Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, zhvilloi sot një takim me Komisionerin Europian për Punët e Brendshme dhe Migracionin, z. Magnus Brunner, ku rikonfirmoi angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për përmbushjen e detyrimeve të Kapitullit 24 dhe forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe migracionit.
Ministrja u shpreh se Shqipëria po ecën me vullnet të qartë politik dhe me vendosmëri në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian, duke avancuar reformat kyçe në fushën e rendit, sigurisë dhe menaxhimit të migracionit.
Gjatë takimit, ajo informoi Komisionerin Brunner mbi hapat konkretë dhe progresin e arritur. Ndër to, veçoi finalizimin e kuadrit të ri strategjik për sigurinë dhe migracionin, forcimin e kuadrit ligjor kundër krimit të organizuar, përmes operacionalizimit të Zyrës së Rikuperimit të Aseteve.
Gjithashtu, Koçiu theksoi rritjen e hetimeve dhe operacioneve policore kundër trafikimit të emigrantëve, pastrimit të parave dhe gjurmimit të aseteve të krimit, në bashkëpunim të ngushtë me EUROPOL, FRONTEX, INTERPOL dhe partnerë të tjerë.
Ulja e flukseve të migracionit të parregullt, sipas statistikave kombëtare e të BE-së, u konsiderua si rezultat i kontrolleve dhe bashkëpunimit operacional të shtuar.
Ministrja Koçiu vlerësoi mbështetjen politike dhe teknike të KE-së dhe nënvizoi se Shqipëria do të mbetet një partner i besueshëm dhe plotësisht i angazhuar për sigurinë dhe stabilitetin e Europës.
Komente










