Aulona dhe Fatma, thumba
pa lekë, sukses në internet

Aulona dhe Fatma, thumba <br />pa lekë, sukses në internet
Thumb" është emisioni më i ri i dy gazetareve simpatike Aulona Musta dhe Fatma Haxhialiu. Duke mos u mjaftuar vetëm me mediumet si gazetë e radio, dy gazetaret tashmë kanë nisur të eksplorojnë dhe thumbojnë edhe në internet. Kështu lindi "Thumb", emisioni që transmetohet në You Tube dhe ngacmon me humor personazhet publik. Shumë shpejt ky emision do të jetë live në YouTube.

Prej pak kohësh keni nisur një projekt të ri, i cili transmetohet në YouTube dhe që keni vendosur ta quani "Thumb", përse kjo ide dhe si u frymëzuat?

Aulona: E vetmja gjë që më vjen në mendje është ajo që kemi thënë në puntatën e parë të "Thumb", kështu që, të mos bëhem e mërzitshme dhe përsëritëse po ja lë nderin e kësaj përgjigjegje Fatmës, me shpresën që ajo do të thotë ndonjë gjë më të hajrit (qesh)

Fatma: U bë kohë që dëshironim të bënim diçka në televizion ne të dyja. Por për një arsye apo për shumë të tilla ky projekt nuk u realizua, atëherë vendosëm të shfrytëzonim YouTube median e së ardhmes, sepse aty nuk ka drejtora që të aprovojnë apo jo projektin. Aty përballesh drejtpërdrejtë me publikun dhe janë ata si matës të drejtpërdrejtë, e vlerësojnë ose jo projektin.

Sa po i thumbon ky program personazhet?

Aulona: Mjaftueshëm, aq sa e meritojnë. Dua të theksoj, ky program nuk është bërë me qëllimin për të thumbuar personazhet në sensin e keq. Është shumë e rëndësishme ta theksojmë këtë, pasi misioni ynë nuk është të tallemi, të shajmë, apo të ofendojmë askënd. Ne thjesht ironizojmë dhe kritikojmë ato ngjarje, evente, personazhe që sipas këndvështrimit tonë, por duke u nisur edhe nga ato që mund të kemi dëgjuar vërdallë, e meritojnë të vihen me qendër të thumbit tonë. Mendoj se ka ardhur koha që personazhet shqiptar të mësohen pak me thumbat e thënë drejtpërdrejtë, sepse deri tani janë mësuar vetëm me lajkat dhe komplimentat e thëna përballë, pa e ditur thumbin e helmatisur që i vjen nga mbrapa, pikërisht nga ato personazhe që i ngrenë në qiell kur i kanë përballë.

Fatma: Edhe unë dua të ndalem pak këtu që të shpjegoj se ne nuk shajmë askënd, nuk kemi dalë në “Thumb” për të ofenduar askënd, ne merremi me ato që lexojmë e shikojmë. Flasim aty për anën tjetër të historisë, për ato që flasim dhe në statuset tona në Facebook. Sepse ky kanal YouTube veç të tjerash, është dhe një blog ku njerëzit me anë të komenteve shkëmbejnë ide. (qesh)

Sa i klikuar ka qenë deri tani?

Aulona: Marshalla o Xhulia, bën mirë të kapësh ndonjë gjë me dorë, ti bashkë me lexuesit se po na merrni më sysh (qesh). Nuk do e kishim menduar kurrë që për 12 ditë do kishim arritur 200.000 viewrs në total.

Fatma:
Nuk e kemi pritur këtë numër klikimesh që rritet nga dita në ditë,sapo videot hidhen brenda natës marrin 2 mijë klikime. I falenderojmë të gjithë ata që na komentojnë dhe na klikojnë çdo ditë, meqënëse mu dha rasti.

Mos i keni blerë edhe ju klikimet si këngëtarët nisur kjo edhe nga "thumbet" që keni realizuar?

Aulona:
Jo, jo...nga ky projekt presim të fitojmë ndonjë lekë, jo të lëmë lesht (sidomos unë
që pak lesh kam në kokë) (qesh)

Fatma: (qesh) Jo ne nuk kemi blerë gjë, se po të kishim lekë për të blerë klikime do kishim bërë çudira ne. Po ndoshta ka blerë Vali Corleone se ajo video po arrin 30 mijë klikime.

Personazhet dhe temat që zgjidhni për të komentuar janë mjaft aktuale dhe trajtohen në një këndvështrim ndryshe nga ju, si priten ato nga personazhet e "thumbuar"?
Aulona: Po deri tani reagime pozitive kemi marrë edhe nga disa prej personazheve të thumbuar. Nuk e di nëse të gjithëve u kanë rënë në dorë videot, por ama dimë që Vali Corleone, me të cilin jemi treguar të pamëshirshme, ka qeshur shumë me videon dhe vete ai e ka vendosur te faqja e tij. Gjithashtu dhe Kel Demi na ka njoftuar që është fansi numër një i "Thumb" dhe ka qeshur shumë, kur e kemi përmendur. Ndërkohë jemi në pritje të reagimeve të tjera.

Fatma:
Po do ti që janë treguar shumë sportivë disa prej tyre. I pari Vali Corleone ka thënë kam qeshur shumë me ju "crazy girls" dhe e ka postuar videon në faqen e tij zyrtare. Në fakt jam habitur se prisja ndonjë reagim më të forte prej tij, por ja që nuk qenka ashtu siç duket Vali.

Keni krijuar konflikte me këto per- sonazhe, pasi në fund të çdo "Thumb-i" kërkoni që ai të bëhet share, like, në mënyrë që ky thumb ti shkoj në vesh personazhit?

Aulona:Jo, deri më tani asnjë konflikt. Gjithsesi është ende shpejt, edhe pse kur e mendoj
mirë nuk shoh ndonjë arsye për konflikt. Ne nuk shpikim, e as sajojmë histori, ne komentojmë
në lidhje me një lajm të caktuar që është bërë publik, kështu që askush nuk ka të drejtë të na kërkojë llogari, apo të krijojë konflikte. Jetojmë në një vend demokratik, apo jo? Rroftë liria e fjalës dhe e mendimit! Rroftë Youtub-i, poshtë televizioni...apo e teprova pak tani?
(qesh).

Fatma: Jo,deri tani qetë situata. Asnjë kërcënim,bombë në makinë apo telefonata horror. Marshallah se po na merrni mësysh(qesh).

Jeni shprehur që shumë shpejt "Thumb" do të jetë edhe live e shihni këtë si një tjetër sfidë tuajën?

Aulona:Patjetër, do të jetë live, me minutazh më të gjatë dhe me të ftuar. Një sfidë që jam e sigurt do ta kalojmë me shumë sukses.

Fatma: Eh sa sfida që na presin. Po plane kemi filluar të bëjmë sepse kemi hedhur hapin e parë dhe është i sigurt sepse pati një impakt të menjëhershëm gjithandej.



(Në foto prezantueset e "Thumb", Aulona Musta dhe Fatma Haxhialiu)


Aulona për Fatmën:


Si është të punosh me Fatmën?

Një tmerr i vërtetë. Duhet të jem gjithë kohën vigjilente që t'i tërheq frerët kur fillon e merr kot dhe nuk di të pushojë. Është tekanjoze, egoiste, mendjemadhe, qaramane, përtace, e 1001 të zeza të tjera. Madje unë i kam kërkuar YouTubit rritje rroge për vështirësi pune (qesh). Dakort e di që nuk e beson njeri këtë. Çështja është që unë nuk e di as si ta them, e dashuroj punën dhe bashkëpunimin me Fatmën. E thashë mo se plasa. (qesh).

Në çdo projekt jeni së bashku, çfarë ka Fatma të veçantë që ju bën të mos e ndërroni?


Një njeri shumë i dashur për mua dhe që e vlerësoj shumë, që quhet Zhaku dhe të gjithë ju e njihni më ka dhënë një këshillë të vlefshme: Mos u ndani kurrë! Dhe ka të drejtë! Për mua Fatma është shpirti binjak në planin profesional, kuptohemi në ajër dhe kemi një bashkëpunim të shkëlqyer. Është pikërisht kjo arsyeja përse çdo gjë që bëjmë bashkë ka sukses. Tani më thuaj ti, pse budallaqe jam unë që ta ndërroj Fatmën? (qesh).

Në emision duket sikur edhe ju e thumboni njëra tjetrën, po jashtë kamerave si është marrëdhënia juaj?

E shkëlqyer! E mbushur me thumba kritika, sharje, batuta, "ofendime", por e shkëlqyer! Dhe mbi të gjitha e mbushur me një vlerësim dhe respekt të madh. Kjo jo vetëm sa për t'u thënë në publik, por sepse e ndjej vërtet.

Është Fatma një nga miket tuaja më të mira apo thjesht një bashkëpunëtore e mirë?

Shiko do të doja mos ti përgjigjesha kësaj pyetjes, se psikologët thonë që kur e ke një gjë të sigurt të velet dhe mërzitet dhe unë jam akoma në fazën kur po bëj si e vështirë me Fatmën, por ty po ta them me mirëbesim dhe të lutem mos ja thuaj Fatmës, jam me fat që kam një mikeshë të mire dhe të afërt si Fatma (qesh).



(Në foto prezantueset e "Thumb", Fatma Haxhialiu dhe Aulona Musta)


Fatma për Aulonën:


Kush thumbon më shumë ju apo Aulona?

Po mu drejtoni me ti se më vë në siklet me këtë ju (qesh),të dyja njëlloj thumbojmë edhe pse Aulona bën si më serioze,po helm i ka dhe ajo plumbat ato thumbat më fal (qesh).

Gjithë këto kohë pranë Aulonës nuk u mërzite?

(qesh) Po prit të mendohem tani se pyetje shumë e vështirë kjo, shiko se në fakt dua të shfrytëzoj rastin ti them Lonës të më lëri disa ditë vetëm se është bërë më keq se Edi Oga i Kel Demit, më del dhe kur hap frigoriferin (qesh).

Cilat janë defektet e Aulonës?

Ndonjëherë nxehet pak për vonesat e xhirimeve, se mua më është rregjur lëkura me këto gjëra duke qenë se kam qenë në televizion dhe e di si funksionon. Tjetër gjë e keqe është se më nxin jetën në dhomën e grimit ku unë lyhem për qejfin tim, duke më thënë hajde bëjmë prova, të përsërisim tekstin. E urrej kur bën kështu po nuk kam çfarë ti bëj.Nëse po e lexon këtë intervistë tani, vër mend more vesh? (qesh)

Po anët e saj më pozitive?

Është korrekte në të gjitha marrëdhëniet, është shumë pozitive dhe ka muskuj se është e çmendur pas palestrës, më vjen për të qarë tani, se besoj që fola mirë.

Si është bashkëpunimi midis një brune dhe një bjonde?

Si Loli me Colin,(qesh).

(xh.k/shqiptarja.com)

1/2
  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Sulmi në Moskë, Ankaraja: ISIS-K u ndihmua nga shërbimet sekrete

Sulmi në Moskë, Ankaraja: ISIS-K u ndihmua nga shërbimet sekrete