Çelja e negociatave, Rama: Më në fund u hap dera, s'do bënim festë edhe po të ishim në paqe (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama reagon për herë të parë pas vendimit të ministrave të jashtëm të BE-së për të çelur negociatat. Kreu i qeverisë thotë se më në fund dera u hap, ndërsa tani do të vijojë puna që flamuri shqiptar të valëvitet i barabartë mes të barabartëve mes të gjitha vendeve të BE-së.

"Sot, Shqipëria mori viston për hapjen negociatave për anëtarësim në BE! Më në fund, se për atë Zot u bënë bajat, shty e shty e sajo lloj - lloj vicklash. Po, ne nuk lodhemi, nuk tundemi nga e jona dhe megjithëse kjo botë nuk është rrotulluar kurrë kollaj për shqiptarët, Shqipëria nuk ka për të humbur asnjë betejë dhe asnjë luftë, as betejën me viruset e vjetër të organizmit tonë shtetëror, që do t’i shkatërrojmë deri në fund me reforma modernizuese e durim; as betejën me virusin arkaik të paragjykimeve të ca të të huajve ndaj nesh, që do ta asgjësojmë pak e nga pak me të vërtetat tona e durim; as luftën me këtë virusin e ri që po i bën zbor gjithë botēs, që do ta zmbrapsim me forcën e rezistencës sonë e me durim të shumëfishuar...

PO-ja u votua në bllok nga 27 shtetet anëtare. Dera e dhomës së pritjes së shtëpisë së Bashkimit Europian u hap më në fund, në një kohë të mallkuar, kur dyert e të gjitha shtëpive tona janë të mbyllura. Shqipëria hyri në një fazë të re të historisë së saj, mu në mes të një lufte botërore që askush nuk e di kur do të mbarojë. Ky i sotmi është një lajm i bukur, edhe pse i vonuar, jo për shkakun tonë, që sidoqoftë nuk kemi humbur asnjë ditë, duke punuar e duke i bërë detyrat e shtëpisë, njësoj si ta kishim marrë PO-në qyshse e merituam. Po njësoj do të vazhdojmë t’i bëjmë të gjitha detyrat e kësaj shtëpie, jo se na e kërkojnë ata që sot na thanë më në fund PO, po se na e kërkon amaneti i të parëve dhe borxhi ndaj fëmijëve tanë. Ne nuk do të ndalemi në plotësimin e çdo detyre, derisa të hyjmë në dhomën e madhe të ndenjes në Shtëpinë e Bashkimit Europian, ku më në fund fëmijët tanë do të luajnë në të njëjtin kopsht të fëmijëve të Europës e  ku më në fund, eshtrat e rilindasve e të heronjve tanë do të prehen të qeta në varrezat e heronjve të Europës, ku më në fund do të valëvitet i barbartë, mes të barbartësh, edhe flamuri i mrekullueshëm kuqezi i Gjergj Kastriotit.

Por deri atje, rruga vazhdon dhe është ende e përpjetë dhe puna per t’u bërë është ende e madhe. Nuk do të bënim festë, edhe sikur kjo PO e shumëpritur dhe e plotësishtmerituar të na gjente në kohë paqeje. Por sot ka vetëm një festë në mendjen time, festa e çlirimit nga armiku i padukshëm që na ka sulmuar egërsisht! Sot unë jetoj çdo ditë për atë ditë, atë ditë të madhe çlirimi, kur do t’ia kemi dalë t’i mbijetojmë kësaj lufte, duke i ulur me gjithçka kemi mundur humbjet e jetëve dhe lehtësuar vuajtjet e saj të mëdha, falë rezistencës sonë popullore! E dua atë ditë, si një ditë lotësh dhimbjeje për ata që nuk u mbijetuan dot plagëve të sulmit armik dhe lotësh gëzimi për shpëtimin e mijëra e mijëra jetëve, falë solidaritetit të madh kombëtar e njerëzor të familjes së bashkuar shqiptare që i vuri kufirin te thana armikut" tha ai.


Lajmi kryesor:

Çelja e negociatave, Rama: Më në fund u hap dera! KE: Lajm i shkëlqyeshëm! SHBA: Pasqyron punën e qeverisë (REAGIMET)


  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë