Blerina Shalari, fryma homerike në një koncert! 15 artistë performojnë, në skenë dhe e motra, kompozitorja: Arti s’njeh limite, i do të gjithë shpirtrat!

“Homeriada’ është një katharsis për çdo njeri që e dëgjon, që e ndjen, sepse arti nuk përzgjedh, arti i do të gjithë shpirtrat, pavarësisht sesi janë...”, shprehet studiuesja dhe kompozitorja Blerina Shalari.

Dramë dhe muzikë, qendra kulturore e Katedrales Ortodokse pushtohet nga fryma homerike... 

“Kam menduar që këtë mbrëmje t’ia kushtoj poetit Homer, ringjalljes së tij, pasi kemi shumë nevojë për mesazhet e dijetarit të lashtë, e mendjes që i dhuroi dritë gjithë njerëzimit”, shprehet Shalari.

Mbi 8 vjet krijimtari, kompozitorja Blerina Shalari ia propozon publikut mbrëmjen e së mërkurës në koncertin e saj “Homeriada”...

“‘Homeriada mund të quhet edhe një akt emancipimi për shoqërinë shqiptare, që ka vendosur më në fund ti thyejë të gjitha limitet sepse arti është zemërgjerë, arti i pranon të gjithë”, shprehet Shalari.

Janë15 artistë që përçojnë në skenë frymën e saj homerike, përmes epizmit të valles, dramacitetit të violonçelit a lirizmit të violinës.... Në skenë bashkë me të, është edhe e motra Alda, e cila i njeh mirë barrierat për të cilat Blerina flet.

“Janë solistë të Teatrit të Operas dhe Baletit, është aktori i Teatrit Kombëtar Dritan Boriçi, mësuesja ime e pianos Ingrid Pulizo, që ka një jetë në skenë dhe e ka marrë me shumë përgjegjësi këtë punë. Është mikja ime Ardita Bufaj e të tjerë artistë që janë aktivë në jetën skenike”, shprehet më tej Shalari.

U është mirënjohës, që e ndihmuan të shpalosë talentin, por mbi të gjitha, të tregojë se vlerat shpirtërore e intelektuale, thyejnë çdo barrierë, qoftë edhe pamundësinë për të shikuar...

“Dikur mendohej një tabu, që njerëzit të cilët kanë disa limite ta prekin skenën. Sot ajo tabu jo vetëm që është thyer, por është shkrirë falë këtyre artistëve që janë tashmë dhe miqtë e mi”, thotë më tej.

Në kërkim të kësaj harmonie e paqeje, pjesa e dytë e koncertit përshkohet nga melodrama “Homeriada”, duke rimarrë subjektin e Luftës së Trojës.

“Ideja është që ‘Lufta e Trojës’ po vazhdon dhe ajo nuk duhet të jetë ‘Lufta e Trojës’ por Lufta e Paqes”, shton kompozitorja.

Në këtë mbrëmje të veçantë, emocionet kanë kapluar edhe familjen e Blerinës. Veçmas prindërit, që janë gjithmonë pranë saj për ta mbështetur.

“Padyshim si për çdo artist, familja ka një rol të jashtëzakonshëm në formimin tim. Ata jetojnë me hallet, vuajtjet e mia për artin, me gëzimet e sakrificat e mia... dhe një faleminderit është shumë e varfër për ta!”, tregon Shalari.

Pavarësisht dallimeve, asnjë prej të pranishmëve, nuk mund të qëndrojë ‘imun’ ndaj dritës homerike që Shalari u dhuroi me koncertin e saj...

Ka një refren të ‘Homeriadës’ që thotë “Ah sikur të zgjohet njeriu nga vetja!” ...Me pak fjalë kemi nevojë ta kthejmë pasqyrën nga vëtja dhe të reflektojmë për atë që jemi,  apo atë që duhet të jemi “, shprehet ajo.

SI.E./E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?



×

Lajmi i fundit

Vranësira dhe reshje shiu, parashikimi i motit për sot

Vranësira dhe reshje shiu, parashikimi i motit për sot