Çmimet e 'çmendura' të energjisë, vetëm në tetor u blenë rreth 65 milionë euro në treg të lirë

Çmimet e 'çmendura' të energjisë, vetëm në tetor u blenë rreth 65 milionë euro në treg të lirë

Energjia është kthyer në të mirën më të lakmuar të këtyre ditëve dhe çmimet në bursa kanë prekur nivele rekord teksa u theksua se nuk bëhej më fjalë për vlerë financiare por për sasi të disponueshme për blerje.

Furnizuesi i Tregut të Lirë (FTL), një nga tre kompanitë që janë pjesë e OSHEE Group pagoi vetëm në tetor për të siguruar energjinë e nevojshme për konsum rreth 65 milionë euro, një shumë kjo rekord dhe më e madhja e regjistruar ndonjëherë në një hark të tillë kohor të tillë prej më pak se 30 ditë. Mjafton të shohim procedurat që janë zhvilluar gjatë këtij muaji që mbulojnë periudhën nga data 4 tetor deri në 31 tetor për të llogaritur dhe shpenzimin që është dashur të bëhet.

Ajo që bie në sy për çdo procedurë është fakti që është shtrirë në të paktën tre faza dhe ku pavarësisht kësaj shtrirje nuk është arritur të sigurohet në pjesën më të madhe sasia e kërkuar e energjisë.

Për datat nga 4 tetori deri në 31 tetor janë blerë në treg të lirë mbi 237 mijë MWh energji çka bën që çmimi mesatar me të cilën është siguruar një megavat/orë është rreth 273 euro/ MWh.

Sigurisht ky çmim rezulton nga mesatarizimi, por FTL-së i është dashur të blejë energji në nivele mbi 320 euro MWh.

Qeveria shpalli në 8 tetor gjendjen e emergjencës në furnizimin me energji elektrike duke sjellë bashkë me të një sërë masash që nisin nga pezullimi i investimeve në sektorin e energjisë nga të tre operatorët dhe fokusimi i tyre tek sigurimi i energjisë për konsum deri tek vendosja në dispozicion të instrumenteve financiarë për OSHEE-në. Kjo e fundit ka në dispozicion 100 milionë euro për të siguruar energjinë e nevojshme gjatë këtij viti në tregun e lirë ndërkohë që 100 milionë të tjera janë në dispozicion për pjesën e parë të vitit tjetër. Gjendja e emergjencës është lënë në fuqi deri më 15 prill 2022.

Por teksa u tha se OSHEE do të ketë në dispozicion për këtë vit 100 milionë euro për blerje energjie thuajse 65 për qind e këtij fondi është fshirë vetëm në muajin tetor teksa mbeten para nëntori dhe dhjetori. Sigurisht shpresat janë varur tek ndryshimi i situatës hidrike në vend dhe reshjet potenciale në vjeshtë dhe dimër por nuk ka asnjë garanci mbi ecurinë dhe sytë mbeten në tregun e lirë.

Aktualisht çmimet në bursa vijojnë të mbeten të lartë edhe pse disi më ndryshe nga mesi i tetorit. Në Bursën e Hungarisë 1 MWh për datën 26 tetor u shit mesatarisht me 235 euro ndërkohë që në pik regjistroi vlerën 251 euro. Ekspertë ndërkombëtarë të sektorit të energjisë dhe ekonomistët parashikojnë që kriza e energjisë të zgjasë të paktën dy vite deri në stabilizimin e çmimeve për shkak të kushteve dhe faktorëve kompleksë që e krijuan atë dhe nga e cila po vuan një pjesë e mirë e globit./MONITOR

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Ndërron jetë në moshën 82 vjeçare ish-senatori Joe Lieberman

Ndërron jetë në moshën 82 vjeçare ish-senatori Joe Lieberman