Çfarë mund të kuptojmë nga ecuria e deritanishme e procesit të vaksinimit për sëmundjen Covid-19?

Çfarë mund të kuptojmë nga ecuria e deritanishme e procesit të vaksinimit për sëmundjen Covid-19?

Një qytetarë duke u vaksinuar

U mbush një vit e bashkëjetesës me Covid 19. Deri më tani pasojat kanë qënë shumë të rënda. Jetësore, shëndetësore, ekonomike, sociale. Prej muajsh kemi krijuar pritshmëri të larta për vaksinimin. Duhet pranuar se kësaj here industria farmaceutike botërore arriti të bëjë në pak se 1 vit atë që zakonisht ishim mësuar se duheshin vite e vite.

Prej disa javësh vaksinimi ka filluar të zbatohet në vende të ndryshme. Disa vende, edhe pse në pak javë, ia kanë dalë të vaksinojnë një numur të konsiderueshëm banorësh të vendeve përkatëse. Spikasin Izrael, Mbretëri e Bashkuar, SHBA.

Të tjera vende të zhvilluara kanë deklaruar se do t’u duhet i gjithë 2021 të vaksinojnë të gjithë popullsinë. Por kjo vlen për vaksinimin e parë. Nëse po pranohet se imuniteti prej vaksinës zgjat 6 muaj, si do të përshtatemi me nevojën për t’u rivaksinuar? Po me mutacionet si psh ky i radhës i shfaqur fillimisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe Afrikën e Jugut dhe tashmë prezent në 50 vende të ndryshme të botës si do të përshtatemi? Ka një lajm të mirë paraprak se zhvilluesit e vaksinave nuk e kanë të vështirë të përshtasin prodhimin e tyre ndaj mutacioneve por gjithmonë ka një dritare kohe nga evidentimi i mutacionit deri te prodhimi i vaksinës që e përfshin mutacionin e rradhës.

Përgjithësisht, vendet, nën këshillimin e ekspertëve të shëndetit publik, e kanë filluar vaksinimin me moshat më të mëdha duke konsideruar që organizmi i tyre është më i brishtë dhe të moshuarit kanë edhe sëmundje jongjitëse bashkëshoqëruese.

Deri në 22 janar 2021, Izraeli ka ekzekutuar rreth 3,6 milionë doza vaksinash apo sa 40 % e popullsisë. Nuk do të thotë se është vaksinuar 40 % e popullsisë pasi duhet të ketë jo pak persona që kanë marrë dy doza. Vetëm në intervalin kohor nga 11 janar në 22 janar 2021, Izraeli ka ekzekutuar 1,6 milionë doza vaksine. Në të njëjtën periudhë 11 ditore, Izraeli ka 88 mijë raste të reja pozitive apo rreth 15 % të të gjithë rasteve pozitive që nga fillimi i pandemisë në Izrael.

Deri në 22 janar 2021, Mbretëria e Bashkuar ka ekzekutuar rreth 6,350,000 doza vaksinash apo sa 14 % e popullsisë. Nuk do të thotë se është vaksinuar 14 % e popullsisë pasi duhet të ketë jo pak persona që kanë marrë dy doza. Vetëm në intervalin kohor nga 11 janar në 22 janar 2021, Mbretëria e Bashkuar ka ekzekutuar 3,5 milionë doza vaksine. Në të njëjtën periudhë 11 ditore, Mbretëria e Bashkuar ka 500 mijë raste të reja pozitive apo rreth 14 % të të gjithë rasteve pozitive që nga fillimi i pandemisë në Mbretërinë e Bashkuar.

Deri në 22 janar 2021, SHBA kanë ekzekutuar rreth 19 milionë doza vaksinash apo sa 5,8 % e popullsisë. Nuk do të thotë se është vaksinuar 5,8 % e popullsisë pasi duhet të ketë jo pak persona që kanë marrë dy doza. Vetëm në intervalin kohor nga 11 janar në 22 janar 2021, SHBAtë kanë ekzekutuar 9,85 milionë doza vaksine. Në të njëjtën periudhë 11 ditore, SHBAtë kanë 2,33 milionë raste të reja pozitive apo rreth 9,2 % të të gjithë rasteve pozitive që nga fillimi i pandemisë në SHBA.

Nga sa më sipër rezulton se në 11 ditët që ka ndodhur një vaksinim me ritëm të lartë ka edhe një numur rastesh të reja krahasimisht shumë të lartë. Sigurisht që jo menjëherë prej vaksinimit fitohen antitrupat. Nga dita e vaksinimit do të duhen disa ditë sa të fitohet imuniteti, qoftë 6 mujor. Për më tepër që imuniteti në nivele shumë të larta arrihet pas dozës së dytë të vaksinës e cila thuhet se duhet të merret dy javë pas së parës (vetëm Jonson&Jonson pritet të ofrojë vaksinim me vetëm një dozë).

Por dëshiroj të hap një parantezë lidhur me përparësitë e grupeve të ndryshme që do të vaksinohen. Përparësia është një funksion, sipas meje, me më shumë se një variabël. Një person me imunitet jo vetëm që mbron shëndetin e vet, por edhe nuk shërben si vektor përhapës i virusit. Një i moshuar mund të ketë shëndet më të brishtë, por është shumë më pak aktiv dhe për pasojë është më pak i rrezikshëm në përhapjen e virusit. Një tjetër element jo i parëndësishëm është edhe nevoja ekonomike e profesionistëve të caktuar për të vazhduar aktivitetin vetjak ekonomik qoftë si i punësuar, qoftë si i vetpunësuar. Dikush që e ka të domosdoshme punën për të (mbi)jetuar duhet t’i jepet përparësia për t’u vaksinuar. Është më e lehtë të imponosh kufizime në lëvizje dhe jetë aktive për të moshuarit sesa për një nxënës/student apo një person në moshë pune.

Vaksinimi ka një funksion të dyfishtë. Mbron shëndetin vetjak dhe ngadalëson përhapjen e virusit sepse ul numrin e personave që mund ta përhapin në njësinë e kohës.

Edhe pse vaksinimi është tashmë një realitet, mesa duket do të duhet të bashkëjetojmë edhe ca kohë me dy gjëra që janë në kundërshtim me njëra tjetrën. Përhapja e infeksionit dhe vaksinimi. Deri kur vaksinimi të mundë infeksionin plotësisht, do të duhet të bashkëjetojmë relativisht gjatë edhe me distancimin fizik edhe me mbajtjen e maskave./ Gazeta "Tema"

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Koncesioni ‘politik’ PS-Rithemelimi, Korreshi në 'Frontline': Nuk do pengojmë SPAK-un

Koncesioni ‘politik’ PS-Rithemelimi, Korreshi në 'Frontline': Nuk do pengojmë SPAK-un