në Gjykatën e Lartë. Gjithë kjo amulli është krijuar për shkak të dispozitave kalimtare dhe kompetencave lëndore të gjykatave aktuale deri në krijimin e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. 

Çështja në fjalë bëri bujë në vitin 2015, kur deputeti Tom Doshi tha publikisht se kishte zbuluar një atentat që do të bëhej ndaj tij. Ai madje akuzoi për përfshirje edhe ish-kreun e LSI-së, Ilir Meta. Deputeti Doshi publikoi përmes mediave një bisedë të kryer nga ai vetë me Durim Bamin, i cili pretendonte se ishte porositur për të eliminuar fizikisht Doshin dhe ish-deputetin e PD-së, Mhill Fufin.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

'Me floririn e Kërrabës ka minierë në Kongo', avokat Beqiri për Ilir Metën: Me akrobacitë majë shtyllës do të thotë se jam i sëmurë psiqik

'Me floririn e Kërrabës ka minierë në Kongo', avokat Beqiri për Ilir Metën: Me akrobacitë majë shtyllës do të thotë se jam i sëmurë psiqik