Carlo Bollino: Sa ndikon Fake News në jetën politike në Shqipëri

Carlo Bollino: Sa ndikon Fake News në jetën politike në Shqipëri

Gazetari Carlo Bollino

PJESA II / Liri e fjalës nuk do të thotë liri e shpifjes, kjo vlen për politikanët, por edhe për gazetarët. Por që të zerë vend ky parim, i cili është rrënjosur në të gjitha demokracitë perëndimore, në Shqipëri ende duhet luftuar shumë. Megjithatë, revolucioni dhe ndryshimi kanë filluar. I sigurt për këtë është Carlo Bollino, gazetar dhe botues, i cili për më shumë se 25 vjet punon në Shqipëri.

Në këtë intervistë të gjatë me kolegun Lorenc Vangjeli për emisionin “Java”, të transmetuar nga RTSH, Bollino ka treguar përvojën e tij si gazetar, dy proceset për shpifje të sapofituara me ish-kryeministrin Sali Berisha (të cilin, sidoqoftë, nuk e konsideron si një armik të tij, pavarësisht nga sulmet e pësuara prej vitesh) dhe gazetarin Jetmir Olldashi.

Në pjesën e dytë të intervistës që botohet sot Bollino flet për krizën e rëndë të besueshmërisë, nga e cila vuajnë mediat shqiptare.

Po flasim për fenomenin e hapjes së portaleve, ku shumë gazetarë tashmë janë shndërruar në botues.

Po. Janë bërë vetë botues sepse kanë kuptuar që botuesi mund të përfitojë diçka, një avantazh, një mbrojtje sepse në një anarki totale kaq të thellë edhe një minibotues mund të përfitojë një mininder. Dhe ai mendon që më mirë një mininder sesa asgjë. Sepse ndonjëherë edhe media edhe gazetari nuk punon për interesin kolektiv, por për interesin individual. Problemi i dytë është ligji që duhet të rishikohet. Duhet të ketë një përgjegjësi objektive për shpifjet. Kush shpif duhet të dënohet. Nuk është liria e shprehjes, është shpifje. Në Itali jo vetëm që dënohet shpifja, por gazetari pezullohet edhe nga profesioni. Është ndërtuar një gjykatë nga gazetarët, e cila e pezullon një gazetar nga profesioni nëse ai shpif qëllimisht për dikë tjetër.

Në rastin më të keq, gazetari përjashtohet nga profesioni. E treta, duhet transparencë mbi pronësitë e medieve digjitale. Çdo televizion privat ka një pronar që dihet se kush është, çdo gazetë e shkruar ka një pronar që dihet, ndërsa për 2.000 faqe uebi nuk e dimë se kush janë pronarët. Nuk e di unë, por nuk e di as gjykata. Faqja e uebit që kishte shpifur për mua ishte fantazmë, nuk gjente dot gjyqtarja se kush ishte pronari i saj. Dhe ky është një absurditet tjetër. Në Itali, çdo media on line, që prodhon informacion, duhet të regjistrohet në gjykatë. Jo të marrë leje, nuk ka leje apo autorizim. Thjesht regjistrohet me një akt regjistrimi si për çdo aktivitet tjetër fitimprurës.

Dy apo tre vite më parë është tentuar të bëhet një gjë e tillë në Shqipëri, por ka hasur reagim po nga komuniteti i gazetarëve.

Edhe ky është një fenomen shumë i veçantë, tipik i Shqipërisë. Në vendet e zhvilluara perëndimore, në rreshtin e parë të luftës kundër  fake-news, janë gazetarët. Pra fake-news është qeliza kancerogjene që mund të shkatërrojë trupin mediatik të një vendi. Në Shqipëri, të pari që kanë luftuar pro fake-news kanë qenë gazetarët, duke menduar që fake-news është shprehja e lirisë së fjalës. Nuk pranuan rregulla. Pra, gazetari është i lirë të shkruajë çfarë të dojë.

Nuk është kjo liria, nuk është kjo media. Një media e fakton lajmin. Gazetarët shqiptarë e keqkuptojnë konceptin e lirisë së medias, njëlloj si politikanët, bëjnë të njëjtën gjë. Ata mendojnë që janë të lirë të sulmojnë kë të duan. Nuk është kështu. Unë jam i lirë nëse mund të botoj faktet dhe provat që kam zbuluar. Kjo është liria. Jo shpifje që mund t’i kem menduar gjatë natës dhe të nesërmen jam i lirë t’i shkruaj. Jo. Kjo nuk ka lidhje fare me median. Duhet të ndryshohen rregullat dhe sistemi i kontrollit të medias sepse në çdo vend demokratik mediat kontrollohen, jo nga politika, por nga ligji.

Pastaj nëse shtohet edhe transparenca mbi OJF-të që prodhojnë informacione, nuk do të ishte keq. Është një fenomen tjetër ky që po përhapet në Shqipëri, që krijohen faqe blogu apo uebi fantazma, por edhe OJF që prodhojnë informacione. Pra, marrin fonde nga organizata të ndryshme ose nga burime të panjohura dhe prodhojnë informacione me pretekstin se janë OJF të pavarura. Njëlloj si ai gazetari që ishte anëtar i PD-së dhe ishte i pavarur. Nuk është kështu. Duhet transparencë edhe mbi fondet që financojnë OJF-të që prodhojnë informacione.

Diçka për raportin midis medias dhe politikës, ndërmjet gazetarit dhe politikanit. Ngjan si një simbiozë, në të cilën është e vështirë të dallosh se ku fillon njëri dhe ku mbaron tjetri. Duket sikur janë dy burime që ushqejnë njëri-tjetrin.

Ky është një perceptim shumë i përhapur realisht sepse vendi është shumë i vogël dhe është normale që këtu një gazetar ose një botues ka numrin e telefonit të kryeministrit. Në një vend të madh kjo nuk ndodh. Edhe nëse ndodh në një vend të madh, lidhja midis politikës dhe gazetarëve natyrisht është e një niveli më të lartë. Kam dëgjuar para disa ditësh një intervistë të Eugenio Scalfari-t, i cili ka qenë drejtor i gazetës “La Republica”, që tregonte biseda private dhe lidhje shumë të forta që kishte me politikën italiane, në nivele drekash, darkash, ndryshime ministrash, kalime ligjesh etj. Pra, ky është një fenomen që ndodh në çdo vend.

Është një gjë detyrimisht e keqe, kjo që ndodh?

Është problemi i etikës së gazetarëve, e cila nuk pranon urdhra. Në Itali, kolegu Eugenio Scalfari nuk mund të urdhërojë një gazetar të tijin që të shkruajë një shkrim të mirë për politikani X-n sepse është miku i tij apo se kanë drekuar bashkë. Nuk është kështu. Në Itali janë të ndara punët, gazetari ka pavarësinë e vet. Në Shqipëri kjo nuk ekziston. Këtu botuesit urdhërojnë gazetarët të shkruajnë për politikanë të cilët i kanë miq apo kanë interesa. Gazetar s’mundet që ta refuzojë. Kjo nuk ndodh në median time, por ndodh ne disa mediat e tjera. Unë mendoj që çdo gazetar duhet të mbrohet nga ndërhyrjet e botuesit. Është normale që botuesi të ketë marrëdhënie me politikanë, kjo ndodh në të gjithë botën. Por nuk është normale që kjo marrëdhënie të transferohet brenda shkrimeve të medias. Kjo nuk është normale.

Sa ka ndryshuar gazetari klasik, ai i djeshmi, me diktofon në dorë, me bllok shënimi dhe ky i sotmi me një celular që do të thotë me zyrën me vete, kudo qoftë. Shto këtu edhe faktin që tashmë çdo qytetar, gjithashtu me një smartphone në dorë, është pak a shumë një gazetar.

Është shumë e vërtetë që një smartphone është instrumenti për të dokumentuar një ngjarje nga një qytetar i thjeshtë. Por unë mendoj që profesionalizmi vazhdon të jetë limiti midis një gazetari dhe një qytetari të zakonshëm. Informacioni mund të vijë nga çdo njeri, por duhet gjithmonë një filtër profesional që e përcakton se sa është i vërtetë perceptimi te një qytetar, sa vlen të informohet. Ka edhe limite etike që duhen respektuar në informacion. Ndërsa në Shqipëri ka një mishmash sepse politikanët bëjnë gazetarin, qytetari vepron si politikan, politikanët pushojnë nga puna gazetarët, gazetarët kanë ambicie për t’u bërë politikanë. Pra, nuk janë përcaktuar limitet sepse nuk ka profesionalizëm, për fat të keq.

Dhe në fund fare gjithçka është rrugë drejt pushtetit. Kush shkon në pushtet? Në qoftë se fake-news që ju cituat pak më parë, gjykohet se ka ndikuar deri edhe në zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara, ka pasur tentativa në Britaninë e Madhe me BREXIT, në zgjedhjet gjermane, në zgjedhjet franceze, tentativa në Itali apo kudo gjetkë. Në Shqipëri, në një vend i cili ka kaq shumë probleme, me këta kufij kaq të papë papërcaktuar që thoni ju, sa e udhës është të gjykohet se lajmi i rremë mund të ndikojë edhe në ngjyrën e qeverisjes, jo vetëm në cilësinë e saj.

Unë mendoj që këtu lajmi i rremë është kaq i përhapur që ndikon më pak se sa në vendet e zhvilluara. Në një shoqëri të zhvilluara, ku informacionet janë normalisht të sakta, është shumë më e thjeshtë për ta shitur si të vërtetë një lajm që nuk është i saktë. Pra, është shumë e vështirë për të dalluar një lajm fals brenda shumicës së lajmeve të vërteta. Dhe njerëzit e besojnë atë lajm edhe nëse ai është fals. Ndërsa këtu në Shqipëri shumica e lajmeve janë false dhe njerëzit nuk e besojnë lajmin e vërtetë. Ky është problemi. Ne duhet të krijojmë një mbrojtje për lajmet e vërteta në Shqipëri. Dhe ky është niveli zero në të cilin ka arritur besueshmëria e medias në Shqipëri.

Pra ju thoni se ky lajmi i keq, në fund të fundit, është një lajm i mirë për të nesërmen tonë?

Jo, unë mendoj që kur ka shumë lajme false, në fund të fundit nuk krijon shumë dëm sepse njerëzit nuk e besojnë ose e besojnë relativisht pak. Ndërsa në një shoqëri tjetër si në Angli, në Itali ose në SHBA, ku informacioni është shumë i besueshëm, nëse arrin të fusësh brenda këtij informacioni një lajm fals, ai lajm prodhon një efekt shkatërrues. Ndërsa në një trup të sëmurë siç është informacioni shqiptar, ti mund të fusësh brenda për fat të keq, çdo lajm dhe efekti është relativ.

Së fundmi, do të doja të kisha një sprovë që më duket se është shumë e vështirë për një gazetar. Shpresoj shumë që ju ta tejkaloni. A mund të më thoni një lajm të mirë që ndodh në këtë vend, meqenëse një gazetar zakonisht vepron me lajme të këqija?

Një lajm i mirë është për shembull, që 7 gjyqtarë kanë kaluar provën e Vetting-ut. Atëherë nëse Vetting-u është i vërtetë, kjo tregon që kjo rrëmujë dhe ky perceptimi kolektiv që e gjithë drejtësia është e korruptuar, nuk është e vërtetë. Atje brenda kishte 7 prokurore apo gjyqtare, të cilat e kanë kaluar provën. Pra ato janë njerëz të ndershëm, sipas rezultateve të Vetting-ut, që kanë bërë një punë të ndershme, pa pranuar korrupsion. Ky, për mua, është një mesazh shumë pozitiv. Kjo tregon që jo të gjithë gjyqtarët apo prokurorët janë të korruptuar, ashtu si jo të gjithë gazetarët janë shpifës. Dhe ne duhet të luftojmë të gjithë bashkë për të evidentuar dhe për të mbrojtur këto figura.

Si shtetas italian, ju keni qenë qytetar evropian që me prindërit tuaj, pra që para lindjes suaj. Po si një qytetar me pasaportë shqiptare, çfarë mendoni për të nesërmen tuaj evropiane këtu? Fundi i qershorit është në prag.

Unë mendoj që kjo etapë ka më shumë një vlerë politike sesa një vlerë praktike. Pra, për shqiptarët e zakonshëm nuk do të ndryshojë asgjë nëse hapen tani negociatat apo pas disa muajsh. Ky është më shumë një flamur për qeverinë, nëse arrin ta fitojë. Por unë mendoj që parimet e Bashkimit Evropian janë shumë të rëndësishme, pavarësisht nga kushtëzimet që Bashkimi Evropian vendos brenda jetës së përditshme të një vendi sepse ato përcaktojnë parametrat dhe standardet. Dhe Shqipëria ka nevojë për standarde. Ka nevojë për standarde profesionale, ushqimore, shëndetësore, etike, dhe nëse nuk vjen dikush nga jashtë që të na imponojë këto lloje standardesh, unë kam frikë që anarkia do të vazhdojë. Kam shpresa që nga BE të na vijnë këto parametra, që ne të jemi të detyruar t’i respektojmë. Kjo është vlera e BE për mua, më shumë sesa flamurët politikë.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë