‘Çifti i hapur’, komedia me çiftin e aktorëve Suela Bako e Romir Zalla shfaqet me sukses në teatrin e Durrësit

Një vepër e shkruar nga një çift, e interpretuar nga një çift, për të dhënë mësime të forta për ato që sot njihen si “marrëdhënie të hapura”. 

Kjo është komedia “Çifti i hapur”, shkruar nga autori fitues i çmimit Nobel, Dario Fo dhe gruaja e tij, Franca Rame. 

Premiera u shfaq mbrëmjen e së enjtes në teatrin e Durrësit, me regji të Sulejman Rushitit dhe personazhe kryesore Suela Bakon dhe Romir Zallën.

Gjithçka fillon me çiftin, burrin kontabilist dhe gruan e tij, Antonia, një shtëpiake në depresion.

Për të dalë nga monotonia dhe për të “shpëtuar martesën e tij”, burri përpiqet të bindë gruan e tij që “të hapet” ndaj aventurave të reja jashtëmartesore!

Po si vjen ky version modern i çiftit në realitetin ballkanik? 

Këtë na e tregton regjisori Sulejman Rushiti dhe aktorët, Romir Zalla dhe partnerja e tij në jetë e në skenë, Suela Bako.

“Vepra vjen me mesazhe filozofike. E bukura e veprave të mira është se janë universale, prandaj i rivendosim, sepse na japin mundësi të mbindërtojmë konceptim. Unë përcjell filozofinë dhe problematikat e ambientit ku jetoj. Në këtë pjesë është vënë theksi tek raporti ballkanik i këtij koncepti. Pra si do të funksiononte në një ambient maskilist. Pra përsëri figura e burrit është dominante apo do të ishte e rreme. Nuk dua ta dramatizoj, por ne jemi dëshmitarë çdo ditë, për shkak të kësaj qasje shpesh kemi dhe viktima, pra dominimit të mashkullit dhe përplasja me fenomene të tilla”,- është shprehur Sulejman Rushiti.

 “Është premierë në Durrës. Vijmë këtu me shumë emocione. Prej vrapit të çmendur që po ndodh sot me sallat ne nuk kemi mundur ta pjekim shfaqjen, prandaj emocionet e mëdha nuk i kemi shkarkuar. Vazhdojnë të më dridhen duart. Këtu e gjejnë veten të gjitha gratë dhe vajzat. Të martuarat e kanë më të vështirë kur duhet të mbajnë lidhjet me zor për shkak të opinionit dhe mentalitetit. Kjo është një pjesë kaq pro gruas, lirisë dhe familjes. Është një simbiozë kaq e këndshme ndaj lirisë dhe përgjegjësisë personale. Zgjidhja është komunikimi”,- ka deklaruar aktorja Suela Bako.

“Shfaqja është si një gjallesë që ndryshon nga nata në natë dhe ka jetën e vet. Publiku sot ishte shumë suportiv dhe i dha shfaqjes tisin emocional të duhur. Kjo është një vepër që ndjehet që është shkruar nga një dorë femre pavarësisht se është shkruar nga një çift. Nuk mendoj se ulet apo ngrihet figura e njërit apo tjetrit në raportin e lidhjes. E vetmja përgjigje që jep kjo shfaqje është që çdo përplasje zgjidhet vetëm nëse çifti kanë dashuri dhe respekt reciprok. Përtej kësaj çdo gjë kalohet. E vetmja formë e zgjidhjes është dashuria e fortë, për çdo lloj problemi!”,- tha aktori mRomir Zalla.

Emocionuese ishte kjo mbrëmje edhe për “mysafirët”, pjesë e kastit të aktorëve.

Elizabeta K. Mladensovska vjen nga Maqedonia e Veriut dhe është pjesë e komedisë. 

“Po, unë punoj në teatrin e Gostivarit me aktorë shqiptar dhe është kënaqësi që gjendem këtu në këtë bashkëpunim. Nuk është hera e parë që luaj në një shfaqje shqiptare dhe kam një pëlqim për vendin, sepse që prej vitit 2006 vij dhe kaloj pushimet në këtë vend. Jam ndjerë shumë mirë me këtë kast aktorësh”,-  është shprehur me aktorja maqedonase.

“Çifti i hapur” është një produksion i teatrove të Gostivarit dhe Durrësit, dhe do të vihet në skenë për artdashësit durrsakë edhe mbrëmjen së premtes.

K.M/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Ministri gjerman: Synimi i Putinit s’është Ukraina, por Evropa

Ministri gjerman: Synimi i Putinit s’është Ukraina, por Evropa