Banka e Shqipërisë firmos aplikimin zyrtar për anëtarësimin e Shqipërisë në SEPA

Më datë 12 qershor 2024, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, firmosi  aplikimin e Republikës së Shqipërisë për anëtarësimin në zonën gjeografike të skemave SEPA. Kjo është një ditë historike jo vetëm për sistemin financiar në vend, por për të gjithë qytetarët shqiptarë.

SEPA është një iniciativë e hershme e Bashkimit Evropian për harmonizimin e pagesave elektronike në Euro, ndërmjet vendeve anëtare. Skemat e Pagesave SEPA i sigurojnë qytetarëve dhe bizneseve evropiane, pagesa ndërkufitare në monedhën e përbashkët, me të njëjtën kosto dhe lehtësi si pagesat brenda vendit të tyre. Megjithatë, zona gjeografike SEPA shtrihet edhe jashtë vendeve të BE-së, duke numëruar deri tani 36 vende që kanë harmonizuar standardet për pagesat elektronike në euro.

Banka e Shqipërisë ka nisur punën për anëtarësimin e Shqipërisë në SEPA që në vitin 2021, kur u bë pjesë e projektit rajonal “Për modernizimin e sistemeve të pagesave në vendet e Ballkanit Perëndimor”. Ky projekt e ka origjinën nga marrëveshjet e Procesit të Berlinit dhe synon zhvillimin e marrëdhënieve financiare dhe ekomomike midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe njëkohësisht integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian. Në nëntor të vitit 2023, Komisioni Evropian shpalli planin e ri për rritjen e Ballkanit Perëndimor, ku një nga pritoritetet është pikërisht pjesëmarrja e vendeve të rajonit në SEPA. Në këtë mënyrë, Komisioni Evropian i dha mundësinë rajonit të përshpejtojë integrimin ekonomik në tregun unik evropian edhe përpara anëtarësimit të tij në Bashkimin Evropian.

Shqipëria është, kështu, vendi i parë në rajon, i cili dërgon aplikimin formal për t’u pranuar në zonën gjeografike SEPA. Pjesëmarrja e Shqipërisë në SEPA, jo vetëm që shënon një hap mjaft të rëndësishëm në rrugëtimin e integrimit evropian të vendit, por do të krijojë lehtësira për bizneset dhe konsumatorët shqiptarë në terma të kostos, kohës dhe thjeshtësisë me të cilën do të kryejnë transaksione ndërkufitare brenda tregut evropian. BE-ja është partneri tregtar kryesor i Shqipërisë, ku rreth 2/3 e tregtisë kryhen me këto vende, ndaj përfitimet nga krijimi i lehtësirave financiare është domethënës për zgjerimin e shkëmbimeve tregtare. Gjithashtu, pjesëmarrja në SEPA i ofron bizneseve shqiptare qasjen në tregun evropian prej 350 milionë banorësh, duke i ofruar mundësi për zgjerimin e aktivitetit të tyre, rritjen e konkurrencës dhe përfitimin e risive. Pjesëmarrja në SEPA vlerësohet se do të ketë një kontribut domethënës në sektorë strategjikë siç është turizmi dhe në rritjen flukseve të lidhura me investimet e huaja direkte. Ulja e kostove të transfertave në euro pritet të ndikojë dhe në formalizimin e flukseve të remitancave. Projeksionet janë që në afat të mesëm, ekonomia shqiptare do të përfitojë disa qindra milionë euro nga aderimi në SEPA. Nga pikëpamja e stabilitetit financiar, pjesëmarrja në SEPA ofron një mënyrë për të adoptuar sisteme më moderne, më të sigurta dhe më eficiente të pagesave elektronike. Duke prezantuar alternativa të tilla për qytetarët tanë, synojmë të rrisim përdorimin e pagesave elektronike, uljen e përdorimit të cash-it dhe rritjen e përfshirjes financiare.

Banka e Shqipërisë ka udhëhequr procesin e aplikimit dhe e ka dorëzuar atë në Këshillin Evropian të Pagesave në emër të komunitetit financiar shqiptar. Dokumenti i aplikimit është kontribut i disa autoriteteve të tjera publike si: Ministria e Financave, Agjencia e Inteligjencës Financiare, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Autoriteti i Konkurrencës, Ministria e Drejtësisë dhe institucione të tjera shtetërore. Vlen të theksohet se legjislacioni shqiptar, bazuar në punën e vazhdueshme disavjeçare drejt integrimit evropian, përmbush në mënyrë të kënaqshme kriteret për anëtarësimin e Shqipërisë në zonën gjeografike SEPA.

Procesi i aplikimit në SEPA ka pasur mbështetjen dhe asistencën teknike të vazhdueshme të Bankës Botërore, i cili është një partner afatgjatë dhe i rëndësishëm i Bankës së Shqipërisë në fushën e sistemeve të pagesave. Kontributi dhe mbështetja ndër vite e Bankës Botërore ka krijuar bazat e shëndosha që Shqipëria të jetë pararojë në këtë proces.

Banka e Shqipërisë dhe autoritetet shqiptare janë besimplotë se ky është një hap i parë, por jo i fundit drejt integrimit të tregut tonë financiar me atë evropian, dhe mbeten të angazhuara në respektimin e detyrimeve që rrjedhin nga ky integrim.

SI.E./E.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • erald: 15/06/2024 13:12

    Bravo

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Protesta për VAR-in, pezullohet ndeshja në Norvegji

Protesta për VAR-in, pezullohet ndeshja në Norvegji