Ç'duhet të bëni para
se të mbeteni shtatzënë

Ç'duhet të bëni para <br />se të mbeteni shtatzënë
Shëndeti i nënës para shtatzënisë ndikon shumë në shëndetin e fëmijës së saj të ardhshëm. Organet e një bebi fillojnë të formohen në 4 javët e para të shtatzënisë, atëhere kur madje disa nëna nuk e dinë se janë shtatzënë. Kështu që nëse ju planifikoni një shtatzëni, përpara se ju të ngelni shtatzënë mendoni rreth mëyrës tuaj të të sjellurit, të jetuarit, për të përmirësuar shancet tuaja për të pasur një bebi të shëndetshëm.

Bëj një kontroll mjekësor përpara shtatzanisë, përfshi kontrollin e dhëmbëve. Një kontroll tek mjeku mund të zbulojë kushte shëndetësore, të cilat mund të dëmtojnë shëndetin tuaj dhe të fëmijës, por që mund të trajtohen. Një kontroll tek mjeku është sidomos i rëndësishëm për gratë, të cilat kanë patur probleme me shtatzaninë si, aborte, lindje para kohe, ose fëmijë me defekte të lindura, me qëllim që të diagnostikohet dhe të trajtohet shkaku që të mos përsëritet në këtë shtatzani. Kontrolli te mjeku është i rëndësishëm sidomos për femrat me sëmundje kronike si: diabeti, tensioni i lartë i gjakut, lupus eritematoz, epilepsia, etj.
Merr një multivitaminë me 400mg acid folik çdo ditë përpara shtatzanisë. Acidi folik ndihmon në parandalimin e defekteve të trurit dhe të shtyllës kurrizore të bebit. Disa studime, madje kanë treguar se acidi folik mbron gratë prej sëmundjeve të zemrës, kancerit të qafës së mitrës, të zorrës së trashë, dhe kancerit të gjirit. Gjithashtu ngacmon prodhimin e qelizave të kuqe të gjakut duke parandaluar anemitë. Ushqimi ditor nuk mund t'i plotësojë nevojat tuaja ditore për acid folik. Merr një multivitaminë me 400 mcg acid folik çdo ditë duke filluar një muaj përpara shtatzanisë dhe vazhdo gjatë 3 mujorit të parë të shtatzanisë, kohë kur truri dhe shtylla kurrizore e bebit janë duke u zhvilluar. Shiko tek etiketa e shishes nëse ka sasinë e nevojshme të acidit folik. Ju duhet të hani më tepër ushqime që përmbajnë drithra si: thjerrëzat, bizele, bathë, zarzavate me gjethe të gjelbëra, spinaq, brokoli, sallatë jeshile etj.

Ha ushqim të shëndetshëm, mbaj një peshë të shëndetshme, qëndro në formë. Ju do të ndiheni mirë dhe do filloni një shtatzani të mirë nëse ju hani ushqime të shumëllojshme çdo ditë. Shmangni ushqimet me shumë yndyrnë dhe sheqerna, pakëso kafeinën, pi sa më pak kafe apo çaj. Pirja e 2 filxhanave kafe, çaj në ditë mund ta bëjë të vështirë për ju mbetjen shtatzanë. Nëse ju jeni mbi peshë, bini në peshë përpara se të përpiqeni të ngelni shtatzanë. Nëse jeni nën peshë, përpiquni të arrini një peshë të shëndetshme përpara se të ngelni shtatzanë. Sapo ju të ngelni shtatzane, mos u përpiqni të humbni në peshë sepse kjo mund të dëmtojë bebin tuaj. Bërja e ushtrimeve është një rrugë e mirë që ju ndihmon të humbisni peshën apo të mbani peshën e duhur, dhe redukton stresin. Nëse ju nuk bëni ushtrime është koha që t'i filloni ato. Bisedo me mjekun rreth ushtrimeve që janë të sigurta dhe të dobishme.

Ndalo pirjen e duhanit dhe shmang qëndrimin në mjedise ku pihet duhan. Pirja e duhanit e bën të vështirë ngeljen shtatzanë. Pirja e duhanit gjatë shtatzanisë, gjithashtu mund të ketë pasoja serioze për shëndetin e fëmijës. Studimet kanë treguar se pirja e duhanit pengon rritjen e fëmijës. Koha më e mirë për të lënë duhanin është përpara shtatzanisë. Shmang gjithashtu qëndrimin në mjedise ku pihet duhan përpara se të ngelni shtatzanë dhe sigurisht gjatë shtatzanisë.

Thuaj jo alkoolit. Nëse ju pini alkool edhe bebi juaj pi gjithashtu. Edhe një sasi e vogël alkooli mund të dëmtojë bebin e ardhshëm. Nuk ka një nivel të "sigurtë" të pirjes së alkolit kur ju jeni shtatzanë. Pirja e çdo lloji alkooli (pije, verë, birrë, etj) gjatë shtatzanisë rrezikon për aborte dhe probleme serioze fizike dhe mendore tek bebi i ardhshëm. Gratë që pinë shumë alkol gjatë shtatzanisë mund të lindin fëmijë me një grup defektesh të cilat çojnë në prapambetje mendore të fëmijës.

Mos përdor droga-marrja e drogave vendos bebin në rrisk për dështim, lindje parakohe dhe probleme serioze fizike dhe mendore. Ndalo përdorimin e drogave përpara se ju të përpiqeni të ngelni shtatzanë. Mos përdor droga gjatë gjithë shtatzanisë. Përveç kësaj mos merrni asnjë medikament pa u këshilluar me mjekun.

Shmang infeksionet sepse disa mund të dëmtojnë bebin tuaj. Disa infeksione mund të dëmtojnë zhvillimin e bebit. Lani duart shpesh, qëndro larg ushqimeve që mund të jenë të pasigurta. Gatuaj mishin dhe vezët mirë, në temperaturë mbi 70 gradë. Shmang produktet e qumështit të papasterizuar. Shmang kapjen me dorë të maceve apo mbeturinave të tyre; ato mund të kenë infeksione të quajtur toxoplazmozë. Ky infeksion mund të dëmtojë bebin tuaj.

Qëndro larg prej fëmijëve me rrufë ose me sëmundje të zakonshme të fëmijërisë. Mos përdor të njëjtat gota për pirje. Shmang infeksionet seksualisht të transmetueshme.
Shmang substancat e dëmshme dhe kimikatet. Disa produkte pastrimi, pesticide tretës, mund të jenë të rrezikshme per bebin tuaj. Shmang kimikatet dhe bojrat. Redukto rriskun duke veshur doreza dhe duke qëndruar në vende të ajrosura mirë. Kërko këshillat e mjekut lidhur me substancat e dëmshme dhe kimikatet.
Mëso për trashëgiminë- Bisedo me mjekun për historitë e sëmundjeve të trashëguara të pjestarëve të familjes suaj. Bazuar mbi pyetjet që ju bën mjeku ai ju rekomandon bërjen e disa analizave gjenetike, për të parë nëse ju keni rrezik për të patur një fëmijë me defekte në lindje.

Shmang stresin. Stresi nuk ju bën mirë as ju as bebit tuaj, si përpara, gjatë dhe mbas shtatzanisë. Sa më shumë stres aq më shumë rritet rrisku i lindjes parakohe, peshë e vogël në lindje, dhe mundësi për abort. Duke zbatuar këto hapa ju përmirësoni shancet për të ngelur shtatzanë dhe për të patur një bebe të shëndetshme.

*Lumturi Mërkuri Mjeke, specialiste e ISHP

Shkrimi u publikua sot në Suplementin Shëndeti, në gazetën Shqiptarja.com(print), 20 dhjetor 2012
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Këshilli Bashkiak i Himarës komandon kryetaren e Bashkisë, koalicioni Bashkë Fitojmë bashkon votat me PS

Këshilli Bashkiak i Himarës komandon kryetaren e Bashkisë, koalicioni Bashkë Fitojmë bashkon votat me PS