8 Marsi përmes politikës dhe urimeve të saj

Dita ndërkombëtare e gruas është shoqëruar me urime nga figura të njohura të politikës shqiptare por edhe nga aktivitete dhe dedikime për gratë e shtrenjta të jetës së tyre.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:26
8-Marsi në Berat/ Klosi mbjell pemë në kalanë shekullore të qytetit

8-Marsi është festuar  ndryshe në qytetin e një mbi një dritareve. Mesditën e sotme, ministri i Mjedisit Blendi Klosi, së bashku me gratë e forumit socialist dhe jo vetëm, ka mbjellë fidanë të rinj pishe në zonën e gjelbër të kalasë së qytetit, që është një nga qendrat historike më të frekuentuara nga turistët. Rreth 200 gra i janë bashkuar kësaj nisme duke mbjellë 150 fidanë të rinj, por edhe kanë bërë pastrimin e zonës përreth kalasë.

Ministri i Mjedisit,Blendi Klosi është shprehur se nënat dhe vajzat e forumit socialist dhe qytetit të Beratit vendosën ta festojnë sot 8 Marsin ndryshe, duke mbjellë pemë në kalanë shekullore të qytetit dhe duke e pastruar atë. Ish-kryetarja e gruas socialiste në Berat, Vjollca Hoxha, pasi ka uruar të gjitha gratë beratase për festën e tyre, është shprehur se, çdo pemë e mbjellë këtu sot është një jetë, në mënyrë që qytetin ta bëjmë sa më të bukur e të lulëzuar.

Ora 17:50
Manastirliu: Mbrojtje për gratë viktima të dhunës

“Me ndryshimet në ligjin për masat kundër dhunës në marrëdhëniet familjare, gratë do të marrin urdhër të menjëhershëm mbrojtje, për tu strehuar në institucionet tona të përkujdesit. Urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje do të marrin edhe fëmijët pavarësisht nëse ndaj tyre është ushtruar dhunë ose jo”.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, vizitoi sot Qendrën Kombëtare të Trajtimit të Viktimave të Dhunës në Familje, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas. E shoqëruar nga personazhe të njohur të ekranit dhe kinematografisë, Manastirliu bashkëbisedoi me gratë që marrin shërbime në qendër, ku vuri theksin te riintegrimi i tyre në shoqëri.

"Qendra Kombëtare e Viktimave të Dhunës në Familje shërben si një vend, ku fillon ndryshimi i jetës për secilën nga viktimat e dhunës në familje, pasi ato mbështeten me ofrimin e shërbimeve cilësore dhe me standarde, duke pasur si prioritet fuqizimin e grave dhe integrimin e suksesshëm në jetën normale të viktimave të dhunës në familje" - deklaroi ministrja. Gjatë vitit  2018  janë trajtuar 90 raste, nga të cilët 34 gra, së bashku me 56 fëmijë.

Ora 17:13
8-Marsi/ Mesi: Shqipëria shembull, lë pas shumë vende të BE

Ish-zv/ kryeministrja Senida Mesi ishte e pranishme në Mal të Zi ku u organizua seanca e veçantë plenare kushtuar grave në vendet e Ballkanit për fuqizimin e tyre & thellimin e bashkëpunimit. Mesi u shpreh se në përfaqësimin politik të grave, Shqipëria është shembull duke lënë pas edhe shumë vende anëtare të BE. 'Duhet rritje e bashkëpunimit mes vendeve në kontekstin rajonal. Është bërë plot, por duhet bërë edhe më shumë për edukimin, punësimin & emancipimin e vajzave & grave.

Nevojitet më tepër akses në financë, rritje e të drejtave të pronës & gjithëpërfshirje ekonomike. Në përfaqësimin politik të grave, Shqipëria shembull. Lë pas edhe shumë vende anëtare të BE. Në administratë publike, gratë zënë 50% të të punësuarve. Në biznes gjithashtu ka rritje të grave sipërmarrëse. Strategjia Kombëtare Gjinore ka dhënë rezultate inkurajuese në përparimin e të drejtave të grave" tha ajo.

Ora 16:40
Xhaçka feston 8-Marsin me gratë ushtarake: Jepuni zë edhe atyre që nuk kanë

Vajzat dhe gratë ushtarake të Forcës Tokësore, në takimin me rastin e 8-Marsit, organizuar në Zallherr bënë pjesë të tyren ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka si dhe Komandantët e Forcave.  Ato kanë marrë këtë të premten të gjithë vëmendjen, pasi  kolegët e tyre, burrat e djemtë u kujdesën për çdo detaj. Ministrja Xhaçka vlerësoi punën dhe përkushtimin e zonjave në Forcën e Armatosur, duke u kthyer në një model për shoqërinë shqiptare.

“Ndajeni eksperiencën tuaj me të tjerat! Vazhdoni të ngrini zërin për të drejtat tuaja, për gjithçka që ju takon dhe meritoni, por jepuni zë edhe atyre që nuk kanë. Tregojuni motrave, vajzave, mikeshave tuaja për sakrificat dhe vështirësitë, në të cilat u është dashur të kaloni, por edhe për sukseset që keni korrur, të cilat janë vërtetë të admirueshme, kur ke parasysh një profesion kaq jokonvencional për gratë edhe për vajzat. Tregojini peshën edhe nderin e uniformës që mbani veshur, tregojuni atyre se është e domosdoshme të kenë besim te vetja. Është e domosdoshme që të guxojnë, që është e domosdoshme të sakrifikojnë për të mbërritur ato gjëra që meritojnë,  jo vetëm në FA por në shoqërinë tonë”, tha ministrja në fjalën e saj.

Shifrat e viteve të fundit flasin për një numër në rritje të vajzave dhe grave në Forcën e Armatosur. Ato përfaqësojnë 13% e efektivëve në uniformë, më shumë se sa 17%  bashkë me vajzat dhe gratë që janë pjesë e stafit civil.  Aktualisht janë duke ndjekur studimet e larta në akademitë ushtarakë jashtë vendit si në SHBA, Angli, Itali, Gjermani, Turqi, Greqi, Kosovë,  të cilët përfundojnë studimet në vitet 2018 deri në vitin 2025  rreth 75 studentë. Nga ky kontingjent 14 janë gra e vajza dhe  61 janë meshkuj. Në rekrutimet për oficer te rinj të periudhës 2018-2019,  aktualisht janë 14 gra e vajza te cilat përbejnë 18.5 % te numrit te kandidateve për oficer.

Ora 14:37
Kryemadhi: Qoftë i dielltë si ky 8 mars çdo ditë e grave shqiptare

Kryetrja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka uruar gratë dhe vajzat në ditën ndërkombëtare të gruas. Ajo përmend sakrafikcat e një gruaje në Shqipëri e cila sakrfikon gjithçka për të mirën e familjes.

"Qoftë i dielltë si ky 8 mars çdo ditë e grave shqiptare! E nënave tona që me sakrificë sublime na kanë rritur e shkolluar në kushte tejet të vështira. E nënave dhe grave që vuajtën në ferrin komunist, që mes torturave dhe internimeve sakrifikuan për bijtë e tyre!

Qofshin të diellta të gjithë ditët e vitit për ato gra e vajza që përpiqen fort për familjet e tyre! Që çdo ditë sakrifikojnë për një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre. Për ato gra që shpesh harrojnë veten për familjet, që gjejnë kohën të jenë zonja të shtëpisë, nëna dhe bashkëshorte. Që janë të bukura në lodhjen e tyre dhe të shenjta në përpjekjet për të mbrojtur familjet! 
Qofshi të lumtura gratë e Shqipërisë kudo ku jeni! Zoti ju dhëntë forcë e kurajo për të përballuar sfidat e vështira të jetës. 

Ju jeni burimi i jetës dhe mishërimi i paqes, ndaj meritoni të keni çdo ditë nga një urim dhe falenderim për atë që jeni", shkruan Kryemadhi.

Ora 14:37
Basha tregon sakrificat e grave në vend: Meritojnë më shumë

Lideri demokrat Lulzim Basha ka bërë një urim në ditën ndërkombëtare të gruas. Ai ka quajtur 8 Marsin një ditë të veçantë për të reflektuar mbi sakrificën e të gjitha femrave në vend. Basha shkruan se 

"8 marsi është një ditë e veçantë për të kujtuar dhe reflektuar mbi sakrificën e përditshme të nënave, grave e vajzave në vendin tonë. Sakrificën për të përballuar kushtet e vështira ekonomike e pasigurinë, sakrificën për të rritur dhe edukuar fëmijët, sakrificën e përditshme të mijëra nënave për të siguruar ushqimin e mjaftueshëm për fëmijët e tyre, sakrificën për të gjetur një punë, sakrificën e atyre që punojnë në kushte të vështira e me paga të pamjaftueshme për të paguar as ujin e energjinë e rritu, për të kujtuar sakrificën e nënave që punuan një jetë, por pensionin e kanë të pamjaftueshëm edhe për të blerë ilaçe.

Kjo është edhe një ditë-reflektim për atë që duhet të bëjmë për gruan, për t’i garantuar një jetë më të mirë, vende pune me kushte dhe paga më të mira. Mundësi për arsimim të fëmijëve pavarësisht kushteve të tyre ekonomike. Ne do të bëjmë gjithçka për t’u dhënë mundësi grave të kenë peshën dhe rolin që meritojnë në shoqërinë tonë", shkuan Basha.

Ora 14:23
Braçe uron nënën e tij dhe jep një mesazh për gratë e dhunuara: Në paqe e në hall me burra që kurrë s'i deshën

Zv.kryeministri Erion Braçe ka ndarë me ndjekësit e tij një foto me nënën e tij duke e shoqëruar me një mesazh kundër dhunës dhe mënyrës sesi trajtohen femrat nga meshkujt. Braçe shkruan se nuk ka si femrat, pavarësisht se trajtohen si plaçka nga meshkujt, në të shumtën e rasteve.

Postimi i plotë i zv.kryeministrit, Erion Braçe

Nuk ka si ju!
Shendet e jete per vete,
me ne te gjithe me ju!

Si ju,
per cdo grua e vajze, nene a moter, bije,
kudo qe te jete, ne te mire e veshtiresi,
ne paqe e ne hall me burra qe kurre si deshen,
as si bashkeshorte e as si femije,
nuk i gezuan, i harruan e i dhunuan,
i shane e i fyen ne pazarin e urrejtjes,
vjetersise qe perhere i konsideroi placke e prone e kurre qeniet me te mira humane mbi dhe!

Ora 14:13
Cakaj homazh për gratë që frymëzuan breza, qëndruan fuqishëm para një regjimi mizor

Ministri në Detyrë për Punët e Jashtme, Gent Cakaj ka  zgjedhur që në ditën ndërkombëtare të gruas të bëjë një urim ndryshme. Ai ka kujtuar pëmes një postimi gratë shqiptare që dhanë jetën për liri dhe për emancipimin e shoqrisë. Cakaj i quan ato 'Gra që frymëzuan breza'. Ai e ka shoqëruar shkrimin me një foto të Musine Kokalarit, Marie Tucit, Slfixhe Ciut dhe Sabiha Kasimatit.

“Sot kujtojmë gratë shqiptare që dhanë jetën e tyre për liri, të drejtat e njeriut dhe emancipimin e shoqërisë sonë. Gratë që luftuan për mendimet e tyre dhe qëndruan fuqishëm para një regjimi mizor. Gratë që frymëzuan breza. Gëzuar 8 Marsin!”, shkruan Cakaj.

Postimi i Gent Cakaj
Ora 14:06
Berisha poston foton me bashkëshorten: Mirënjohje për më të mirat e familjeve dhe kombit

Ish-kryeministri Sali Berisha ka uruar ditën ndërkombëtare të gruas përmes një fotoje ku shfaqet krah bashkëshortes së tij, Liri Berisha. Ai shprehu një urim për të mirat e familjeve, shqoërisë dhe kombit.

"Gezuar 8 Marsin!
Miq, nje urim nga thellesite e zemres dhe mirenjohje te pakufishme per me te mirat e familjeve tona, shoqerise dhe kombit tone. Gezuar! sb", shkruan Berisha.

Ora 14:06
Një police në përditshmërinë e saj, Lleshaj uron 8 Marsin me një foto simbolike

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka zgjedhur një formë të veçantë për të uruar 8-Marsin.

Ai ka postuar një foto ku shfaqet një efektive policie e veshur me unifomë duke mbajtur për dore një vajzë të vogël me çantë shkolle, ndërkohë që vajza mban në duar një buqetë me lule.

'Gëzuar 8 Marsin' shkruhet mbi foton që ka postuar Lleshaj.

Foto e postuar nga Sander Lleshaj
//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Akuzat për përdhunim, arrestohen dy lojtarët e klubit të Premier League në Angli

Akuzat për përdhunim, arrestohen dy lojtarët e klubit të Premier League në Angli