Ben Andoni: Si Basha do jetë i pari që do e lëshojë Berishën

Ben Andoni: Si Basha do jetë i pari që do e lëshojë Berishën

Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Partia Demokratike ka mbaruar zgjedhjet duke vendosur për të tretën herë me radhë z. Basha në krye të saj.

Në fakt, ai nuk dha dorëheqje, sikurse iu kërkua për moral por jo statur, thjesht zgjati mandatin, duke lënë të braktisur sensin e ndryshimit aq të domosdoshëm në këtë moment të tanishëm të Partisë Demokratike, ku do i duhet të rrugëtojë edhe për katër vjet të tjera në opozitë.

Lulzim Basha me garancinë e madhe që “ka marrë” prej bazës ose më saktë vullneti i infrastrukturës së PD-së për t’i përshtatur zgjedhjet që ai të fitonte, tregon tashmë se Basha e menaxhon PD-në krejt sipas interesit dhe vizionit të vet.

Paçka se në ditët e fundit, deklaratat mediatike të ish-kryetarit Berisha për kthimin në drejtim më shumë kanë treguar shqetësimin e tij për pozicionin personal dhe paralajmërimin për Bashën se gara me të nuk do ishte e lehtë, si çka ndodhur deri më tashmë, me kandidatët që ka rrëzuar kryetari aktual, madje edhe sipas modelit që ia përqeshi Arben Ristani, njeriu që e mbështeti sforcueshëm kundër Ramës për ta sjellë në fuqi në të vetmet zgjedhjet që “fitoi”.

Ngjallja e Berishës me të gjithë ashpërsinë e tij e përmban edhe këtë shqetësim të drejtë ose frikën e arsyeshme se kanakari i tij ka marrë shumë më tepër sesa i takonte porse po e përdor tani pushtetin pacipërisht. Nëse eliminoi sikur të mos ishin asgjë tre kandidatë përballë, me interesa, lidhje dhe shumë gjëra të tjera si atribute çfarë do të ndodhi tashmë me Berishën, që po i rrëshqasin shumë gjëra. Ndaj ish-kryetari i PD-së që e pret një sfidë shumë e madhe në të ardhmen me Drejtësinë që do t’i dimensionojë edhe historinë vetjake po mundohet të kapë te krijesa që e ngriti në një lartësi të tillë dhe mesazhet që vijnë nga deklaratat plot ekuivoke të Bashës. “Sikur 1000 të mbesin do të mbetem njëri prej jush, sikur 100 të mbeten do mbetem një prej jush, sikur vetëm një të mbesë do të mbetem njëri prej jush. Rroftë Partia Demokratike”, shprehet Berisha në mënyrë patetike në një video të  publikuar së fundi, por që më shumë tregon se tashmë ai përpjekjen më të madhe e ka te mbështetja reale, që e kërkon te historia.

Por historia e PD-së po bjerret në vitet e gjata në opozitë dhe në zbritjen e elektoratit për qëllime të ngushta. Zgjedhjet e fundit e treguan hapur.

Basha me fuqinë që ka tashmë te PD, me përpjekjen që i duhet në shtator të mbajë formacionin e tij, minierë e vërtetë kamje; për Çështjen “Berisha”; me imazhin që duhet të mbajë para partive simotra evropiane, që do e mbështesin kredon e korrupsionit nga SHBA, e me të cilën përballet Berisha e ka një rrugë të përcaktuar e detyruar se ku duhet të vazhdojë. Aty nuk e pengon askush dhe Rama nuk i zë pritë, përveç se i duhet të bëjë një lëshim të vogël, që ai do ta bëjë kinse i detyruar por fare e natyrshme në karakterin e tij, për ta ndarë udhën me Berishën. Ai do të ndajë udhën e tij me kryetarin historik edhe për të fituar pavarësinë vetanake nën atë tutelë cinike dhe hijerëndë të Berishës. Kjo do jetë fitorja e tij e vetme në këto kohë por edhe justifikimi për të gjitha humbjet e tjera, që janë hiç para distancimit me kryetarin Berisha! Nuk është vonë, që ai të fitojë dhe me këtë humbje jo të vogël për historinë e PD-së, që paskëtaj të krijojë historinë e tij. Atvrasja e Berishës, në fakt, do jetë thjesht, shmangie cinike për të fituar atë që ai nuk e mori dot me staturën e vet.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Vranësira dhe reshje shiu, parashikimi i motit për ditën e sotme

Vranësira dhe reshje shiu, parashikimi i motit për ditën e sotme