Bankat lehtësojnë kushtet e dhënies së kredisë, bizneset po marrin hua për likuiditet e investime pas dëmeve të shkaktuara nga pandemia

TIRANË-Pas 15 muajsh shtrëngimesh, përmirësimi i situatës pandemike në vend ka sjellë edhe lehtësimin e kushteve të kreditimit nga bankat e nivelit të dytë. Në tremujorin e dytë të këtij viti (prill-qershor) bizneset e vogla dhe të mesme e kanë pasur më të lehtë të marrin kredi, si për investime ashtu edhe për likuiditet.

“Në opinionin e bankave tregtare standardet e kreditimit për bizneset u lehtësuan në tremujorin e dytë të vitit 2021, për herë të parë pas pesë tremujorësh që u raportuan të shtrënguara”, thuhet në vrojtimin e fundit të Bankës së Shqipërisë.

Lehtësimi i kushteve konsiston në rritjen e vlerës së kredisë, kërkesë të moderuar për kolateral apo edhe kushtëzime më të lehta në marrëveshjen e huasë. Ndërkohë sipas raportit të Bankës së Shqipërisë, kushtet e kredisë për bizneset e mëdha vijojnë të mbeten të pandryshuara. Shkak është bërë situata ekonomike e pasigurt, aftësia paguese e kredimarrësve, si edhe rreziku lidhur me kolateralin e kërkuar.

Në këtë tremujor të dytë të vitit ka pasur një rritje të kërkesës për kredi nga të gjitha kategoritë e bizneseve, e ndikuar më së shumti nga nevoja për investime.

“Kërkesa më e lartë për kredi nga bizneset në tremujorin e dytë, sipas gjykimit të bankave u përcaktua nga shtimi i nevojave për financimin e inventarëve dhe kapitalit qarkullues, financimin e investimeve, ri-financimin e borxheve ekzistuese dhe financimin për ristrukturimin e kompanive”, nënvizohet ndër të tjera në vrojtim.

Ndikim pozitiv në rritjen e kredisë kanë dhënë edhe normat e favorshme të interesit apo përmirësimi i situatës ekonomike. Bankat tregtare presin që kërkesat për kredi të rriten edhe në tremujorin e tretë të vitit. Gjatë kësaj kohe pritet të dominojë kredia për likuiditete, ndërkohë që ajo për financimin e investimeve parashikohet të jetë më e ulët.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Milani ndan rrugët me Piolin, tifozët votojnë për trajnerin e ri! Ish-rivali në stolin kuqezi

Milani ndan rrugët me Piolin, tifozët votojnë për trajnerin e ri! Ish-rivali në stolin kuqezi