Banka e Shqipërisë pritet të mbajë përsëri të pandryshuar normën bazë të interesit

Banka e Shqipërisë pritet të mbajë përsëri të pandryshuar normën bazë të interesit

Foto ilustruese

Banka e Shqipërisë pritet të mbajë përsëri të pandryshuar normën bazë të interesit në mbledhjen e ditës së enjte.

Sipas burimeve të Monitor, ky vendim është i motivuar në një masë të madhe nga shqetësimet e lidhura me stabilitetin financiar në nivel global dhe efektet e mundshme, kryesisht psikologjike, që ky moment mund të sjellë në Shqipëri.

Gjatë muajit mars, sektori bankar në SHBA u përball me falimentimin e një banke relativisht të rëndësishme, Silicon Valley Bank, ndërsa pak ditë më vonë tregjet financiare u trazuan nga kriza e radhës e bankës zvicerane Credit Suisse, që çoi në shitjen e imponuar të saj tek banka tjetër zvicerane, UBS.

Në fakt, ekspertët mendojnë se zhvillimet e mësipërme nuk kanë lidhje direkte me njëra-tjetrën dhe për momentin nuk ka shenja të një krize më të gjerë të tregjeve bankare dhe financiare. Por, sidoqoftë, shqetësimet për efektet e mundshme psokologjike tek tregjet dhe konsumatorët ngelen.

Bordi Ekzekutiv i Bankës Qendrore Europiane vendosi në mesin e muajit mars të vazhdonte me rritjen e normave të interesit në masën 0.5%, ashtu siç kishte paralajmëruar në shkurt.

Por, ndryshe nga sa kishte ndodhur në mbledhjet e fundit, BQE-ja u tregua e rezervuar për të dhënë orientime të ngjashme lidhur me vendimmarrjet e ardhshme (forward guidance).

Fakti që BQE-ja nuk paralajmëri një rritje të re të normave të interesit i qetësoi disi tregjet dhe normat e interesit në Eurozonë, kryesisht treguesi i Euriborit, janë paraqitur më të qëndrueshme pas vendimit të fundit.

Zhvillimet negative në tregjet financiare në javët e fundit dhe sidomos rënia e SVB Bank në SHBA i kanë vendosur bankat qendrore përballë sfidës për të gjetur një balancë të arsyeshme mes objektivave madhorë të shënjestrimit të inflacionit dhe ruajtjes së stabilitetit financiar.

Norma bazë e interesit për lekun qëndron në nivelin 2.75% që prej muajit nëntor 2022, ndërsa në vazhdim Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur ta stopojë procesin e normalizimi të normave të interesit.

Këshilli Mbikëqyrës e ka motivuar frenimin e rritjes së interesave kryesisht me rënien e inflacionit gjatë muajve të fundit. Sidoqoftë, kjo rënie i detyrohet produkteve me luhatshmëri të lartë, sidomos karburanteve.

Inflacioni bazë, që reflekton pjesën më të qëndrueshme të inflacionit (përjashtuar çmimet e karburanteve dhe shumicën e produkteve ushqimore) ka vijuar të rritet dhe në periudhën janar-shkurt ka arritur nivelin më të lartë historik, 8.73%.

Analistët e tregut mendojnë se nivelet e inflacionit dhe sidomos të atij bazë do të sugjeronin vijimin e rritjes së normave të interesit.

Por, sipas tyre, stopimi i rritjes së interesave mund të jetë ndikuar më shumë nga nevoja për të stabilizuar tregun financiar, që në pjesën e dytë të vitit të kaluar u karakterizua nga një rritje e shpejtë e yield-eve, për shkak të pasigurisë së lartë që shkaktoi rritja e e shpejtë e normave të interesit nga Banka e Shqipërisë.

Në javët e fundit, shqetësimet e lidhura me stabilitetin financiar janë nxitur nga faktorë të jashtëm, por sidoqoftë besohet se ato do të kenë një rol përcaktues në vendimmarrjen e Bankës së Shqipërisë, për të mos rritur as këtë herë normën bazë dhe për të shtyrë edhe pak në kohë vijimin e normalizimit monetar./Monitor

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

 Francë/2 vajza goditen me thikë para shkollës, arrestohet autori

 Francë/2 vajza goditen me thikë para shkollës, arrestohet autori