Këtë fundviti, me festat e krishtlindjes dhe Vitit të Ri, opozita kritikon qeverinë se gjendja ekonomike është përkeqësuar dhe jo vetëm, pasi problem janë varfëria dhe madje siguria ushqimore.

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ngriti sot (29 Dhjetor) shqetësimin për sigurinë ushqimore në vend, pas raportimeve për një sasi mandarinash të refuzuara për eksport për shkak të nivelit të lartë të pesticideve.

Në një postim në rrjetin social Facebook, ligjvënësja demokrate vuri në pikëpyetje funksionimin e sistemit të kontrollit dhe sigurisë për produktet që shkojnë në tregun shqiptar.

“Produktet shqiptare janë një mrekulli, por pesticidi që po shkatërron bujqësinë është korrupsioni! Socialistët, pas 12 viteve në pushtet, janë burimi i këtij “pesticidi” që po varfëron fermerët dhe ndalon eksportet tona në BE”, shkruan Tabaku.

Më tej ajo shpjegon se situata është kritike:

“Çfarë ndodh me tregjet tona? A kryen AKU kontrolle? Çfarë ndodh me produktet që përfundojnë në tryezat e shqiptarëve?”.

Tabaku e lidhi shqetësimin me skemën e TVSH-së dhe taksat në bujqësi, si edhe me buxhetin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), për të siguruar kontrollin efektiv të ushqimeve që konsumohen në vend.

“Çfarë produktesh po hamë?”, shprehet Tabaku, teksa apelon për vëmendje më të madhe ndaj cilësisë së ushqimeve.