TIRANË- Kreu i PD, Sali Berisha u paraqit sot në SPAK me kërkesë të Prokurorit Elvin Gokaj, i cili po zhvillon hetime paraprake mbi një kallëzim të gjyqtares Irena Gjoka. Procedimi penal i regjistruar vitin e kaluar, bazohet në nenin 318 të Kodit Penal, i cili parashikon ndër të tera si një vepër që dënohet deri me burgim, fyerjen e një gjyqtari për shkak të një çështjeje.

Neni 318 i Kodit Penal

Fyerja e gjyqtarit

Fyerja e gjyqtarit apo anëtarëve të trupit gjykues, prokurorit, avokatit ose anëtarit të arbitrazhit, për shkak të veprimtarisë së tyre në një çështje, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj.

Irena Gjoka, ka qenë gjyqtarja e hetimit paraprak për aferën Partizani, dhe po ajo ka vendosur dhe masat e sigurisë ndaj Berishës dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi. Gjyqtarja ka qenë shpesh objekt i sulmit nga Berisha dhe vajza e tij, ku një prej deklaratave për të cilën të janë marë në pyetje nga SPAK, është edhe akuza që kanë bërë në drejtim të Gjokës se ka marrë 500 mijë euro nga një ish-deputet i PS, Alket Hyseni për të mos e akuzuar për grup kriminal. 

Berisha u thirr si person që ka dijeni për çështjen dhe në ambientet e SPAK u fut rreth orës 10:00, duke e quajtur një institucion që bashkëpunon me krimin. Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme rreth orës 10:50, ish-kryeministri egërsoi gjuhën ndaj gjyqtares, duke e cilësuar Gjokën mashtruese ordinere, delikuente klasike dhe një person që sipas tij duhet të jetë në burg. Berisha thotë se magjistratrja bëri kallëzimin me urdhër të Edi Ramës dhe Altin ‘Troplinit’, duke iu referuar kreut të SPAK. 

"A ke ti ndonjë bisedë me Alket Hysenin ku flitet për 500 mijë euro ryshfet apo e ke Mirel Mërtirin. Këtë Irena me 5 mbiemra e ka marrë si fyerje dhe ushtrimin e funksionit timin publik si kryetar i partisë më të madhe opozitare. Një mashtruese ordinere, delikuente klasike, person që e ka vendin në burg, e nxitur nga Rama dhe Troplini ngre padi ndaj meje për fyerje", tha Berisha. 

Berisha tha se e ka pyetur publikisht gjyqtaren nëse ka ndodnjë bisedë me ish-deputetin e PS, Alket Hysenin ku flitet për 500 mijë euro ryshfet, por se nga e kishte marrë informacionin, të cilin ia faturoi sërish qytetarit dixhital, refuzoi ta thoshte duke mos dhënë asnjë provë për deklaratat e rënda.

"Informacionet unë i kam të shumëburimshme, por kurrë ndonjëherë burimi nuk do dalë sepse qytetari dixhital është sot burimi i vetëm si institucion për qytetarët shqiptarë", tha ai. 

Berisha shkoi edhe më tej me sulmet në drejtim të gjyqtares së posaçme, duke e quajtur virgjëreshë të drejtësisë.

“Më 4 mars 2024, KLGJ bën deklaratë të fuqishme në mbrojtje të Irena Gjokës në vend që ta hetonte atë dhe vetëm sa nuk i thotë virgjëresha e drejtësisë. E mbron”, tha Berisha.

Nuk u tërhoq nga kjo gjuhë edhe pse iu kërkua nga gazetarët.

“Së pari, sipas kësaj logjike, në qoftë se një grua tradhton, ajo nuk quhet tradhtare. Në qoftë se një grua vjedh, ajo nuk quhet hajdute. Në qoftë se një grua kryen krim, ajo nuk është kriminele. Çfarë mendon ti, se shenjtëria e gruas mund të përdoret për të mbuluar krimet?”, tha Berisha.

Çështja është në hetim paraprak, por mund të përfundojë deri në akuzë penale për Berishën apo vajzën e tij, edhe kjo e fundit është pyetur nga SPAK më 9 janar 2025 si person që ka dijeni mbi këtë çështje. Njëjti si i ati edhe Argita Malltezi, bëri pirueta duke i bëri bisht deklaratave të saj dhe u tërhoq, duke thënë se ka ngritur pyetje dhe i është referuar medias.

Neni 318 i Kodit Penal

Fletëthirrja e SPAK për Berishën 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:50
Iu referua gjyqtares Irena Gjoka me termin ‘virgjëreshë e drejtësisë’, Berisha debat me gazetaren: Ti thua se një grua që tradhton nuk quhet tradhtare?

 

Sali Berisha shfrenoi gjuhën ndaj Irena Gjokës pasi u paraqit në SPAK për kallëzimin e bërë për shpifje nga gjyqtarja ndaj tij dhe së bijës Argita Berisha. Por teksa në prononcimin me gazetarët iu kërkua që të tërhiqej nga deklarata e tij ndaj gjyqtares, së cilës iu referua si “virgjëreshë e drejtësisë”, Berisha vazhdoi më tej.

Berisha iu drejtua gazetares Klodiana Lala se sipas logjikës së saj një grua që tradhton nuk mund të quhet tradhtare apo që vjedh s’mund të quhet hajdute.

“Së pari, sipas kësaj logjike, në qoftë se një grua tradhton, ajo nuk quhet tradhtare. Në qoftë se një grua vjedh, ajo nuk quhet hajdute. Në qoftë se një grua kryen krim, ajo nuk është kriminele. Çfarë mendon ti, se shenjtëria e gruas mund të përdoret për të mbuluar krimet? Përkundrazi, qenia grua përbën një standard moral më të lartë për të qëndruar më larg krimit. Dhe ato të cilat turpërojnë gruan, turpërojnë gruan dhe njeriun. Sepse të dalësh dhe të thuash se nuk jam dënuar ndonjëherë, në një kohë kur ekziston me vulë apostile dokumenti i dënimit, ke fshehur një krim.

Të gënjesh në shtet që nuk jam dënuar, ke kryer një krim. Të parat që duhet të distancohet nga ky soj grash, që të mos mbiftë në shtet, jo më në shtëpi, duhet të jenë gratë. Gratë kanë pa diskutim standardet më të larta, nuk ka diskutim këtu dhe e meritojnë, por kur tejkalojnë çdo lloj standardi, ato turpërojnë shumë keq gjininë e tyre në radhë të parë.”, tha Berisha.

Ora 11:33
Berisha sulmon gjyqtaren Gjoka: Irena me 5 mbiemra e konsideron fyerje pyetjen që i unë i bëj, bëri kallëzim me urdhër të Ramës dhe Altin Toplinit

 

Pas u mor në pyetje nga SPAK për kallëzimin e Irena Gjokës për shpifje, Sali Berisha egërsoi sulmin ndaj gjyqtares, ndërsa tha se kallëzimin e ka bërë me urdhër të Ramës dhe Altin Troplinit.

“Irena Gjoka, e cila ka në CV-në e saj një seri veprash penale të rënda, një mashtruese ordinere, një gënjeshtare në formularin e dekriminalizimit, një gjykatëse që duhej të shkonte në burg dhe jo në gjykatë, për shkak se është e dënuar me burg, ndjehet e fyer pse unë i bëj një pyetje publike.

Nuk është kjo çështje se Irena dhe Dumani janë si tenxherja dhe kapaku. Janë si binjakë siamezë në moral dhe çdo gjë. Por këtu është problemi i një sistemi të ngritur nga Edi Rama dhe të keqpërdorur në shkallën me ekstreme. E kuptoni ju edhe njëherë, Irena me 5 mbiemra, me dënime, me dëbime, e mashtrime, delinkuente, konsideron fyerje pyetjen që i unë i bëj. Me urdhër të Edi Ramës dhe Altin Troplinit, ajo bën kallëzim ndaj meje. Tani, ky është sistemi”, tha Berisha.

Ora 11:13
Berisha vazhdon sulmet ndaj Dumanit: Altin Troplini dhe Edi Rama s’donin të arrestoheshin bosët e drogës, punonin ditë e natë për vota në Durrës

 

Kreu i PD, Sali Berisha vazhdoi akuzat edhe ndaj kreut të SPAK Altin Dumani, duke e akuzuar se qëndron pas vonesës së operacionit Ura, për të bërë të mundur largimin e anëtarëve të bandës së Troplinëve.

“Altin Dumani dhe Edi Rama nuk donin që të arrestoheshin bosët e kartelit se punonin ditë e natë për vota në Durrës. I kemi denoncuar me dhjetëra herë, edhe darkat e tyre në Kodrën e kuajve dhe drekat në shtëpinë e Vangjushit. Dumani në qiell e tokë të hipë e zbresë do të quhet Troplin. Ai është gjë tmerrësisht e rëndë. Njëlloj si Hajri, kush e kishte. Flitet për një shumë të madhe, personalisht për Dumanin e Hajrin, dhe Altin Hajri që këta thonë se është në kërkim, merr leje ndërtimi para një viti me firmën e Edi Ramës.

Ai bërë fushatë aktive, kërcënoi deputeten tonë. Ndaj edhe mediat, i ftoj të bëjnë një rishëqyrtim të qëndrimeve ndaj narkoshtetit, jo ju të kronikave rrezikoni në një farë mënyre. Ka të tjerë doktrinarë....ka banalistë, mercenarë, që duan, paguhen dhe ushqehen nga narkoshteti dhe duan të mohojnë ekzistencën e narkoshtetit. Shqipëria është narkoshtet i mirëfilltë i cilësuar nga mediat më serioze, nga analistë e dokumentarë, institucione defakto del në pah fytyra e shëmtuar e narkoshtetit. “, tha Berisha.

Ora 11:07
‘Virgjëreshë e drejtësisë’, Berisha: KLGJ gënjeu se s’ka pasur shkarkim të Irena Gjokës në ’96! Gjykatëse që duhet të shkonte në burg, jo në gjykatë

Kreu i PD Sali Berisha, pasi doli nga SPAK, vijoi sulmet ndaj gjyqtares Irena Gjoka, e cila ka bërë kallëzim penal për shpifje. Sulmoi edhe KLGJ teksa tha se gënjeu duke thënë se nuk ka pasur një vendimmarrje se Gjoka ishte shkarkuar në vitin 1996 nga KLD.

Duke iu referuar me termin “virgjëreshë e drejtësisë”, Berisha tha se Gjoka duhet të ishte në burg dhe jo në gjykatë.

“Me datë 26 tetor, avokatët e mi kërkojnë dorëheqjen për konflikt interesi meqenëse ishte shkarkuar nga KLD në ‘96 me firmën e Berishës. Por Irena nuk pranoi të japë dorëheqjen sepse tha se nuk keni dokument për këtë gjë. Pyetja a keni dokument nuk kishte rëndësi se ishte shkarkuar. Në nëntor 2023, KLGJ iu jep avokatëve të mi vendimin e KLD për shkarkimin e Irena Gjokës, KLD iu dorëzoi avokatëve vendimin që Këshilli i Lartë i Drejtësisë kishte marrë për shkarkimin e saj në ‘96. Por dëgjoni fytyrën e KLGJ, dy javë më vonë KLGJ gënjen deputetet e PD duke shkruar se kinse nuk ka vendimmarrje të KLD në ‘96. E kuptoni se çfarë malli dhe llumi njerëzor janë këta. Dy javë para dorëzojnë dokumentin, më pas iu thonë deputetëve nuk ekziston dokumenti. Pas dy javësh çfarë t’u thuash, vetëm llum shteti mund t’u thuash, i gënjejnë deputetët duke shkruar se nuk ka vendimmarrje KLD në ‘96. Në dhjetor 2023, kërkesa e avokatëve për dorëheqje dhe konflikt interesi meqenëse ishte shkarkuar nga KLD në ‘96, Irena me 5 mbiemra nuk pranoi se tha është vendim kolegjial. Në Mars 2024, gazeta greke Ta Nea boton shkrimin se Gjoka është dëbuar nga Greqia, por mediat e PS në kor, me në krye Idajet beqirin dhe Frrok Çupin, shkruajnë se shkrimi është porositur nga Tirana. Më 4 mars 2024, KLGJ bën deklaratë të fuqishme në mbrojtje të Irena Gjokës në vend që ta hetonte atë dhe vetëm sa nuk i thotë virgjëresha e drejtësisë.  E mbron. Mediat e Ramës shpikin një letër nga policia se nuk është i vërtetë lajmi për Gjokën. Më 4 maj 2024, Protothema nxjer vendimin e gjykatës për dëbimin e Gjokës nga Greqia. Më 7 maj, Prokuroria e Përgjithshme deklaron se po nis hetimin e thelluar thotë Olsi problematik. Me 14 maj, hetim pa rezultat se kërkesat e prokurorisë kalojnë nga Ulsi Manja i cili bën atë që don. Më 2 maj 2025, gjykata e Janinës lëshon vendim me vulë apustile, jo vetëm për dy dëbime të delinkuentes falsifikatore, Irena simbol i narkoshtetit dhe Ramës, por edhe vendimin e formës së prerë të dënuar nga gjykata e Janinës. Më 5 maj 2025, paraqita para jush dokumentin me vulë apustile, që faktonte se gjykata e Janinës e kishte dënuar atë 3 muaj burg. Me 6 maj 2025, del prokura që mashtruesja Irena Gjoka e cila betohej se nuk kishte asnjë dënim ...më falini mohon që të jetë dënuar dhe dëbuar nga Greqia në një intervistë për Birn. Më 6 maj del prokura e vitit 2023, që Gjoka kishte lëshuar për të marrë avokat që të kundërshtonte vendimin e dëbimit nga Greqia. Më 8 maj i kërkojmë KLGJ shpalljen për mbarimin e mandatit të Gjokës. Prokuroria fshihet pas asaj Ulusi Vuittoni apo 500 mijë euro edhe ky, me regjistrim, nuk jep përgjigje. Në qershor 2025 del se Gjoka jo vetëm që është dëbuar dy herë nga Greqia, por ka dënim penal të formës të prerë, ka falsifikuar formularin e dekriminalizimit, ka gënjyer në vetting për të justifikuar 60 mln lekë të paligjshme, duke paraqitur një kontratë të ’96 mes burrit dhe vëllezërve të saj. Pra Irena Gjoka, e cila ka në CV e saj një seri veprash penale të rënda, mashtruese ordinere dhe gënjeshtare në formularin e dekriminalizimit, një gjykatëse që duhet të shkonte në burg dhe jo në gjykatë, ndihet e fyer pse unë i bëj pyetje publike.", tha Berisha.