KILLINGTON, Vermont (SHBA) - Pasi një javë më parë siguroi për herë të parë podiumin në Botërorin e Skive dhe ia doli të nderonte Shqipërinë në garën e Austrisë, 18-vjeçarja Lara Colturi ka bërë mirë edhe në garën e katërt të sezonit.
Në pistën e Killington në SHBA, italo-shqiptarja u rendit në pozitën e nëntë në disiplinën e Slalomit Gjigant, duke i shtuar vetes 29 pikë në renditjen e përgjithshme.
Në lëshimin e parë, skiatorja Colturi e mbylli në pozitën e 11-të, me 1.31 sekonda pas vendit të parë. Lëshimi i dytë nuk shkoi si duhet, pasi Lara u rendit e 16-ta.
Në total Colturi zuri pozitën e nëntë me 2.54 sekonda pas vendit të parë që u sigurua nga suedezja Sara Hector. Në podium edhe Zrinka Ljutic e Kroacisë dhe Camille Rast e Zvicrës. Për t'u theksuar se superkampionia amerikane Mikaela Shiffrin nuk mundi ta mbyllte garën dhe kështu nuk ia doli të siguronte fitoren e 100-të në karrierë.
Të dielën do të jetë një tjetër garë emocionuese kësaj here në Slalom ku pritet një tjetër rezultat në top 10 për Larën e cila është “abonuar” midis 10 më të mirave të Botës.
Tanimë Colturi do përgatitet edhe për garën e radhës (e pesta e Botërorit) e cila zhvillohet më 7-8 dhjetor në pistën e Tremblant në Kanada.