POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Atentati mbi "Charlie Hebdo", krim politik

Atentati ndaj Charlie Hebdo është një krim politik. Nuk është një krim në emër të hakmarrjes për Profetin dhe në emër të tij. Porositësit e krimit kanë qëllime të qarta politike. Luftë për pushtet mbi botën islame, luftë për pushtet mbi shoqërinë njerëzore. Pushtet i ushtruar dhe për t’u siguruar nëpërmjet mbjelljes së frikës. Për të mbjellë frikë mbi klasat poltike, qeveritë dhe zgjedhësit e tyre.

Dërguesit e krimit po kërkojnë të formojnë një shtet më vete. Misioni i tyre nuk është mbjellja e dashurisë per islamin, por pushteti shtetëror në një territor të caktuar. Si fillim në Siri dhe Irak, e pastaj meëgjërë. Porositësit e krimit kërkojnë pushtet në Afganistan, Pakistan e më gjërë. Frymëzuesit e krimit kërkojnë pushtet panarab e më gjërë.
Ata e përdorin islamin, pra besimin fetar si municion për t’ia mbërritur qëllimeve politike. Prandaj nuk është problem i tyre as fyerja e Profetit e as urrejtja mbi slamin, që mund të pasojë një krim si ai mbi Charlie Hebdo.

 Krimi mbi Charlie Hebdo është kryer nga qënie të pafe!  Është krim mbi vetë islamin. Islami nuk është krimi.
Ata e kanë nevojë që bota ta urrejë islamin. Kjo e shton pushtetin e tyre mbi botën dhe shoqëritë islame. Urrejtja mbi islamin ushqen pushtetin politik të organizatave terrorriste jo vetëm në vendet islame, por edhe në vendet europiane, aty ku përqindja e komuniteteve muslimane ka ardhur gjithnjë në rritje.
Porositësit e atentatit dhe terrorit po bëjnë biznes. Biznes që pasuron ata dhe shpërblen ekzekutorët.

Prandaj besoj se krimi mbi Charlie Hebdo është më shumë krim politik sesa thjesht krim mbi fjalën e lirë.
Prandaj besoj se liderët shpirtërorë të besimit islam duhet të mos lejojnë që feja e tyre të shpërdorohet nga terrorrizmi.

Prandaj besoj se bashkëpunimi me liderët e qytetëruar shpirtërore të besimit islam është një nga rrugët e daljes nga kriza e përplasjes dhe krimit në emër të fesë.
Nga ana tjetër është e nevojshme që instrumentet e luftës kundër terrorizmit të përmirërsohen me shpejtësi. Ndryshimi i natyrës së veprimit të terrorizmit duhet të pasohet me përshtatje strukturore, organizative dhe teknologjike. Europa politike,  policore dhe ajo e shërbimeve sekrete kanë nevojë të koordinohen nëpërmjet mekanizmash të njëhsuara.

Krimi mbi Charlie Hebdo verteton se autorët kishin arritur t’u shpëtonin pa shumë vështirësi masave antiterror në Francë. E keqja ka avantazh ndaj së mirës. Jo si prirje njerëzore, por si teknologji. Prandaj na duhet që në çështjet e sigurisë duhet t’i frysh edhe kosit kur digjesh si shpesh nga qulli. E kam fjalën edhe për politikat e shpenzimeve në çdo vend të kontinentit, në çdo vend të NATO s.

Nga ana tjetër ndërprerja e burimeve financiare të organizatave terroriste është një nga rrugët prirëse të eleminimit të gjenerimit terrorist.
Edhe Shqiperia ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në luftën ndaj terrorrizmit.  Forcimi i sigurisë kombëtare dhe kontributi për sigurinë rajonale e më gjërë janë mision me interes jetik. Institucionet e sigurisë në radhën e parë dhe çdo instrument shoqëror apo fetar në krah të tyre.

Pjesëmarrja e Kryeministrit Rama në manifestimin antiterror të Parisit, shoqëruar nga krerë të besimeve fetare të Shqipërisë përben një model. Përtej bindjeve politike, krahinore apo fetare.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 14 janar 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

Komento