Italia shënon 20 mijë të shëruar, më pak persona në terapi intensive! 681 viktima në 24 orë! Mbi 1 milion e 100 mijë raste në botë

Në botë numri total i rasteve pozitiv me koronavirus është rritur në mbi 1.119 000 për një total vdekjesh prej rreth 59 000 kurse numri i të shëruar është rreth 227 mijë.

SHBA regjistruan një tjetër rekord dramatik. Sipas të dhënave nga Universiteti John Hopkins në vend u regjistruan në 24 orët e fundit 1480 vdekje për një total prej rreth 7400 viktima nga koronavirusi që nga përhapja e pandemisë kurse totali I të prekurve nga infeksioni është rreth 279 mijë.

Në 24 orët e kaluara në shtetin e New York-ut u regjistruan 526 vdekje. Në total tani ka 102.863 raste pozitive, me gati 3000 vdekje dhe mbi 14 mijë pacientë të shtruar në spital.

Kina ndalet për të kujtuar viktimat
Kina ka ndaluar për të nderuar mbi 3300 viktimat nga koronavirusi si dhe 14 dëshmorët, mjekë dhe infermierë që ranë në vijën e parë të frontit në Hubei duke luftuar kundër pandemisë. I gjithë vendi u ndal për tre minuta dhe mbajti zi kurse sirenat dhe boritë e makinave u ngritën në ajër.
Presidenti Xi Jinping dhe drejtuesit e Partisë Komuniste dhe qeverisë, mbajtën një ceremoni në kompleksin e Zhongnanhai të Pekinit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:28
Italia shënon 20 mijë të shëruar, më pak persona në terapi intensive! Ulen viktimat, 681 të vdekur në 24 orët e fundit

Italia është ende në pikun e saj në lidhje me koronavirusin, ku numri i të infektuarve vijon të jetë i qëndreshëm çdo ditë, por lajmi i mirë është se ka më shumë të shëruar dhe më pak persona që kanë nevojë për terapi intensive.

Në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 681 persona duke shënuar një ulje krahasuar me ditën e djeshme që ishte 766 të vdekur. Numri   total i viktimave ka shkuar në 15 000 persona gjithsej.

Në lidhje më numrin e të infektuarve, kurba vijon të jetë e sheshtë me të njëjtat shifra të qëndrueshme. Numri i të infektuarve gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 2 886 të prekur nga COVID-19, krahasuar me 2339 që ishte një ditë më parë.

Lajmi i mirë vjen për të shëruarit ku gjatë 24 orët e fundit kanë shënuar 1.238 duke shënuar 20 mijë të shëruar gjithsej në të gjithë vendin. 

Ora 17:07
Koronavirusi, habit kryebashkiaku gjerman: U infektova qëllimisht për të krijuar imunitet

Stephan von Dassel, kreu i një bashkie në Gjermani deklaroi në mediat lokale se u infektua qëllimisht me koronavirus nga partnerja e tij, për të krijuar imunitet.

Kryebashkiaku u shpreh se e shikonte infektimin me koronavirus si një kontribut, përballë qëllimit final për uljen e kurbës dhe shton se sëmundja ishte më e vështirë dhe e mundimshme nga sa ai mendonte.

“Qëndrova sëmurë më gjatë. U infektova pothuajse qëllimisht për të krijuar imunitet dhe mendoja se do të qëndroja në shtrat për tre ditë e më pas do të isha imun. Por ishte shumë më keq nga sa e kisha imagjinuar”, u shpreh Dassel, për televizionin RBB.

Drejtuesi i bashkisë së Mitte, shtoi se do të respektojë urdhrat e autoriteteve shëndetësore dhe se do të qëndrojë në shtëpi deri sa të jetë shëruar plotësisht.

Në Gjermani deri tani ka rreth 92 mijë infeksione dhe 1275 vdekje.

Ora 16:47
Koronavirusi, 'gjueti thesari' për maska! Gjermania akuza Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Gjermania  i bëri thirrje administratës Trump t’i përmbahet rregullave të tregtisë globale, pasi Shtetet e Bashkuara akuzohen për konfiskimin e 200 mijë maskave të prodhuara për Gjermaninë.

Sipas ministrisë së Brendshme, maskat ishin porositur nga policia e Berlinit, por nuk mbërritën kurrë në destinacion, pasi ishin konfiskuar në Bangkok.

Kompania amerikane që i prodhoi, “3M”, u ndalua të eksportojë pajisjet mjekësore në vendet e tjera mbi bazën e një ligji të kohës së luftës me Korenë, i aktivizuar nga presidenti amerikan Donald Trump.

Ndërsa njoftoi hyrjen në fuqi të ligjit të luftës ditën e premte, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se pajisjet mjekësore nevojiteshin brenda vendit.

Sakaq, teksa pandemia e koronavirusit përkeqësohet, kërkesa për pajisjet jetësore është rritur ndjeshëm dhe përpjekja për të siguruar maska në këtë kohë, krahasohet me “gjueti thesari”.

Kompania amerikane 3M hodhi poshtë akzuat e bëra nga Gjermania se një ngarkesë me 200 mijë maska mbrojtëse i porositur nga qyteti i Berlinit nisur nga pandemia e COVID-18 është konfiskuar në kryeqytetin tajlandez Bangkok, nga zyrtarët amerikanë.

Sipas kompansië “3M” nuk ka asnjë të dhënë për maskat e konfiskuara si edhe fatura të porosisë nga kryeqyteti gjerman.

Gjermania nuk është e vetmja që ankohet për praktikat amerikane. Në Francë disa liderë rajonalë thanë se po luftojnë për të siguruar pajisjet mjekësore pasi SHBA po ia pamundëson kët

Ora 16:34
Koronavirusi, në Britaninë e Madhe rikthehet ideja e imunitetit të tufës. Vdes nga infeksioni i Covid-19 fëmija 5 vjeç në Londër

Teoria e imunitetit tufë është rikthyer përsëri në Mbretërinë e Bashkuar ose më saktë, ajo ka qenë "e ngrirë", duke pasur parasysh rreziqet për shëndetin e popullit , i cili mund të ishte mbytur nën "tsunami" infeksionesh nga koronavirusi.

Tani, megjithatë, ajo zhvarroset përsëri nga një zyrtar qeveritar,  Profesor Graham Medley, këshilltari më i lartë ekzekutiv për pandemitë.

Prof. Medley pretendon se "Mbretëria e Bashkuar po mbërthehet në një rrugë pa krye dhe se "një bllokim i vazhdueshëm ka të ngjarë të shkaktojë më shumë dëme sesa vetë virusi" si dhunë në familje apo dhe sëmundje të rënda mendore që shkaktojnë izolim në shtëpi dhe papunësi kronike".

Medley pranon se, për të kontrolluar pandeminë dhe për të mbajtur nivelet e infeksionit të ulta, "mbyllja e gjithçkaje" është e vetmja zgjidhje e mundshme. Por në të njëjtën kohë, profesori nuk beson se këto masa mund të zbatohen në planin afatgjatë, sepse ato mund të shkaktojnë probleme edhe më serioze. Kjo është arsyeja pse Medley i thotë 'Times' se Mbretëria e Bashkuar "po përfundon në një rrugë pa krye" dhe se "ne duhet të rishqyrtojmë strategjinë e imunitetit të tufës".

Ishte 13 Mars kur Sir Patrick Vallance, këshilltari kryesor i qeverisë tha për Sky News dhe BBC se "60% e Britanikëve duhet të kontraktojnë virusin për të zhvilluar imunitetin që sëmundja të mbahet nën kontroll në planin afatgjatë".  Por ideja e Vallance pas disa kohësh u hodh në kosh dhe kryeministri Johnson ndërroi taktikë, ndonëse vonë kur gjërat kishin nisur të përkeqësoheshin në frontin e pandemisë.

Në Britaninë e Madhe janë regjistruar rreth 39 000 raste pozitiv me Covid-19 teksa në vend numërohen rreth 3600 vdekje. Viktima më e re është një fëmijë 5 vjeç i cili humbi jetën sot në Londër nga infeksioni i koronavirusit. Ky është fëmija i dytë viktimë pas 13-vjeçarit Ismail Mohamed Abdulwahab, i cili vdiq në jug të Londrës dhe u varros dje. Infeksionet Covid-19 në mesin e të rinjve dhe të miturve mbeten një përjashtim statistikor, sipas të dhënave globale mbi epideminë, por po shumohen në numra absolut.

Ora 15:30
Koronavirusi/ Paralajmërimi i OBSH: Vendet që heqin kufizimet rrezikojnë recesion ekonomik

Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetit Tedros Adhanom Ghebreyesus ka paralajmëruar disa vende që po tentojnë të heqin kufizimet e vendosura për shkak të pandemisë nga koronavirusi.

Ghebreyesus  tha se “Vendet që nxitojnë të heqin kufizimet e karantinës të vendosura për të frenuar rrezikun e pandemisë nga Covid-19, rrezikojnë një rënie ekonomike "edhe më të rëndë dhe më të zgjatur" dhe një ‘ringjallje’ të rasteve pozitive me COVID-19.

"Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm për pasojat e thella sociale dhe ekonomike të pandemisë", tha Tedros gjatë një konferencë në selinë e agjencisë në Gjenevë.

"Në fund të fundit, mënyra më e mirë për vendet për t'i dhënë fund kufizimeve dhe për të lehtësuar efektet e tyre ekonomike është sulmi ndaj koronavirusit”.

Ora 15:10
Koronavirusi-Itali, vdes nënkomisari i eskortës së kryeministrit Conte. 88 viktima në rradhët e bluzave të bardha

Në Itali, nënkomisari i eskortës së kryeministrit Giuseppe Conte, Giorgio Guastamacchia ka ndërruar jetë në një spital në Romë pas impilikimeve pneumonike për shkak të infeksionit nga koronavirusi.

52 vjeçari Guastamacchia, baba i dy fëmijëve ishte infektuar disa javë më parë dhe menjëherë ishte shtruar në spital dhe i ishte nënshtruar intubimit.

Tre mjekë të tjerë vdiqën sot, bilanci rritet në 80

Bilanci i punonjësve shëndetësorë që kanë vdekur nga koronavirusi është përkeqësuar edhe më tej, teksa sot vdiqën edhe tre të tjerë duke e çuar totalin në rradhët  e bluzave të bardha në 80.

Në total, sipas të dhënave më të fundit nga Instituti i Lartë i Shëndetit, numri i personelit shëndetësorë i prekur nga Covid-19 është 11 2252

Ora 14:05
Koronavirusi-Itali, autoritetet: Lufta nuk është fituar ende, nuk ka kthim në normalitet

Komisioneri i emergjencës shëndetësore në Itali, Domenico Arcuri u shpreh se "Beteja kundër koronavirusi vazhdon” dhe se duhen shmangur iluzionet se lufta është fituar dhe si pasojë të ulet vigjilenca.

“Ne – tha ai- duhet të përmbahemi nga të menduarit se tashmë ka ardhur koha për t'u rikthyer në normalitet”.

Domenico Arcuri theksoi gjithashtu se Italia do të dalë nga kjo dramë vetëm nëse secili do bëjë pjesën e tij në emergjencën shëndetësore.

Italia mbetet akoma në rafshnaltën e pikut të epidemisë dhe ende të dhënat e rritjes së numrit pacientëve me koronavirus mbeten të qëndrueshme si dhe zbulimi i rasteve të reja në lidhje me tamponët e bërë.

OBSH ndërkohë ka tërhequr vëmendjen se disa vende po tentojnë të lehtësojnë masat e izolimit dhe kufizimit dhe ka sjellë shembullin e mirë krahasimor të Italisë ku me shumë mundësi vetëm në mes të muajit maj mund të kalohet në fazën 2 që do të thotë rifillim i aktiviteteve, gjithmonë nëse evolucioni i situatës do ta lejojë.

Në Itali numri i vdekjeve nga koronavirusi është rritur në 14681 për një total të infektuarish prej 119 827 kurse të shëruarit numërohen në rreth 19 758

Ora 13:49
Koronavirusi, rritet bilanci i viktimave në Greqi dhe Turqi nga Covid-19

Greqi është rritur bilanci i viktimave dhe i të infektuarve nga virusi Covid-19.

Në 24 orët e fundit janë regjistruar 4 të vdekur duke e çuar totalin e përgjithshëm të viktimave në 67 persona.

Në vend numërohen mbi 1,613 persona të infektuar, nga të cilët 92 janë në gjendje kritike për jetën.

Ankaraja zyrtare ka raportuar për 21 mijë të identifikuar pozitiv me Covid-19 teksa numri i viktimave është rritur në 425.

Rumani viktimat numërohen në 141 për një total të infektuarish prej 3613 personash.

Edhe në Serbi është rritur numri i viktimave teksa numri i përgjithshëm i vdekjeve është 39 kurse numri i përgjithshëm i rasteve të infeksionit është 1476.

Kroacia deri tani ka 12 viktima nga koronavirusi teksa në vend ka rreth 1100 të identifikuar pozitiv.

Kosovë deri tani ka 126 persona të testuar me koronavirus kurse numri i viktimave mbatet 1.

Ora 11:18
Covid-19, studiuesit australian zbulojnë ilaçin që vret koronavirusin në 48 orë

Kërkimet mjekësore për të gjetur një kurë të mundshme për koronavirusin po vazhdojnë në të gjithë botën.

Në veçanti, një grup shkencëtarësh australianë po kryejnë teste me ‘Ivermectin’, një ilaç që zakonisht përdoret për të trajtuar sëmundje të tjera Zika.

Sipas asaj që doli nga testet e tyre, duket se ata kanë arritur të provojnë se Ivermectin mund të vrasë virusin në 48 orë.

Në studimet për kulturën e qelizave të kryera nga Instituti i Biomjekësisë Discovery (BDI) në Universitetin Monash (Melbourne) në bashkëpunim me Institutin Doherty, u zbulua se ky ilaç (antiparasitik i disponueshëm në të gjithë botën dhe i njohur nga Agjensia e Drogave Amerikane) ia ka dalë mbanë për të eleminuar ngarkesën virale të koronavirusit në vetëm dy ditë.

"Ne zbuluam se edhe një dozë e vetme mund të eliminojë të gjithë ARN-in virale brenda 48 orëve dhe se kjo ngarkesë ulet në mënyrë të konsiderueshme brenda 24 orëve," thanë studiuesit për agjencinë spanjolle të lajmeve, Europa Press.

Sidoqoftë, shkencëtarë pranuan se do të duhet më shumë kohë për të verifikuar efektivitetin e Ivermectin në mposhtjen e koronavirusit te njerëzit.

Ata thanë se "Tani duhet të përcaktojmë nëse doza që mund të përdoret tek njerëzit është efektive”.

Në rast se grupi i shkencëtarëve australianë mund të vërtetojnë dobinë e këtij ilaçi kundër Covid-19, kjo do të ishte një nga zbulimet më të rëndësishme në sektorin e mjekësisë në vitet e fundit.

Ora 10:13
Coronavirusi, Italia ende në rrafshnaltën e pikut të epidemisë. Totali i testeve të kryera rreth 620 000

Italia mbetet akoma në rafshnaltën e pikut të epidemisë dhe ende të dhënat e rritjes së numrit pacientëve me koronavirus mbeten të qëndrueshme si dhe zbulimi i rasteve të reja në lidhje me tamponët e bërë.

Në total numri i testeve të kryera është rreth 620 000 teksa në vetëm 24 orët e fundit u kryen rreth 80 mijë të tilla.

Shqetësuese paraqitet gjendja e infeksioneve në rradhët e bluzave të bardha. Vetëm dje humbën jetën nga koronavirusi 8 mjekë duke e rritur numrin e viktimave të mjekëve dhe infermierëve në 77.

Gjendja e pandemisë në jug të Italisë duket e tendenca e rritjes së infeksionit ka stopuar dhe ka nisur rënia.

Drejtori i Departamentit të Sëmundjeve Infekttive në Institutin e lartë të Shëndetësisë, Gianni Rezza tha se "Nëse do të kishim hequr dorë nga masat shtrënguese, në Jug do të kishte shumë Codogno", një nga dy vatrat e para të epidemisë në Itali.

OBSH ka tërhequr vëmendjen se disa vende po tentojnë të lehtësojnë masat e izolimit dhe kufizimit dhe ka sjellë shembullin e mirë krahasimor të Italisë ku me shumë mundësi vetëm në mes të muajit maj mund të kalohet në fazën 2 që do të thotë rifillim i aktiviteteve, gjithmonë nëse evolucioni i situatës do ta lejojë.

Ora 10:09
Covid-19, Gjermani kapërcen Kinën për numrin e të infektuarve

Gjermania, sipas të dhënave të Institutit Robert kock, në renditjen botërore të epidemisë prej Covid-19 ka kapërcyer Kinën përsa i përket numrit të personave që janë testuar pozitiv nga koronavirusi.

Autoritetet kanë raportuar se numri total i rasteve të infeksionit është rreth 92 mijë infeksione kurse numri i viktimave ka shkuar në 1275

Landi më i goditur nga pandemia është Bavaria, me rreth 20,000 raste infeksioni, e vetmja zonë ku bllokimi është total.

Edhe në Gjermani, punonjësit e shëndetësisë po e paguajnë shtrenjtë çmimin e betejës.

Gazeta Süddeutsche Zeitung pretendon se ka më shumë se 2.300 të infektuar, përfshirë mjekë dhe infermierë, dhe numri pritet të rritet.
 

Ora 09:51
Koronavirusi-OBSH: Gjithnjë e më shumë të rinj të infektuar dhe viktima nga Covid-19

‘Numri i të rinjve të infektuar si dhe i atyre që po humasin jetën nga koronavirusi po rritet me shpejtësi”.

Sipas Maria Van Kerkhove, drejtoreshë teknike e Organizatës Botërore të Shëndetit, "në përgjithësi, shumica e personave të prekur nga Covid-19 janë të moshuar dhe me sëmundje të mbartura. “Por në disa vende ne po shohim që shumë të moshës nga 30 deri 50 vjeç që janë shtruar në spital në repartet e kujdesit intensiv, shumë prej të cilëve tashmë edhe kanë vdekur”- theksoi Kerkhove.

Sipas të dhënave të përditësuara të Universitetit John Hopkins, në botë numri total i rasteve pozitiv me koronavirus është rritur në mbi 1.119 000 për një total vdekjesh prej rreth 59 000 kurse numri i të shëruar është rreth 227 mijë.

Ora 09:40
Humanizëm në kohë koronavirusi! 12 vjeçarja telefonon policinë: Jemi të uritur, ju lutem na ndihmoni

'Jemi të uritur, babai im nuk po punon më kurse frigoriferi është bosh, ju lutemi na ndihmoni!'.

Janë këto fjalët lutëse të një vajze 12 vjeçare në Itali e cila telefonoi Qendrën Operacionale të karabinierisë në Bolonja duke kërkuar ndihmë prej tyre.

Nuk vonoi dhe një patrullë policie u dërgua në familjen me origjinë të huaj e përbërë nga dy prindërit dhe dy fëmijët e tyre.

Ata konstatuan se fjalët e vajzës kishin përshkruar një situatë të vërtetë: babai, burimi i vetëm i të ardhurave në familje, kishte humbur punën për shkak të emergjencës shëndetësore ku ndodhet Italia dhe familja nuk kishte më asgjë për të ngrënë.

Me iniciativën e saj, 12-vjeçarja kishte thirrur policinë dhe paskësaj karabinierët kishin shkuar në pazar ku blenë sasira të konsiderueshme me ushqime si qumësht, makarona, vezë, miell, mish, biskota, fruta dhe perime.

Gjesti i karabinierëve në Bolonja ka tërhequr vëmendjen e shumë mediave të cilat kanë bërë publike iniciativën e tyre.

Ora 09:05
Covid-19, mbi 6500 viktima në Francë. Më shumë se 11 mijë vdekje në Spanjë

Në Francë u regjistrua numri rekord në një ditë të vetme i 588 vdekjeve të reja nga koronavirusit, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në mbi 6.500.

Drejtori i Përgjithshëm i Shëndetit, Jerome Salomon deklaroi se pacientët e shtruar në spital janë 27.432 kurse të shëruarit janë 6662.

Në renditjen e faqes së Universitetit John Hopkins për pandeminë, Spanja renditet pas Italisë për numrin e të prekurve nga infeksioni i Covid-19.

Në vend numërohen më shumë se 119 000 raste pozitiv kurse teksa numri i viktimave ka shkuar në rreth 11 200

Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë në Spanjë dhe raportuar nga ‘El Pais’ në 24 orët e fundit u shënuan 932 vdekje.

Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë në Spanjë dhe raportuar nga ‘El Pais’ në 24 orët e fundit u shënuan 932 vdekje.

Pas Spanjës në renditje ndodhet Gjermania me rreth 92 mijë infeksione dhe 1275 vdekje.

Në Britaninë e Madhe janë regjistruar rreth 39 000 raste pozitiv me Covid-19 teksa në vend numërohen rreth 3600 vdekje.

Ora 09:01
Covid-19- Donald Trump, jo urdhër kombëtar për të qëndruar në shtëpi. New York-mesazhe në celularë: Kërkohen vullnetarë

Sipas asaj që deklaroi së fundmi, presidenti amerikan Donald Trump nuk do të ketë një urdhër kombëtar për amerikanët për të qëndruar në shtëpi. Do të jenë vet shtetet që do ta përcaktojnë këtë për qytetarët e vet.

Deklarata e Trump bie në kundërshtim të ekspertëve që punojnë pranë Shtëpisë së Bardhë si Anthony Fauci të cilët prej ditësh kanë bërë presion pranë administratës për të patur një urdhër kombëtar për të qëndruar në shtëpi.

"Në Itali dhe Spanjë është ndryshe - tha Trump - ata kanë një problem më të madh se ne. Unë nuk mund ta shoh veten me maskë në zyren ovale" -shpjegoi ai, duke sinjalizuar se nuk ka ndërmend të ndjek rekomandimet e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (Cdc) për të mbuluar fytyrën e tij me një maskë jo kirurgjikale për të mbrojtur veten dhe të tjerët nga koronavirusi.

New York-u po kërkon vullnetarë, mesazhe në celularë

Në orët e fundit Njujorkezët morën një mesazh në celularët e tyre përmes të cilit iu bëhej ftesa për të dalë vullnetarë në qendrat shëndetësore për të ndihmuar në emergjencën shëndetësore.

Administrata e Nju Jorkut është në kërkim të të diplomuarve nga shkollat ​​e mesme dhe vullnetarët e thjeshtë, për sa kohë që nuk janë të sëmurë dhe mbi 50 vjeç.

Kjo metodë e veçantë e paralajmërimit të popullatës zakonisht përdoret për të tingëlluar alarmin për të paralajmëruar mbërritjen e uraganëve ose në raste të jashtëzakonshme sigurie.

Kërkimi i vullnetarëve për t'u marrë me  covid-19 është një rast shumë i veçantë, një shenjë që tregon se menaxherët e Shëndetësisë po kërkojnë dëshpërimisht staf.

Pas mesazhit pati një përgjigje të jashtëzakonshme: 20-30 mijë njerëz dhanë disponueshmërinë e tyre, shumë mjekë dhe infermierë gjithashtu erdhën nga pjesa tjetër e vendit. Problemi me New York-un është se shtretërit dhe respiratorët po mbarojnë.
 

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Vonesa e anulime në fluturime, 60% e udhëtimeve me probleme nga Wizz Air, mijëra qytetarë rrugëve në 2023!  ‘Air Albania’ prej kompanive më të mira

Vonesa e anulime në fluturime, 60% e udhëtimeve me probleme nga Wizz Air, mijëra qytetarë rrugëve në 2023! ‘Air Albania’ prej kompanive më të mira