Covid-19 godet ndjeshëm industrinë e nxjerrjes së naftës, Balluku: Po përpiqemi të menaxhojmë mbarëvajtjen e sektorit

Pandemia COVID-19, ka ndikuar negativisht në sektorin e prodhimit të naftës. Sipas të dhënave të Ministrisë së Infrastrukturës, tejmbushja e fuçive me naftë, ulja e çmimit dhe mungesa e konsumit, bllokoi gjithë industrinë.

Të ardhurat e munguara në buxhetin e shtetit vetëm nga bllokimi i industrisë nxjerrëse të naftës, si dhe mungesa e konsumit, arrijnë në 2.5 miliardë lekë. Drejtori i Hidrokarbureve Ilia Gjermani në mbledhjen e Task-Forcës së zhvilluar në Ministrinë e Infrastrukturës, tha se rënia e çmimit në bursa, dhe rënia e kërkesës për konsum gjatë kohës së pandemisë, goditën ndjeshëm aktivitetin prodhues.

“Vërehen dy fenomene negative në sektorin e hidrokarbureve. E para kemi rënie të theksuar të çmimit të naftës duke arritur në vlera historike të ulura. Në 15 e dytë të muajit prill çmimi i naftës arriti në 15 dollar fuçia, nga mbi 55 dollar në fillim të pandemisë, dhe përveç kësaj tregu u ballafaqua me rënie të kërkesës konsumatore për burimet energjetike hidrokarbure, kryesisht në sektorin e transportit të industrisë. Kjo çoi në bllokim të aktivitetit të nxjerrjes së naftës, pasi kapacitet e naftës në vend ishin të tejmbushura për shkak të uljes drastike të kërkesës deri në 25%, nga një situatë normale. Bankers prodhon rreth 1500 ton, nga 2000 ton që është prodhimi mesatar vjetor. Albpetroli sot prodhon pak më pak se gjysma e kapacitetit të prodhimit të programuar. Kjo situatë çoi në reduktim të ndjeshëm në të ardhurat e buxhetit të shtetit, vetëm për këtë periudhë të ardhurat në buxhetin e shtetit u reduktuan me 2.5 miliardë lekë, për shkak të uljes së prodhimit të naftës bruto dhe ulje të konsumit të nënprodukteve të saj”, shprehet Gjermani.  

Pjesë e taks forcës është edhe drejtoria e Përgjithshme e Doganave, ku zëvendësdrejtori Ylber Karanxha, shtoi se të ardhurat e doganës si pasojë e kësaj pandemie u reduktuan me 2.3 miliardë lekë.

“Drejtoria e Përgjithshme e Doganave u përball me mungesë të theksuar të ardhurash nga sektori i hidrokarbureve, dhe mungesa në të ardhura është 2.3 miliardë lekë. Situata ndikoi në rënie të konsumit, vetëm për periudhën mars-prill kemi eksportuar rreth 24 mijë ton më pak se në vitin e kaluar, ndërsa në muajin shkurt eksportet ishin 6 ton më shumë se në vitin 2019. Të ardhurat nga akciza u ulën me 1 miliardë lekë, nga TVSH-ja me 600 milionë lekë, nga rënia e çmimit me -500 dhe nga renta minerare me 180 milionë”, tha Karanxha.

Ndërkohë Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku tha se sektori i naftës ka qenë më i godituri edhe pse situata është përmirësuar.

“Sektori i naftës është më i godituri, dhe të gjithë aktorët sot ndodhen para një situate të vështirë. Ajo që po përpiqemi të menaxhojmë është mbarëvajtja e sektorit, duke nisur nga momenti i nxjerrjes së naftës nga nëntoka dhe deri tek përdoruesi final”, tha Balluku.

Gjatë kohës së pandemisë nafta njohu rënien më të thellë të çmimit pasi nafta bruto arriti të shitej me çmim poshtë zeros. Më 20 prill një fuçi nafte u shit me -40 dollar. Kjo do të thotë që një anije, e cila bleu 20.000 fuçi naftë, në vend që të paguante, u pagua nga shitësi me 140.000 dollarë.

VIDEO/Mbledhja online e Task Forces

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Himarë/ Mbështetësit e Belerit penguan Këshillin Bashkiak, mbërrin FNSH! Mbledhja do të mbahet me dyer të mbyllura

Himarë/ Mbështetësit e Belerit penguan Këshillin Bashkiak, mbërrin FNSH! Mbledhja do të mbahet me dyer të mbyllura