Bëhet dot djalli edhe më
i zi se ç’është?

Bëhet dot djalli edhe më<br />i zi se ç’është?
Kjo pyetje është shtruar prej shumë e shumë kohësh, si temë e diskutimeve të gjata nëpër qarqet e klerikëve të të gjitha besimeve, ndërkohë që sipas vetë doktrinave fetare djalli vazhdonte dhe vazhdon të bëjë kërdinë, pavarësisht formave, kontureve dhe ngjyrave të tij. Ky rrëfim edhe me nota groteske, nuk është i vetmi dhe pa precedent në historinë e njerëzimit. Për analogji, qoftë edhe për antinomi, mjafton të kujtohet ajo ngjarja e përshkruar nëpër analet e historisë së hershme mbi një kumt mjaft të zgjatur dhe të zvargur të prelatëve dhe murgjëve në Kostandinopojë, për të përcaktuar se cilit seks i përkasin engjëjt e bardhë, ndërkohë që taboret e selxhukëve dhe jeniçerëve të tjerë të hershëm të Xhin Xhis Khanit u ishin afruar mureve të kryeqendrës së krishterë, deri sa i kapërcyen ato mure dhe ngritën atje simbolet e pushtimit të tyre.

     E pra, kësaj punës për pamjen e djallit, të njëjtë apo më të errët në netët me hënë dhe në ato pis të zeza, herë - herazi vazhdojnë t’i referohen edhe autorë të ndryshëm të ditëve tona në veprat ose në punimet e tyre, por tashmë kuptohet që këtë e bëjnë në mënëyrë simbolike apo alegorike. Prandaj besojmë se lexuesi ynë do të na lejojë që në këto rradhë të përdorim shqetësimin që shtron pyetja e vënë në vend të titullit të këtij komenti, nëpër të cilin do të ndalemi te ndonjë shpjegim i zhvillimeve kryesore në plan të brendshëm gjatë javës që po mbyllet sot. Konkretisht, te thelbi i debateve midis dy ministrave të Qeverisë ‘Rama’ dhe shumicës së anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë kryesuar prej Nishanit, si President i Republikës.

     Për të mos përsëritur kronikat mbi ato debate, që kulmuan me një takim urgjent dhe komunikatë përpëlitëse të Këshillit Ekzekutiv të Konferencës Gjyqësore, nuk do të ishte e tepërt të theksonim fillimisht se, kundërshtimi në mënyrë pothuajse unanime që “vetqeverisësit e gjyqësorit” i bënë propozimit të Ministrit të Drejtësisë kryesisht për shkarkimin e një gjyqtari të Gjykatës së Apelit – Tiranë, njëkohësisht anëtar i KLD, në vend që të rroposte në arkiv proces – verbalin e mbledhjes së rradhës të këtij institucioni kushtetues, në të vërtet pasqyroi me dritë shumëkilovatëshe nivelin e korrupsionit që ka përfshirë gjyqësorin në Shqipëri. Një gjyqtar, që prej kohësh thirret zyrtarisht dhe publikisht me emër, si një prej protagonistëve kryesorë në skenën e këtij fenomeni rrënues, dhe që te një akt i mbramë merret në mbrojtje nga kolegët e vet, duke i mbyllur kështu rrugën nisjes së një procesi hetimor. Por, njëkohësisht, duke i hapur rrugën, si për ironi të fateve individuale, një starti të shpejtë të një bashkëpunimi institucional frontal për ndërmarrjen sa më parë të një reforme të thellë në sistemin e Drejtësisë.

     Në këtë kuptim, ndajfolje mohuese mund t’i vihet edhe një propozimi të dy ministrave të Qeverisë ‘Rama’ dhe disa deputetëve të mazhorancës, sipas të cilit mund të shërbejë si masë fillestare (ndonëse krejt e pjesëshme apo aspak nevraligjike në raportet e përbërjes aktuale të Këshillit të Lartë të Drejtësisë) shkarkimi në Kuvend i Nënkryetarit të KLD dhe i një anëtari tjetër të tij, të zgjedhur nga organi më i lartë legjislativ i vendit, krahas 9 gjyqtarëve të të tria niveleve të gjyqësorit që zgjidhen nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare.

Si mund të jetë legjitime kjo masë, përderisa as Kushtetuta dhe as ligji përkatës nuk parashikojnë rrethana të tilla për ndërprerjen e mandatit 5 vjeçar të anëtarit të KLD? Aq më pak i arsyeshëm juridikisht është argumenti i përdorur këto ditë nga Kryetari i Komisionit parlamentar të Sigurisë Kombëtare, i cili shprehet se (citoj): “Ata nuk i ka zgjedhur kjo mazhorancë, nuk mund të jenë përfaqësues të kësaj mazhorance...Ka përfunduar...Janë zgjedhur nga mazhoranca e kaluar.

Kështu është instrumenti”. Jo, nuk është kështu instrumenti! Spartak Baho dhe ndonjë shok i tij, nëse nuk e dinë duhet ta mësojnë që të zgjedhurit nga Parlamenti për të përfaqësuar institucionet kushtetuese dhe ato të pavarura s’janë më peng i dëshirave apo shqetësimeve të anëtarëve të Kuvendit, përveçse kur vëretetohet që kanë vepruar në shkelje të Ligjit Themelor të Shtetit apo edhe vetëm të ligjit organik. Spartak Braho dhe ndonjë shok i tij, nëse nuk e dinë duhet ta mësojnë që pretendimi i tyre për shkarkime të këtij lloji mund të paralelizohet me mandatin e deputetit; po qe se ky do të ishte detyrues, atëhere zgjedhësve do t’u jepej e drejta për t’ia ndërprerë mandatin, ndoshta edhe Spartak Brahos dhe ndonjë shoku të tij. Sidoqoftë, nuk është ky instrumenti!

     Çështja e reformës është më e thellë, më serioze. Sidomos, kur një pengesë reale përbën Konferenca Gjyqësore Kombëtare, e cila deri tani jo vetëm që ka zgjedhur për anëtarësim në KLD gjyqtarë përgjithësisht jo sipas kritereve të përcaktuara qartë, por këtë javë që po mbyllet del, nëpërmjet një mbledhjeje urgjente të Këshillit Ekzekutiv të saj dhe të një komunikate përpëlitëse të lëshuar prej këtij Këshilli, edhe hapur pro përbërjes aktuale në emra konkretë të KLD, deri edhe në mbrojtje të korrupsionit nëpër gjykata. Ky kEshill shprehu shqetësimin e vet për disa deklarata të ditëve të fundit, të cilat (citoj): “...vetëm sa e përkeqësojnë imazhin e gjyqësorit dhe përbaltin misionin e punën e përditshme të gjyqësorit”.

E çuditshme kjo! E çuditëshme, pasi asnjëherë Konferenca e Kombëtare e Gjyqtarëve nuk ka analizuar, qoftë edhe sipërfaqshëm, preokupimin e një populli të tërë për Drejtësinë shqiptare fund e krye të korruptuar; pasi një pjesë e pjesëmarrësve të kësaj Konference, të cilët janë të shoqërizuar në të ashtuquajturin “Union i Gjyqtarëve Shqiptarë” deklaruan para afro tetë muajve që roli i një mediaje ishte kompromentuar rëndë, sepse kishte transmetuar video të një pjese të odeisesë së një familjeje nga Fushë – Arrëzi që përballej me korrupsionin në drejtësi; pasi vetëm pak ditë më vonë, pra aty nga fundi i nëntorit ose fillimi i dhjetorit të vitit të kaluar, Kryetari i Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, që kryeson edhe Konferencën Gjyqësore Kombëtare dhe është ex officio Nënkryetar i KLD ka pohuar gjatë një interviste publike, se ka raste korruptive në Drejtësi, pa harruar t’i krahasojë madje seancat nëpër të gjitha gjykatat e vendit me ankande apo tendera. Tani gishti i përfaqësuesve kryesorë të Konferencës po lëvizërka nga figura e medias deri te ajo e Ekzekutivit dhe e Legjislativit, duke akuzuar se (citoj): “Etiketimi i masës së përgjithshme të gjyqtarëve dhe identifikimi i tyre në përgjithësi me fenomenet negative e vështirëson punën e çdo gjyqtari, cenon pavarësinë e gjyqësorit e dëmton misionin e dhënies së drejtësisë”.

     O tempora! O mores! Kësaj i thonë që na u dashka të besojmë, se djalli korrupsion ende nuk e ka rrënuar plotësisht dhe përfundimisht pasurinë më të vyer që ka shteti: drejtësinë, se djalli korrupsion ende nuk duket aq i rrezikshëm për të na shqetësuar. Por...a bëhet dot djalli më i zi se ç’duket?! Vetëm nga një studim i realizuar në kuadër të projektit “Të kontribuojmë në zbatimin e ligjit për ndëshkueshmërinë e rasteve të korrupsionit dhe formave të tjera të shpërdorimit të detyrës”, i cili kishte si objekt marrjen e informacionit të perceptuar nga vendimet e dhëna, pa iu futur  edhe studimit të dosjeve të arkivuara, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor të Tiranës, gjatë periudhës 2007 – 2012, vërehen plot e plot raste që ngjallin dyshime serioze për korrupsion të gjyqtarëve, sidomos me ndryshimet e cilësimit juridik të veprave, me vlerësimin e provave dhe njëanshmëanshminë e dhënies së vendimeve. Më tej, të tjera studime janë kryer, duke ngritur pikëpyetje të mëdha në veprimtarinë e gjykatave tona.

Këto pikëpyetje, krahas realitetit të pamohueshëm për humbje të besimit të publikut në dhënien e drejtësisë, pa dyshim që kanë ndikuar në formulimin e vlerësimeve të Shteteve dhe organizmave ndërkombëtare aleate të Shqipërisë, të cilët kanë rekomanduar dhe rekomandojnë me këmbëngulje kryerjen e një reforme të thellë në drejtësi, që cilësohet madje si më kyçe ndër pesë prioritetet e përcaktuara, përmbushja e të cilave është kusht sine qua non drejt çeljes së bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Cilësohet si më kyçe, veç të tjerash, sepse sipas mesazheve që vijnë nga Brukseli “korrupsioni në gjyqësor mbetet veçanërisht serioz”. Në këto kushte, kur edhe nga Parlamenti Evropian u ngrit këtë javë një grup eurodeputetësh – ekspertë në fushën e Drejtësisë posaçërisht për Shqipërinë, i cili do të studiojë me shumë vëmendje nivelin e korrupsionit dhe rrugët apo mënyrat e duhura për të filluar këtu reformën në këtë fushë, anëtarët e Konferenc Gjyqësore Kombëtare dhe të Këshillit të Lartë të Drejtësisë është më mirë të mbajnë frymën dhe të hapin veshët. Më vonë, le të zgjedhin rrugë bzë udhëkryqeve që do t’u dalin përpara.   


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 13 Korrik 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   

                              

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, numërohen mbi 90 përqind të votave! Kandidatja e VMRO-së kryeson bindshëm, ku renditën shqiptarët

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, numërohen mbi 90 përqind të votave! Kandidatja e VMRO-së kryeson bindshëm, ku renditën shqiptarët