DËMET në institucione/ Mbyllen gjykatat Tiranë, Durrës e Lezhë! Çarje muresh edhe te Kuvendi e prokuroria

DËMET në institucione/ Mbyllen gjykatat Tiranë, Durrës e Lezhë! Çarje muresh edhe te Kuvendi e prokuroria

Dëmet që ka pësuar Kryesia e Kuvendit

Tërmeti që goditi Shqipërinë në 26 nëntor nuk ka kursyer as institucionet shtetërore, gjykatat, prokuroritë dhe Kryesinë e Kuvendit. KLGJ-ja ka vendosur mbylljen e gjykatave të Tiranës, Durrësit dhe të Lezhës për shkak të dëmeve që kanë pësuar godinat. E dëmtuar është edhe prokuroria e Tiranës.

Report Tv sjell pamjet brenda Kryesisë së Kuvendit, që tregojnë dëmtimet që ka pësuar edhe kjo godinë nga lëkundjet e forta të mëngjesit të së martës, por edhe në vijim me pasgoditje, që kanë vijuar edhe sot. Në disa prej zyrave dhe korridorin e këtij institucioni janë çarë muret dhe ka rënë suvaja, por nuk paraqesin rrezikshmëri duke bërë që puna e komisioneve të vijojë normalisht.

Ndërkohë që përveç këtyre institucioneve, stafi i Doganës së Tiranës u evakuua që ditën e parë të tërmetit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:11
Veliaj: Mbi 90% e shkollave, kopshteve dhe çerdheve nuk kanë probleme

Rreth 90 për qind e shkollave, kopshteve dhe çerdheve publike në Tiranë nuk kanë pësuar dëmtime nga tërmeti i 26 nëntorit dhe mësimi do të rinisë normalisht. Kurse, fëmijët që mësojnë në shkollat e dëmtuara do të zhvendosen në ato më të afërta, në mënyrë që askush të mos mbetet pas me mësimet.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ishte sot në shkollën “Musine Kokalari” në Kombinat, e cila është dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit, nga ku tha se fatmirësisht shumica dërrmuese e shkollave nuk kanë pësuar dëmtime. Ndërsa, për pjesën tjetër të institucioneve arsimore që kanë probleme, shtoi se ato që janë vlerësuar si të papërshtatshme për t’u riparuar, do të prishen, kurse ato me dëmtime më të vogla do të rikonstruktohen.

“Lajmi i mirë është se mbi 90% e godinave në Tiranë për shkolla, kopshte dhe çerdhe nuk kanë probleme. Ama, në atë pjesë ku ka probleme do të duhet të marrim disa vendime. Vendimet janë këto: dy shkollat në Pezë dhe në Pezë të Vogël do të prishen sepse nuk mbajnë më, janë struktura të vjetra, të bëra në vitet e skamjes, që nuk mbajnë më rikonstruksion. Për këto vendimi është marrë. Për disa shkolla si “Musine Kokalari”, “Ramazan Jarani”, “Lasgush Poradeci” na duhet të bëjmë një vëzhgim akoma më të thelluar”, u shpreh Veliaj.

Ai njoftoi se në kryeqytet po punohet me dy mega-skuadra: një skuadër po bën verifikimin e pallateve, kurse tjetra po merret me verifikimin e institucioneve arsimore. “Një skuadër po verifikon të gjithë pallatet me probleme, ku është ndërtuar, le të themi, poshtë një oxhaku që po bie, të cilin e çmontojmë. Jemi duke punuar te “Kafja e Rremës”, te Qyteti Studenti, në disa godina të vjetra në zonën e Shallvareve, te Fresku, kryesisht aty ku janë shembur oxhaqet dhe ku duhen hequr tullat dhe tjegullat një nga një. Zjarrfikësit po bëjnë një punë heroike majë çative dhe pikave problematike, jo vetëm për banorët, por edhe për kalimtarët, duke qenë se janë rrugë shumë të zëna. Sigurisht, në terren janë edhe inxhinierët që po verifikojnë pallatet. Ndërkaq, skuadra tjetër po merret kryesisht me shkollat, kopshtet dhe çerdhet”, tha Veliaj.

Sipas tij, brenda ditës së nesërme do të ketë një panoramë më të qartë dhe përfundimtare të gjendjes së çerdheve, kopshteve dhe shkollave që nuk paraqesin asnjë rrezik dhe ku mund të rinisë normalisht mësimi, ndërsa për pjesën tjetër ku ka nevojë për riparime apo prishje të godinës ekzistuese, fëmijët do të transferohen në shkollat më të afërta. “Të martën në darkë do të bëjmë një deklaratë për të gjitha shkollat, kopshtet, çerdhet, që do të hapen. Qëllimi ynë është t’i hapim të gjitha, edhe “Musine Kokalarin”, por duke vijuar me turnin e dytë tek “Betim Muço”, që ndodhet në anën tjetër të rrugës. Fati i madh është se kemi më shumë shkolla të reja. Kemi sot shkollën “Betim Muço”,Ardian Klosi”, “Hoxha Tahsin”, “Kosova”, “Servete Maçi”. Pra, kemi mjaftueshëm shkolla të reja me një turn, ku shkolla ngjitur që mund të jetë dëmtuar, të kalojë rrugën për të vijuar mësimin”, tha Veliaj.

Sa i takon institucioneve arsimore private do të jetë Ministria e Arsimit ajo që po bën verifikimet për gjendjen e tyre dhe që do të përcaktojë se cila prej tyre nuk paraqet asnjë rrezik.

“Për sa i përket shkollave private, filluar nga licencimi, inspektimi dhe kontrolli, është kompetencë e Ministrisë së Arsimit. Në dijeninë time, Ministria e Arsimit ka ngritur grupe që po certifikojnë edhe godinat e shkollave private. Për të gjithë prindërit e Tiranës që i kanë fëmijët në shkollat private, drejtoria e këtyre shkollave private duhet të marrë “ok” e Ministrisë së Arsimit. Kështu i kemi ndarë dhe punët: Bashkia ka shkollat, kopshtet, çerdhet publike, kurse Ministria ato private. Bashkia do të certifikojë sigurinë në shkollat tona, Ministria në shkollat private, që të sigurohemi që të mërkurën në 90% të godinave që nuk kemi pasur asnjë problem, mësimi të vazhdojë normalisht; në ato godina që ju përmenda, ku kemi pasur probleme, do të bëjmë një transferim tek shkolla më e afërt. Në rastin konkret, do të bëjmë vetëm kalimin e rrugës, nga “Musine Kokalari” tek ‘Betim Muço’”, tha Veliaj.

Ai theksoi gjithashtu se e rëndësishme është edhe puna që duhet të bëjnë psikologët dhe punonjësit social në çdo shkollë me fëmijët, për t’i sqaruar se tashmë emergjenca ka kaluar dhe çdo gjë vijon në normalitet. “Ajo që kam kërkuar dhe që do të bëjmë me shërbimet sociale është se në çdo shkollë të kemi psikologët tanë që punojnë me fëmijët. Do të na ndihmojnë edhe mësuesit, edhe qeveria e nxënësve, për të shpjeguar se ajo që ndodhi ishte një fatkeqësi natyrore, diçka për të cilën duhet të jemi gjithmonë e më të përgatitur. Do të vazhdojmë me trajnimet e fëmijëve, si me evakuimet, edhe për t’i bërë ballë çdo lloj rasti tjetër; unë besoj se Tirana, por edhe Shqipëria, do të dalë më e fortë nga kjo histori. Kjo është një fatkeqësi, por është edhe një mundësi për të korrektuar gabimet e së kaluarës, për t’u përgatitur më mirë për të ardhmen”, tha Veliaj.

Në Kombinat kryetari i Bashkisë së Tiranës takoi edhe disa nga familjet që janë strehuar përkohësisht në ambientet e shkollës “Betim Muço”, për shkak se banesat e tyre janë bërë të pabanueshme. Në këtë qendër sociale shërbehet ushqim dhe ka kushte komode për fjetje. Bashkia e Tiranës do të trajtojë me bonus qiraje për 1 vit të gjitha familjet, të cilave tërmeti ua ka bërë të pabanueshme shtëpitë.

Ora 15:56
Ministrja Shahini tek shkolla '4 Dëshmorët': Mësuesit, plan për dalje emergjente të nxënësve në rast rreziku

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Besa Shahini ka zhvilluar një takim me mësuesit e shkollës 9-vjeçare “4 Dëshmorët” në Tiranë.

Nisur nga situata e krijuar prej tërmetit të 26 nëntorit, Shahini njofton se mësuesit sot dhe nesër do zbatojnë udhëzimin e nxjerrë nga Ministria që konsiston në planin e daljes emergjente.

Ajo vijon më tej kur sqaron se këto plane në nivel duhet të rakordohen me drejtorin për plan të daljes emergjente në nivel shkolle, i cili printohet dhe postohet në një vend të dukshëm ne koridor.


“Në shkollën 9-vjeçare “4 Dëshmorët” Tiranë, me mësuesit që zbatonin udhëzimin tonë të masave që secila shkollë duhet të ndërmarrë në rast tërmeti.

Secili mësues duhet të ketë një plan të mbrojtjes fillestare të nxënësve në klasën e saj si dhe planin e daljes emergjente. Këto plane në nivel klase duhet të rakordohen me drejtorin për plan të daljes emergjente në nivel shkolle, i cili printohet dhe postohet në një vend të dukshëm ne koridor. Kjo është puna që po bëjnë mësuesit sot dhe nesër për t’u përgatitur për rifillimin e mësimit”, është shprehur Shahini.

Ora 14:44
Godinat dëmtohen nga tërmeti/ Mbyllen gjykatat në Tiranë, Durrës dhe Lezhë

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur mbylljen e të gjitha gjykatave në Tiranë, Durrës dhe në Lezhë për shkak të dëmtimeve që kanë pësuar nga lëkundjet e forta të tërmetit. Vendimi është marrë ditën e sotme nga KLGJ-ja.

Vendimi i plotë i marrë sot në 2.12.2019
Për Pezullimin E Veprimtarisë Dhe Shërbimeve Gjyqësore Në Gjykatat E Qarqeve Durrës, Tiranë Dhe Lezhë

Këshilli i Lartë Gjyqësor bazuar në nenet, 147/1, 147/a, pika 1 germa “d” të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në nenin 61 të ligjit nr.115/2019 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, në ligjin nr. 45/2019 “Për mbrojtjen civile”, në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 750, datë 27.11.2019 “Për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në qarqet Durrës dhe Tiranë”, të ndryshuar,

VENDOSI:

Pezullimin e veprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore në gjykatat të cilat ushtrojnë veprimtarinë e tyre në qarqet Durrës, Tiranë dhe Lezhë, për shkak të gjendjes së fatkeqësisë natyrore të ndodhur nga tërmeti i datës 26.11.2019.

Përjashtohen nga efektet e këtij pezullimi veprimtaria dhe shërbimet gjyqësore, që lidhen me çështje me natyrë të ngutshme, shqyrtimi i të cilave mund të zhvillohet edhe në ambiente të tjera jashtë gjykatës të cilat ofrojnë siguri.

Kohëzgjatja e pezullimit, parashikuar në pikën 1 të këtij vendimi, të jetë deri në momentin kur autoritetet përgjegjëse të bëjnë vlerësimin e kushteve ekzistuese të riskut të ambienteve të gjykatës dhe të garantohet eliminimi i çdo rreziku të mundshëm që mund çojë në dëmtim të jetëve njerëzore ashtu dhe të pronës.

Kryetarët e gjykatave ngarkohen të marrin të gjithë masat për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë me publikimin e tij në faqen zyrtare të internetit të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Ora 13:26
Tërmeti çanë dy godinat e prokurorisë së Tiranës, nisin hetimet

Dëmet te prokuroria e Tiranes
 

Dëme nga tërmeti i 26 nëntorit ka pësuar gjithashtu edhe Prokuroria e Tiranës. Gazetari i Report Tv Arsen Rusta sjell pamjet nga dëmet që ka pësuar institucioni i akuzës së kryeqytetit nga tërmeti kryesor dhe pasgoditjet. Në ambientet e prokurorisë së Tiranës janë paraqitur oficerët e policisë së komisariatit nr.3 ku kanë filluar verifikimin e dëmeve nga tërmeti. Kjo prokurori ka pësuar çarje nga kati i parë deri në të katërtin nga çarja. Dy godinat që përbëjnë prokurorinë e Tiranës janë ndarë nga njëra tjetra në disa vende 10 centimetra. Prokuroria ka nisur hetimet edhe për dëmet e shkaktuara nga tërmeti pikërisht në godinën e prokurorisë, raporton gazetari i Shqiptarja.com Elton Qyno.

Ora 13:20
Ka rrezik shembje! Mbyllet bashkia e Kurbinit, çarje edhe te prokuroria e gjykata (VIDEO)

Godinës së bashkisë Kurbin i është vënë shiriti, pasi ka dëmtime serioze dhe nga verifikimi rezulton se ka rrezik qëndrimi brenda. Po ashtu edhe godinat e prokurorisë dhe gjykatës kane dëmtime serioze, por ende nuk është bërë verifikimi i tyre. Në bashkitë e Lezhës dhe të Kurbinit grupet e punës kanë nisur verifikimin e objekteve që kanë pësuar dëmtime nga tërmeti. Fillimisht specialistët e fushës po shohin pallatet brenda qyteteve dhe më pas vëmendja do të përqendrohet tek banesat.

Faza e parë e verifikimit do të jetë për përcaktimin nëse janë apo jo të pabanueshme këto objekte. Pas inspektimeve në terren bashkitë përkatëse do të dalin me një konkluzion zyrtar ku do të informohen qytetaret për objektet që tërmeti i ka bërë të pabanueshme. Ndërkohë brenda një kohë të shkurte do të bëhet një inspektim tjetër edhe me ekspertë të huaj, për të përcaktuar shkallën e dëmtimeve dhe mënyrën se si do të veprohet me këto objekte në të ardhmen. Në qarkun e Lezhës janë 56 pallate të dëmtuara nga tërmeti si dhe 181 banesa. Deri tani janë shpallur të pabanueshme 22 pallate në Kurbin dhe 9 në qytetin e Lezhës.

Ora 11:29
Çarje të vogla, plasaritje dhe rënie suvaje, foto brenda Kryesisë së Kuvendit
  • Komento

    KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

    Komente

    • Boll se na plaset: 02/12/2019 12:54

      Ishalla nuk shembet tani. Te futet 1 her Sala pastaj, copash.

      Përgjigju
    • Sondazhi i ditës:

      Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



    ×

    Lajmi i fundit

    Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale

    Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale