Çfarë kërkon Sali Berisha?!

Çfarë kërkon Sali Berisha?!

Sali Berisha

Sali Berisha u shfaq përpara ithtarëve të tij. Pamë njeriun e trajektoreve gjarpëruese i cili ndez atmosferën duke lëshuar rrufe edhe ditën me diell. Shan atë që para disa ditësh e ngrinte në qiell, pështyn atë që me ëndje e ka gëlltitur, kërkon ndjesë duke mos qenë kurrë pishman për ato që ka bërë, mashtron sy për sy e iu hedhë trutë e magjarit ithtarëve që e brohorasin në ekstazë, i bie pragut (Lulzim Bashës) që të dëgjojë dera (SHBA) dhe bën gjithçka tjetër që plotëson portretin e tij karakterial si pragmatist në lojën politike pa frena, pa kontroll e pa moral.

Nuk çuditem fare për çfarë lëshoi në adresë të z.Lulzim Basha sepse Saliu nuk e pati për zor të pështynte në filxhanin e kafesë që jo pak herë i ishte servirur në Familjen e Enver Hoxhës, ku kishte hyrë e dalë si mik dhe prej ku mori jo vetëm shpejtësinë fillestare por edhe nxitimin për tu futur në fashat e shoqërisë së përkëdhelur të kryeqytetit. Sipërmarrja aktuale e Sali Berishës nuk ka të bëjë me shqetësimin për fatin e Partisë Demokratike (PD). Atij nuk i duhet PD-ja që ta shpëtojë PD-në! Ai krijon mjegullnajë për tu fshehur vet bashkë me djallëzitë dhe prej këtij ambienti të mjegulluar qëllon atje ku i dhemb atij. I dërgon mesazh SHBA se Ai nuk është vetëm, është me falanga.

Nëse Saliut i preket edhe një qime floku, Shqipërinë do ta pllakosë gjëma e zezë!.. Përmes kësaj lëvizjeje kërkon të rifitojë imunitetin politik. Vetëm duke veshur këtë qyrk Ai mund ti bëjë ballë ciklonit që i afrohet. Përtej mesazhit që i dërgohet SHBA, Saliu iu lëshon një kërcënim dhe iu bën shantazh të hapur strukturave të reja të drejtësisë pas reformës respektive, veçanërisht SPAK-ut; vijë sjellje tipike e Tij. E gjithë lëvizja bëhet për të treguar se Saliu është i fortë. Të gjithë ndjekësit e tij do të shfryjnë dufin dhe pakënaqësitë. Sapo të davaritet mjegullnaja, ata do të ndjejnë se  i ka mbuluar vellua turpit dhe do të kujtohen si haxhiqamilistët. Ata sot janë thirrur të brohorasin rreth Saliut dhe kjo është më e pakta.

Por nuk mjafton kaq. Do t’iu kërkohet të ushtrojnë dhunë verbale, po qe nevoja edhe fizike, ndaj anëtarësisë apo drejtuesve të PD në të gjitha nivelet strukturore që nuk mbështesin Saliun, ashtu siç ka ndodhur edhe herë të tjera. Nga këta do të nxirren kontigjentet për të terrorizuar atmosferën e mbledhjeve të strukturave të PD e deri të Kongresit të Jashtëzakonshëm të sajë, në e bëfshin. Kujtoni kongreset që larguan me bisht në shalë Tritan Shehun nga Kryetar i PD në vitn 1997, i cili e hëngri me bukë poshtërimin prej Saliut apo si përzunë me ceremoni terrori Eduard Selamin, i cili nuk pranoi poshtërimin dhe u distancua prej tyre.

Por edhe kjo nuk mjafton. Atyre do t’iu kërkohet të rrjeshtohen në falanga mbështetëse që të dalin në rrugë, të brohorasin për Saliun, të shajnë e të mallkojnë Lulzim Bashën, Edi Ramën dhe SHBA. Dhe mllefin më të madh e kanë ndaj SHBA, mllef që nuk do t’iu dalë kurrë as bashkë me shpirtin.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Putin: Do të godasim F-16-të e përdorur kundër Rusisë kudo që të jenë! Mohon mundësinë për të sulmuar Evropën: Marrëzi

Putin: Do të godasim F-16-të e përdorur kundër Rusisë kudo që të jenë! Mohon mundësinë për të sulmuar Evropën: Marrëzi