Biznesmeni i Berishës fiton
tenderin 40 milionë euro

Biznesmeni i Berishës fiton<br />tenderin 40 milionë euro
Shqiptarja.com zbardh dokumentet e të vërtetës së tenderit për fibrat optike në Shqipëri, një skandal që ka nisur vitin e kaluar, dhe çoi në sherr dy ministri dhe dy ministrat (Olldashi dhe Pollo), një tender me vlerën e 40 milionë eurove. Në 23 gusht të vitit 2009, ministri Olldashi me lejen administrative nr.120 “Për dhënien me kundërshpërblim të të drejtës së përdorimit të aksit rrugor kombëtar” autorizon kompaninë ATU (Albanian Telecommunication Unit) për shtrimin e fibrave optike.

Pavarësisht sherreve që kanë pasur me njëri tjetrin Pollo dhe Olldashi se kush do të bënte tenderin prej 40 milionë eurosh, dhe pavarësisht faktit se prokuroria e Përgjithshme, me kërkesë të ministrit Olldashi, mbylli në 17 tetor të këtij viti hetimet për situatën monopol në dhënien e kësaj lejeje administrative, duket se pas 40 milionë eurove, nuk është se fshihet dot më një biznesmen i fuqishëm, i lidhur drejtpërsëdrejti me kryeministrin Sali Berisha, Bashkim Ulaj.

ÇFARË KA NDODHUR
Albanian Telecommunication Union (ATU) është kompania fituese ekskluzive e ankandit publik për tenderat optikë të rrugëve kombëtare, e cila sic e përmendëm, jepet në shkresën 120 të datës 23 gusht 2010 të ministrit Sokol Olldashi.

Ndërsa TIRANA DATACOM (e cila del për herë të parë në media si kompani që po merret drejtpërsëdrejti me fibrat optikë) është një kompani private e themeluar në Tiranë dhe që lidhet me ATU nëpërmjet marrëdhënieve aksionere që kanë të dyja kompanitë me kompaninë qipriote Tispole ltd.

ATU është kompania e themeluar në 24 shkurt 2010 me aksioner themelues Isuf Ahmetaj, një shtetas shqiptaroamerikan. Ndërsa TIRANA DATACOM është një kompani e themeluar në 7 maj 2010 me aksionerë fillestarë ATU me 70 përqind të aksioneve dhe Tispole ltd
me qendër në Qipro me 30 përqind të aksioneve.

Pasi kompania ATU ka fituar tenderin më 23 gusht 2010, pas fitimit të tenderit kanë ndodhur këto ndryshime në dy kompanitë.

Në kompaninë ATU: më 14 dhjetor 2010, ka hyrë aksionere kompania Tispole ltd me 20 përqind të aksioneve, shtetasi Foto Zbogo me 20 përqind të aksioneve, ndërsa shtetasi Isuf Ahmetaj ka ngelur me 60 përqind të aksioneve. Më 9 gusht të 2011, kompania qipriote Tispole Ltd
tërhiqet dhe shtetasi Ahmetaj kalon aksioner me 80 përqind të aksioneve, ndërsa Foto Zbogo vazhdon të mbajë 20 përqind të aksioneve.

Në kompaninë TIRANA DATACOM: Në datën 21 shtator 2010, (një muaj pas tenderit), nga kompania Tirana Datacom është tërhequr kompania ATU dhe aksionet e saj, 70 përqind, i shiten shtetasve Bashkim Ulaj dhe Foto Zbogo. Konfigurimi i ri i kompanisë bëhet: Bashkim Ulaj 40 përqind të aksioneve, Foto Zbogo 20 përqind dhe kompania qipriote Tispole ltd me 30 përqind. Në datën 8 nëntor 2011 kompania qipriote Tispole Ltd tërhiqet nga kompania Tirana Datacom dhe aksionarët e mbetur janë, Bashkim Ulaj me 70 përqind të aksioneve dhe Foto Zbogo me 30 përqind të aksioneve.

SHQYRTIMI I DOKUMENTEVE
Dy kompanitë i lidh prezenca para tenderit e kompanisë qipriote Tispole ltd dhe "zhdukja" e kompanisë qipriote pas tenderit, sikurse duket
qartë nga ndryshimet që ato kanë pësuar në QKR. Dy kompanitë i lidh gjithashtu shtetasi Foto Zbogo, i cili ngelet prezent te të dyja, ndërsa operimi mes aksionerëve të dy kompanive dhe kombinimi i tyre në shitblerjen e aksioneverespektive para dhe pas tenderit, qartazi duket se është i njëjti person.

Në të dyja rastet kur kompania Tispole ltd është tërhequr nga aksionet e saj, aksionet i janë shitur shtetasit Bashkim Ulaj (për Tirana DATACOM) si dhe Isuf Ahmetajt (në kompaninë ATU) ndërkohë që dihet se Ulaj dhe Ahmetaj kanë lidhje familjare mes tyre.

Praktika tregtare e të dyja kompanive në QKR tregon se të afërm të tjerë të zotit Ulaj dhe Ahmetajt kanë bërë dorëzimin e dokumenteve për
të dyja kompanitë në fjalë, siç është rasti i zonjës Artila Ulaj, e cila rezulton si përfaqësuese ekskluzive e kompanisë ATU gjatë themelimit të kompanisë Tirana Datacom.

Kush është kompania Tispole lid
Praktikisht kompania TISPOLE ltd është e regjistruar në shtetin e Qipros, shtet i cili nuk bën transparencë mbi pronarët e kompanive që regjistrohen aty. Me gjithë këtë fakt veprimet e shitblerjes të bëra nëpërmjet kompanisë qipriote, tregojnë se TISPOLE ltd në Qipro kontrollohet në një pjesë të saj nga vetë Bashkim Ulaj dhe Isuf Ahmetaj të cilët nëpërmjet Qipros kanë shitur aksione në Tiranë për veten e tyre.

Kompania TISPOLE ltd ka siguruar anonimatin e emrit të Ulajt gjatë tenderit por edhe kontrollin e tërthortë të tij mbi kompaninë ATU e cila ishte duke pretenduar koncesionin e fibrave optike, ndonëse shtetasi Isuf Ahmetaj është i afërt me Ulaj, duket se nëpërmjet kombinacionit të kompanive, vetë Ulaj ka patur çdo gjë nën kontroll me dorën e tij nëpërmjet kompanisë qipriote TISPOLE ltd.

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Zhdukja e 3-vjeçarit, gjyshi dhe kunati i tij dalin para Gjykatës së Durrësit! Pamjet brenda kafazit të qelqtë

Zhdukja e 3-vjeçarit, gjyshi dhe kunati i tij dalin para Gjykatës së Durrësit! Pamjet brenda kafazit të qelqtë