Çela raporton për vitin 2023 në KLP: Vit sfidues prej hartës së re gjyqësore! Kemi 198 prokurorë në total, mungojnë 123 prokurorë

Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela po raporton për vitin 2023 në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Çela e cilësoi këtë vit si një vit sfidues prej hartës së re gjyqësorë.

‘Viti 2023 ishte një vit sfidues për prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm për shkak të çështjeve administrative dhe procedurale që lidheshin me zbatimin e hartës së re gjyqësore dhe vijimit të uljes së numrit të prokurorëve si pasojë e pezullimit apo shkarkimit gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar. Megjithatë, përpjekjet dhe profesionalizmi i prokurorëve në të gjithë nivelet pavarësisht ngarkesës, dhe bashkëpunimi institucional dhe ndërinstitucional, dhanë rezultate në punën hetimore dhe zbatimin e rekomandimeve drejtuar prokurorive me juridiksion të përgjithshëm, siç do të paraqitet në vijim.’- tha Çela.

Çela tregoi se në 12 muaj janë përgjuar afro 2500 persona, dhe se aktualisht kjo prokurori punon me 123 prokurorë me pak.

'Gjatë vitit 2023 është përdorur përgjimi i komunikimeve elektronike nga prokurorët në fazën e hetimeve paraprake si mjet për sigurimin e provës në 514 procedime penale. Është realizuar përgjimi për 2675 pajisje fundore në përdorim të 2492 subjekteve ndaj të cilëve ishte lejuar përgjimi. Në total janë ekzekutuar 1121 vendime për përgjim të autorizuara nga gjykata dhe 456 urdhra/autorizime të prokurorit.'- tha Çela.

Prokurori i Përgjithshëm u ndal edhe numri i prokurorëve.

‘Në vitit 2023 numri faktik i prokurorëve në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm ka qenë 198 (përfshirë dhe emërimet në korrik të 26 magjistratëve të rinj). Ky tregues evidenton strukturën faktike me 62 % të prokurorëve kundrejt numrit organik prej 321 prokurorësh dhe mungesën e 38 % të numrit të prokurorëve. Në këtë vështrim, gjendja e numrit faktik të prokurorëve sipas niveleve të prokurorive ka qenë: - 177  prokurorë në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë, ose 101 prokurorë më pak krahasuar me numrin organik (64 % e strukturës organike); 10 prokurorë në prokurorinë pranë Gjykatës të Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ose 16 prokuror më pak krahasuar me numrin organik (38 % e strukturës organike) dhe 11 prokurorë në Prokurorinë e Përgjithshme ose 6 prokurorë më pak se numri organik (65 % e strukturës organike).’- tha Çela.

Kryeprokurori Çela tha se në vitin 2023 janë trajtuar 55 mijë e 253 kallëzime, 9.4% më pak se në 2022

‘Gjatë vitit 2023, në organin e prokurorisë janë trajtuar  55253  materiale kallëzuese që përbën një ulje prej 9,4 % në krahasim me vitin 2022. Janë ndjekur gjithsej 45715 procedime penale, që përbëjnë një ulje prej 5,2 % në krahasim me vitin 2022, nga të cilat 24095 janë procedime penale të regjistruara, me një ulje  prej 6,2 % në krahasim me vitin 2022 dhe 201 procedime penale të rifilluara, që tregon ulje prej 70 % në krahasim me vitin 2022. Janë mbartur 21011 procedime penale me një ulje  prej 3,9 % krahasuar me procedimet e mbartura në vitin 2022. Është vendosur mosfillimi për 9946  referime dhe kallëzime penale, që do të thotë një ulje prej 22,2 % në krahasim me vitin 2022.’- tha Çela.

E PLOTË/ Raporti Prokurorisë së Përgjithshme për veprimtarinë për Vitin 2023

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:39
Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela: Një kod i ri penal është i parakohshëm, gjyqtarët janë të mbingarkuar

 

Pas raportimit sot në Këshillin e Lartë të Prokurorëve, Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela tha për gazetarët se ndryshimi i shpeshtë i Kodit Penal është i dëmshëm në kushtet kur sot gjyqtarët dhe prokurorët janë të mbingarkuar.

'Unë mendoj që nuk ka asnjë nxitim për një Kod të ri Penal. Mendoj se sfidat për sistemin e drejtësisë sot janë të tjera. Është rritja e efikasitetit, plotësimi i vakancave, rritja e përgjigjeve e atyre që janë pritshmëritë e opinionit publik për organet e drejtësisë. Mbasi ne të arrijmë një normalitet në funksionimin e institucioneve të drejtësisë mund të diskutojmë një këndvështrim tjetër për një kod të ri penal. Imagjinoni sot një kod të ri t’ia prezantosh prokurorëve apo gjyqtarëve në kushtet e mbingarkesës. Një kodi i ri penal është i parakohshëm në kushtet ku ndodhet sot sistemi sot.', tha Çela.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A mund të zhvillojë Shqipëria turizmin elitar?



×

Lajmi i fundit

Protesta e Rithemelimit para bashkisë së Tiranës, humb ndjenjat oficeri i FNSH-së, e merr ambulanca

Protesta e Rithemelimit para bashkisë së Tiranës, humb ndjenjat oficeri i FNSH-së, e merr ambulanca