Chef Ilir Hysaj, “magjistari” i çokollatave Le Bon në Tiranë

Chef Ilir Hysaj, “magjistari” i çokollatave Le Bon në Tiranë

Kur ishte i vogël, në Shqipërinë e kohës së diktaturës, Chef Ilir Hysaj mezi priste të shtunën kur në shkollë i jepnin çokollata. E shijonte si gjënë më të çmuar, e ruajti thellë në zemër atë dëshirë, shije dhe sekret, që sot e ka realizuar. Eshtë Chefi pastiçier i një prej pastiçerive më të mira të Tiranës, atë Le Bon, pronë e familjes Peshkëpia.

Sot në kuzhinën e bukur dhe profesionale të Le Bon, te rrethrrotullimi i Zogut të Zi në Tiranë, Chef Iliri nuk lodhet së shpjeguari për nxënësit e WAT se nga e si vjen çokollata në tryezat tona, historinë e saj, vlerat, cilësitë e ndryshme, pasionin dhe rrugët për të zgjedhur më të mirën e për të bërë çokollata cilësore për konsumatorin shqiptar. Vetë ai ka shpikur shijet shqiptare: çokollatë me vaj ulliri nga ullishtet e Marikajt, me livando të Lezhës, me spec djegës të Tiranës, me shafran të Belshit. Janë të mrekullueshme. Pa asnjë ngurrim të ngjashme me çokollateritë më të mira të Italisë, Belgjikës apo Francës. Pikërisht në Francë Iliri ka marrë sekretet e zanatit dhe pasioni i tij tashmë prej disa kohësh është në shërbim të Tiranës.

Si gjithmonë në udhëtimet tona, udhërrëfyese shpirtërore kemi Dhurata Thanasi Danerin e “Lugës së Argjendtë”. Dhurata njeh, mbledh, vlerëson, bashkon në tërë Shqipërinë dejmtë e vajzat më të mira që kanë pasion ushqimin me vlerë, por edhe traditën. Jemi në një shoqëri globale, por sa i çmuar është identiteti ynë dhe djemtë e vajzat më të talentuar do të dinë të zbulojnë e ruajnë më të mirën tonë. Si zgjedhës të mirë, ata kërkojnë anembanë vendit receta, farëra, produkte të pastra e të pamodifikuara nga moderniteti frenetic.

Nxënësit dëgjojnë këshillat se si ta dallojnë një çokollatë të mirë, provojnë një Nutela pa vaj palme dhe kuptojnë dallimin mes vajrave të tjerë dhe të çmuarit vajit tonë të ullirit. Janë të vëmendshëm dhe shohin me sytë e tyre se sa punë, përpikmëri, njohuri ekzakte duhen për të bërë një çokollatë të mirë dhe kur e provojnë, bëjnë dallimin mes asaj artizanales të sapoprodhuar nga duart e shkathëta të Chef Ilirit dhe atë, industrialen e provuar derimëtani.

Pastiçeria Le Bon, ashtu si disa të tjera me emër në qytetin e Tiranës, kanë shtuar vlerat dhe e bëjnë kryeqytetin tonë plot mundësi e prodhime të denja si në shumë vende të tjera me traditë në pastiçeri. Për nxënesit dhe prindërit që i shoqëruan, njohja dhe shijimi çokollatave Le Bon, ishte një pasdite që do të lerë mbresa të gjata.

G.M.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Financim nga qeveria, do rehabilitohen 5 shkolla në Shkodër, Rama: I ndryshojmë faqe infrastrukturës arsimore

Financim nga qeveria, do rehabilitohen 5 shkolla në Shkodër, Rama: I ndryshojmë faqe infrastrukturës arsimore