Baze: Etnopopulizmi i Macronit shpërblen nacionalizmin dhe korrupsionin

Baze: Etnopopulizmi i Macronit shpërblen nacionalizmin dhe korrupsionin

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, janë ndalur në shkallën e fundit, para derës që pritej të hapej për fillimin e negociatave, nga presidenti i Francës, Emanuel Macron. Mos u lodhni kot të gjeni arsye për Shqipërinë dhe Maqedoninë, që nuk e meritojnë hapjen e bisedimeve, dhe as mos e fryni më shumë se ç’duhet idenë e Macronit për të “reformuar” Europën.

Vendimi i tij është etnopopulizëm i pastër, për të cilin ai mendon se e ka në interes të tij. Interesi i tij është të bëhet popullor në Francë, si një president që i tregoi kufijtë Europës, që nuk lejoi zgjerimin dhe që ka bërë shqiptarët simbolikë të emigrantëve në Francë, në garë me ksenofobët e Le Pen.

E thënë kjo për Francën, që është vendi më i papërfillshëm për emigrantët shqiptarë, mendo se ç’duhet të bënte Italia dhe Greqia, apo dhe Gjermania,  vende mbështetëse të Shqipërisë, që kanë natyralizuar mbi 1 milionë shqiptarë këto 30 vjet.

Por ne jemi të pafuqishëm të ndikojmë mbi objektivat politike të Emanuel Macronit. Nuk dimë nëse do ta bëjmë fitues, apo humbës në Francë me vuajtjen tonë, por paqartësia me të cilën ai përpiqet të justifikojë vendimin, është me e fortë, se qartësia me të cilën ai mburret për këtë gjë.

Ndërkohë që nga një anë, ai përmendi si arsye madhore nevojën për frenimin e zgjerimit të Europës, krejt pa lidhje përmend edhe azilantët shqiptarë në Francë, dhe çuditet se si shqiptarët kanë marrë liberalizimin e vizave para se të hapen negociatat.

Kjo është dëshmi e njohurive të përcipta që ai ka, për atë si funksionon Europa, dhe një demonstrim i pafrenuar i racizmit, ksenofobisë dhe përbuzjes ndaj vendeve të periferisë së Europës.

Ai thjesht nuk e di se si funksionon liberalizimi i vizave dhe as si do funksionojë hapja e Europës. Ende nuk e di që janë procese të ndara. Atij thjesht i duhet t’u thotë kundërshtarëve të tij populistë në Francë, se është në garë me ta, kundër shqiptarëve.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, kanë dështuar të hapin negociatat, për një standart që e kanë kërkuar dhe e kanë arritur. Ato janë kandidate për anëtare të Bashkimit Europian dhe procesi i negociatave pas marrjes së statusit është detyrim. E kundërta që po ndodh, është ngrirje e këtij statusi, i cili mund të shkojë në pafundësi sipas halleve të çdo lideri europian, nëse respektohet ky zhvillim.

Maqedonia ka zhbërë identitetin e saj shtetformues, ka hequr emrin, ka ndryshuar historinë e shkruar, ka ndryshuar emra rrugësh e aeroportesh, e lodhur nga vetoja greke.

Tani duhet të përballet me narcizmin e një lideri që kërkon të përdorë hallet e Europës, për të zgjidhur punët në shtëpinë e tij.

Shqipëria ia ka hyrë detit në këmbë, duke ndërmarrë reformën më radikale në sistemin e drejtësisë, e cila ka rritur koston e shtetit funksional, e ka lënë vendin përkohësisht pa gjykata dhe ka vënë në pikëpyetje legjitimitetin e disa institucioneve, përfshi zgjedhjet dhe dhe presidentin, në kulmin e një krize të thellë politike. Urgjenca dhe presioni me të cilën ju kërkua nga Perëndimi kjo reformë, është tashmë në përpjestim të zhdrejtë, me cinizmin me të cilin i përmenden si kushte, pasojat e kësaj reforme.

Reforma në drejtësi ishte kushti i Perëndimit dhe fakti që Shqipëria e ka zbatuar atë pikë më pikë, kemi sot këto pasoja, të cilat nuk mund të jenë arsye për kushte, por arsye për lehtësi.

Tani çdo shpresë se negociatat do të hapen vitin tjetër, apo një vitë më vonë, janë shumë të largëta.

Të dy vendet duhet të përballen me pasojat që mund të sjellë ky refuzim dhe të ruajnë orientimin e tyre perëndimor për qytetarët e tyre. Demokracitë liberale janë shumë të brishta për t’u kthyer në regjime autokratike, kur përballen me pasojat e etnopopulizmit, siç është ky gjest i Macronit ndaj dy vendeve të Ballkanit.

Ky është një nga ato vendime që nacionalistët e Ballkanit i bën dhe më nacionalistë, liderët e papërgjegjshëm i bën edhe më të papërgjegjshëm, të korruptuarit edhe më të korruptuar, pasi ua largon Europën nga sytë e tyre, ua largon si standart dhe model, dhe i bën të ndjehen më “sovranistë” në katundin e tyre.

Shikoni gëzimin me të cilin e përjeton Sali Berisha në Shqipëri dhe Gruevski në arrati, vendimin e Macronit, për të kuptuar më mirë se shpresën e kujt ka ngjallur në Ballkan, ndëshkimi ndaj reformës në drejtësi në Shqipëri dhe “Marrëveshjes së Prespës” në Maqedoni, të cilat janë formalisht “ilegale” për kundërshtarët e qeverive në fuqi, në të dy vendet.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Fredi Beleri dhe Greqia, Rama: S'negociojmë asgjë e me askënd, as brenda partisë e as mes partive e as me një shtet tjetër

Fredi Beleri dhe Greqia, Rama: S'negociojmë asgjë e me askënd, as brenda partisë e as mes partive e as me një shtet tjetër