Basha akuza mazhorancës për koncesionet: Kur të vij PD në pushtet ata që votuan pro do të ndëshkohen (VIDEO)

Basha tha se dy koncesionet ai Orikum-Dukat dhe Milot-Balldre janë kontrata korruptive të realizuara në restorantet e pëlqyera të kryeministrit pranë Kryeministrisë.

Kryedemokrati Lulzim Basha me anë të një deklarate për mediat ai ka hedhur akuza të tjera ndaj mazhorancës.

Basha është ndalur më së shumti tek koncesionet e dhëna nga qeveria duke thënë se ata kanë kapur vendin dhe po shpërdorojnë e vjedhin paratë e shqiptarëve.

Ndër të tjera Basha ka thënë së deputetët në Kuvend të mos votonin rrëzimin e dekretit të presidentit Meta për dy koncesionet e rrugëve. Kryetari i PD tha se ata deputetë që do të rrëzojnë dekretin e Presidentit për të ligjëruar koncesionet e rrugëve do të ndëshkohen nga ligji, do të jenë pjesë e verifikimeve nga ligji antimafia por edhe SPAK.

Sipas pretendimeve të Bashës dy koncesionet ai Orikum-Dukat dhe Milot-Balldre janë kontrata korruptive të realizuara në restorantet e pëlqyera të kryeministrit pranë Kryeministrisë.


në landfillin e Republikës së Shqipërisë, po finalizohet grabitja më e madhe në historinë 30 vjeçare të pluralizmit, koncesioni i rrugës Milot - Balldre i Ndue dhe Agim Kolës, me vlerë 296 milionë euro apo 17 milionë euro /km dhe koncensioni i rrugës Orikum - Dukat i Lorenc Gjikurisë me vlerë 70 milionë euro.

Deklarata e plotë
Dekreti i Presidentit të Republikës për kthimin e këtyre dy kontratave korruptive po bëhet gati të hidhet poshtë nga cjepërit dhe delet e korrupsionit në parlamentin e dalë si pasojë e krimit të organizuar dhe blerjes së votave. Vetëm një parlament ilegjitim i përbërë jo nga burra dhe gra që përfaqësojnë socialistë, por nga skllevër të krimit dhe të oligarkëve mund të votojnë dy kontrata të tilla. Vetëm një parlament peng i krimit dhe i oligarkëve mund të bëhet noter i një vepre kaq të rëndë, kriminale dhe hajdutërore.

Kjo është vjedhje me ligj. Ndaj dua të paralajmëroj sot dhe pikësëpari çdo anëtar të seancës që ngre dorën për të votuar këtë vjedhje me ligj se nesër do të jetë subjekt i Ligjit Antimafia. Sot po ju vëzhgojmë dhe mbajmë shënim emrat. Nesër do t’ju ndjekim këmba këmbës! Çdo qindarkë, çdo shpenzim në Shqipëri dhe jashtë saj, çdo pronë dhe pasuri e juaja do të jetë nën lupën e Ligjit Antimafia dhe të SPAK-ut. Ajo çfarë votohet sot nga landfilli i republikës është një vjedhje me ligj. Sepse ky është një projekt i ardhur me propozim të pakërkuar, por i diskutuar në restorantin privat të kryeministrit dhe në disa restorante të tjera luksoze të oligarkëve përreth Kryeministrisë, të bërë gjoja në emër të një kompanie të vogël që, zyrtarisht, është në pronësi të familjes Kola, ish- deputetit të Partisë Socialiste, Ndue Kola dhe që për partner në punime ka klonimin e vetvetes përmes hapjes së një kompanie që nuk ka kryer asnjë punë deri më sot “Bardhi Konstruksion, sh.p.k”, e krijuar në fund të vitit 2018 me kapital 100 mijë lekë.

Pra, bëhet fjalë jo për 2 por për 1 operator, shoqëria e dytë nuk ka asnjë kapacitet, 100 mijë lekë kapitali i shoqërisë “Bardhi Konstruksion” dhe është futur aty vetëm për të formalizuar dhe futur në lojë paratë e pista të krimit dhe drogës, e njëjta skemë si me Unazën e Re. ANK-ja ka një aktiv prej 2 miliardë lekësh, të cilat nuk mund të angazhohen të gjitha për këtë objekt, ndërkohë që deklaron se ka 50 milionë euro për të investuar në këtë projekt dhe do të marrë një kredi me garanci të qeverisë shqiptare për të ndërtuar rrugën. Vlera e 1 kilometri në terren fushor, fushë të hapur pa asnjë vështirësi serioze, pa asnjë vepër madhore arti, tunel, apo viadukt shkon në 17 milionë euro/km.

Për të kuptuar këtë skemë mafioze të vjedhjes dhe të grabitjes së parave të shqiptarëve dhe të pastrimit të parave të drogës dhe të krimit për leverdi të Edi Ramës dhe klientëve të tij, duhet shpjeguar, së pari, si erdhëm tek kostot prej 17 milionë euro /km.Në buxhetin e vitit 2018 ky projekt u parashikua me vlerën e 113 milionë euro. Më pas tenderi u hap me një shtesë prej 50 milionë eurosh duke e çuar vlerën me 161.5 milionë euro. Me kontratë vlera shkoi edhe më lart në 216 milionë euro që së bashku me TVSH-në shkojnë 256 milionë euro. Por kjo nuk është kosto përfundimtare sepse në dokumentet zyrtare del qartë se vlera në tabelën e përgatitur për pagesat dhe projektet PPP, shkon në 295 milionë euro, pra 40 milionë euro më shumë çfarë e konfirmon edhe neni 35, paragrafi 2 i kontratës.

Formula e vjedhjes së parave tuaja është shumë e thjeshtë. Fryhet disa herë kostoja e ndërtimit të rrugëve dhe të gjitha kostot e fryra mbi koston e ndërtimit të rrugëve i merr Edi Rama, i marrin qeveritarët e korruptuar dhe klientët e tyre. Edi Rama është hajduti më i madh që ka njohur Shqipëria. Një grabitës psiqik që i vjedh të gjitha çfarë i del përpara. Çdo koncesion, çdo kontratë korruptive ka një dhe vetëm një destinacion të parave, xhepat e Edi Ramës dhe klientëve të tij pas asnjë përfitim publik për qytetarët. Në këtë vend ka kohë që gjithçka tjetër ka ndaluar dhe ka marrë fund, i vetmi përjashtim është vjedhja dhe grabitja e pasurive të shqiptarëve. Aktiviteti i bandës në pushtet është një aktivitet i përditshëm dhe i vazhdueshëm kriminal. Çdo akt, çdo veprim dhe çdo firmë e Edi Ramës, e ministrave, e drejtorëve të tij, ka për qëllim vetëm vjedhjen dhe grabitjen e pasurive të shqiptarëve.

Pasojat e këtij aktiviteti kriminal qeveritar janë shkatërrimtare për vendin, janë shkatërrimtare për buxhetin, janë shkatërrimtare për pasuritë publike të shqiptarëve, janë shkatërrimtare për të ardhmen e financave publike të shtetit që ka pasoja të rënda politike në kuptimin e forcimit të kapjes së shtetit nga krimi, destabilizimit politik të vendit dhe ndaljen e procesit të integrimit europian të vendit. Koncesionet korruptive kanë sjellë dhe po sjellin dëme kolosale për financat dhe pasuritë e vendit. Qindra milionë, me gjasa miliarda euro të grabitura me të njëjtin mekanizëm që po grabiten sot paratë e shqiptarëve për këto dy koncesione super korruptive, siç është Milot – Balldren dhe Orikum – Dukat.

Koncesionet do të paralizojnë të gjitha financat publike të vendit dhe do të bëjnë të pamundur jo vetëm politikat publike, por shumë shpejt do të bëjnë të pamundur edhe pagesat e pensioneve dhe të pagave të mësuesve, të mjekëve, të infermierëve dhe punonjësve të tjerë të sektorëve kyç të administrimit publik. Të gjitha paratë e buxhetit po kontraktohen në këtë mënyrë nga Edi Rama, por 15 deri në 20 vitet e ardhshme të gjitha paratë që i paguani si taksa, do të shkojnë në xhepat e Edi Ramës apo 4 apo 5 oligarkëve të lidhur me të.

Në këtë formë çdo shqiptar dhe të gjithë taksapaguesit do të kthehen në një kuletë gjigande për të paguar korrupsionin dhe vjedhjen me ligj të Edi Ramës dhe klientëve të tij. Dëmi i këtyre kontratave është i pallogaritshëm edhe në fushën e ekonomisë, sepse përmes favorizimit të firmave korruptive dhe mafioze të cilat marrin 3 – 10 herë koston e punimeve për t’i ndarë ato me Edi Ramën, dhe që përdorin të gjithë skemën e investimeve për të pastruar paratë e drogës, po zhvendosin nga tregu biznesin e tregut dhe po shkatërrojnë konkurencën dhe ekonominë e lirë të tregut.

Të gjitha këto koncensione janë monopole afatgjatë, që nxjerrin nga tregu të gjitha bizneset e ndershme duke mos lënë asnjë vend për këtë sipërmarrje të ndershme, duke mos lënë asnjë vend për biznesin e vogël dhe as për investimet e huaja. Këto politika kriminale të Edi Ramës, po kështu kanë sjellë dhe po sjellin shkatërrimin e procesit politik. Janë paratë e Ndue Kolës, në fakt paratë tuaja që vidhen nga Ndue Kola me firmën e Edi Ramës, që përdorën për të vjedhur dhe shkatërruar zgjedhjet. Njësoj si paratë e dajës së Ndue Kolës, “Gjoka Konstruksion”, që të dy nip e dajë kanë marrë gjysëm miliard euro kontrata nga Edi Rama, të cilat përbëjnë një shumëfish të vlerës reale, para që vidhen drejtëpërdrejtë nga Edi Rama, një pjesë e të cilave riqarkullohen për të kapur e mbajtur pushtetin me bandat kriminale dhe shitblerjen e votës, siç e kemi parë dhe dëgjuar të gjithë.

Në këtë formë e gjithë kupola e Partisë Socialiste është e kapur sot nga krimi i organizuar dhe interesat private e klienteliste të oligarkëve grabitqarë. Të gjitha këto politika kanë pasoja shkatërruese për proceset politike në vend, nga vjedhja e zgjedhjeve deri tek çdo veprimtari tjetër politike. Por siç e theksova, konçensionet kriminale dhe pastrimi masiv i parave në ekonomi përmes këtyre konçensioneve apo përmes ndërtimeve, kapjes së sektorit bankar dhe kontratave publike, përbëjnë një rrezik për destabilimin politik të vendit, një rrezik për sigurinë kombëtare, një rrezik për ndalimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë.

Ngritja e krimit të organizuar shqiptar, nga trafiku i drogës tek pastrimi i parave dhe të aktiviteteve të tjera kriminale, janë ngushtësisht të lidhura me politikat kriminale dhe ekonomike të Edi Ramës. Kjo është arsyeja pse krimi është fuqizuar dhe ka kapur ekonominë, ka kapur politikën, ka kapur zgjedhjet dhe është e mbetet kërcënimi kryesor për integrimin europian të Shqipërisë, duke nisur me hapjen e negociatave. Ndaj, bashkë me paralajmërimin që i drejtoj sot parlamentit të cunguar, landfillit të Republikës dhe çdo anëtari të këtij parlamenti të cunguar, dua ta bëj fare të qartë për të gjithë bashkëqytetarët e mi se për mua dhe Partinë Demokratike, për opozitën e bashkuar, nuk ka asgjë më të rëndësishme se zhdukja e ndikimit dhe pasojave të grabitjes kriminale përmes këtyre politikave dhe tjetërsimit të ekonomisë publike nga Edi Rama dhe një grusht kriminelësh dhe oligarkësh, me të cilët ndan plaçkën e vjedhur shqiptarëve.

Dua t’i garantoj se prioritet numër 1 dhe mbi gjithçka tjetër është hetimi, zbulimi dhe ndëshkimi i të gjithë vjedhjeve dhe grabitjeve që i janë bërë Shqipërisë në këto vite të kësaj bande hajdutësh. Hetimi i korrupsionit të lartë, i mashtrimit me kontratat dhe fondet publike, pasurive dhe parave të vjedhura, përmes kontratave dhe koncensioneve publike si kjo që përgatitet sot, është prioritet absolut. Ndaj çdo kontrate koncensionare, duke përfshirë megavjedhjen që votohet sot, do të konsiderohet si vepër potencialisht kriminale dhe do t’i nënshtrohet hetimit antimafia nga strukturat e posaçme shtetërore në bashkëpunim të ngushtë me SPAK, BKH dhe organeve ligjzbatuese të vendeve partnere, nga SHBA në Britaninë e Madhe, nga Gjermania në Itali, nga Europoli në Interpol, për të cilën arsye PD ka nisur një bashkëpunim të ngushtë e produktiv me shumë prej përfaqësuesve të këtyre agjencive.

Çdo kompani private, çdo person privat dhe publik i përfshirë në këto afera, që nga procesi i hartimit deri tek miratimi, deri tek ngritja e dorës, të gjithë, nga më i thjeshti ndihmës deri tek kryeministri, do t’i nënshtrohen hetimit të pasurisë dhe të ardhurave, në Shqipëri dhe kudo që t’i kenë. Hetimi do të përfshijë të gjithë, zyrtarë në detyrë, ish-zyrtarë, ministra, ish-ministra, sekretarë të përgjithshëm, ish-sekretarë të përgjithshëm, drejtorë, ish- drejtorë, që janë larguar pasi kanë mbushur xhepat dhe llogaritë bankare dhe që sot po investojnë paratë e tyre e fituara duke vjedhur shqiptarët, në biznese, në luks, brenda dhe jashtë vendit. Asnjëri prej tyre nuk do t’i shpëtojë këtij hetimi. Askush nuk do të shpëtojë. As ata që bashkëpunojnë me Edi Ramën për të vjedhur shqiptarët. As ata që janë bërë partnerë në krim të Edi Ramës, qofshin politikanë, punonjës publikë, biznesmenë, njerëz të medias apo me media prej shumë kohësh apo së fundmi.

Të gjithë shqiptarët ashtu si unë e dinë fare mirë se alternativa që kemi përpara është: Ndëshkimi i tyre për të shpëtuar Shqipërinë apo shpëtimi i tyre duke ndëshkuar Shqipërinë dhe shqiptarët?! Ndaj dua të jua them qartë dhe shkoqur se Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar e kanë bërë zgjedhjen e tyre: Ne jemi në krah të shqiptarëve për të shpëtuar vendin dhe për të ndëshkuar këtë bandë hajdutësh dhe kriminelësh.

Ditën e nesërme ANK dhe Gjikuria do të paralamërohen zyrtarisht me letër nga Partia Demokratike, në emër të opozitës së bashkuar, për të gjitha pasojat penale dhe kriminale për ta dhe për çdo person privat të kompanive të tyre nga pronari dhe drejtuesit, deri tek juristët e kompanisë, si subjekte të ligjit të forcuar anti-mafia, ditën e parë që PD dhe opozita e bashkuar do të marrin përgjegjësitë e qeverisjes në vend.

Një letër e ngjashme do ti dërgohet të gjitha bankave të nivelit të dytë pa përjashtim, për ti paralajmëruar se çdo financim, kredi apo garanci bankare dhënë këtyre koncensioneve, do ti bëjë këto banka automatikisht subjekte të ndjekjes anti-mafia. Do ti vendosë ato menjëherë në vëmendjen e përditëshme të opozitës sot dhe të qeverisjes së nesërme në bashkëpunim me SPAK, BKH dhe institucione të tjera ligjzbatuese të Shqipërisë dhe vendeve partnere.

Ndërkohë që ora po afron, ekziston dhe një mundësi e fundit për ata individë që ndjejnë sado pak përgjegjësi para fëmijëve të tyre, para prindërve të tyre pensionistë dhe para çdo qytetari, që të refuzojnë votimin e këtyre dy grabitjeve spektakolare.

Të mos bëhen pjesë e vjedhjes me ligj, përndryshe i pret i njëti fat si padronin e landifillit dhe përfituesin kryesor të kësaj vjedhje me ligj, grabitësin dhe hajdutin psiqik, Edi Ramën dhe bandën e tij të oligarkëve dhe të klientëve të babëzitur.

E.L./m.v./Shqiptarja.com
Komento

Komente

  • Peshkaguri: 12/09/2019 17:12

    Na ishte sec na ishte na ishte nje here nje lul i vocer qe tregonte shume barsaleta.Hajde dru me pre hajde.

    Përgjigju
  • O tej: 12/09/2019 15:32

    Bo... Kandare ngele o Lul Po ato 230 Million qe vodhe

    Përgjigju
  • Pyka: 12/09/2019 13:53

    Hej pinok!mos guxo te flasesh ne emrin tim dhe te te tjereve!

    Përgjigju