Kryesia e PD miraton propozimet për rishikim të Statutit dhe analizën e hollësishme të 25 prillit! Basha: Vijojmë betejën, shqiptarët s'mund të presin deri në 2025 për rrëzimin e regjimit

Partia Demokratike zhvilloi ditën e sotme mbledhjen e Kryesisë Kombëtare ku u miratua metodologjia që do të ndiqet për analizën e zgjedhjeve të 25 prillit në çdo nivel qarku dhe propozimet për rishikim të Statutit të PD-së nga Kuvendi Kombëtar nëse do të vijnë propozime për ndryshime të tilla.

Në mbledhjen që zgjati rreth 2 orë në selinë blu, u arrit dakord që të bëhet një analizë e thelluar dhe e hollësishme në nivel Qarku, Dege, Grupseksioni dhe Seksione për zgjedhjet e 25 prillit. Procesi i analizës do të përfundojë më 30 shtator 2021. Në analizë do të përcaktohet roli dhe performanca e çdo anëtari të angazhuar në zgjedhje deri tek grupseksione, degët dhe nivel qarku në raport me objektivat e synuara për 25 prillin. Në çdo degë të Partisë do ngrihet një grup pune për të hartuar një raport në lidhje me analizën e zgjedhjeve dhe brenda 10 korrikut raporti i dorëzohet për shqyrtim Kryesisë së Partisë. Më pas nis faza e dytë e analizës ku Sekretariati Organizativ i Partisë, gjatë periudhës 11 Korrik – 31 Gusht 2021, kryen në mënyrë të detajuar për çdo seksion dhe grupseksion, verifikon dhe analizon performancën e të gjitha niveleve lokale të partisë. Më 1 Shtator 2021, Sekretariati Organizativ i Partisë i paraqet Kryesisë së Partisë një informacion të plotë për gjendjen dhe veprimtarinë e strukturave vendore të partisë dhe i gjithë procesi i analizës dhe ristrukturimit të organeve vendore të Partisë, përfundon brenda datës 30 Shtator 2021.

Gjithashtu sot është miratuar rishikimi i Statutit të PD-së nga Kuvendi Kombëtar nëse do të vijnë propozime për ndryshime të tilla. Në mbledhjen e Kryesisë u vendos edhe që Kuvendi të zgjedhë Këshillin e ri Kombëtar që më pas do të zgjedhë kryesinë e re të PD dhe organet e reja drejtuese, si nënkryetarët, sekretarët apo Sekretari i Përgjithshëm, nisur edhe nga performanca e tyre në zgjedhjet e fundit.

Vetë Luzlim Basha tha se me rikonfirmimin e tij në krye të parisë tregoi se shqiptarët duan të vazhdojnë betejën e tyre kundër regjimit të Ramës që ka kapur demokracinë dhe se nuk mund të presin deri në 2025.

Basha u shpall zyrtarisht fituesi i zgjedhjeve të 13 qershorit në PD duke marrë një mandat të tretë për drejtimin e partisë për 4 vitet e ardhshme duke marrë 32,882 vota ose mbi 80% të votave.

 

 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:30
Mbledhja e Kryesisë, Kadilli: Shpresoj që ndryshimet në Statut të bëhen realitet! Duhet një frymë ndryshimi, momentet e vështira janë dhe momente shprese

 

Anëtari i kryesisë në Partinë Demokratike, Fatbardh Kadilli, në një deklaratë të shkurtër për mediat pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së PD, u shpreh se shpreson që ndryshimet në Statut të bëhen realitet që në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë, më 17 korrik.

Sipas Kadillit, PD ka nevojë për një frymë ndryshimi rrënjësor, ndërsa shtoi se momentet vështira që po kalon PD, duhen parë edhe si momente shprese dhe ndryshimi.

"Është ngritur komisioni i ndryshimeve statutore, është një proces që do kërkojë më tepër kohë. Shpresoj që ndryshimet statutore të bëhen realitet që në Kuvendin Kombëtar. Do të duhet një frymë, ndryshim mendësie, ndryshimi rrënjësor nuk është vetëm ndryshim në statut. Thelbi i propozimeve të mia, që një pjesë reflektohen në statut janë të qarta, demokratizim më i thellë i partisë, shpërthim i skemës së ngushtë që kemi për seksionet dhe mënyrën si funksionon struktura e partisë, duke krijuar hapësirë për çdo iniciativë politike, rishikimi i raporteve me organizata partnere dhe përcaktimin e kauzave kryesore, rishikimi Kodit Zgjedhor, i Kushtetutës dhe Reforma në Drejtësi, Këto përmban manifesti politik. Ekziston gatishmëria për ta ndryshuar dhe ringritur, momentet e  vështira duhen parë edhe si momente shprese dhe ndryshimi", tha Kadilli.

Ora 13:00
Përfundon mbledhja e kryesisë së PD, miratohet pika që Kuvendi të shqyrtojë propozimet për ndryshimet në Statut

Në përfundim të mbledhjes së Kryesisë së PD është miratuare dhe pika ku Kuvendit Kombëtar që mbahet më 17 korrik të ketë mundësinë të shqyrtojë çdo propozim që mund të sillet për ndryshimet  statutore të PD.

" Vlerësimi i mundësisë për ndryshime në Statutin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, në funksion të rritjes së eficencës së organeve të partisë apo demokratizimin e mëtejshëm të mënyrës së funksionimit të strukturave të Partisë", thuhet në pikën e miratuar.

Ora 12:51
Miratohet metodologjia e analizës së zgjedhjeve të 25 prillit, do zgjasë deri më 30 shtator 2021

Kryesia e Partisë Demokratike vendosi metodologjinë e analizës së zgjedhjeve të 25 prillit që do të realizohet në të gjitha nivelet lokale të partisë, duke nisur nga çdo seksion e deri në nivel Qarku.

Drejtuesi Politik i Qarkut, ngarkon dhe bashkëpunon me Degët e Partisë që brenda datës 1 Korrik 2021, të paraqesin analizën e rezultatit të zgjedhjeve për çdo seksion dhe grupseksion, duke analizuar parametrat e performancës në raport me objektivat e synuara, si dhe shkaqet, rrethanat, faktorët dhe të dhënat historike elektorale për secilin prej tyre.

Për këtë qëllim, në çdo Degë të Partisë, ngrihet një grup pune, që ka në përbërje Kryetarin dhe Sekretarin e Degës, Nënkryetarët e Degës dhe Sekretarin Organizativ dhe Sekretarin për Çështjet Zgjedhore.

Përpara dorëzimit të Raportit në nivel Dege, Grupi i Punës informon Kryesinë e Degës për të dhënat e përgjithshme të analizës, dhe pasqyron në Raport çdo vlerësim apo konstatim të Kryesisë së Degës.

Brenda datës 5 Korrik 2021 Drejtuesi Politik i Qarkut paraqet Raportin përmbledhës të analizës në nivel qarku për zgjedhjet e 25 prillit dhe brenda 10 korrikut raporti i dorëzohet për shqyrtim Kryesisë së Partisë

Pas dorëzimit të raporteve në nivel qarku për analizën e zgjedhjeve të 25 prillit fillon faza e dytë ku Sekretariati Organizativ i Partisë, gjatë periudhës 11 Korrik – 31 Gusht 2021, kryen në mënyrë të detajuar për çdo seksion dhe grupseksion, verifikon dhe analizon performancën e të gjitha niveleve lokale të partisë, evidenton mangësitë dhe nevojat për të nxitur rritjen e performancës.

Brenda datës 1 Shtator 2021, Sekretariati Organizativ i Partisë i paraqet Kryesisë së Partisë një informacion të plotë për gjendjen dhe veprimtarinë e strukturave vendore të partisë, si dhe i propozon, sipas rastit, ushtrimin e të drejtës së ndërhyrjes sipas nenit 45 të Statutit dhe/ose nevojën objektive për zgjedhje të reja në strukturat vendore të Partisë. I gjithë procesi i analizës dhe, aty ku është rasti, i ristrukturimit të organeve vendore të Partisë, përfundon brenda datës 30 Shtator 2021.

Ora 12:42
Mbledhja e Kryesisë, Basha: Do vijojmë betejën, shqiptarët  nuk mund të presin deri në 2025 për rrëzimin e regjimit

Kreu i PD-së, Lulzim Basha tha gjatë mbledhjes së Kryesisë se me rikonfirmimin e tij në krye të parisë tregoi se shqiptarët duan të vazhdojnë betejën e tyre kundër regjimit të Ramës që ka kapur demokracinë dhe se nuk mund të presin deri në 2025.

"Zgjedhjet në parti treguan se demokratët janë të vendosur ta vazhdojnë betejën për demokraci dhe për të sjellë ndryshimin në Shqipëri. Është e domosdoshme që të gjithë ne nga Kryesia te Këshilli kombëtar, të lexojmë̈ qartë atë që ishte vullneti i demokratëve. Ata e dinë më mirë se ne se çfarë ka ndodhur në 25 prill, ata e dinë më mirë se ne se sa e vështirë është përballja me regjimin, ndaj çdo hap që do të bëjmë deri në përfundimin e analizës dhe mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, duhet të kemi parasysh që demokratët na kërkuan vazhdimin e betejës. Dhe për të arritur këtë, detyra jonë është të përgatitemi me të gjitha format dhe mjetet për këtë përballje. Një përballje që kërkon që Partia Demokratike të jetë e gatshme për ta kryer detyrën e saj ndaj regjimit një orë e më parë, sepse Shqipëria, shqiptarët dhe demokratët nuk mund të presin deri në 2025.

Muajt në vijim do të jenë të vrullshëm, sepse e tillë është beteja që na pret. Ne jemi të vetëdijshëm që ato që janë në dorën tonë për t’u përmirësuar duhen të përmirësohen një orë e më parë, sepse çdo ditë e humbur, çdo ditë që nuk përdoret për përsosjen e PD, është një ditë pushtetit që i dhurojmë armikut të demokracisë. Shqiptarët na dhanë një fuqi edhe më të madhe në 25 prill, demokratët mbështetën vizionin që ju parashtrova gjatë kësaj gare, ndaj detyra jonë është t’i përgjigjemi kësaj mbështetje të shqiptarëve dhe demokratëve duke treguar që jemi dhe do të mbetemi një parti e shoqërisë, një parti e hapur. Ndaj detyra ime është që në përgjigje të kësaj mbështetje shoqërore që morëm, pa asnjë pushtet, të jemi edhe më të hapur edhe më pranë shoqërisë, t’i shtrijmë dorën e bashkëpunimit shoqërisë  dhe t’ju them ejani ta ndryshojmë bashkë këtë realitet, ejani ta rrëzojmë bashkë këtë regjim armik të demokracisë, ejani në PD dhe ta ndërtojmë bashkë një të ardhme më të mirë për vendin! Ne do ta forcojmë dhe thellojmë aleancën me njerëzit dhe grupet e interesit duke i përfshirë ata më shumë në vendimmarrje.

Kjo është detyra jonë. Përballë kemi një kundërshtar që e ka përcaktuar qartë aleancën e tij, atë me krimin dhe oligarikinë. Ne kemi një mision më të madh, të marrim me vete shumicën dërrmuese të shqiptarëve që duan ndryshimin, duan demokracinë dhe shohin te ne shpresën e vetme për realizimin e tyre. Ne e kemi bërë këtë përpara 25 prillit, kontratat me grupet e interesit, etj. Ne do ta vazhdojmë edhe më tej duke u bërë zëri i çdo shqiptari. Do të kemi platforma politike për përfshirjen e tyre në vendimmarrje dhe po ashtu do të mundësojmë nëpërmjet iniciativave ligjore ndryshime që të mundësojnë përfaqësim më të mirë, më të denj dhe më demorkatike. Ne kemi lindur si partia e njerëzve të lirë, përgjegjësia dhe misioni ynë mbetet shërbimi ndaj njerëzve për të sjellë liri dhe demokraci për të gjithë, në këto ditë të vëshitra për vendin, kjo arrihet vetëm duke i përfshirë edhe më shumë njerëzit, duke i dhënë zë më të fortë rolit të tyre në parti dhe në shoqëri. Ky duhet të jetë synimi ynë dhe bashkë, demokratë dhe qytetarë të thjeshtë, do ta bëjmë realitet", tha Basha.

Ora 11:17
Drafti/ Mblidhet kryesia e PD, pritet të miratohet Komisioni i Përhershëm Statutor që do propozojë ndryshme të Statutit në parti

Gjatë mbledhjes së sotme të Kryesisë së PD do të miratohet edhe ngritja e Komisionit të Përhershëm Statutor që do të bëjë edhe vlerësimin nëse do të bëhen apo jo ndryshime në statutin e Partisë Demokratike. Në komisionin e përbërë nga 9 anëtarë me në krye sekretarin e Përgjithshëm Gazment Bardhi, deri më datën 3 korrik do të zhvillojnë takime me kryetarët e degëve dhe Lidhjen Demokratike të Gruas dhe Forumit Rinor të PD për t'u konsultuar mbi zgjedhjet dhe analizat brenda partisë dhe më 10 korrik  ky komision do i paraqesë mendimin Kryesisë së Partisë nëse janë të nevojshme ndryshimet në Statutin e Partisë dhe të jepen propozimet konkrete.

Komisioni i Përhershëm Statutor përbëhet nga:

1  Gazment Bardhi, Sekretar i Pergjithshem

2  Edi Paloka, Nenkryetar

3  Edmond Spaho, Nënkryetar,

4. Albana Vokshi, Kryetare e Lidhjes Demokratike te Gruas (LDG);

5. Z. Belind Kelliçi, Kryetar i Forumit Rinor të PD (FRPD);

6. Znj. Jorida Tabaku, përfaqësuese e Kryesisë së Partisë,

7. Z. Enkelejd Alibeaj, përfaqësues i Kryesise se Partise,

8. Z. Enno Bordo, perfaqesues i Kryesise se Partisë

9. Znj. Grida Duma, perfaqesuese e Kryesise se Partise

Sekretariati Komisionit te Perhershem Statutor përbërë nga

 1. Ervin Minarolli, Sekretar për Burimet Njerëzore

 2. Ivi Kaso, Sekretar per Çështjet Zgjedhore

 3.Çlirim Gjata, Sekretar për Çështjet Ligjore.

Ora 09:53
Sot mblidhet Kryesia e PD, Kadilli: Manifesti Politik të konsiderohet si dokument për ndryshimet statutuore në parti

Anëtari i kryesisë në Partinë Demokratike, Fatbardh Kadilli thotë se në mbledhjen e sotme të kryesisë do të kërkoj që Manifesti Politik për Ringritjen e PD të konsiderohet si dokument politik bazë për ndryshimet statutore që do t’i paraqiten Kuvendit Kombëtar.

Kadilli thekson se Manifesti Politik propozon një shndërrimi rrënjësor në PD. Sipas Kadillit zgjeron demokracinë e brendshme, forcon rolin e anëtarësisë në vendimmarrje, garanton karrierën dhe mbi të gjitha krijon terrenin për cdo iniciative politike.

‘Në mbledhjen e Kryesisë do të kërkoj që Manifesti Politik për Ringritjen e PD të konsiderohet si dokument politik bazë për ndryshimet statutore që do t’i paraqiten Kuvendit Kombëtar.

Manifesti Politik propozon një shndërrimi rrënjësor në PD. Zgjeron demokracinë e brendshme, forcon rolin e anëtarësisë në vendimmarrje, garanton karrierën dhe mbi të gjitha krijon terrenin për cdo iniciative politike.

Ne duhet të ndërtojmë një PD të pastër, të hapur, të bashkuar dhe fituese!’- shkruan Kadilli.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Autoriteti Palestinez formon kabinetin e ri

Autoriteti Palestinez formon kabinetin e ri