Çfarë po ndodh mes dy vendeve të Ballkanit? Bullgaria do të tërheq ambasadorin e saj nga Shkupi

Bullgaria do të tërheqë ambasadorin e saj nga Shkupi, dhe do të ndërpresë të gjitha projektet e përbashkëta ndërshtetërore me Maqedoninë e Veriut.

Kjo është bërë e ditur nga ministri i Jashtëm bullgar, Nikolai Milkov, pas një seance në Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme të Bullgarisë, ku është diskutuar për tensionet e fundit me Maqedoninë e Veriut, pas sulmit fizik ndaj Hristijan Pendikovit - përfaqësuesit të një klubi bullgar në qytetin e Ohrit.

Sulmi ndaj tij ka ndodhur më 19 janar, por hetimet ende nuk kanë përcaktuar nëse ai është sulmuar për shkak të mosmarrëveshjeve personale, apo për shkak të shtetësisë së tij bullgare.

Për rast po hetohen katër persona.

“Të gjithë jemi të mendimit se gjërat nuk mund të vazhdojnë siç kanë qenë. Kjo që po ndodh nuk është qasje produktive. Duhet të bëhet e qartë se gjërat kanë ndryshuar. Gjërat nuk do të vazhdojnë, ne do të shqyrtojmë më shumë komponentë dhe elemente të bashkëpunimit tonë dypalësh me këtë shtetin tonë fqinj”, ka deklaruar shefi i diplomacisë bullgare, Nikolai Milkov.

I pyetur nëse pas këtij incidenti Sofja do t’i bllokojë bisedimet e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, Milkov ka thënë se Bullgaria nuk do ta bëjë këtë gjë, sepse siç tha, “bisedimet asnjëherë nuk kanë filluar” andaj si reagim për incidentin do të ndërmarrë masa tjera, si “ndërprerjen e të gjitha projekteve të përbashkëta ndërshtetërore me Maqedonisë së Veriut”.

Ai ka folur edhe për festën e 4 shkurtit, ditëlindjen e Goce Dellçevit, për të cilën tha se nëse bullgarët ndalohen në kufirin e Maqedonisë së Veriut, dhe nuk lejohen të shkojnë në Shkup për të festuar këtë ditë, Bullgaria do të reagojë negativisht.

Dellçev njihet si personalitet nga periudha e vitit 1900, identitetin e të cilit e pretendojnë si Sofja ashtu edhe Shkupi.

Reagimi i shefit të diplomacisë bullgare vjen pas një paralajmërimi të presidentit maqedonas, Stevo Pendarovski, se më 4 shkurt, në Shkup do të udhëtojë një grup i bullgarëve, përfshirë edhe politikanë, për të marrë pjesë në shënimin e ditëlindjes së Dellçevit.

Pendarovski ka thënë se ka informacione që ky grup mund të shkaktojë incidente, andaj edhe i ka propozuar Qeverisë ndalimin e hyrjes së një deputeti të Parlamentit Evropian nga Bullgaria, dhe të disa personave të tjerë, shtetas të Bullgarisë.

Kreu i shtetit, gjithashtu, ka thënë se ka të dhëna se pas strukturave në Bullgari, që bëjnë fushata anti-maqedonase, qëndron shërbimi inteligjent rus.

Tensionet mes dy shteteve janë acaruar në tre muajt e fundit, pas hapjes së klubeve bullgare në Manastir dhe Ohër, të cilat janë kundërhtuar nga pala maqedonase, pasi mbajnë emrat e Car Borisit të Tretë dhe Vanço Mihajlovit - personalitete bullgare që kanë luftuar për bashkimin e territoreve të Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë.

Për rritjen e tensioneve me Sofjen, opozita maqedonase ka akuzuar partitë në pushtet, të cilat, sipas saj, “për të mbrojtur krimin e Kovaçevskit [kryeministër] dhe Ali Ahmetiti [kryetar i BDI-së] pranuan të gjitha kushtet e Bullgarisë, që çuan në acarim edhe më të madh të raporteve mes dy vendeve”.

“Me LSDM-në [Lidhjen Social Demokrate], Kovaçevskin dhe Bujar Osmanin [Ministër i Punëve të Jashtme] kemi vetëm pasiguri, poshtërime dhe bllokada. Qëndrimi joshtetëror që Qeveria tregon në veprim, është disfata më e madhe që mund t'i ndodhë Maqedonisë [së Veriut]”, është thënë në reagimin e VMRO DPMNE-së.

Bullgaria, si shtet anëtar i BE-së, ka hequr veton ndaj Shkupit vitin e kaluar, për t’ua hapur rrugën bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Megjithatë, ato mund të bllokohen nëse Maqedonia e Veriut nuk ndryshon kushtetutën për përfshirjen e pakicës bullgare në kushtetutën e saj, ashtu siç parashihet me marrëveshjen mes dy vendeve, bazuar mbi atë që njihet si “propozimi francez”, për zgjidhjen e kontesteve për gjuhën, identitetin dhe historinë maqedonase./REL

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:51
Tërheqja e ambasadorit, Shkupi shpreh keqardhje për vendimin e Bullgarisë

Bullgaria do të tërheqë ambasadorin e saj nga Shkupi, dhe do të ndërpresë të gjitha projektet e përbashkëta ndërshtetërore me Maqedoninë e Veriut. Shkupi zyrtar ka reaguar në lidhje me vendimin për të tërhequr ambasadorin bullgar.

Shkupi shpreh keqardhje për vendimin e Sofjes për të tërhequr ambasadorin bullgar. Ministri i Jashtëm Bujar Osmani, thotë se ky vendim nuk mbështetet në argumente meqë institucionet e vendit kanë ndërmarrë aktivitetet e nevojshme për zbardhjen e incidentit në Ohër ditë më parë, ngjarje kjo e cila e kishte irrituar shtetin fqinj dhe e cila ka krijoi një atmosferë përplasjesh të vazhdueshme.

“Aktivitetet e fundit të Sofjes zyrtare nuk janë në përputhje me praktikën e dakordësuar të marrëdhënieve ndërshtetërore, përkundrazi, paraqesin nënshtrim ndaj provokimeve nga ana e tyre që duan t’i prishin përpjekjet për zhvillim pozitiv të raporteve mes dy vendeve. Ministria e Punëve të Jashtme shfaq keqardhje për këtë hap të cilin e vlerësojmë si të pabazë, të pambështetur me argumente valide dhe joproporcional”, tha Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.

Deputeti Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE-ja, në kontekst të përplasjeve Shkup-Sofje, kërkon të dijë nëse Ministria e Punëve të Brendshme ka marrë parasysh rekomandimet e presidentit Stevo Pendarovski për të ndaluar hyrjen në vend të disa shtetasve bullgarë para shënimit të ditës së lindjes së Goce Dellçevit. Pendarovski pas seancës së Këshillit të Sigurisë deklaroi se më 4 shkurt, në Shkup do të udhëtojë një grup i bullgarëve, përfshirë edhe politikanë, për të marrë pjesë në shënimin e ditës së lindjes së Dellçevit dhe se ka informacione se ky grup mund të shkaktojë incidente. Përgjigjen Milloshoskit ja dha kryeministri.

“Ministria e Punëve të Brendshme do të veprojë në pajtim me informacionet dhe të dhënat që ka nga burimet e saja dhe nga shërbimet me të cilat bashkëpunojnë”, tha kryeministri.

Alsat raporton se Ministria e Punëve të Brendshme është angazhuar, në pajtim me procedurat dhe ligjet të organizojë pjesëmarrje të qetë në këtë ngjarje. Tashmë ky institucion ndërmerr aktivitetet e nevojshme”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Milloshoski ishte i pakënaqur me përgjigjen e kryeministrit. Ai tha se pushteti është më herët ka lejuar deklarata provokuese nga zyrtarë bullgarë.

“Vlerësoj se ata deklarata provokuese në mënyrë plotësuese stimulojnë atmosferë në të cilën krijohen incidente kurse ju me mosvendosmërinë, meqë keni vendosur të jeni servil, leni hapësirë për deklarata provokuese dhe leni hapësirë që të ndodhin incidente”, tha Antonio Milloshoski, deputet i VMRO-DPMNE-së.

S.C/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Nënkryetarja e PE e pranon: BE gaboi me masat ndaj Kosovës, ishin të njëanshme! Serbia nuk ndëshkohet nga frika e Rusisë

Nënkryetarja e PE e pranon: BE gaboi me masat ndaj Kosovës, ishin të njëanshme! Serbia nuk ndëshkohet nga frika e Rusisë