COVID/ Punëdhënësit në SHBA humbasin durimin me të pavaksinuarit, imponojnë rregulla për t'i detyruar të vaksinohen

COVID/ Punëdhënësit në SHBA humbasin durimin me të pavaksinuarit, imponojnë rregulla për t'i detyruar të vaksinohen

Foto ilustruese

Punëdhënësit në SHBA po humbin gjithnjë e më shumë durimin me punonjësit e pavaksinuar. Një numër në rritje biznesesh po kërkojnë që punonjësit e tyre të vaksinohen kundër COVID-19, të alarmuar nga rritja e variantit Delta që është më ngjitës dhe të indinjuar që normat e vaksinimit në SHBA janë ulur.

Për muaj me radhë, shumica e punëdhënësve amerikanë u mbështetën në fushata informacioni, shpërblime dhe stimuj të tjerë për të inkurajuar punonjësit e tyre të merrnin vaksinën kundër COVID-19. Tani, një numër në rritje po imponojnë rregulla për ta bërë më të vështirë për punonjësit të refuzojnë marrjen e vaksinës, disa duke e bërë detyrim, ndërsa disa të tjerë duke u kërkuar të pavaksinuarve që t’i nënshtrohen testimit të rregullt.

Ndër punëdhënësit që po bëhen më të ashpër është qeveria federale, qeveritë e shtetit të Kalifornisë dhe Nju Jorkut, gjigantët e teknologjisë Google dhe Facebook, kompania Walt Disney Co. dhe federata amerikane e futbollit NFL. Disa spitale, universitete, restorante, bare dhe vende të tjera argëtimi gjithashtu kanë filluar të kërkojnë provat e vaksinës.

Por masat e reja nuk ka gjasa të prekin shumë nga miliona amerikanë të pavaksinuar.

Shumë nga kompanitë që po kërkojnë vaksinime kanë kryesisht punonjës të cilët tashmë janë kryesisht të vaksinuar dhe ngurrojnë të punojnë përkrah atyre që nuk janë të vaksinuar.

Në dallim, kompanitë kryesore që mbështeten tek punëtorët me të ardhura të ulëta, prodhuesit e ushqimit, magazinat, supermarketet dhe zinxhirët e tjerë të dyqaneve, po i shmangen masave për ta bërë vaksinimin të detyruar nga frika e largimit të punonjësve dhe përkeqësimit të mungesës së fuqisë punëtore me të cilat përballen biznese të tilla.

Kompania “Tyson Foods” për shembull, tha se rreth gjysma e fuqisë së saj punëtore - 56,000 punonjës - kanë marrë vaksinën pasi kompania ka organizuar më shumë se 100 fushata vaksinimi që nga shkurti. Por kompania tha se nuk ka në plan të imponojë një detyrim për të vaksinuar gjysmën tjetër të punonjësve.

Kompanitë Walmart dhe Amazon, dy punëdhënësit më të mëdhenj privatë në vend, gjithashtu kanë refuzuar ta bëjnë të detyrueshëm vaksinimin për punonjësit e tyre me orë të shkurtuara. Por kompania Walmart tha se punonjësve në selinë e saj qëndrore do t'u kërkohet të vaksinohen deri më 4 tetor.

Qeveria federale, punëdhënësi më i madh në vend njoftoi javën e kaluar se të gjithë punonjësit dhe kontraktorët duhet të vaksinohen ose të testohen çdo javë dhe të humbasin privilegjet siç janë udhëtimet zyrtare.

Qeveria federale ka thënë se do të mbulojë kostot e testeve javore. Sa për punëdhënësit e tjerë, sigurimi shëndetësor mund të paguajë për testime të tilla në disa vende pune, por jo për disa të tjera./ VOA

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Investimi i dhëndrit të Trump në Sazan, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Sarandë, ndërtoi pa leje tek 'Syri i Kaltër', vihet në pranga 33-vjeçari

Sarandë, ndërtoi pa leje tek 'Syri i Kaltër', vihet në pranga 33-vjeçari