Avdylajt prej 20 ditësh në izolim për telefonin, gjykata e prokuroria: Ja pse rrëzuam 5 urdhrat e drejtorit të burgjeve

Avdylajt prej 20 ditësh në izolim për telefonin, gjykata e prokuroria: Ja pse rrëzuam 5 urdhrat e drejtorit të burgjeve

Celularet e sekuestruar dhe momenti i përplasjes në burg

Futja e një aparati celular brenda në ambientet e qelive të burgut 313 në Tiranë, ka krijuar një situatë përplasjeje institucionale mes Prokurorisë, Gjykatës, Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve si dhe Drejtorit të burgut 313 në Tiranë. Kjo pasi dy ditë më parë gjyqtarja Migena Laska, që ishte caktuar për shqyrtimin e kërkesës së Drejtorit të Përgjithshëm të burgjeve, Agim Ismaili dhe prokurori i çështjen Ervin Karanxha, dolën kundër kërkesës së Ismailit, për izolimin në sistemin e regjimit të veçantë të pandehurve të dosjes 339, Hajri Seferit, Astrit Avdylit, Altin Avdylit, Saimir Gjepalit dhe një italiani Giovani Di Cosimo. Mirëpo edhe pse gjykata dhe prokuroria refuzuan miratimin e kërkesës së bërë nga drejtori Agim Ismaili, sot e kësaj dite mësohet se pesë emrat e mësipërm që prej datës 22 maj 2020 ndodhen në izolim të veçantë dhe nën hetim nga prokuroria për akuzën e “Futjes ose mbajtjes së sendeve të ndaluara në institucionin, e ekzekutimit të vendimeve me burgim".

Izolimi i këtyre personave, për futjen e aparatit të telefonit dhe një karikuesi në qelitë e 313-tës, është bërë që  prej datës 22 maj dhe ky izolim do të vijojë deri në datën 10 qershor 2020, pra në total 20 ditë izolim. I vetmi që do të qëndrojë 11 ditë në izolim ka qenë italiani Di Casimo, i cili ditën e nesërme në 1 qershor del nga izolimi, pasi afati përfundimtar i tij për të qëndruar në izolim të veçantë është 31 maji. Kjo masë disiplinore për 5 personat është marrë nga drejtori i burgut 313 në Tiranë, i cili duke u nisur nga gjetja e telefonit gjatë ushtrimit të kontrollit nga ora 23:25 deri në 01:25 të natës, ka ndërmarrë këtë masë ndëshkimore për pesë personat e pandehur.

Por për të njëjtin fakt të telefonit dhe kundërshtim të policëve në qeli, një ditë më pas në datën 23 maj 2020, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Agim Ismaili, në orën 17:00 me 5 urdhra të ndryshëm, ka vendosur nën regjimin e mbikëqyrjes së veçantë për 3 muaj, Hajri Seferit, Astrit Avdylit, Altin Avdylit, Saimir Gjepalit dhe italianit Giovani Di Cosimo. Kjo kërkesë është rrëzuar nga gjykata dhe prokurori i çështjes por edhe nga avokatët, pasi sipas tyre 5 të pandehurit momentalisht ndodhen në izolim dhe sipas ligjit nuk mund t'i vendoset një tjetër masë disiplinore me izolim të veçantë. Gjykata dhe prokuroria është shprehur me parimin e çështjes së gjykuar, pasi në këtë rast thotë gjykata, për futjen e telefonit në qeli pesë personat janë ndëshkuar dhe momentalisht ndodhen të izoluar. "…nuk mundet dhe është e paligjshme, që për të njëjtin fakt, këta të pandehur të ndëshkohen dy herë me masa të ndryshme izolimi…", thotë prokurori i çështjes Ervin Karanxha.

I kontaktuar në telefon nga redaksia e "Shqiptarja.com", avokati i Astrit Avdylit, Baftjar Rusi, deklaroi se "…urdhrat e nxjerë nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Agim Ismaili janë të nxituar dhe në kundërshtim të hapur me ligjin. Ismaili ka bërë interpretim të gabuar të ligjit, pasi për 5 personat ka pasur një vendim izolimi dhe sot e kësaj dite të pandehurit janë në izolim, pasi masa ndëshkimore është marrë në 22 Maj nga drejtori i burgut 313 në Tiranë…". Avokati Rusi më tej shtoi duke hedhur akuza të rënda ndaj drejtorit të burgjeve, Agim Ismaili, duke e akuzuar këtë të fundit se kishte kryer veprime të paligjshme, pasi dyshon se ka ndërhyrë tek gjyqtarja, Migena Laska, për të ndikuar në mënyrë të paligjshme dhe jo etike, me qëllim miratimin e 5 urdhrave të tij, për izolimin me 3 muaj të 5 të pandehurve.

"…kam të dhëna bindëse se një ditë para gjyqit, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Agim Ismaili, ka qenë në ambientet e gjykatës penale të Tiranës, ku ka takuar gjyqtaren e çështjes Migena Laska, me qëllim për të ndikuar dhe bindur atë për të miratuar urdhrat e tij. Unë këtë fakt e kam dhënë dhe gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore, sepse kështu e kam informacionin. Që prej ditës së djeshme kam kërkuar pamjet filmike në gjykatë, për të vërtetuar prezencën e Ismailit në ambientet e gjykatës së Tiranës. Nëse arrij ta vërtetoj me pamje filmike këtë fakt, unë do depozitoj në ditët në vijim kallëzim penal në prokurorinë e posaçme SPAK, ndaj Agim Ismailit për akuzën e "Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm tek gjyqtari".

Teksa mbetet për tu parë se çfarë nisme do ndërmarrin avokatët për këto akuza, nga ana tjetër Drejtori i përgjithshëm i Burgjeve Agim Ismaili, thotë se javën e ardhshme do apelojë vendimin e gjyqtares Migena Laska, duke kërkuar në Apel që 5 të pandehurit të futen në izolim të veçantë për 3 muaj dhe jo 20 ditë, siç ka vendosur drejtori i burgut 313 në Tiranë.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Komshi ke Hoxha Tasim: 31/05/2020 11:47

    Migena Laska ka nje djale me nje eksponent te krimit ne tirane ne vitet 1998 - 2002. Nje gjyqtare qe punon per krimin e organizuar. Kontrollojeni e verifikojeni

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet