Covid-19, në Itali regjistrohen 619 viktima. Mbi 100 mijë të vdekur në botë! Tragjike, në SHBA 2108 viktima në 24 orë

Numri i viktimave në botë për shkak të infeksionit prej koronavirusit është mbi 103 mijë teksa janë regjistruar më shumë se 1 milion e 700 000 që kanë rezultuar pozitiv nga Covid-19.

Në vetëm një ditë SHBA kanë regjistruar 2108 vdekje për një total prej rreth 19 mijë viktima. Në vend numërohen mbi gjysmë milioni raste të Covid-19 (më shumë se 35 mijë të prekur në 24 orët e fundit) dhe rreth 19 mijë vdekje, pothuajse aq sa Italia (18 849).

Në Nju Jork në 24 orët e fundit ka patur 651 vdekje dhe rreth 6700 infeksione të reja për një total prej më shumë se 94 mijë raste pozitiv kurse numri i përgjithshëm i të infektuarve që nga fillimi i pandemisë është 94,409.

Ndërkohë, Qarku i Los Anxhelosit ka vendosur të zgjasë kufizimet për kontrollimin pandemisë deri më 15 maj kurse San Francisko do i mbajë në fuqi kufizimet deri më 3 maj.

SHBA po përgatiten të ngjiten mbi Itali si një komb me më shumë vdekje në botë nga koronavirusi. Kjo shpjegon pse në ishullin Hart, përpara Bronxit, u gërmuan varre masive për të varrosur pa familjarë viktimat e epidemisë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:07
Covid-19, pandemia vazhdon ende të tremb, në Itali regjistrohen 619 viktima

Sipas autoriteteve të Mbrojtjes Civile Italiane gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 619 viktima nga koronavirusi, 49 më shumë se dje, për një total prej 19468 vdekje që nga fillimi i epidemisë. 

Numri i të shëruarve sot është 2079 ndërsa dje ishin 1985, për një total prej 32534       

Autoritetet raportuan edhe për 4,694 raste të reja pozitiv nga Covid-19, 743 më shumë sesa dje, për një total që nga fillimi I pandemisë prej 152 271

Në kujdesin intensiv janë të shtruar 116 me pak sesa dje

Lombardia, 273 të vdekur që nga dje

Në Lombardi janë regjistruar 1.544 persona më shumë pozitive nga koronavirusi duke e rritur totalin e të prekurve në Rajon në 57.592. Këshilltari i Mirëqenies së Lombardisë, Giulio Gallera raportoi edhe për 273 vdekje, duke e çuar totalin në këtë rajon verior në 10.511.

Në Milano rastet e infeksionit në total që nga fillimi i epidemisë janë 13.268, e ndjekur nga Brescia 10.599, Bergamo 10,258, Cremona 4,658, Monza 3.575, Como 1.825, Lecco 1.860, Lodi 2.472, Mantova 2.411, Pavia 3.049, Sondrio 684 dhe Varese 1.633
Kryeministri italian Giuseppe Conte ka deklaruar se pas datës 3 maj gradualisht mund të lehtësohen masat kufizuese fillimisht për disa dhe më vonë për të gjitha aktivitetet e prodhimit, për ta rikthyer në punë motorin e ekonomisë.

Ora 16:49
Covid-19, në New York-un me 651 vdekje në 24 orët e fundit, shkollat të mbyllura deri në shtator

Shkollat në New York do të qëndrojnë të mbyllura deri në fund të viti shkollorë. Lajmi u dha nga guvernatori i shtetit Bill De Blasio.

Shteti i New York-ut numëron rreth 1.1 nxënës dhe studentë të cilët prej 16 marsin nuk ndjekin më shkollën për shkak të pandemisë nga koronavirusi.

Në Nju Jork në 24 orët e fundit ka patur 651 vdekje dhe rreth 6700 infeksione të reja për një total prej më shumë se 94 mijë raste pozitiv kurse numri i përgjithshëm i të infektuarve që nga fillimi i pandemisë është 94,409.

Ndërkohë, Qarku i Los Anxhelosit ka vendosur të zgjasë kufizimet për kontrollimin pandemisë deri më 15 maj kurse San Francisko do i mbajë në fuqi kufizimet deri më 3 maj.

Në vetëm një ditë SHBA kanë regjistruar 2108 vdekje për një total prej rreth 19 mijë viktima. Në vend numërohen mbi gjysmë milioni raste të Covid-19 (më shumë se 35 mijë të prekur në 24 orët e fundit) dhe rreth 19 mijë vdekje, pothuajse aq sa Italia (18 849).

Ora 16:05
Covid-19 Turqia në shtetrrethim gjatë fundjavës, 300 euro gjobë për shkelësit e izolimit

Në Turqi, Stambolli, Izmiri, Ankaraja, Antalia bashkë me rreth 30 qytete të tjerë janë të detyruara të jetojnë në gjendje shtetërrethimi prej 48 orësh, pas urdhërit të qeverisë, përpjekje kjo në suazën e masave për të frenuar përhapjen e infeksionit nga koronavirusi.

Masa e re detyruese parashikon një gjobë prej 300 euro për të gjithë ata që shkelin izolimin e ri.

Urdhëri i qeverisë u njoftua me pak vonesë dhe bëri që të panikohej popullsia e cila ‘sulmoi’ supermarketet.

Në Turqi mbi 1000 të vdekur

Masa u vendos ndërsa vdekjet në Turqi tejkaluan shifrën 1000, kurse numri I të infektuarve është rritur në 47 029.

Ora 15:22
Covid-19, OBSH reagon pas riinfektimit të 91 të shëruarve në Korenë e Jugut

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) deklaroi se po shqyrton raportet e disa pacientëve me COVID-19, të cilët në testin e dytë dolën pozitivë edhe pse më parë kishin rezultuar si negativë.

Ky njoftim vjen pasi zyrtarët e Koresë së Jugut raportuan të premten se 91 pacientë që mendoheshin se ishin shëruar nga COVID-19 kishin rezultuar përsëri pozitivë në testet e tyre.

Në pyetjen e Reuters-it lidhur me këtë çështje, Organizata Botërore e Shëndetësisë u shpreh se “janë të vetëdijshëm për këto raporte” dhe po i studiojnë ato.

“Rastet po i shqyrtojmë me ekspertët tanë klinikë dhe po punojmë shumë për të marrë më shumë informacione për ato raste individuale. Është e rëndësishme që kur grumbullohen mostrat e testimit nga pacientët e dyshuar, të ndiqen procedurat ashtu siç duhet”, thotë OBSH-ja.

Sipas udhëzimeve të OBSH-së, një pacient mund të lirohet nga spitali pas dy rezultateve të njëpasnjëshme negative me distancë kohore të testimit të paktën 24 orë.

Ora 14:24
Covid-19-SHBA, 6 mijë makina në rradhë për ushqim falas nga 'Mega Giveaway' (FOTO)

Që në orët e para të mëngjesit, 6 mijë makina kishin zënë radhë për të marrë ushqim falas në atë që njihet me emrin “Mega Giveaway”, eventi bamirës i organizuar në Teksas të SHBA nga shoqata “San Antonio Bank Food”.

Frika prej urisë e shkaktuar nga efektet ekonomike që ka shkaktuar pandemia në SHBA ka bërë që mbi 6 milionë amerikanë të kërkojnë ndihma sociale pasi kanë mbetur pa punë.

“San Antonio Bank Food” do të shpërndajë falas brenda dy javësh më shumë se 450 tonelata ushqime, kryesisht fruta dhe perime, konserva, qumësht dhe gjithçka që është e nevojshme për këto familje për të mbijetuar në kohë krize ekonomike.

Ora 13:01
Covid-19, me 980 viktima Britania e Madhe pret pikun e pandemisë

980 vdekjet e raportuara në 24 orët e fundit në Mbretërinë e Bashkuar kanë tejkaluar numrin më të madh të viktimave të regjistruara në ditët më të këqija të Italisë dhe Spanjës gjatë kësaj pandemie, ku në Itali shifra më e lartë ka qenë 919 kurse në Spanjë 950.

Ndërsa këto dy vende tani po shohin se shifrat e vdekjeve çdo ditë po bien, Mbretëria e Bashkuar po e mbyll javën më rreth 1000 viktima por numri mund të jetë edhe më i lartë pasi shumë vdekje dyshohet se ende nuk janë raportuar.

 Për autoritetet gjendja në spitale është e stabilizuar dhe ka akoma shtretër bosh në pavionet e kujdesit intensive. Gjithsesi autoritetet e shëndetësisë I kanë bërë thirrje britanikëve të raportojnë për çdo rast të dyshuar që ka simptoma të koronavirusit.

Shpresa është tani që masat për distancimin shoqëror do të kenë të njëjtin efekt si bllokimet e Italisë dhe Spanjës, dhe numri i vdekjeve do të fillojë të ulet në ulet në javët në vazhdim.Gjithsesi ende askush nuk e di se kur pandemia do ketë pikun e saj.

Ndërkohë gjendja e kryeministrit Boris Johnson, i shtruar prej rreth një jave në spital pasi gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua nga infeksioni i Coivid-19 prej tre ditësh ka dalë nga kujdesi intensiv dhe autoritetet thonë se gjendja e tij është e stabilizuar.

“Kryeministri është në gjendje të mirë. Po trajtohet me kurat e nevojshme dhe ka humor të mirë, bile disa herë është ngritur nga shtrati dhe ka lëvizur nëpër dhomë”- tha zëvendësuesi i ti, Ministri i Jashtëm britanik Dominic Raab 

Ora 12:36
Covid-19- Spanjë, 510 vdekje në 24 orë, shifra më e ulët që nga 23 Marsi

 

Spanja ka regjistruar në 24 orët e fundit 510 vdekje të reja, numri më i ulët I vdekjeve në një ditë që nga 23 marsi kur u regjsitruan 462 viktima nga Covid-19.

Rastet e konfirmuara të koronavirusi arrijnë në 161.852 kurse totali i vdekjeve është 16.353 që nga fillimi i epidemisë, ndërsa gati 60,000 pacientë janë shëruar.

Sidoqoftë, edhe nëse kjo shifër është ngushëlluese, është e qartë se kriza nuk ka përfunduar.

Qeveria ka dekretuar zgjatjen e masave izoluese edhe me 14 ditë të tjera, deri në 25 Prill, të kontrolleve në kufijtë tokësorë me Francën dhe Portugalinë dhe deri më 3 maj masat e tjera të bllokimit.

Ora 12:34
Covid-19, Mediat britanike: Vaksina gati në shtator! Në Francë rriten shifrat e epidemisë

Franca po shndërrohet në vatrën më të nxehtë të pandemisë së koronavirusit , me shifra që po rriten dita ditës.

Sot autoritetet kanë konfirmuar 987 viktima të reja, ku 554 kanë ndërruar jetë në spitale, të tjerët në shtëpi ose në azilet për të moshuarit. Të prekurit e rinj janë më shumë se 7 mijë, ndërkohë që totali i të infektuarve nga COVID-19 ka arritur në 125 mijë persona.

Ndërkohë, Qeveria franceze deklaroi zyrtarisht që shteti do të jetë në recesion këtë vit, me GDP që pritet të bjerë me 6% përgjatë 2020-ës. Sipas qeverisë franceze, “rimëkëmbja ekonomike do të jetë e gjatë, e vështirë dhe e kushtueshme”.

Vaksina gati në shtator

Mediat britanike raportuan se një vaksinë kundër virusit vdekjeprurës Covid-19  mund të jetë gati brenda muajit shtator.

Profesoresha e Universitetit të Oksfordit, Sarah Gilbert, e cila drejton kërkimin më të avancuar në Britani për një vaksinë deklaron se është 80% e sigurt se vaksina që po prodhohet nga ekipi i saj do jetë gati brenda vjeshtës.

Në muajin mars ajo ishte shprehur se vaksina mund të ishte gati deri në fund të vitit por tashmë ajo konfirmon një skenar më optimist duke qenë se testimet tek njerëzit pritet të fillojnë brenda dy javësh.

Pavarësisht paralajmërimeve se një vaksine do t’i duhen 18 muaj për t’u prodhuar, profesoresha shprehet se skenari më i mirë për një produkt që funksionon është shtatori, nëse gjithçka shkon në mënyrë perfekte.

Ora 11:26
Covid-19, mbi 2500 viktima nga koronavirusi në Gjermani

Gjermania vijon të shënojë një rritje të të prekurve të rinj me koronavirus. Megjithatë, në 24 orët e fundit shifrat janë më optimiste se një ditë më parë.

Sipas Institutit Robert Koch, në Gjermani u shënuan 4133 të infektuar të rinj me Covid-19, shifra më të ulëta këto se 5323 që u raportuan një ditë më parë.

Në total numri i të prekurve me koronavirus në vend ka arritur në 117.658.

Gjithashtu rritje ka pësuar dhe numri i viktimave i cili ka arritur në 2544, me 171 persona që humbën jetën në 24 orët e fundit.

Franca ndodhet në pragun e 126 mijë rasteve pozitiv nga koronavirusi kurse numri i atyre që kanë humbur jetën nga Covid-19 është mbi 13 200.

Spanja ndodhet në vendin e dytë të renditjes së pandemisë në botë pas SHBA. Autoritetet kanë raportuar një total rastesh të prekur nga koronavirusi prej 158 273 kurse numri i viktimave ka shkuar në mbi 16 mijë.

Ora 11:17
Covid-19/SHBA, Detroid zhvillon testin e shpejtë. Presidenti Trump: Kurba e koronavirusit po ulet

Në Detroit të SHBA një spital ka zhvilluar një test të shpejtë, në pak minuta, për të konstatuar infeksionin te personat e prekur nga koronavirusi, gjë që përfaqëson një pikë kthese në mundësinë e përmbajtjes së përhapjes së pandemisë.

Protokolli është duke u testuar nga Universiteti Shtetëror Wayne.

Në shumë shtete është ushtria po bën shpërndarjen e shpejtë të pajisjeve mbrojtëse nëpër spitale, veçanërisht aty ku numri i të infektuarve është në rritje, si në Arizona, ku u raportuan 3,100 raste të koronavirusit dhe 97 vdekje brenda një dite.

Presidenti amerikan Donald Trump ftoi amerikanët të luten dhe të qëndrojnë optimistë. "Kur shikoni numrin e viktimave e kuptoni se në cilën situatë të tmerrshme ndodhemi. Por nga ana tjetër, nëse shikojmë numrin e shtretërve të përdorur shohim që ato janë zvogëluar në mënyrë të konsiderueshme, zakonisht kjo është shenja që tregon se kurba po shkon poshtë". Tha Trump.

Shtetet më të prekura nga Covi-19 në SHBA janë:  

New York me 174.489 raste, New Jersey 54.588, Michigan 22.434, California 21.408, Massachusetts 20.974, Pennsylvania 20.408, Louisiana 19.253, Florida 17.968.

Në vetëm një ditë SHBA kanë regjistruar 2108 vdekje për një total prej rreth 19 mijë viktima. Në vend numërohen mbi gjysmë milioni raste të Covid-19 (më shumë se 35 mijë të prekur në 24 orët e fundit) dhe rreth 19 mijë vdekje, pothuajse aq sa Italia (18 849).

Ora 09:58
Kisha pa besimtarë dhe me arkivole viktimash. Pashkët e vitit 2020 në kohë pandemie nga koronavirusi

Papa Françesku dhe Jezusi në kryq në bazilikën e madhe dhe të zbrazët të San Pietro, i vetëm në kopshtin e kishës së Bazilikës së Shën Pjetrit (jo në Kolosseum, siç ndodh çdo vit) dhe që u transmetua live në të gjithë botën. Kjo është mënyra se si Papa celebroi meshën e të Premtes së Shenjtë në një kohë kur mbarë bota ndodhet mes një pandemie shkaktuar nga koronavirusi.

Kisha pa besimtarë, rrugë të shkreta, plazhe boshe...Pashët dhe kulminacion i segregacionit prej koronavirusit

Të krishterët festojnë nesër, në një mënyrë të paparë ndonjëherë, ndërsa planeti po lufton kundër infeksionit të Covid-19.

Pashka e këtij viti do të mbahet mend si kulminacion i segregacionit prej koronavirusit të një pjese të madhe të njerëzimit.

Edhe pse kishat në vende europiane dhe më gjerë nuk janë mbyllur të gjitha, ato nuk do të kenë skenarin e zakonshëm të Pashkëve të ringjalljes. Distanca sociale nuk lejon përjashtime.

E gjithë Italia e izoluar

Me pushimet e blinduara, italianët do ta gjejnë ngushëllimin te ushqimi i mirë pa harruar të tjerët. Në Campagna shumë u angazhuan për tju çuar të moshuarve të vetmuar drekën e Pashkëve.

Por në shumë kisha boshe, vizitorët e vetëm do të jenë arkivolet e të vdekurve pasi vendet e kultit janë kthyer në banesat e fundit për viktimat që nuk kanë gjetur vend në varrezat e tejmbushura.

Ceremoni në të shkatërruarin Notre-Dame

Ceremoni e të Premtes së Shenjtë në Francë u zhvillua në katedralen e Notre-Dame në Paris. Ndërtesa, e goditur keq nga zjarri i 15 Prillit të viti 2019, priti kryepeshkopin e shoqëruar nga një delegacion i vogël.

Tradita në ballkonet e Spanjës

Përkundër emergjencës shëndetësore që po godet me forcë vendin, Spanja nuk ka dashur të heqë dorë nga traditat e saj. Në Calanda, në provincën e Teruelit, tingulli i daulleve ka rrjedhur nga ballkonet mbi rrugët e qytetit

Në Sllovaki dhe Irlandë

Rrugët e Sllovakisë, si shumë të tjera, u menaxhuan nga postblloqet e policisë. Qeveria prej ditësh ka shpallur kufizime udhëtimi për fundjavën e Pashkëve ndërsa shoferë të guximshëm apo të pakujdesshëm u mbërthyer në radhë të gjata për kontrolle, kurse në Irlandë për të përmbajtur tundim e festës u mbyllën të gjitha pikat turistike.

Ora 09:24
Covid-19, Kina shënon rritje të rasteve me koronavirus

Kina ka raportuar një rritje të lehtë të numrit të personave të rinj të prekur nga koronavirusi në 24 orët e fundit.

Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë bën me dije se 46 persona u diagnostikuan së fundmi me koronavirus, 42 prej të cilëve ishin udhëtarë nga jashtë, pas hapjes së kufijve.

Autoritetet sqarojnë se pjesa më e madhe e të të infektuarve janë raste të importuara dhe asimptomatikë.

Në deklaratën për shtyp komisioni shton se situata më problematike raportohet në provincën Heilogjiang, ku u konfirmuan disa raste të reja me Covid-19, të gjithë janë shtetas kinezë që hyjnë nga Rusia.

Në këtë provincë vetëm ditën e fundit hynë 22 persona të infektuar nga fqinji rus.

Aktualisht numri i personave të infektuar në Kinë ka shkuar në 81 953, ndërsa regjistrohen 3339 viktima.

Ora 09:05
Covid-19, në Itali zgjatet deri më 3 maj afati i masave kufizuese. Kryeministri Conte: Rinisje graduale e aktiviteteve

“Masat kufizuese do të zgjaten deri në 3 maj, një vendim i vështirë por i domosdoshëm për të cilin unë marr përsipër të gjitha përgjegjësitë politike ", - tha kryeministri italian Giuseppe Conte teksa dhe ka shpalosur thelbin e dekretit të ri qeveritar i cili do të përmbajë disa hapje të vogla aktivitetesh dhe masa të tjera lehtësuese.

Rinisja graduale

Kryeministri Conte tha se pas 3 majit gradualisht mund të lehtësohen masat kufizuese fillimisht për disa dhe më vonë për të gjitha aktivitetet e prodhimit, për ta rikthyer në punë motorin e ekonomisë. Nga 14 prilli- tha ai do hapen libraritë dhe dyqanet e veshjeve për fëmijë

Në punë për fazën 2

"Puna për fazën 2 tashmë ka filluar - tha Conte - ne nuk mund të presim që virusi të zhduket nga territori ynë. Do të na duhet një program i artikuluar dhe organik në dy shtylla: ngritja e një grupi pune ekspertësh dhe protokolli i sigurisë në vendet e punës. " Për këtë arsye, Kryeministri italian u ka bërë thirrje kompanive të prodhimit të sanitizohen.

Ai gjithashtu  konfirmoi emërimin e Vittorio Colao si President i Komitetit Shkencor Teknik, i cili do të mbështetet nga komiteti i ekspertëve për të planifikuar fazën 2.

Sipas projektit të dekretit, mund të rinisin punën pas 14 prillit, studiot profesionale dhe disa aktivitete të vogla prodhuese.

Përdorimi i dorezave, orë më të gjata në supermarkete

Masat e dekretit parashikojnë detyrimin e mbajtjes së dorezave dhe respektim i distancës së sigurisë për ata që do bëjnë pazar si dhe detyrimin për të përdorur dezinfektant për duart punonjësit pranë arkave dhe supermarketet do të duhet të punojnë me orare të gjata për të shmangur radhët dhe rrezikun e grumbullimeve të mëdha të blerësve. Gjithashtu të gjitha dyqanet janë të detyruara të kenë hyrje dhe dalje si dhe do të duhet të pastrojnë dhe dezinfektojnë të paktën dy herë në ditë ambjentet e tyre.

Ora 08:41
Covid-19, Presidenti amerikan urdhëron dërgimin e ndihmave në Itali, Trump: Është aleati ynë më i vjetër e më i afërt

“Italia, një nga aleatët tanë më të afërt dhe më të vjetër, është shkatërruar nga pandemia e Covid 19, e cila tashmë i ka marrë jetën rreth 19 mijë njerëzve, e çoi në kolaps sistemin shëndetësorë dhe ekonominë po e kërcënon me recesion. Edhe pse përgjegjësia parësore e qeverisë së Shteteve të Bashkuara është ndaj popullit amerikan, nga sot ne do dërgojmë te miku ynë shumë ndihma”.

Ishin këto fjalët që tha presidenti amerikan Donald Trump dhe që u shoqëruan me urdhërin drejtuar agjencive qeveritare amerikane (thesarit, mbrojtjes, tregtisë, shëndetësisë dhe sigurisë kombëtare) për të filluar me dërgimin e ndihmave.

 Presidenti i kërkon Sekretarit të Shtetit Pompeo dhe Usaid-it që të identifikojnë organizatat ndërkombëtare shoqërore dhe fetare të cilat mund të mbështesin Italinë në luftën kundër epidemisë.

Edhe ushtria amerikane gjithashtu do të mobilizohet për të ofruar shërbime të telemjekësisë në spitalet e rajoneve të prekura nga koronavirusi dhe ndërtimin e spitaleve në terren. Urdhri gjithashtu parashikon dhënien e mbështetjes teknike dhe për biznesin, për të ndihmuar në rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë