Basha: Me mua PS del në opozitë
Olldashi: Çdo opozitar, vend në PD

TIRANË-ERSEKË - Dy kandidatët për kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi kanë zhvilluar sot takime për të prezantuar platformën e tyre në bazë. Lulzim Basha para anëtarëve të kësaj partie, në njësitë bashkiake 8, 9 dhe 10, në kryeqytet, ndërsa Olldashi në Ersekë dhe Leskovik. Basha, ndër të tjera ka theksuar se "me përkushtimin tim dhe përkushtimin tuaj, do ta nxjerrim përsëri në opozitë kryesocialistin dhe do i rikthejmë pushtetin PD”, ndërsa Olldashi se "Partia Demokratike duhet të hapë dyert për të gjithë faktorët opozitarë për të ndërtuar një themel të sigurtë të fitores në sfidën më të parë elektorale.

BASHA: NËN DREJTIMIN TIM DO T'U KTHEJ DEMOKRATËVE MAZHORANCËN MORALE
Kandidati për kryetar të PD, Lulzim Basha ka prezantuar edhe sot platformën e tij, për drejtimin e Partisë Demokratike para anëtarëve të kësaj partie, në njësitë bashkiake 8, 9 dhe 10, në kryeqytet. Zoti Basha ka theksuar në këtë takim vizionin e tij të drejtimit të PD, anëtari i kësaj partie do të jetë pjesë e rëndësishme e vendimmarrjes, në përzgjedhjen e kandidaturave drejtuese të kandidatëve për deputetë, drejtuesve vendorë etj.
 
“Çdo anëtar i Partisë Demokratike, që këtej e tutje duhet dhe do të ketë vendin, për të thënë fjalën e tij, nga veprimet taktike në terren deri tek përzgjedhja e kandidaturave drejtuese, deri tek përzgjedhja e kandidatëve për deputetë. Për mua, është hapi i parë drejt fillimit të ri. Ju garantoj se me përkushtimin tim dhe përkushtimin tuaj, do ta nxjerrim përsëri në opozitë kryesocialistin dhe do i rikthejmë pushtetin PD” – u shpreh Basha.
 
Zoti Basha ka theksuar se demokratët, nën drejtimin e tij do u rikthejnë shpejt shqiptarëve mazhorancën morale, pasi mazhoranca e re dëshmoi se është  kundër interesit të qytetarëve dhe është vetëm mazhorancë pazaresh.
 
“Përballemi sot me një mazhoranca, që është standardi më i ulët i së kaluarës 22-vjeçare. Ata janë Shqipëria e dredhive dhe e pazareve. Ata janë Shqipëria e mashtrimit dhe e tjetërsimit, një mazhorancë me sy të babëzitur drejt pasurive publike të shqiptarëve. PD duhet të jetë gati t’i përgjigjet, si mazhoranca morale e shqiptarëve dhe e qytetarëve shqiptarë kudo ku ndodhen”
 
Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka theksuar se në themel të fillimit të ri qëndron evidentimi i plotë i kontributeve të anëtarëve të PD dhe vlerësimin e përhershëm të këtij kontributi.
 
“Analiza duhet dhe do të fillojë me evidentimin e plotë të kontributit të anëtarësisë së PD ndër vite. Nuk ka dhe nuk mund të ketë një fillim të ri, pa bërë të mundur që gjithçka që anëtarët e PD japin dhe kanë dhënë ndër vite, të evidentohet dhe të kthehet në një kapital të çmuar politik për forcën tonë politike dhe jo të harrohet në krye të çdo fitoreje”.

OLLDASHI NË ERSEKË DHE LESKOVIK: ÇDO OPOZITAR, I MIRËPRITUR NË SHTËPINË E PD-së
Kandidati për postin e kryetarit të PD-së, Sokol Olldashi ka vijuar prezantimin e platformës së tij me anëtarë dhe simpatizantë të kësaj partie në Ersekë dhe në Leskovik.

Siç bën të ditur ATSH, gjatë prezantimit të projektit të tij për drejtimin e partisë më të madhe të së djathtës në Shqipëri, Olldashi deklaroi se PD duhet të riorganizohet në formatin e saj organizativ dhe politik për të nisur një aksion opozitar që do të sjellë rikthimin e saj force fituese në vend.

"Duhet të përcaktojmë disa kufij politikë dhe t’u japim qytetarëve një kartë morale të fortë opozitare. Opozita është moral dhe jo numra në Parlament. Në qoftë se ne do të jemi në gjendje, t’u ofrojmë qytetarëve këtë, jam i bindur se ne do të shndërrohemi shumë shpejt në shumicë. Përmes një veprimi shumë të fortë opozitar, përmes një veprimi shumë të qartë opozitar, përmes fokusimit në problemet reale që ka ky vend", tha Olldashi.
   
Ai vuri në dukje se, "kemi përballë mazhorancën e Edi Ramës, një njeri i provuar që ndërton vetëm pushtet klientelist dhe të korruptuar. Kemi pjesë të pushtetit të Edi Ramës dhe vektorin e Ilir Metës, që nuk është as parti politike, as formacion politik, por është një çetë hajdutësh".
    
Kandidati për të kryesuar Partinë Demokratike, Sokol Olldashi në takimin e zhvilluar me anëtarët e kësaj partie në Leskovik bëri thirrje për një bashkim opozitar. Olldashi deklaroi se Partia Demokratike duhet të hapë dyert për të gjithë faktorët opozitarë për të ndërtuar një themel të sigurtë të fitores në sfidën më të parë elektorale.
    
"Ne duhet të bashkojmë çdo opozitar. Të vijë këtu çdo njeri që është i gatshëm të përballet me qeverinë e Edi Ramës. Duhet të jetë pjesë e jona çdo njeri që është i gatshëm të veprojë dhe te funksionojë si opozitar", theksoi ai.
    
Në referencë të garës elektorale, Olldashi tha se, Partia Demokratike do të aplikojë një paketë ristrukturimi bazuar në mekanizima që do të forcojnë jetën e brëndshme politike.

OLLDASHI NË POGRADEC: NË SHQIPËRI KA VETËM DY POLE POLITIKE, LSI IU KTHYE PARTISË MËMË
Kandidati për postin e kryetarit të Partisë Demokratike, Sokol Olldashi deklaroi në Pogradec se në Shqipëri ka vetëm dy pole politike dhe se mbi këtë tezë duhët të përqëndrohet veprimi opozitar. LSI iu kthye partisë “mëmë” - deklaroi Olldashi gjatë takimit me anëtarë dhe simpatizantë në Pogradec, me të cilët zhvilloi një bashkëbisedim të hapur, rrethe platformës së tij për drejtimin e Partisë Demokratike.

"Sot Shqipëria ka dy palë politike, ka qeverinë e Edi Ramës, pjesë e së cilës është edhe Ilir Meta dhe opozitën, Partinë Demokratike. Ne duhet të identifikojmë dhe të shënjestrojmë si objekti, qeverinë e Edi Ramës. Edi Rama dhe Ilir Meta janë pjesë e së njëjtës së keqe, janë partia mëmë, janë bërë prapë bashkë dhe ne e kemi fokusin të përqendruar tani. Ky është objektivi që ne do të rrëzojmë, në përballjen e parë elektorale me ta", u shpreh Olldashi.
 
Duke folur për paketën e ristrukturimit të Partisë Demokratike, Olldashi deklaroi se do të punojë ngushtësisht me strukturat në bazë, për të zhdërvjelltësuar jetën politike brenda partise dhe për të ndezur motorët e kontrollit të territorit, në kënvështrimin elektoral.
 
"Të përforcojmë disa lidhje që kishin filluar të zbeheshin me militancën e partisë me anëtarin e thjeshtë të saj. Shumica e kapaciteteve njerëzore të koorpusit politik të PD-së, duke filluar nga Kryesia, Këshilli Kombëtar dhe deri tek grupet e punës u angazhuan në qeverisje, parlament dhe në administratë, duke ngathtësuar lidhjen me strukturat bazike të Partisë".
 
Olldashi theksoi më tej gjatë një takimi me strukturat e PD në Bilisht se me standardin e përgjegjësisë që vendosi lideri historik i demokratëve, Berisha, mekanizmi i përgjegjësisë duhet të zbresë në të gjithë piramidën strukturore të Partisë.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)