Carlo Bollino: Rinasi u bllokua nga stresi financiar i kontrollorëve ajrorë, apo nga stresi politik i opozitës?

Carlo Bollino: Rinasi u bllokua nga stresi financiar i kontrollorëve ajrorë, apo nga stresi politik i opozitës?

Pasi kemi parë lloj lloj cmendurish që janë prodhuar në vend, sot po jetojmë një tjetër pa precedent: Shqipëria, që nga ky mëngjes, është e izoluar nga pjesa tjetër e botës, sepse 36 kontrollorë fluturimi të aeroportit ndërkombëtar të Rinasit, papritur, u goditën nga stresi dhe ky fakt i pengoi të paraqiten në punë. Të gjithë bashkë dhe të gjithë të njëjtën ditë. Si pasojë e stresit të tyre, jo vetëm të gjithë fluturimet në hyrje e në dalje nga vendi u anuluan, por u ndalua edhe një fluturim që do të sillte një ngarkesë me vaksina anti-covid nga e cila mund të varet jeta e mijëra shqiptarëve. Në tokë mbetën mijëra shqiptarë që ishin nisur për udhëtim për arsye shëndeti jashtë shtetit, gra, burra që bashkë me fëmijët e tyre niseshin për punë apo do të ktheheshin në shtëpitë e tyre në emigrim. Kthimi në shtëpi iu bllokua edhe shumë shqiptarëve të tjerë jashtë vendit, përfshi dhe disa të vdekurve jashtë, trupi i të cilëve po kthehej në atdhe.  

36 kontrollorët e fluturimit rebelë, ditë më parë u takuan me Presidentin e Republikës Ilir Meta, të cilit i kishin kërkuar një këshillë se si të zgjidhnin problemin e tyre: domethënë, të fitonin të njëjtën rrogë që kishin një vit më parë, para se Rinasi të humbiste 60% të trafikut ajror dhe të të ardhurave. Nuk dimë se cfarë u ka këshilluar të bëjnë Ilir Meta. Albcontrol, nga i cili varen në total 65 kontrollorë fluturimi, është një agjenci shtetërore që financohet me taksat aeroportuale dhe sic ka ndodhur në mijëra ndërmarrje të tjera publike dhe private, brenda dhe jashtë Shqipërisë, duke reduktuar të ardhurat për shkak të Covid, është detyruar të reduktojë rrogat. Nuk bëhet fjalë për rroga të vogla. Kontrollorët e fluturimit, përvec një liste të gjatë të përfitimeve të tjera, përfshi shpenzime shëndetësore falas për të gjithë familjarët, udhëtime, palestra e shumë gjëra të tjera, marrin një rrogë mesatare 4.400 dollarë në muaj. Pak a shumë 12 herë rrogën mesatare të një shqiptari. Për shkak të pandemisë nga 20 prilli 2020 paga e tyre është “reduktuar” në 2.200 dollarë në muaj, dhe duke fituar vetëm 6 herë më shumë se një shqiptar, (përfitime të tjera vecmas) u shkaktoi këtyre vipave të fluturimit stress që i coi papritur të mungonin të gjithë bashkë në punë. 

 Sot Ilir Meta ka folur duke mbrojtur të drejtën  e 65 kontrollorëve të trafikut ajror për të rruajtur rrogat e tyre 4.400 dollarëshe, që i ka barazuar më të drejtën e miliona shqiptarëve të fluturojnë lirisht nëper botë. Fakti që protesta e tyre shpërtheu pikërisht sot, një vit distancë nga reduktimi i rrogës dhe vetëm 6 ditë pas takimit me Ilir Metën, duket të jetë vetëm një koincidencë. Fakti që protesta e tyre shërben të bllokojë vaksinat që stresojnë kaq shumë Ilir Metën dhe Partinë Demokratike duke filluar që nga “doktor” Berisha (janë të bindur që është më mirë të lenë shqiptarët të vdesin nga Covid pa vaksina, sesa ti japin një avantazh elektoral Edi Ramës), edhe kjo duket një tjetër koincidencë. Koincidencë është edhe fakti që Sali Berisha ishte i pari që lavdëroi grevën e kontrollorëve të fluturimit, duke u pasuar me radhë nga e gjithë opozita. Koincidencë, është fakti që mes organizatorëve të protestës është dhe një Nikolin Kujxhia, që ndërsa është i detyruar të ''djersisë'' për një rrogë 2.200 dollarë në muaj që i ka shkaktuar kaq shumë stress, zhvillon edhe funksionin e shefit të shtabit elektoral të Helidon Bushatit, kandidat në Shkodër i Partisë Demokratike.  Dhe koincidence në fund është edhe që avokati që mbron dhe përfaqëson kontrollorët ne grevë, Rezart Tupi, ka qenë edhe drejtori juridik i UKT kur kryetari i bashkise ishte Lulzim Basha.

Kodi i punës parashikon në nenin 197/5 një kufizimnë të drejtën e bërjes së grevës të shërbimeve të rëndësisë jetike, përfshi dhe kontrollorët e trafikut ajror, kur ndërprerja e punës vë në rrezik jetën, sigurinë personale, ose shëndetin e një pjese të tërë të popullsisë. Bllokimi i fluturimeve që pengojnë vaksinat, hyn padiskutim në këtë kategori. Fakti që asnjë politikan i opozitës, duke filluar nga kreu i shtetit, nuk u shqetësua t’ua kujtojë, vë në rrezik serioz integritetin moral të tyre. Dhe fakti që 36 kontrollorët e trafikut ajror inskenuan mashtrimin e sëmundjes kolektive nga stresi, konfirmon që ishin koshientë se të shpallnin grevë, do të ishte krim.  

Tani i takon qeverisë të gjejë një zgjidhje urgjente për të rinisur sa më shpejt trafikun ajror. Jo të gjithë 65 kontrollorët e fluturimit i janë bashkëngjitur protestës dhe një zgjidhje e mundshme mund të ishte që krah kontrollorëve shqiptarë të gatshëm për t’u kthyer në punë, të vendoseshin kontrollorë të ndonjë prej vendeve NATO, e cila në ditët në vijim po përgatit dhe një stërvitje të madhe pikerisht në Shqipëri. 

Lënia e Shqipërisë pa fluturime është një gjendje shumë e rëndë që nuk ka precedentë as në vitet e errëta të isolimit të imponuar nga Enver Hoxha. Ndërhyrja e ushtrisë, e thirrur për të ruajtur kullën e kontrollit të aeroportit për arsye sigurie kombëtare, jep idenë e situatës. Por të dyshosh se e gjitha kjo është organizuar për interesa politike në mes të fushatës zgjedhore, ndoshta me qëllimin e bllokimit të vaksinimit, me siguri për të bërë rënien e fajit mbi Edi Ramën, do të ishte një skandal i përmasave të padëgjuara. Kur pamë fillimin e fushatës zgjedhore të Lulzim Bashës, që pranoi të vinte në rrezik jetën e militantëve të tij duke organizuar grumbullime me qindra persona në shkelje të të gjitha normave anti-Covid, shkruajtëm që, nëse Basha ishte i gatshëm të kercenonte jetën e shqiptarëve, do të ishte i gatshëm të bënte edhe të tjera, sigurisht i nxitur nga Sali Berisha dhe me mbështetjen e Ilir Metës. Kemi frikë se sa po ndodh në këto orë në Rinas, e konfirmon këtë parashikim. Dhe fatkeqësisht, deri në fund të kësaj fushate zgjedhore, ende s’kemi parë asgjë.  

xy/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • JamKushJam: 07/04/2021 20:59

    dihet pse u bllokuar, gjeti me-te-Meta nje klecke ne biografi te pjesa 4:20 e videos: kontrolloret do punojne me shume se c'duhet me gjithe ata avione qe do vijne nga NATO ne 26.... hahahahahahahahahahahaha hahahahahahahaha hahahahahahahahahaha stuhi ne filxhan alla me-te-META

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Himara 2 ‘kryetarë’ në burg, vendi vakant pas dorëheqjes së Jorgo Goros! Këshilli Bashkiak komandon sot kryebashkiakun e ri

Himara 2 ‘kryetarë’ në burg, vendi vakant pas dorëheqjes së Jorgo Goros! Këshilli Bashkiak komandon sot kryebashkiakun e ri